Kujtim Çashku: Filmi izraelit ne Holocaust Memorial Day


Rektori i Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, regjisori i njohur Kujtim Çashku, është një nga njohësit më të mirë të kinematografisë së Izraelit. I vlerësuar si një personalitetet i kinematografisë shqiptare, filmat që ai ka realizuar e kanë bërë të njohur në të gjithë botën. Ai është vlerësuar me një sërë çmimesh kombëtare dhe është nderuar me 9 çmime ndërkombëtare. Kujtim Çashku tha për “Izraelisot.com” se, tashmë në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, prej vitesh është krijuar një traditë e plotë e “Ditës së Memories së Holokaustit”. 27 Janari është shpallur nga OKB-ja si një ditë kujtese në emër të viktimave të gjenocidit në të cilin u vranë afërsisht gjashtë milionë hebrenj nga regjimi nazist dhe bashkëpunëtorët e tij.

Çashku, fitues i Çmimit UNESCO në Festivalin e Filmit në Venecia 1998 me filmin “Kolonel Bunker”, tha për “Izraelisot.com”, se më 27 Janar 2015 në orën 19:00 në Akademinë Filmit “Marubi” të themeluar prej tij, do të çelet Edicioni i 6-të i Ditës së Kujtesës së Holokaustit me filmin “I quajturi Heinrich Himmler”, i realizuar nga regjisorja Vanessa Lapa. Gjatë edicioneve të mëparshme në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi” janë shfaqur filmat “Shpëtimi në Shqipëri”, “Një film i pambaruar” “Odessa, Odessa!”, “Apartamenti”, “Të numëruarit” dhe “Hapat në Jerusalem”. Shfaqja e filmit bëhet me mbështetjen e Ambasadës së Izraelit në Tiranë.

