Emocionet e ambasadorit izraelit Boaz Rodkin, nga “Rruga e Hebrenjve” te “Muzeu Solomoni” në Berat

Ambasadori i Izraelit ishte i ftuari special i gazetarit të mirënjohur, Xhani Shqerra, në programin e tij “Bel MONDO” në televizionin Klan Plus


Ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Z.Boaz Rodkin, ishte i ftuari special i gazetarit të mirënjohur, Xhani Shqerra, në programin e tij “Bel MONDO” në televizionin Klan Plus. Një shëtitje në Berat, atje ku ka jetuar një komunitet i vogël hebrenjsh, ka një rrugë me emrin “Rruga Hebrenjtë” dhe ndodhet Muzeu “Solomoni”, që i kushtohet bashkëjetesës midis shqiptarëve dhe hebrenjve, i themeluar nga shkrimtari, i ndjeri Simon Vrusho dhe i kuruar nga skulptori Nezir Ago, gjyshi i të cilit ka ndihmuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Do të shkojmë në qytetin e Beratit, për t’iu njohur me një histori tepër të veçantë, e cila ka vlera të thella, që tregojnë jo vetëm mbi qytetarinë e popullit berates, por mbi të gjitha mbi dashurinë dhe shpirtin njerëzor. Atje na pret ambasadori i Izraelit, Shkëlqesia e tij, Zoti Boaz Rodkin, në një bisedë sa miqësore aq dhe vëllazore”, thotë moderatori Xhani Shqerra në prezantimin e tij, teksa shëtit në rrugën e njohur si “Rruga Hebrenjtë”.

Xhani Shqera: Zoti Ambasador, ndodhemi në Berat, në një qytet me histori të lashtë, po aq sa edhe prezenca e hebrenjve këtu, sidomos në këtë rrugë. Doja të dija se çfarë ndjesie keni kur përshkoni këtë rrugë të kalldremtë, e cila mban edhe emrin e popullit tuaj?

Ambasadori Rodkin: Kur eci në këtë rrugë ndjej që historia është e pabesueshme. Të gjithë hebrenjtë që erdhën në shekullin e XIX-të, më shumë se 150 vite më parë, ndërtuan jetën e tyre në Berat. Veçanërisht në këto rrugë. Pikërisht, dhe ajo që ndjej sa herë kthehem këtu si ambassador i Izraelit, ndihem krenar dhe i nderuar të eci dhe të shikoj lagjen si është.

Këtu ndjejmë historinë, jo vetëm për emrin që ka sot kjo rrugë, por në fakt është prezenca e tyre që ndjehet ende edhe sot. Do të doja të dija se çfarë dini ju mbi jetesën e hebrenjve, pikërisht në këtë lagje?

Në të vertetë nuk dihet me saktësi, sigurisht që janë disa familje këtu, por pjesa më e madhe e tyre kanë lëvizur në Vlorë, Tiranë, apo janë kthyer në Izrael dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, nuk kanë mbetur shumë hebrenj. Nga librat e ndryshëm historikë, e dimë që ka qenë një komunitet i gjallë hebre, i vogël në numër, por i integruar më së miri me komunitetin vendas. Disa prej tyre mbërritën në shekullin e XIX nga Janina, jo shumë larg nga këtu. Gjatë Perandorisë Osmane, hebrenjtë panë shumë mundësi për të qendruar, për të pasur jetë më të mirë në Berat, ku krijuan komunitetet e tyre të vogla.

Është interesant fakti që, ndodhemi këtu, midis kishës dhe xhamisë. Kjo është e mrekullueshme dhe, në fakt, mendoj se, është i vetmi vend ku është prezenca e tyre në të njëjtin vend, në të njëjtën rrugë, sidomos për simbolikën që ka…

Ky është një simbol i harmonisë dhe i bashkëjetesës këtu, hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët.

Në fakt, ne shohim që këtu njerëzit janë shumë të dashur, mikpritës…

Kjo është ndjesia që hebrenjtë mbijetuan kur erdhën këtu, për t’u strehuar. Njerëzit nuk kishin qendrim dashakeqës. Ata ishin të dashur, të ngrohtë, të qeshur dhe i mikpritën hebrenjtë krahëhapur dhe bashkëjetuan në paqe dhe harmoni, ashtu siç Shqipëria është edhe sot.

