Shpëtimi i hebrenjve ruhet në memorien e shqiptarëve


Marrja nën mbrojtje e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kohën kur në çdo vend evropian hebrenjtë po përndiqeshin nga regjimi nacional-socialist i Adolf Hitlerit, ka krijuar një memorie të përbashkët të të dy popujve, thonë përfaqësuesit e bashkësisë hebraike dhe të shoqatave të miqësisë shqiptare-hebraike në Kosovë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Holokaustit, ata kujtojnë ngjarjet që kishin nisur në Kosovë, që nga viti 1943, kur kishte kapitulluar regjimi fashist i Italisë, dhe Kosova ishte okupuar nga forcat naziste të Gjermanisë.

Votim Demiri nga Bashkësia Hebraike e Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se pas pushtimit gjerman të Kosovës dhe viseve tjera të banuara me shqiptarë, në shtator të vitit 1943,kishte nisur përndjekja e hebrenjve . Por, megjithatë, siç thotë Demiri, numri i hebrenjve në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte rritur.

“Kur numri i hebrenjve, në të gjitha vendet e Evropës, është zvogëluar nga nacional-socializmi gjerman, vetëm në trojet shqiptare numri i hebrenjve është rritur. Mentaliteti i shqiptarëve kurrë nuk e ka pranuar solucionin final të gjermanëve. E dyta, ‘besa e shqiptarëve’ praktikisht ka dalë në shesh dhe ne kemi shumë familje të shqiptarëve që kanë ruajtur, që kanë ndihmuar dhe që i kanë ende lidhjet mes veti. Meqenëse ajo gjeneratë ka ikur, por mbesat dhe nipat e tyre kanë vazhduar t’i kenë ato lidhje”, thotë Demiri.

Xhangyle Ilijazi nga Shoqata e Miqësisë Kosovë – Izrael “Dr. Haim Abravanel”, thotë se arsyet pse shqiptarët u kanë ndihmuar hebrenjve janë të shumta dhe të ndërlidhura, por mbi të gjitha dominon tradita.

“Pse bash te shqiptarët? Një popull i vogël, i varfër, si ka mundur t’i shpëtojë gjithë ata hebrenj sa që të dëgjohet në rrethin e ngushtë të hebrenjve të asaj kohe që ekziston një vend i vogël në Ballkan, i cili po i mbron hebrenjtë? Unë gjithmonë e potencoj që më së pari ka qenë ajo fisnikëria dhe bujaria e shqiptarëve, kudo që janë ata. Pastaj, kemi mungesën e antisemitizmit në tokat e ish-Perandorisë Osmane, në krahasim me vendet tjera në Evropë. Ka luajtur rol edhe bektashizmi, kanuni dhe më së shumti besa”, thekson ajo.

Ilijazi shton se sipas rrëfimeve, të cilat i ka mbledhur shoqata që ajo drejton, nga individë të ndryshëm, ekziston një numër i madh i familjeve shqiptare të Kosovës që kanë ndihmuar mbijetesën e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, i kanë strehuar dhe mbrojtur ata, si dhe u kanë ndihmuar të shkojnë në Shqipëri.

Por, siç thotë ajo, dokumentacioni për një gjë të tillë ekziston për 20 familje shqiptare, ndërkohë që 2 prej tyre, familja Rezniqi nga Prishtina, me prejardhje nga rrafshi i Dukagjinit dhe familja Sharri nga Prizreni, tashmë janë dekoruar nga shteti i Izraelit.

“Ne kemi raste që nuk mund të dokumentohen. Kemi familje që i dimë. I kemi marrë deklaratat dhe kemi bërë edhe dokumentarin për to. Kemi njerëz që sot i kanë nga 82 apo 83 vjet dhe ata i mbajnë mend ngjarjet. Por, është vështirë të dokumentohet. Aso kohe shqiptarët nuk kanë qenë të informuar dhe as që e kanë ditur holokaustin, sepse nuk është quajtur në atë kohë si holokaust”.

