Rami Saari, izraeliti që përkthen Ismail Kadarenë në hebraisht

Rami Saari është përkthyes, poet, gjuhëtar, redaktor, kritik letrar dhe ligjërues në disa universitete të botës. Poligloti Saari është konsideruar ndër përkthyesit më produktivë në hebraisht, laureuar me çmime të shumta. Me nismën e tij vetjake, ka bërë të mundur që letërsia shqipe të njihet në këtë areal me një numër të konsiderueshëm autorësh, si: Ismail Kadare, Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Visar Zhiti, Mira Meksi, Lindita Arapi, Blendi Fevziu, Xhevahir Spahiu, Nasi Lera, Lindita Karadaku, Shaip Emërllahu, Betim Muço, Sabit Idrizi, Nase Jani, Dhimitër Pojanaku etj., së fundmi edhe Luljeta Lleshanaku.


Hebreu Rami Saari  është përkthyes, poet, gjuhëtar, redaktor, kritik letrar dhe ligjërues në disa universitete të botës.  Poligloti Saari është konsideruar ndër përkthyesit më produktivë në hebraisht, laureuar me çmime të shumta. Me nismën e tij vetjake, ka bërë të mundur që letërsia shqipe të njihet në këtë areal me një numër të konsiderueshëm autorësh, si: Ismail Kadare, Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Visar Zhiti, Mira Meksi, Lindita Arapi, Blendi Fevziu, Xhevahir Spahiu, Nasi Lera, Lindita Karadaku, Shaip Emërllahu, Betim Muço, Sabit Idrizi, Nase Jani, Dhimitër Pojanaku etj., së fundmi edhe Luljeta Lleshanaku.

Intervistoi  Dr. Jorina Kryeziu (Shkreta)  – “Milosao

Këtë intervistë do të doja ta nisja me një prezantim të shkurtër të punës suaj lidhur me përkthimin e autorëve shqiptarë në hebraisht, përkthim i cili është realizuar prej shqipes, ndryshe prej përkthyesve të tjerë, të cilët e kishin përkthyer letërsinë tonë prej frëngjishtes. Deri më sot, ju mbeteni përkthyesi i vetëm dhe më produktivi, që e keni sjellë letërsinë shqipe në hebraishte të përkthyer prej origjinalëve. Qysh prej vitit 1996 e në vijimësi, ju keni përkthyer dhe botuar poezi, prozë të shkurtër dhe romane të shkrimtarëve shqiptarë, si: Ismail Kadare, Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Visar Zhiti, Lindita Arapi, Mira Meksi, Nasi Lera, Xhevahir Spahiu, Blendi Fevziu, Lindita Karadaku, Shaip Emërllahu, Betim Muço, Sabit Idrizi, Bashkim Canaj, Dhimitër Pojanaku, së fundmi edhe Luljeta Lleshanaku (më 2017-n) etj. Kjo punë e juaja, përveçse mundëson njohjen e letërsisë sonë përtej kontinentit evropian dhe në një gjuhë që letërsia shqipe rezulton e përkthyer në pak tituj, gjithashtu, mundëson përkthimin drejtpërdrejt prej shqipes, një përkthim adekuat, që i përmbahet dhe i përgjigjet origjinalit, si në përzgjedhjen e fjalëve ashtu edhe në ndërveprimin e rrafsheve gjuhësore.

Jorina Kryeziu: Si e mësuat gjuhën shqipe, pra, si ratë në kontakt me të? Pse vendosët ta mësonit këtë gjuhë të veçantë e të largët gjeografikisht me ju? Cilat ishin planet tuaja për të?

