Ambasadorja Alona Fischer-Kamm: Izraeli është i fokusuar në Kosovë

Portali Izraelisot.com zhvilloi në Prishtinë një interviste me kryediplomaten izraelite


Alona Fischer-Kamm, ambasadorja e Izraelit në Serbi dhe që e shtrin aktivitetin e saj diplomatik në Kosovë dhe në Malin e Zi, ishte e pranishme në ceremoninë e dekorimit të familjes kosovare Sharri nga Prizreni me medaljen “Fisnik ndër Kombe” të mbajtur në Prishtinë, e që jepet nga Shteti i Izraelit për jo-hebrenjtë që kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë periudhës së Holokastit. Gjatë qëndrimit të saj tre ditor në Prishtinë, ambasadorja Ficher-Kamm u takua me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, si dhe mori pjesë gjithashtu në pastrimin e varrezave të hebrenjve të Prishtinë.

Ambasadorja Fischer-Kam ka një karrierë të pasur diplomatike nga viti 1992 dhe ka shërbyer në detyra dhe funksione të ndryshme në Argjentinë, Francë, Spanjë, Serbi.

Portali Izraelisot.com zhvilloi një interviste me kryediplomaten izraelite, ku midis të tjerash foli edhe prezencën në rritje të investitorëve në Ballkan, urat që po i lidhin gjithmonë e më shumë Izraelin me Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, komponentët që e bëjnë ekosistemin izraelit të suksesshëm në botë, etj.

 

***

Zonja Ambasadore, së pari është kënaqësi që ju kemi në portalin “Izraeli Sot”. E konsideruat si një ngjarje me emocione speciale për ju, dhënien e certifikatës “Fisnik ndër Kombe” të Familjes Sharri…

-Jam shumë e lumtur, ta ritheksoj në këtë rast kaq special për të nderuar një familje si ajo Sharri si “Fisnik ndër Kombe”. Kjo është një njohje nga ana e Shtetit të Izraelit, për jo-hebrenjtë që vunë në rrezik jetën e tyre, me qëllim që të shpëtojnë hebrenjtë gjatë Holokaustit.

-Ishit tepër e emocionuar gjatë fjalës suaj në veprimtarinë e organizuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës…

-Unë isha me të vërtetë e privilegjuar dhe kisha nderin për t’i dhënë vajzës së familjes, motrës së saj, dhe të gjithë familjes së tyre këtë medalje. Unë mendoj se, ky është një mesazh që Izraeli u dërgon jo-hebrenjve që rrezikuan jetën e tyre se, ne nuk i harrojmë ata, nuk harrojmë Holokaustin, viktimat që u shkaktuan, por ne nuk i harrojmë as ata që na ndihmuan neve.

-Tashmë po shikohet një prezencë tepër aktive e Izraelit në Ballkan, ka më shumë investime, investitorë izraelitë janë të pranishëm në Kosovë, Shqipëri…

-Po, me të vërtetë. Ne jemi duke bërë gjithmonë e më shumë përpjekje, me qëllim që të intesifikojmë dhe të hapim dyert investitorëve izraelitë të vijnë këtu. Ne mendojmë se, është diçka shumë e mirë për izraelitët, por edhe diçka shumë e mirë për ballkanasit. Ne besojmë shumë te Ballkani. Ne besojmë në perspektivën e Ballkanit, ne besojmë në potencialin që ofron Ballkani. Ne shikojmë ngjashmëri midis popujve dhe njerëzve. Dhe ne e kuptojmë se ka potencial të madh, për izraelitet për të bërë biznes në shtetet që përbëjnë Ballkanin.

-A kanë informacion të qartë investitorët e fuqishëm izraelitë, për mundësitë që ofron Kosova dhe Ballkani?

