Hebrenjtë në kujtesën e beratasve

Familje beratase kanë strehuar hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore

Beratasit janë shquar nëpër shqotat e historisë për kulturën qytetare që kanë krijuar dhe për begatinë e tyre shpirtërore. Edhe i pasuri, edhe i varfëri e ka pasur në gjak mikpritjen, besnikërinë, zemërgjerësinë, shpirtin e përballjes me rrezikun, për atë që i ka bujtur në shtëpi dhe që ai e ka pranuar me mirësi. Dhe kjo traditë është e dokumetuar që së hershmi.

Kanë qenë qytetarët beratas që u kanë bërë vend banorëve të Durrësit, pas shembjes së qytetit të tyre nga tërmetet viteve 1372, 1905, 1926; apo banorëve të Voskopojës pas djegies së saj të parë në vitin 1769, dhe pas tri djegieve të tjera, si ajo e viti 1916, e cila detyroi shpërnguljet e banorëve të saj edhe në drejtim të Beratit. Ishte kjo bujari që i shtynte mjaft qytetarë për arsye të ndryshme të linin vendbanimet e tyre dhe të gjenin ngrohtësi apo të kërkonin mirëqenie në këtë qytet.

Kështu shpjegohen kërkesat e mjaft nëpunësve, para shpalljes së Pavarësisë ose pas saj, për t’u emëruar në këtë qytet, ngaqë ky emërim u hapte portat e mirëqenies.

Ky tipar dallues i beratasve lidhet me përkujdesjen që ata tregonin për të gjithë ardhësit, që kishin qenë të detyruar të trokisnin në derën e tyre.

Hebrenjtë, që herët në Berat

Duke qenë një qytet me kulturë të hershme, qytet i kodikëve apo i poetëve dhe dijetarëve të shquar shekujve XVII-XVIII, u bëri vend edhe hebrenjve, që filllimisht zbritën në Berat, për të gjetur strehim dhe për të ndërtuar një jetë të përbashkët qytetare. Këtë qytet ata e parapëlqyen, sepse banorët e tij respektonin liritë fetare, jetën, kulturën e të gjithë ardhësve. Aq e vërtet është kjo, sa ata u lejuan të vendoseshin së bashku në rrugicën mbi Xhaminë e Telelkave, që është njohur në vite si Mëhalla e Çifutëve. Ata u mbrojtën në zhvillimin e jetës së tyre tregtare dhe kulturore, sa u bënë pjesë e kulturës dhe letërsisë që u lëvrua në gjuhën shqipe në këtë qytet.

I dëgjuar ka mbetur poeti hebre Solomoni, prej të cilit, edhe pse nuk na ka ardhur asgjë nga krijimtaria e tij, na ka mbetur emri midis poetëve beratas, si Nezim Berati, Mehmet Ashkiu, Fejziu, Sulejman Naibi etj.

Duke i njohur vetitë e shquara të bashkëqytetarëve të vet, Mehmet Qypryliu, kur mori urdhër për ndëshkimin e udhëheqësit shpirtëror të hebrenjve Sabbatai Zevi, ai e dërgon atë në Berat, duke e lënë në besë të tyre.

Hebrenjtë në Berat, edhe pse nuk dihet nëse paten sinagoga, duke qenë të mbledhur në një mëhallë të veçantë, ritet fetare i kryenin në shtëpitë e tyre të pashqetësuar. Beratasit nuk veçonin qytetarët në rrënjës, apo ardhës. Ata i quanin të gjithë beratas. Nga koha kur hebrenjtë kanë ardhur në Berat, edhe pse ata u larguan prej qytetit valë-valë, nuk ikën pa lënë gjurmë apo edhe pasardhës, të cilët jetojnë edhe sot edhe pse nuk e kanë ruajtur gjuhën e tyre amëtare. Nga këto familje po përmend vetëm njërën, atë më të njohurën, që i ka shtëpitë në lagjen Përrua të Beratit, dhe që ruan mbiemrin Avrami (Abrahami).

“Hebrenjtë e Luftës”

Shpirti i beratasve njohu një lulëzim të ri edhe në vitet e Luftës së dytë Botërore. Emri i mirë që kishte ruajtur qyteti, solli edhe ardhësit më të rinj, hebrenjtë e fundit, të cilët qëndruan në besë të beratasve. Falë ndërtimit të qytetit, me shtëpi që rrethoheshin me mure dhe bahçe që ndërlidheshin midis tyre, si dhe trimërisë dhe shpirtit vetmohues të qytetarëve, u bë e mundur që asnjë nga hebrenjtë e ardhur në Berat, të mos bjerë në duart e gjermanëve.

