U vendosën pesë shekuj më parë, historia e panjohur e hebrenjve të Kosovës

Në atmosferën e multikulturalizmit të qytetit të Lidhjes së Prizrenit, jeton një komunitet modest i hebrenjve, të cilët tregojnë pa drojë origjinën e tyre. Votim Demiri, drejtues i këtij komuniteti tregon golgotën shekullore të hebrenjve dhe për kohën kur u vendosen  ata në Kosovë.



Në atmosferën e multikulturalizmit të qytetit të Lidhjes së Prizrenit, jeton një komunitet modest i hebrenjve, të cilët tregojnë pa drojë origjinën e tyre.

Votim Demiri – drejtues i këtij komuniteti – ka treguar për Telegrafin golgotën shekullore të hebrenjve dhe për kohën kur u vendosen  ata në Kosovë.

Ai thotë se sipas informatave që i ka – disa të marra nga studiues seriozë – vendosja e tyre në Kosovë ka ndodhur kah fundi i shekullit XV (pra, pas dëbimit të tyre nga Spanja).

Ruti Bahar Demiri me bashkëshortin Gani Demiri dhe djalin Votimin dhe vajzën Zina (viti 1950)

“Noel Malcolm, në librin e tij për Kosovën sjell fakte se në vitet 1498-99, hebrenjtë e parë vendosen në Novobërdë, sepse ky vendbanim ishte mundësi e mirë për prosperitet (Novobërda njihej aso kohe për përpunimin e hekurit)”, ka thënë 72-vjeçari, i cili sikur për ta dëshmuar diversitetin e Prizrenit, brenda pak minutave me një mik të tij fliste shqip, me një tjetër turqisht.

Ai sqaron se vendosja e tyre këtu ndodhte për arsye të persekutimeve që po iu bëheshin gjatë Mesjetës.

“Në kohën e inkuizicionit, popullsia hebreje ishte e vendosur kryesisht në Spanjë dhe në Portugali. Me të ardhur në pushtet mbretëresha Izabela dhe mbreti Ferdinand, përmes presionit, vrasjeve dhe persekutimit, u larguan nga vendi ku ishin lindur. Një pjesë e tyre u vendos në Ballkan”, ka thënë ai.

Një familje hebreje në Prishtinë (viti 1930)

Ai kujton se mbiemrat e hebrenjve që ishin vendosur në Kosovë, kanë qenë: Bahar, Navon, Ruben, Adizhes, Levi, Kohen, Konforti etj. Ndërsa, shton se largimi i tyre nga Kosova është pasojë e pushtimit nazist, duke theksuar se bashkësia më e madhe e këtij komuniteti ka qenë në qytetin e Prishtinës, e pastaj në Vushtrri.

“Prej vendit ku ndodhet Teatri Kombëtar aktualisht, e deri te Hotel Grandi, aty kanë banuar hebrenjtë e Prishtinës. Madje, për ata që nuk e dinë, në oborrin e Kuvendit të Kosovës dikur ka qenë sinagoga, gjë për të cilën ekziston edhe një pllakë përkujtimore. Të sqarohem: ne nuk kërkojmë që ta rrënojmë objektin e Parlamentit për ta kthyer këtë objekt fetar. Vendosja e një pllake përkujtimore, ka qenë veprim simbolik”, ka thënë Demiri për Telegrafin.

Nga anën e djathtë, e dyta në radhë, është tezja e Votim Demirit, Yaffa Bahar Reuven,  e cila kishte shpëtuar nga kampi i përqendrimit, Bergen Belsen. Fotoja është bërë në vitin 1945 në Beograd, pasi që protagonistja e fotos ishte larguar nga kampi i vdekjes

Sipas tij, insistimi i madh i kongresmenit amerikan Eliot Engel, dhe gatishmëria e Qeverisë së Kosovës, ishin determinuese për vendosjen e kësaj pllake.

“Ata thoshin se përmes kësaj do t’i tregohet botës për tolerancën ndërfetare tek shqiptarët. E mbaj mend nga nëna ime, ndjesë pastë, qante me lot kur komunistët vendosën ta rrënonin këtë objekt, në vitin 1963. Atëbotë unë kam qenë 17-vjeçar. Ka qenë e rëndë, sepse kemi jetuar në një sistem komunist i cili fenë e anatemonte dhe nuk e njihte Zotin”, ka theksuar ai.

Intelektuali prizrenas, duke e kujtuar me mall nënën dhe familjen e kësaj të fundit, tregon për dramën e saj dhe të tezeve të tij, veçanërisht kur nacionalsocialistët gjermanë i spastronin nga popullsia hebreje vendet të cilat i kishin pushtuar.

