Qeveria e re izraelite duhet ta njohë më në fund Kosovën

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës – dhe admirimit të sinqertë të popullit të saj për shtetin hebre – Izraeli deri më sot ka refuzuar të vendosë marrëdhënie me shtetin më të ri në Europë.


Nga Akri Çipa

Prej disa kohësh, Izraeli është duke rritur angazhimin dhe po kultivon raporte të reja në gadishullin ballkanik.

Megjithatë, harta e tij e Ballkanit vazhdon të ketë një vrimë të zezë.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës – dhe admirimit të sinqertë të popullit të vet për shtetin hebre – Izraeli deri më sot ka refuzuar të vendosë marrëdhënie me shtetin më të ri në Evropë.

Qeveria e re e unitetit e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe kryeministri alternativ Benjamin Gantz ka rastin që më në fund të tejkalojë këtë status-quo dhe të lëvizë drejt njohjes së Kosovës.

Është e qartë tashmë se hezitimi i Izraelit për t’u bashkuar me mbi 100 shtetet në njohjen e Kosovës nuk avancon asnjë nga interesat e saj.

Në fakt, ekzistojnë mundësi të rëndësishme për bashkëpunim mes dy shteteve – mundësi të cilat mbeten të paeksploruara. Me popullatën e saj të re, Kosova e sheh Izraelin si model për të ndjekur dhe shndërruar në ‘start-up nation’ të Ballkanit.

Popullsia e Kosovës përbëhet në më shumë se 90 për qind nga etnia shqiptare dhe njohja e saj nga shteti i Izraelit do të ishte shtesë e mëtejshme në marrëdhëniet e shkëlqyera mes shqiptarëve dhe popullit hebre.

Izraeli gëzon lidhje të fuqishme sot me Shqipërinë dhe po rrit bashkëpunimin në tregti, turizëm dhe çështjet e sigurisë. Kosova do të përbënte një ambient të ngjashëm miqësor për investitorët izraelitë dhe turistët, dhe njohja e shtëtësisë do t’i hapte rrugë bashkëpunimit ekonomik edhe në çështjet e sigurisë.

Për më tepër, të dy shtetet ndajnë të njëjtat vlera dhe parime. Sikurse Izraeli, Kosova u themelua në vlerat universale të demokracisë, lirisë dhe pavarësisë. Si një shtet multifetar dhe multietnik, Kosova e ka të theksuar në deklaratën e saj të pavarësisë përkushtimin për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat dhe liritë e të gjitha etnive dhe komuniteteve fetare.

Sot, shteti është një model për shumë vende fqinje të cilat kanë mangësi në këtë drejtim. Komuniteti hebre, edhe pse i vogël, njihet zyrtarisht nën Ligjin për Liri Fetare dhe gëzon të gjitha të drejtat dhe mbrojtjet sikurse të gjitha komunitetet e tjera.

Dymbëdhjetë vite pas pavarësisë së Kosovës nga Serbia, frika fillestare e Izraelit se mund të konsiderohej një precedent i rrezikshëm në arenën ndërkombëtare është provuar qartazi se ishte e pabazë.

Pavarësia e Kosovës erdhi si rezultat i një procesi unik të koordinuar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera perëndimore. Edhe pse Serbia refuzon ta njohë atë, pavarësia e Kosovës është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si rast ‘sui generis’ dhe është në pajtim të plotë me ligjin ndërkombëtar. Edhe më e rëndësishme, ka shërbyer si gurthemel për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit.

Duke e njohur Kosovën, Izraeli do t’u bashkohej shumicës së shteteve perëndimore përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar si dhe shumicën e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në të njëjtën kohë, do të bënte drejtësi edhe ndaj parimit të vetëvendosjes – parim mbi të cilën ështe themeluar dhe vetë Izraeli.

Në fakt, Kosova është historia e një populli të shtypur i cili, vetëm 20 vjet më parë, iu nënshtrua një fushate të egër spastrimi etnik të kryer nga Serbia.

Pa udhëheqjen e shteteve demokratike perëndimore si Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, ne nuk do të flisnim sot për një shtet të lirë dhe demokratik. Në vend të kësaj, do të flisnim për një tjetër gjenocid që do të kishte ndodhur në zemër të Evropës më pak se gjashtë dekada pas Holokaustit.

Në vitet ’90, shqiptarët në Kosovë iu nënshtruan zhvendosjes më të madhe të një popullsie euriopiane që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Nga një popullsi me më pak se dy milionë banorë, një milion shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe më shumë se 120 mijë shtëpi u shkatërruan. Krimet serbe në Kosovë kanë mbetur, edhe kësaj dite, pa u ndëshkuar. Ndërmjet 13000 – 15000 njerëz, shumica e tyre shqiptarë, u vranë gjatë luftës. Mijëra gra – deri në 20 mijë sipas shumicës së vlerësimeve – u përdhunuan nga ushtarët dhe paramilitarët serbë.