Në vitet e Luftës II Botërore në Berat kanë qenë shumë fmilje hebrenjsh: David, Abraham. Solomon. Moisi, Jakov, Jozef, Isak, Levi, Asher, Samuel, Joakim, Benjamin, Llazar, Mosha, Simeon, Gjoni, Pjetri, Aron, Mordo, Mushon, Jitzhak. Rashela, Sara, Sarina, Shabat, Bahar, Adixhe, Kantoz,Ruben, Kohen, Kalderoni, Nero, Jakoel, Pardo, Shvarc, Navoni, Popo etj, janë emra e mbiemra që silleshin në biseda, një antroponimi e tërë, që duket sikur ka kaq lëndë, substancë, esencë sa mjafton për ta rikrijuar botën hebraike.

Të ardhur nga Prishtina e qytete të tjera të Kosovës, a nga vise të ndryshme të Jugosllavisë, në vitet 1942- 1943, ose dhe më herët, ata vinin natyrshëm, në kohë të panatyrshme, në një qytet që hebrenjtë i kishte mbajtur në shekuj, me një vazhdimësi pothuajse të pandërprerë, ku kishin pasur një lagje të tyre në qendër të qytetit, dyqanet, esnafin, rabinin dhe sinagogën sigurisht. Në këtë sens Berati është qytet edhe i hebrenjve, ku ata në shekuj kishin hyrë pa trokitur, një shtëpi e tyre e jo thjesht një adresë provizore. Ka qenë për ta një oaz me ato rrënjët e tyre karakteristike në shtegtimin drejt atdheut, të lënë pas në hapësirë, në gjeografi, por për ta gjetur përpara në kohë, në histori.

Me provën e dhënë Berati u ridëshmua si itinerar i njohur, një vend i rëndësishëm në shtegtimet e qëndrimet e hebrenjve, një nga ato pika orientimi ku ata nuk kanë humbur as rrugën, as sigurinë e jetës së tyre.

Mbresa dhe kujtime ende të freskëta

Në vend të dëshmive arkivore, do të doja të sillja pjesë nga freskia e bisedave të gjalla: Çfarë thonë ata që i mbajtën, që ndanë ditë, muaj, vite me hebrenjtë, që ndanë strehën, bukën, kripën, ujin, që potencialisht mund të ndanin dhe vdekjen, por që i thanë “larg” asaj, dhe vdekja nuk i arriti dot.

“Ne bëmë atë që duhet të bëjë njeriu për njeriun”, – thotë Isuf Qojle, 80 e ca vjeç, ndër të paktët që rron nga ajo radhë emrash të cituar. ”Të gjithë jemi bij të Zotit. Kam strehuar e ndihmuar Jakov David Asheri, me të shoqen, Rashela e fëmijët , Kurtin djalin dhe vajzën Rashela. Davidi ishte nga Prishtina, Kosova, ku kishte lënë një dyqan, se ai merrej me tregti. Edhe unë me tregti merresha, kisha një dyqan ushqimor. Kisha dhe një veturë, me të bëja furnizimet nga Durrësi. Kur shtrëngohej rreziku, i kam çuar edhe ne fshatin Vrion, tek Fejzi Hoxha, ku ndenjëm pak, se pastaj shkuam në Qereshnik, tek Mynyr Agai, që e kisha myshteri dhe kisha muhabet me të. Ndërsa kur erdhën gjermanët, kur rreziku ishte më i madh, i kam çuar më larg, në Tozhar, në fshat tek Saliko e Isufi. Gjithë fshati na priti mirë, na ftonte për kafe dhe i gëzonte fëmijët me yshyre, mollë, arrë e bajame. Ç’të të them tjetër? Kohë e vështirë.

Kur iku, Jakovi qau, u ndamë me lot. “Vëllezër lashë atje, vëllezër gjeta këtu.” Kishin fëmijë shumë të edukuar. Dinin shqip. Kam pasur dhe një fotografi, por erdhën e ma kërkuan dhe e morën ca gazetarë para disa vitesh. Nuk e di se ku bëhet tani kjo fotografi.

Dhe një nga ata që i ka shoqëruar për në Tozhar (vend më i sigurt zor se gjendej), te Saliko e Isufi, ka qenë Veli Xhelali-Mukli, që Salikon e Isufin i kishte dajot e babait. I biri i Veliut, Çlirimi, thotë se qëndruan atje 2-3 muaj dhe se, kur janë kthyer, kanë bërë një fotografi me tim atë. Sa mirë gatuanin ata, thotë Çlirimi sipas kujtimeve e vlerësimeve nga nëna e tij.

Unë kam regjistruar shumë kujtime të tilla, të cilat ruhen si gjë e çmuar nga pasardhësit, kujtime që u kanë treguar gjyshërit dhe baballarët. Por për mungesë vendi, nuk po zgjatem.