Rami Saari: Gjithmonë isha i interesuar për të studiuar gjuhën shqipe, sepse në vendin tim nuk kishim mundësi për të dëgjuar për Shqipërinë, në radio ose në televizion, dhe shumë rrallë ka pasur lajme në lidhje me Shqipërinë nëpër gazeta. Por para vitit 1992, me pasaportën time, nuk kisha asnjë mundësi për të udhëtuar drejt Shqipërisë dhe për ta praktikuar atje gjuhën, prandaj u përqendrova në studimin e gjuhëve të tjera. Shqipërinë e kam vizituar për herë të parë në tetor të vitit 1992, por ishte një udhëtim shumë i shkurtër, që zgjati vetëm disa ditë, në Bilisht, në Korçë dhe në Pogradec. Më pas, më 1996, qëndrova një muaj në Tiranë, ndërsa në vitin 2006, përgjatë një jave, vizitova Pogradecin, Tiranën, Tetovën dhe Shkupin. Uroja që të mund të kaloja atje më shumë kohë, por për shkak të angazhimeve të mia nuk munda. Sa i takon mësimit të shqipes, fillova ta studioja atë në Universitetin Hebraik të Jerusalemit, në vitin 1995, nën mbikëqyrjen e dr. Nimrod Bari, një gjuhëtar izraelit që studionte ballkanologji në Francë. Ai më mësoi gramatikën e gjuhës shqipe dhe, në verën e vitit 1996, udhëtova në Shqipëri për të pasur atje praktikë gjuhësore. U njohja atje me një çift shqiptar të mrekullueshëm, me të cilin isha miqësuar, Natasha dhe Veip Lushaj, dhe ata më ndihmuan shumë me mësimet e gjuhës shqipe. Ishte një përvojë shumë e dobishme dhe, në atë kohë, synimi im ishte të merrem në të ardhmen me përkthimin e letërsisë shqiptare në hebraisht, sepse te ne, fatkeqësisht, nuk kishte asgjë, përveç disa librave të Ismail Kadaresë, dhe të gjithë, tre ose katër prej tyre, deri në atë kohë ishin përkthyer prej frëngjishtes. Pas kësaj vere në Tiranë, vazhdova ta studioja shqipen vetëm [autodidakt], duke lexuar sa më shumë që të ishte e mundur dhe pak nga pak u ndjeva më rehat me gjuhën dhe me përkthimin prej saj. Në vitin 1999 pati një interes të lartë për shqiptarët, për shkak të luftës në Kosovë, dhe më kërkuan të shkruaja një artikull të gjatë mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare, për gazetën më të rëndësishme në vendin tim [e përditshmja izraelite Ha-Aretz]. Më vonë ky artikull i dha një shtysë rastit që mora përkthimin e tre librave të Kadaresë, direkt nga shqipja në hebraisht, si dhe të botonin në gazeta izraelite e në revista letrare shumë pjesë prej letërsisë shqiptare, edhe prozë edhe poezi, të shkruara nga autorë dhe poetë të mrekullueshëm shqiptarë bashkëkohorë, si për shembull: Dritëro Agolli, Nasi Lera, Mira Meksi, Visar Zhiti, Ali Podrimja, Lindita Arapi, Betim Muço, Bashkim Canaj, Lindita Karadaku dhe shumë të tjerë.

Kryeziu: Ju keni shkruar edhe artikuj për letërsinë shqipe në shtypin periodik izraelit. Cili është opinioni (qëndrimi) juaj për letërsinë shqipe? Ku u bazuat për të përzgjedhur poetët dhe prozatorët që keni përkthyer?Saari: Siç ju thashë në përgjigjen time të mëparshme, kurrë nuk kam pasur mundësi për të kaluar një periudhë më të gjatë në Shqipëri, për të mos përmendur për të studiuar letërsinë shqiptare në një universitet. Sidoqoftë, Natasha dhe Veip Lushaj më treguan për autorët e tyre të parapëlqyer, më prezantuan te disa autorë dhe poetë përgjatë vizitës sime të dytë në Tiranë dhe më ndihmuan të kem e të njihem vazhdimisht me materiale nga Shqipëria. Vite më vonë kam pasur rastin të marr pjesë në festivalet poetike të Strugës dhe të Tetovës, ku takova disa poetë që shkruajnë shqip, për shembull: Shaip Emërllahu, Dhimitër Pojanaku, Artan Arsllani dhe Ahmet Selmani. Kam njohur edhe disa shqiptarë që jetojnë dhe shkruajnë në Greqi, si Nasi Lera dhe Ilir Mborja, dhe takimet me çdo person nga vendi juaj, që është i interesuar për letërsi dhe i gatshëm për të ndarë me mua interesat e tij ose të saj, më ndihmojnë për të fituar njohuri më të mira të letërsisë së këtij populli që më pëlqen dhe i respektoj aq shumë.

Librat e Kadaresë në hebraisht: Prilli i Thyer, Dasma dhe Piramida

 

Kryeziu: Ç’mund të na thoni për rezultatet/impaktin që pati letërsia shqipe nga lexuesit izraelitë, si e pritën ata këtë letërsi thuajse të panjohur për ta?