Fushata e NATO-s e udhëhequr nga SHBA që i dha fund veprave monstruoze të Serbisë në Kosovë dhe i hapi rrugën për pavarësinë kësaj të fundit, u përkrah nga komunitetet hebraike nëpër botë, veçanërisht nga komuniteti amerikano-hebre. Liderët hebrenj në SHBA ishin në mesin e zërave më të rëndësishëm që përkrahën ndërhyrjen që parandaloi një gjenocid dhe solli paqe e stabilitet në Ballkan.

Duke u nisur nga konteksti historik, natyra unike e rastit të Kosovës, si dhe potenciali për ndërtimin e marrëdhënieve të rëndësishme ndërmjet dy vendeve, nuk ka arsye që Izraeli të vazhdojë të refuzojë ofertën e qartë të Kosovës për miqësi.

Dikush mund të argumentojë se, duke e bërë këtë, Izraeli rrezikon marrëdhëniet e tij me Serbinë.

Është e vërtetë që Izraeli dhe Serbia kanë raporte të mira, por kjo vjen pavarësisht lidhjeve të afërta të Serbisë me palestinezët dhe përkrahjes së saj për ta, duke përfshirë dhe rastet e shumta në Kombet e Bashkuara.

Pozicioni i Serbisë në këtë çështje u ritheksua së fundmi nga Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq. Teksa nënshkruante një marrëveshje për rritje të bashkëpunimit në çështjet e sigurisë me palestinezët në janar, ministri serb tha se “pikëpamjet e tyre për Palestinën janë të forta dhe të pandryshueshme”. Ideja që njohja e Kosovës do të rrezikonte raportet e Izraelit me Serbinë është mit – përkundrazi, krijimi i raporteve me Kosovën do t’i balanconte ato.

Pritshmëritë janë të larta për qeverinë e re të Izraelit.

Janë mbledhur sfida të ndërlikuara kombëtare dhe ato ndërkombëtare të cilat kanë nevojë për zgjidhje dhe lidership të vendosur.

Megjithatë, teksa shumica e tyre kërkon vëmendje të madhe dhe energji të shumta, qeveria e re ka një rast të mrekullueshëm për të fituar, pa shumë mund, një mik të ri në arenën ndërkombëtare dhe të forcojë praninë e saj në një rajon delikat, por të rëndësishëm, sikurse është Ballkani.

(Autori është ekspert i çështjeve të politikës së jashtme i përqendruar në çështjet e Ballkanit dhe Lindjes së Mesme. Ai ka master shkencor në Zgjidhjen e Konflikteve nga Columbia University në Nju Jork. Shkrimi është botuar fillimisht në prestigjiozen “Jerusalem Post”)

 

Shpëtimi i hebrenjve, Shqipëria shpallet “Shtëpi e Jetës”

Fondacioni Ndërkombëtar “Raoul Wallenberg” përuron në Tiranë pllakatin në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës

IZRAEL

Netanyahu paralajmëron tjetër tragjedi: Hezbollahu ka armatime pranë një depoje gazi në Bejrut

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, akuzoi grupin militant Hezbollah të Libanit për prodhimin e armëve pranë një "stacioni karburanti" në…

SHQIPËRI

Lehtësimi i procedurave për investitorët izraelitë, ambasadori Canaj takim me Nimrod Yaron

Ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Dr. Bardhyl Canaj, zhvilloi një takim me Nimrod Yaron, drejtuesin e kompanisë izraelite “Nimrod Yaron…

KOSOVA

Albion Bikliqi: Rrjeti 5G, Kosova ka nevojë për Izraelin dhe SHBA-të më shumë se kurrë

Izraeli dhe SHBA-të vetëm se kanë implementuar një teknologji të tillë në vendet e tyre dhe përvoja e kësaj teknologjie…

INTERVISTA

Ambasadori Gendler: Së shpejti Izraeli hap ambasadën në Prishtinë

Ambasadori i Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler, ka folur në një intervistë të posaçme për Vizion Plus, për njohjen…

MILIARDERËT

“Djemtë e artë”, katër hebrenj në dhjetë më të pasurit e botës

CEO i Facebook, Mark Zuckerberg, kryeson listën hebreje me një vlerë neto prej 85 miliardë dollarësh, i ndjekur nga gjiganti…

SPYZONE

Roli mahnitës i Mossad në paqen e Lindjes së Mesme

Mossad ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në hije në politikën e jashtme të Izraelit me vendet arabe të…