Për këtë po përpiqemi që të mos mungojë informacioni. Shumë investitorë izraelitë nuk janë të vetëdijshëm për momentin zhvillimet e vrullshme që po përjetojnë vendet e Ballkanit. Dhe një nga detyrat e mia si ambasadore dhe e ambasadës është t’u ofrojmë atyre sa më shumë informacione, t’i përditësojmë ata me informacione në lidhje më këtë potencial që ofron Ballkani. Kështu, që ne po përpiqemi të shikojmë se çfarë mund të bëjmë më shumë me qëllim që, të tërheqim biznesmenë nga Izraeli në Ballkan dhe unë besoj se kjo do të jetë me përfitime për të Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi.

Ka gjithmonë e më shumë shqiptarë dhe kosovarë, që po marrin pjesë në kurset e trajnimit në programet e MASHAV-it, të organizuara nën kujdesin e Ministrisë së Jashtme të Izraelit. Sa të implementueshme janë njohuritë që ata marrin?

Po, ne kemi programe speciale të MASHAV-it. MASHAV-i është agjencia jonë për Zhvillim dhe Kooperim Ndërkombëtar që funksionon pranë Ministrisë së Jashtme. Dhe përmes kësaj dege ne organizojmë kurse dhe shpërndajmë eksperiencë dhe njohuri në fusha të ndryshme, të tilla si shëndeti, bujqësia, inovacioni, ambienti, etj. Në kurset e trajnimit që zhvillohen në vende të ndryshme në Izrael, pjesëmarrësit janë edhe nga e gjithë bota dhe shumë prej tyre vijnë nga vendet e Ballkanit, të cilët mësojnë nga eksperienca izraelite dhe ne me kënaqësi ndajmë njohuritë tona, për pjesëmarrësit nga e gjithë bota. Ka gjithashtu, ekipe trajnimi që organizojnë kurse në vendet që dëshirojnë të përfitojnë nga eksperienca izraelite. Gjithsesi, ka edhe shumë forma të tjera për të kontribuar në marrëdhëniet midis vendeve, dhe këtu mund të përmend edhe ndihmat humanitare, apo ish-studentët të MASHAV-it, me qëllim që t’u japim disa mjete për të implimentuar ato që ata kanë mundur të mësojnë në Izrael. Ne kemi me të vërtetë, mjete shumë të pasura dhe të ndryshme të cilat mund të përdoren në vendet e tyre dhe ne jemi shumë të lumtur që, të kontribuojmë për këtë. Kështu, ata përfitojnë nga eksperienca e Izraelit, mësojnë nga Izraeli dhe e pasurojnë eksperiencën e tyre gjithashtu, për ta bërë të mundur që këtë rajon të bukur të Ballkanit ta zhvillojnë akoma edhe më shumë dhe të sjellin eksperiencën e tyre, të asaj që ata morën në Izrael.

-A shikoni kulturën si urën për të lidhur njerëzit, duke parë edhe aktivitetin e dendur kulturor, me organizimin e festivaleve të filmave izraelitë në Prishtinë…

-Sigurisht, që kultura luan një rol të madh, por unë së pari, shoh se komuniteti hebre është një urë e madhe komunikimi dhe bashkëpunimi. Ka komunitete hebrenjsh në Kosovë, Shqipëri, Serbi, në Malin e Zi, që janë vendet speciale për Izraelin, dhe që mund të ruajnë traditën dhe kulturën hebraike. Ne punojmë shumë me komunitetet hebraike në të gjithë Ballkanin. Por, me shumë se kjo ne kemi kulturën dhe unë mendoj se kultura është një urë e bukur. Mund të jenë autorët, mund të jenë artistët, mund të jetë njerëz të letrave, kërcimtarët, muzikantët, gjithçka.  Një urë tjetër komunikimi që ekziston është MASHAV-i, të cilën e përmendëm, me njerëzit që mund të vijnë për të mësuar në Izrael, kthehen sërish në vendet e tyre dhe i implementojnë ato. Kjo është gjithashtu, një urë e bukur.  Edhe ekonomia është një urë e bukur, pasi u mundëson njerëzve të biznesit dhe njerëzve në përgjithësi, të përfitojnë nga njëri-tjetri.