Me provën e dhënë Berati u ridëshmua si itinerar i njohur, një vend i rëndësishëm në shtegtimet e qëndrimet e hebrenjve, një nga ato pika orientimi ku ata nuk kanë humbur as rrugën, as sigurinë e jetës së tyre.

 

 “Davidë kemi qenë, Davidë do të mbetemi”!…

-Me Loli Davidin e nipin e tij, Sokrat Davidi, këto ditë në Berat

Kisha pothuajse katër vjet pa e takuar Loli Davidin, këtë 83-vjeçar krutjan, veteran i arsimit në Myzeqe, mësues e drejtor shkolle për mbi çerek shekulli… Ishte sot në Berat me nipin 73-vjeçar, Sokrat Davidi… Loli është me kapele republike, kurse i ati i tij, 50 vjet të shkuara, Kristo Davidi, vinte në Berat me qylaf pellushi të zi, ashtu siç e kishin mbajtur të parët e tij në fshatin David të Tomoricës, rreth 200 vjet të shkuara, kur zbritën në Myzeqe… Fshati David, mbiemri David, jo vetëm për të krishterë, por edhe për bektashianë….

Dhe zbritën Davidët nga Tomorica, duke u përhapur si erashkë në gjithë Myzeqenë… në Savër dhe në Lushnje, në Pish Poro dhe në Vlorë, në Topojë, në Daullas dhe Krutje, në Goriçaj e Lumth, në Gorre e Durrës, në Fier e ku tjetër…

Kur ua donte puna e linin mënjanë fenë, si në Vajkan , Lushnje, ku ishin hyzmeqarë, u bënë myslimanë, por sapo e morën veten, nuk ishin më bujq, e shkuan në Goriçaj, i lanë emrat myslimanë, duke thënë:

-Davidë kemi qenë, Davidë do të mbetemi!

Loli Davidi po shkruan një libër. Titulli provizor: “Davidët e zbritur nga Tomorica…” 730 votues të fundit kanë mbiemrin Davidi…

Kanë lidhje me hebrenjtë apo janë hebrenj? Në mesjetën e hershme, në Ballkan, hebrenjtë, për mbijetesë janë ngjitur edhe në male, në malet shqiptare, në Tomor a Tomoricë, në Molisht, etj…

 

 Miki

Miki, një hebre me tabaka në duar, strehuar në kohën e Holokaustit në Berat (1942-45) tek familja e Vangjel Budës, tek Budat, brez pa brezi argjendarë, me origjinë, ka gjasë dhe hebreje, argjendarë të spikatur edhe në punime ikonash me gdhendje, kuposje, derdhje dhe veshje me sava… Vangjeli vdiq i ri, më 1968, 50 vjeç…

I dhënë pas argjendarisë, pas librave dhe “Zërit të Amerikës”… Vdiq me “Zërin e Amerikës” tek veshi… Argjendarinë si profesion ia la të birit Dhimitrit, Taqos, i cili ua trashëgon djemve Gavril e Valirian…

Miki u mbajt si djalë shtëpie deri më 1945, kur Vangjel Buda e përcolli deri në Durrës, ku ishin mbledhur dhe hebrenj të tjerë, që riktheheshin në vendet nga kishin emigruar…

Nasho Qytyku, 81 vjeç, fqinj me Budat, e mban mend Mikin, se, duke qenë moshatarë, edhe luanin bashkë në rrugët e “Vakëfit”…/ Simon Vrusho

 

 

Familje beratase që kanë strehuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore

1.Isuf Qojle

2.Qani Civeja

3.Mehmet Xhezo

4.Halil Frashëri

5.Xhevat Gjergjani

6.Xhevahir Zaganjori (Shkodrani)

7.Vexhi Buharaja

8.Hysen Nallbani

9.Bari Zeko

10.Burhan Ruli

11.Sulo Muzhaka

12.Tajfur Haznedari

13.Asaf Xhufi

14.Gani Telegrafi

15.Sulo Droboniku

16.Tefik Ruzi

17.Taq Simsia

18.Lilo Xhimitiku

19.Jorgji Naço

20.Irakli Meroli

21.Gaq Kajana

22.Dhimiter Shyti

23.Llazar Sholla

24.Toli Dodi

25.Dhoksi Sfeci

26.Siku Gjogu

27.Kozma Gega

28.Llukan Gjika

29.Tasi Bixhonja

30.Vangjel Sota

31.Zoi Vesho

32.Grigor & Peçi Shkurti

33.Jorgji Angjeliu

34.Resmie Spathara

35.Ndon Papai

36.Miti Cania

37.Vlash Myzeqari

38. Hiqmet Çipi etj.

Lexo më shumë