Ambasadori i Izraelit: Vendet mike le të ndjekin shembullin e SHBA për Jeruzalemin

Boaz Rodkin: Jam shume i lumtur qe t’ju them se nuk shikojme antisemitizëm ne Shqiperi.

Ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Z. Boaz Rodkin deklaron se vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për Jeruzalemin është ai i duhuri dhe se vendi i tij u ka kërkuar të gjithë vendeve mike dhe aleate të ndjekin shembullin e shefit të shtëpisë së bardhë në këtë drejtim. Duke folur për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri në News 24 ambasadori Rodkin deklaron se teksa vendi i tij ka nisur festimet për 70 vjetorin e themelimit të shtetit të Izraelit, në Shqipëri nuk vërehet as shenja më e vogel e antisemitizmit.

“Sigurisht që do të jetë një vendim sovran i qeverisë shqiptare, por ne i kemi kërkuar të gjithë miqve dhe aleatëve që të ndjekin vendimin e administratës amerikane” deklaron ambasadori Rodkin duke nënvizuar se Jeruzalemi gjithmonë ka qenë kryeqyteti i natyrshëm i Izraelit.

“Ka qenë kryeqyteti i Hebrenjëve për 3000 vjet dhe kryeqytet i shtetit modern të Izraelit përgjatë 70 viteve të fundit. Vendimi i Trump ishte i natyrshëm dhe ne e vlerësojme shumë ashtu siç vlerësojme edhe vendimin e vendeve të tjera për ta ndjekur këtë shembull. Ne i bëmë thirrje të gjithë miqve dhe aleatëve tanë që ta ndiqnin këtë vendim të Shteteve të Bashkuara për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për t’i zhvendosur ambasadat e tyre atje dhe mendoj se me kalimin e kohës do të shikojmë më shumë shtete që e bëjnë këtë” thekson Ambasadori Rodkin.

I pyetur nëse votimi i Shqipërisë në OKB kundër vendimit të Trump për Jeruzalemin mund të pengojë bashkëpunimin ambasadori Izraelit deklaron se në lidhje me këtë votim janë zhvilluar biseda të vazhdueshme me autoritetet shqiptare, por nga ana tjetër bashkëpunimi ekonomik po zhvillohet në drejtimin e duhur. “Po përgatitemi për të patur fluturime direkte për herë të parë mes Tel Avivit dhe Tiranës që do ta rrisë më tej bashkëpunimin ekonomik, por ekzistojnë edhe projekte të tjera ekonomike që kanë të bëjnë me tubacionet dhe jam i sigurtë që në këtë drejtim po shkojmë në rrugën e duhur” shprehet Ambasadori Rodkin.

Duke kujtuar Holokaustin dhe faktin se Shqipëria mbrojti hebrenjtë që erdhën në vendin për t’i shpëtuar vdekjes, ambasadori Rodkin deklaron se një fakt i tillë është një bazë solide për marrëdhëniet e mira që ekzistojnë deri ditët e sotme. Diplomati Izraelit ndalet edhe te konflikti në Lindjen e Mesme duke theksuar se organizata terroriste Hamas nuk e njeh të drejtën e shtetit të Izraelit për të ekzistuar, por deklaron hapur ambicien e saj për të asgjësuar vendin tonë. Në momentin që do të jetë një lëvizje që e njeh shtetin e Izraelit, atëherë do të jetë më e lehtë për të ecur përpara me procesin e paqes deklaron ambasadori Izraelit në Shqipëri.

Zoti ambasador, a shikon Izraeli armiqësi dhe antisemitizëm ne Shqiperi?
Jam shume i lumtur qe t’ju them se nuk shikojme antisemitizëm ne Shqiperi. Ekziston nje trend i tille ne pjese te tjera te Europes. Kemi pare incidente antisemitizmi ne France gjate viteve te fundit, ne Gjermani apo Britani e Madhe por fatmirësisht nuk kemi pare asnjë shenje antisemitizmi ne Shqiperi. Ndihemi shume te mirëpritur ketu dhe kjo nuk eshte vetem ndjesia jone, por edhe e disa organizatave izraelite qe kane vizituar Shqiperine. Jo vetem kaq, por gjate vizites se fundit te kryeministrit Rama ne Washington ai u shfaq përpara lobit izraelit AIPAC qe ishte nje vizite domethenese. Edhe turistet Izraelite qe udhetojne ne te gjithe Shqiperine, dhe une shpresoj qe te vijne gjithnjë e me shume ne kete vend, ata gjithmonë na tregojne se nuk shikojne as shenjen me te vogel te antisemitizmit ne kete vend kaq te bukur.