Pamje e vitit 1930, nga qendra e Prishtinës, në të cilën xhamia ndodhet përballë sinagogës. Derisa mbi rrënjët e së parës është ndërtuar Teatri Kombëtar, mbi themelet e tjetrës ndodhet objekti i Kuvendit të Kosovës

“Por, trojet shqiptare gjatë pushtimit italian dallonin nga pjesët tjera të Evropës, për arsye se ata nuk i spiunonin hebrenjtë. Pavarësisht kësaj, nëna ime ishte bashkuar në luftën antifashiste, si mënyrë e vetme për ta ruajtur jetën dhe identitetin e vet. Fatkeqësi ka qenë se tezet e mia dhe një pjesë tjetër e familjes së nënës ishin dërguar në kampet e përqendrimit në Gjermani. Në vitin 2006, i kam siguruar listat e sakta nga Qendra Memoriale në Gjermani. Duhet theksuar se me një precizitet maksimal janë shënuar të gjitha të dhënat për familjarët e nënës sime”, ka shtuar ai.

Demiri vazhdon të tregojë se nëna e tij, tashmë e ndjerë, ishte martuar më një shqiptar dhe se ajo ishte familjarizuar me traditat dhe zakonet shqiptare.

“Mbiemri i familjes së nënës time ka qenë Bahar. Edhe ata kishin jetuar në Prizren. Ruth Bahar jetonte në Kosovë, derisa dy motrat e saj tash e sa vite jetojnë në Izrael. Familjet e tyre së bashku i kanë rreth 100 anëtarë”, ka shtuar ai.

Votim Demiri, kryetar i Shoqatës së Hebrenjve të Kosovës

Drejtuesi i hebrenjve të Kosovës thekson se tezet e tij, për befasi të të gjithëve, e kishin gjetur rrugën dhe ishin kthyer në vendlindje nga kampet e përqendrimit, ndonëse ishin të vetme dhe shumë të vogla në moshë.

“Derisa e madhja ishte aso kohe 11 vjeçe, tjetra kishte vetëm katër. Diçka e pabesueshme, duke marrë parasysh këtu rrethanat e kohës dhe vështirësitë e udhëtimit”, ka thënë ai.

Sipas tij, komuniteti hebre në Kosovë tani i ka gjithsejt 56 anëtarë, dhe të gjithë ata jetojnë në qytetin e Prizrenit.

“Ka pasur disa tentativa të njerëzve profiterë për t’u paraqitur si hebrenj, por kanë dështuar”, shton ai për Telegrafin. “Në vitin 2000 më ka vizituar organizata e njohur e hebrenjve JDC me seli ne Izrael dhe në SHBA, e cila më ka kërkuar që ta themelojë organizatën e hebrenjve të Kosovës. Të qënët hebre nuk ka të bëjë më konvertim në këtë religjion, por është një gjë që është në ADN. Pra, kemi të bëjmë me lidhje gjaku”.

Familja e tij përbëhet nga pesë anëtarë: ai, bashkëshortja, djali Ganiu që mban emrin e gjyshit, vajza Teuta që jeton tash e një kohë në shtetin e Izraelit, dhe Inesi që punon në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) të Kosovës. Demiri tregon se ai është pjesë e Parlamentit Evropian të Hebrenjve, ku e përfaqëson Kosovën me flamurin dhe simbolet e saj shtetërore. Ndërsa, ndonëse ka pasaportë të Izraelit, dëshiron që deri në fund të jetës të qëndrojë në Prizren.

“Asnjëherë nuk kemi pasur probleme si komunitet. Përkundrazi, miqtë e mi janë të religjioneve dhe nacionaliteteve të ndryshme. Dallimet tona nuk kanë prodhuar animozitet, por i kanë dhënë një shije të mirë të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit”, ka theksuar ai, duke shtuar se ka raporte të shkëlqyera edhe me përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Ipeshkvisë së Kosovës, Bashkësisë se Protestantëve etj.

 

Demiri tregon edhe një dimension tjetër të identitetit të tij: e përdor gjuhën Lladano, kryesisht në bisedat me të motrën. Kjo gjuhë është trashëguar brez pas brezi, ndërsa është miks i hebraishtes me spanjishten. E, nuk ka harruar që t’i përmend objektet dhe simbolet që i kanë karakterizuar hebrenjtë në Kosovë.

“Në Prishtinë janë dy palë varreza të hebrenjve: njëra është në lagjen Velania dhe tjetri lokacion është në rrugën Prishtinë-Pejë. Ato janë tepër të rëndësishme për komunitetin tonë. Ka varreza edhe në Novobërdë dhe në afërsi të stadiumit të Prizrenit. Janë trashëgimi e cila duhet të ruhet me doemos”, shton Demiri. “Në Prishtinë, para ardhjes së komunizmit kanë ekzistuar dy sinagoga, të cilat më pas janë rrënuar, si dhe shkolla e hebrenjvenë e quajtur Jeshiva”.

Demiri shprehet se ka pasur oferta që në Kuvendin e Kosovës të jenë të përfaqësuar, por këtë nuk e ka parë si të nevojshme.

Botuar ne portalin: Telegrafi.com

Ambasadorja Peleg: Edi Rama, mik i madh i Izraelit!

Kryediplomatja izraelite në Tiranë reagon pas fjalimit të kreut të qeverisë shqiptare në seancën plenare të OKB-së.

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023