Zoti Ambasador, çfarë ndjesie keni kur lexoni emrin e rrugës me emrin e popullit tuaj, pikërisht këtu?

Është ndjenja e një historie të thellë. Është shumë krenari, por gjithashtu shumë përgjegjësi, për të kujtuar në të ardhmen, sepse njerëzit që nuk e kujtojnë të kaluarën e tyre, nuk do t’ia dinë për të ardhmen. Të jesh këtu në Berat, të shikosh emrin e kësaj rruge, “Rruga e Hebrenjve”, të cilët janë të shpërndarë në të gjithë botën, madje edhe këtu në Shqipëri, është fantastike.

Historia ka faqe të ndryshme, dhe një prej tyre, sigurisht që është e errët për popullin hebre, por jo vetëm, për të gjithë Europën dhe madje për gjithë botën. Në vitin 1943, gjatë invazionit nazist shumë hebrenj gjetën strehim në Shqipëri, nga këta njerëz të thjeshtë si ata. Në fakt, ata nuk kishin dëgjuar kurrë mbi “Besën” e shqiptarëve. Përse mendoni se, ata zgjodhën pikërisht Shqipërinë, nga vendet e tjera përreth?

Është e vërtetë. Njerëzit e dinin se, ata, në Shqipëri mund të gjenin strehim. Ata nuk kishin informacion për konceptin e Besës, por njerëzit nga vendet fqinje si Greqia, Maqedonia, apo dhe më gjerë si Gjermania apo Republika Çeke, e dinin që mund të gjenin strehim dhe se asnjë shqiptar nuk do t’i dorëzonte te nazistët. Me gjithë përpjekjet që nazistët bënë, për t’i kapur hebrenjtë, shqiptarët nuk ua dorëzuan armikut. Me një fjalë, kjo histori është e jashtëzakonshme. Pas Luftës së Dytë Botërore, këtu në Shqipëri, komuniteti hebre ishte shumë herë më i madh se para luftës, ndërsa në vendet e tjera, hebrenjtë u çuan në kampe përqendrimi, si ai i Aushvicit. Në Shqipëri, popullsia hebreje jo vetëm që u mbrojt dhe u strehua, por gjithashtu edhe refugjatë të tjerë që mbërritën këtu ishin të sigurt. Pa dyshim, kjo është diçka e mrekullueshme, të cilën nuk duhet ta harrojmë, edhe që duhet t’ua tregojmë edhe brezave në të ardhmen.

 

Në fakt, këtu në Berat, ndodhet një muze modest, frut i pasionit dhe dashurisë për punën i një historian Simon Vrusho. Aty ka dëshmi të kësaj bashkëjetese dhe shumë histori që dëshmojnë çfarë thamë. A shkojmë ta vizitojmë? Dhe ja tek jemi. Në qasje të parë, duket si një dyqan i vogël, por brenda ka shumë histori dhe dashuri.

Absolutisht, që po. Është një muze i vogël që ka historinë e popullit hebre këtu në Berat.

Këtu shohim shumë fotografi që flasin mbi jetesën e hebrenjve në Berat, por jo  vetëm kaq…

Hapja e këtij muzeu vitin e kaluar nga zoti Simon Vrusho ishte një nismë shumë e mirë. Edhe pse i vogël, ai është I mbushur me histori hebrenjsh që nga shekulli i XV.

Shumë prej tyre kanë ardhur nga Spanja në shekullin e XV, dhe nëse shikojmë listën e personave, kuptojmë që kanë qenë të shumtë.

Po, ata erdhën nga Spanja. Pas periudhës së Inkuzicionit në Spanjë, disa prej tyre erdhën në Ballkan dhe u vendosën në Berat dhe në qytete të tjera.

Këto foto tregojnë edhe stilin e jetësës së hebrjenjve këtu. Nuk ka vetëm traditë, por mbi të gjitha dëshmojnë bashkëjetesën midis tyre.