– Zoti Çashku, Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” e ka shndërruar në një traditë 27 Janarin si “Dita e Memories së Holokaustit”, duke i ofruar shikuesit shqiptar mundësinë e ndjekjes së filmave izraelitë. Çfarë tematike kanë pasur ato?
– Në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, prej vitesh është krijuar kjo traditë e “Ditës së Memories së Holokaustit”, si një ditë kujtese që, në emër të viktimave të Holokaustit filmat që shfaqim i drejtohet ndërgjegjes së botës, për të parandaluar, çdo formë krimesh që burojnë nga intoleranca dhe racizmi, nga gjenocidi e fondamentalizmi, nga makina totalitare e vdekjes dhe obskurantizmi barbar, nga çdo formë fanatizmi dhe ideologjizimi i jetës njerëzore. Filmat e shfaqur si “Shpëtimi në Shqipëri” i cili lidhet me mbrojtjen që Shqiptarët i bënë hebrenjve gjatë nazizmit, e më pas filmat, “Një film i pambaruar” i Yael Hersonski, “Odessa, Odessa!” i Michael Boganim, “Apartamenti “ i Arnon Goldfinger, “Të numëruarit” i Dana Doron dhe Uriel Sinai, “Hapat në Jerusalem” i David Perlov, “I quajturi Heinrich Himmler” i Vanessa Lapa janë filma që u flasin të shkuarës, u flasin konflikteve aktuale të botës dhe rrezikut permanent që i kanoset të ardhmes së njerëzimit.
– Më 27 Janar 2015 në orën 19:00, në Akademinë e Filmit Marubi do të çelet Edicioni i 6-të i ditës së kujtesës së Holokaustit. Cili është filmi që do të prezantohet për publikun shqiptar?
– Filmi “I quajturi Heinrich Himmler” është realizuar nga një regjisore femër Vanessa Lapa. Vanessa, përpara se të realizonte këtë film dokumentar ka punuar për 13 vjet rresht si gazetare. Në pyetjen që i është bërë regjisores se çdo të mësojë audienca e sotme nga ky film i saj, ajo u është përgjigjur: “ …reflektimi dhe mendimi që na duhet, kur dëgjojmë sot çdo politikan që përpiqet të na paraqesë axhendën e vet politike. Unë besoj se spektatori ka nevojë të përballë jetën e tij me eksperiencat jetësore që sjell kinematografia…”
filmi– Heinrich Himmler ka qenë një nga figurat qendrore në regjimin nazist, madje ka qenë personi direkt ka zbatuar Holokaustin…
– Po është e vërtetë, por është mjaft impresionante në këtë film që lidhet me jetën e tij, kontributi që regjisores së filmit i ka dhënë mbesa e madhe e Heinrich Himmlerit, Katrin Himmler. Është ajo, e cila i ka deshifruar të gjitha materialet dhe dokumentat e grumbulluara për jetën e Himmlerit. Ajo vetë ka punuar që në zanafillë të filmit me regjisoren Vanessa Lapa. Katrin Himmler ka shkruar një libër për Himmlerin me motivin e vetëm që t’u lë brezave ato të vërteta që do dëshironte çdo qënie humane t’ua linte njerëzve të tjerë, të cilëve do u dëshironte një jetë më të lumtur se ç’kanë pasur brezat e shkuar.
– Zoti Çashku, ju jeni një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë shqiptare, autori i shumë filmave, ku në disa prej tyre jeni regjisor, skenarist dhe producent. Sa besoni se, kinemaja mund t’i afrojë popujt duke i njohur me historitë e tyre?
– Unë besoj se, ende filmi dhe kinemaja mbetet një hapësirë e përbashkët e popujve kudo në botë. Filmi është sinteza e kulturave dhe ëndrrave të njerëzimit. Edhe pse kjo hapësirë herë zvogëlohet, e herë zmadhohet apo dhe fragmentalizohet në vetvete, filmi si një këndvështrimi unik i botës e ka fuqinë e vetë ëndrrës dhe imagjinatës së imagjinares pa kufi e cila nuk vdes dhe nuk shterron kurë. Filmi si art më i ri në historinë e arteve brenda një shekulli e ka ndryshuar përfytyrimin tonë për botën. Mendoni vetëm një çast se ç’përceptim do të kish bota pa kulturën e imazhit, pra të fotografisë dhe të filmit?!
– Sa ndihmojnë imazhet filmike, për të krijuar një përfytyrim sa më real të asaj që ka ndodhur gjatë Holokaustit?
– Fotografia dhe arti i filmit është ai planet, i cili ka fotografuar memorien njerëzore. Mendoni një çast se çdo ish bota pa fotografinë dhe filmat e realizuar, qoftë dhe për holokaustin. Mendoni, sa i verbër e tragjik do të ish përfytyrimi ynë, për krimet monstruoze, luftërat fetare, skllavaxhismat koloniale, nacionalizmat territoriale, dëshmitë e dashurive njerëzore e sakrificave të pafundme humane për të ruajtur ato vlera që njerëzimi ka grumbulluar në shekuj. Në paradigmën se nëse ishte Amerika ajo që krijoi Hollivudin apo Hollivudi Amerikën, mund të themi se sot jemi përballë ballafaqimeve vizuale të imazheve që po konturojnë një pamje tjetër të botës, e cila prodhon imazhe si qasje e ndryshimeve që përpiqet t’i bëjë ajo vetvetes. Nga ana tjetër mund të themi se, bota është përballë një konflikti të heshtur memoriesh vizive. Ajo ka shtruar para vetes pyetje fondamentale se cilën pjesë të memories duhet flakur nga vetja dhe cila pjesë e saj duhet arkivuar e për më tepër duhet kujtuar. Natyrisht që ky konflikt zhvillohet brenda çdo individit, çdo familje, grupi shoqëror, mes popujve e kulturave të ndryshme madje brenda vetë botës në vetvete. Kinematografia izraelite në tematikat e saj që trajton është dhe ajo vetë përballë këtyre dilemave.
– Kinemaja izraelite me gjithë emrat e mëdhenj si në fushën e regjisurës, ashtu dhe të aktrimit mbetet ende disi e panjohur për shikuesin e gjerë shqiptar. Si një njohës i saj, si do ta vlerësonit atë?
– Kinematogarfia izraelite po bëhet gjithnjë e më prezente brenda dhe jashtë vendit nga vetë kompleksiteti i tematikave që ajo trajton. Vihet re një lloj kinemaje e ç’angazhuar e cila gjithnjë e vë në pikëpyetje politikën dhe funksionin e saj në shoqërori, vë në pikëpyetje individin dhe shoqërinë në tërësi. Ajo është në atë shkallë zhvillimi që ka guximin të shoh veten në sy. Adresimi dhe mos braktisja e audiencës lokale gjoja në emër të tregut është një parakusht dhe një garanci e zhvillimit të kinematografisë izraelite. Pyetjet e saj për vlera etike e morale brenda familjes e shoqërisë izraelite e mbajnë atë të lidhur me spektatorin vendas.
– Cili është trendi i filmit izraelit?
– Fakti që mazhorancën e audiencës së filmit izraelit, e përbëjnë të rinjtë është një tregues i rëndësishëm se ky fenomen i ka sjellë një zhvillim galopant kinematografisë izraelite dhe një gjuhë të pasur e të veçantë shprehjeje kinematografike. Nga ana tjetër, ky komunikimi në dukje lokal u ka garantuar kineastëve izraelitë njëherësh dhe një audiencë botërore me vlerësime të kritikës madje dhe me mjaft çmime në festivale të rëndësishme ndërkombëtare. Një dukuri tjetër e veçantë e kinematografisë izraelite është prezenca dhe suksesi i një numri gjithnjë në rritje të regjisoreve femra, madje mund të themi si në asnjë vend tjetër të botës.
– Ju faleminderit.

Ambasadorja e Izraelit: Shqipëria, shembull i bukur tolerancës ndërfetare

Ambadasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka qenë e ftuar në disa darka iftari të organizuar në Tiranë.

Izrael

Izraeli rihap hapësirën ajrore, kapen 99% e raketave iraniane

Nga më shumë se 30 raketa të lëshuara nga Irani, asnjëra nuk kishte arritur në Izrael.

Shqipëri

Rama dënon sulmin e Iranit kundër Izraelit: I paprecedent, rrezikon të destabilizojë rajonin

Kryeministri Edi Rama dënoi sot fuqimisht sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

BE dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit si ‘përshkallëzim të paprecedentë’

Bashkimi Evropian dënoi ashpër sulmin e drejtpërdrejtë ajror të Iranit ndaj Izraelit.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.