-Turistët izraelitë po fokusohen gjithmonë e më shumë në Ballkan…

-Po, ka një rritje të konsiderueshme. Tashmë ka fluturime direkte edhe nga Izraeli drejt Shqipërisë. Besoj se do të ketë shumë turistë në Shqipëri, ndërkohë që në Serbi po vijnë gjithmonë e shumë turistë izraelitë. Në Malin e Zi kemi gjithashtu shumë turistë që po vijnë. Duhet të them diçka, pasi turistët izraelitë janë të veçantë, pasi ne nuk jemi si europianët që kërkojnë vetëm plazhe të bukura, pasi ne kemi mjaftueshëm plazhe, mjaftueshëm diell, por izraelitët janë të interesuar edhe për kulturën, historinë, ushqimin, të flasin me njerëzit, të kuptojnë se çfarë mundësish ka për biznesin këtu. Ne jemi shumë të interesuar për malet, ujin. Unë mendoj se, Ballkani ofron shumë atraksione për turistët izraelitë, por kjo vlen edhe për eksportet e produkteve izraelite.

Izraeli është një vend i vogël, por shumë i zhvilluar dhe konsiderohet i një “Startup Nation”. Shumë kompani të mëdha ndërkombëtare kanë qendra ‘kërkimi dhe zhvillimi’ në Izrael, eksporte teknologjike dhe shpikjet izraelite janë të famshme në botë. Sipas jush, çfarë i bën izraelitët të kenë këtë tru kaq shumë produktiv?

-Unë mendoj se jo gjithçka lidhet vetëm me aftësinë apo gjendjen mendore, trurin, mënyrën e të menduarit, por edhe të marrjes parasysh të rrezikut. Është një kulturë e vjetër të marrit parasysh të rrezikut. Është një kulturë, që ju e pranoni të dështoni, madje të jeni krenarë edhe për dështimin tuaj, pasi kjo do të thotë se herën tjetër nuk do të dështoni më. Pra, kjo është të marrësh përsipër rreziqet. Mendoj se, është edhe një gjë tjetër që izraelitët janë kaq të suksesshëm. Dhe kjo ka të bëjë me mbështetjen e Qeverisë ndaj biznesit. Që nga vitet 1990 ka një mbështetje të qëndrueshme të ekosistemit. Një tjetër komponent i rëndësishëm është zhvillimi i fuqishëm dhe përfshirja e akademikëve në sektorin privat, roli i universiteteve, madje edhe ushtrisë. Në ushtri sot ne kemi shumë njësi të sofistikuara, ata mësojnë shumë, studiojnë eksperiencat, ata shpikin shumë, shfrytëzojnë të gjitha njohuritë që kanë marrë. Mendoj që, të gjithë komponentët së bashku e bëjnë Izraelin një vend që shpik, inovon, është krijues dhe që e bën të ketë një eksperiencë të madhe dhe të suksesshme.

-Faleminderit!

Kliko dhe bëj "like", ndiq lajmet e fundit nga Izraelisot.com
Kliko dhe bëj “like”, ndiq lajmet e fundit nga Izraelisot.com

Lexo më shumë

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Fyejti Holokaustin, Izraeli shpall “non grata” presidentin e Brazilit

Kryeministri Benjamin Netanyahu i përshkroi fjalët e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva si “të turpshme”.

Shqipëri

Dita Ndërkombëtare e Gruas, ambasadorja Kumbe fjalim në Universitetin e Haifës

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ishte e ftuar të fliste në Universitetin e Haifës në kuadër të Ditës…

Kosove

Ceremoni solemne në Prishtinë, për Ditën Përkujtimore të Holokaustit

Marin pjesë Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ambasadorja e Izraelite në Kosovë, Tamar Ziv.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

Shuhet legjenda e diplomacisë amerikane, Henry Kissinger

Vdiq në moshën 100-vjeçare. Kissinger dominoi politikën e jashtme të SHBA në kulmin e Luftës së Ftohtë.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.