Po, kjo është e vërtetë, sepse kur hebrenjtë mbërritën këtu, ata u ndjen si në shtëpinë e tyre, pasi komuniteti vendas i mbështeti dhe i priti krahëhapur. Kjo është arsyeja që ata e ndjenë veten si në shtëpinë e tyre, siç e shihni edhe nga artefaktet. Nuk kishte asnjë problem për hebrenjtë jetonin në Berat.

Përse mendoni se hebrenjtë e ndjenë veten si në shtëpi?

Si ambassador i Izraelit, për katër vite në Shqipëri, mendoj se e përbashkëta jonë është ndjesia e komunitetit, rëndësia e familjes, vlerat e familjes dhe përkujdesi ndaj njëri-tjetrit. Edhe hebrenjtë kaluan këtu kohë shumë të vështira, njësoj si shqiptarët që u vunë në vështirësi nga të huajt perëndimorë.

Në këtë listë, shohim emrat e hebrenjve, që vinin nga Prishtina, Gjermania, Republika Çeke. Janë të shumtë në numër, diku te 600 persona. Në fakt, është një numër i madh për një vend të vogël si Shqipëria.

Absolutisht, po. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë refugjatë u dërguan në kampet e vdekjes. Ata që mundën të shpëtonin nga nazistët ishin në kërkim të një vendi të sigurt. Ata e morrën vesh që, mund të strehoheshin në Shqipëri, prandaj ne sot shohim një listë të gjatë me 600 njerëz që u strehuan këtu, shumica e tyre janë nga Prishtina, Gjermani, Republika Çeke dhe Greqia. Neës hebrenjtë do të qendronin në vendet e tyre, jeta e tyre do të rrezikohej nga lufta.

Në këtë listë tjetër, shohim familjet beratase që u erdhën në ndihmë hebrenjve. Ishin të përkatësive të ndryshme fetare, myslimanë, të krishterë po ashtu, por mbi të gjitha ishin njerëz të thjeshtë. Ajo që që është bënë ata ishte e mrekullueshme.

Po, mendoj se ishte mbresëlënëse. Ishin njerëz të thjeshtë. Ata nuk ishin të përgatitur për t’i strehuar hebrenjtë, por ata e bënë gjënë e duhur. Dhe në rrethan ta vështira madje, duke rrezikuar dhe jetën e tyre. Dihej që nazistët i dënonin ata që ndihmonin hebrenjtë. Ky është një gjest krenarie. Për këtë arsye, më shumë se 70 familje shqiptare janë njohur nga Muzeu i Holokaustit në Jerusalem si “Njerëzit e Drejtë midis Kombeve” që mbrojtën hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Lexoj jo vetëm në fjalët tuaja, por dhe në sytë tuaj një emocion të veçantë, teksa flisni për këtë histori. Sa e rëndësishme është për popujt që, të tregohet kjo histori, por mbi të gjitha të njihet me faktet, për izraelitët  sotëm është fjala…

Kjo është me shumë rëndësi, pasi edhe në ditët e sotme, disa njerëz shprehen se janë kundër refugjatëve dhe të huajve, kjo duhet të përcillet, kur fqinjët tanë janë në telashe, ne duhet duhet t’i ndihmojmë ata, pasi dhe ne vetë mund të ndodhemi në situata të tilla.  Kjo vlen edhe për të ardhmen.

SHIKONI EMSIONIN E PLOTË

Shpëtimi i hebrenjve, Shqipëria shpallet “Shtëpi e Jetës”

Fondacioni Ndërkombëtar “Raoul Wallenberg” përuron në Tiranë pllakatin në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës

INTERVISTA

Almira Emiri flet për “The Albanian”: Koncertet “IsrAlb Fest” janë dashuria ime e madhe

Pianistja e mirënjohur shqiptare, Almira Emiri, prej 24 vitesh jeton në Budapest të Hungarisë, me një karrierë të suksesshme ndërkombëtare.…

SPYZONE

A është “Carmel”, e ardhmja e pushkës izraelite?

Pushka automatike “Carmel” mund të jetë revolucioni i ardhshëm. Një armë e qëndrueshme dhe e besueshme, mund të jetë një…