“Por, së paku, e kanë ditur që hebrenjtë po përndiqen dhe në rastet kur i kanë fshehur ata, i kanë mbajtur vetëm pse kanë qenë mysafirë dhe u kanë hyrë në shtëpi dhe kjo ka qenë kryesorja. Besa është një koncept kulturor shqiptar dhe do të thotë se duhet mbajtur fjalën e nderit. Besa ka qenë një prej elementeve kryesore që hebrenjtë kanë shpëtuar dhe hebrenjtë këtë e dinë”, shprehet Ilijazi.

Shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët, sipas Demirit, ka krijuar memorien e përbashkët për ngjarjet historike të dy popujve.

“Publicistika shqiptare nuk e ka dhënë fjalën e fundit lidhur me këto raporte shqiptare-hebraike. Në perspektivë, Kuvendi Komunal i Prizrenit na e ka dhënë një ndërtesë ku do ta bëjmë muzeun, ku kemi për t’iu treguar gjeneratave të reja për përndjekjet dhe për problemet e popullit shqiptar, por njëkohësisht edhe t’u tregojmë faktet, të cilat i kemi lidhur me popullin hebre”, bën të ditur Demiri.

Sipas tij, para Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë kanë jetuar rreth 480 hebrenj, ndërkaq që komuniteti më i madh i tyre ka qenë në Prishtinë, ku edhe kanë ekzistuar shkollat e këtij komuniteti, Kuvendi Komunal i hebrenjve dhe të tjera.

Pas Luftës së Dytë Botërore, numri më i madh i hebrenjve kanë shkuar në Izrael, kryesisht për shkaqe ekonomike dhe për shkak të lidhjeve familjare.

Aktualisht, në Kosovë tashmë kanë mbetur 56 hebrenj, në 18 familje, të cilat jetojnë në Prizren. Në 17 vjetët e fundit, për në Izrael janë shpërngulur 3 familje dhe mjaft individë të tjerë.

Ndryshe, Holokausti përkujtohet në çdo 27 janar. Me këtë datë, në vitin 1945,forcat sovjetike e çliruan kampin në Aushvic-Birkenau.

Vlerësohet se rreth 1.5 milionë hebrenj evropianë janë vrarë përgjatë Holokaustit, së bashku me 4.5 milionë hebrenj të tjerë, përfshirë meshkuj dhe gra./REL/Telegrafi/

Shpëtimi i hebrenjve, Shqipëria shpallet “Shtëpi e Jetës”

Fondacioni Ndërkombëtar “Raoul Wallenberg” përuron në Tiranë pllakatin në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës

IZRAEL

Netanyahu zyrtarisht hyn në historinë izraelite si kryeministri më jetëgjatë në shërbim

Që prej të shtunës, kryeministri 69-vjeçar ka shërbyer si udhëheqës i vendit për një total prej 4.876 ditësh, duke tejkaluar…

SHQIPËRI

Ambasadori Canaj pret drejtuesit e TransBiodisel, izraelitët synojnë investime në Durrës

Ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Dr. Bardhyl Canaj, zhvilloi një takim me Dr. A.Tafesh, zevendëpresident për biznesin &CTO të kompanisë…

KOSOVA

Ambasadorja kosovare në SHBA, Vlora Çitaku: Populli ynë ka si shembull Izraelin

Gazetari amerikano-izraelit, Larry Luxner, editor i lajmeve në “Washington Diplomat”, ka intervistuar Vlora Çitakun ambasadoren e Kosovës në Shtetet e…

INTERVISTA

Kreu i American Jewish Committee, David Harris: E ardhme e ndritur midis Izraelit dhe Shqipërisë

Drejtori Ekzekutiv i Komitetit Amerikan hebraik (American Jewish Committee - AJC) dhe një delegacion 15-anëtarësh i AJC-së bënë një vizitë…

MILIARDERËT

Roman Abramovich blen shtëpi 63 milionë dollarë në Izrael

Miliarderi ruso-izraelit, Roman Abramovich, është i vendosur të blejë një shtëpi në Herzliya për 63 milionë dollarë nga menaxherja e…

SPYZONE

Israel Aerospace nënshkruan kontratë 50 milionë dollarë me Marinën Indiane

Marrëveshja përfshin një gamë të mirëmbajtjes dhe shërbime të tjera për nën-sistemet e raketave ajrore të mesme tokë-ajër të Israel…