Saari: Zakonisht me shumë interes dhe kuriozitet njëherësh, sepse kështu kishin, më në fund, një mundësi të jashtëzakonshme për të njohur diçka, që deri më atëherë ishte pothuajse tërësisht e panjohur. Disa njerëz e konsideronin veprimtarinë time në këtë fushë, të çuditshme, të pakuptueshme e, madje, bizarre [“të pazakontë”], por shumë të tjerë shfaqën interes dhe ishin të gëzuar, sepse ekspozoheshin ndaj një bote që e konsideronin magjike. Sidomos libri i Kadaresë Prill i thyer mori kritika pozitive dhe u bë shumë popullor midis lexuesve izraelitë.

 

Kryeziu: Si e shihni raportin mes rezultateve që ju prisnit prej lexuesve dhe rëndësisë që ka për letërsinë dhe kulturën shqiptare përkthimi i letërsisë shqipe në hebraisht?

Saari: Për fat të keq nuk mund të jap ndonjë përgjigje të qartë për këtë pyetje. Shumë njerëz janë të interesuar për librat që unë përzgjedh për të përkthyer dhe ata ndjekin gjërat që unë përkthej, edhe kur përkthimet e mia janë tekste të shkurtra, tregime ose poezi. Megjithatë, përkthyesit në Izrael përballen me shumë vështirësi, pasi nuk është gjithmonë e lehtë të bindësh shtëpitë botuese për të botuar literaturë belles lettres [Saari sqaron se e ka fjalën për librat joshkencorë, që kanë si qëllim të zgjerojnë horizontin e lexuesve], kur një ndihmesë ekonomike nga jashtë nuk është e përfshirë. Lexuesit për fat të mirë ende dëshirojnë të lexojnë më shumë libra të përkthyer, por bindja e një botuesi për t’u marrë me një libër, që ai ose ajo nuk mund ta lexojë, është një detyrë e vështirë. Kjo është e vërtetë jo vetëm për letërsinë shqipe, por edhe për librat që kam përkthyer nga disa gjuhë të tjera, që nuk njihen gjerësisht në Izrael, bie fjala, libra të përkthyer nga finlandishtja, estonishtja, katalanishtja e, madje, greqishtja dhe turqishtja

Kryeziu: Ju keni përkthyer disa autorë shqiptarë, cila vepër, prozë e shkurtër apo poezi ju ka pëlqyer më së tepërmi? A mund të veçoni ndonjë mbresë gjatë përkthimeve të shkrimtarëve tanë.

Saari: Kadare: Prilli i thyer, Ura me tri harqe, Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave dhe shumë vepra të tjera të tij. Agolli: Njerëz të krisur. Meksi: Mali i shpirtrave. Zhiti: Këmba e Davidit. Lera: Ulërima e heshtur.


Kryeziu: A mendoni të botoni një përmbledhje antologjike poetike për këto përkthime? Apo do të qëndrojnë të përkthyera vetëm në shtypin periodik izraelit?

Saari: Do të isha shumë i lumtur ta bëja këtë, por kjo nuk varet vetëm prej meje. Nuk mund të bëj asnjë lloj projekti të tillë pa një marrëveshje paraprake me një botues dhe, siç thashë, nuk është një detyrë e lehtë për të bindur botuesit që të ndërmarrin rreziqe të tilla ekonomike, kur vlera letrare e librave nuk është e vetmja gjë që u intereson atyre…

Kryeziu: Cilat janë parimet, qoftë edhe shkencore, mbi të cilat bazoheni për të përkthyer? Cilat janë mundësitë që ju krijon e ofron gjuha shqipe gjatë procesit përkthimor? Po vështirësisë e saj ku konsistojnë?

Saari: Parimet e mia nuk janë shkencore. Dëshiroj që përkthimi im të jetë sa më besnik, korrekt dhe i bukur, duke marrë parasysh veçantinë e tekstit origjinal. Çdo autor është unik, secili tekst ka vështirësitë e tij dhe, si përkthyes, detyra ime është që të mbështetem në atë që shkroi autori, pasi që unë t’ia transmetoj atë lexuesve në gjuhën time, por nuk krijoj diçka që është krejtësisht imja, siç bëj kur shkruaj poezitë e mia.

Kryeziu: Deri më tani keni përkthyer vetëm tri romane në shqip: “Prilli i thyer”, “Piramida” dhe “Aksidenti”, të gjitha vepra të shkrimtarit Ismail Kadare. Mbi ç’kritere i vendosni përzgjedhjet tuaja përkthimore?

Saari: Në të tria rastet librat u ofruan nga shtëpitë botuese izraelite, që i kanë lexuar këto romane në frëngjisht. I pranova t’i përktheja këta libra pasi i lexova në gjuhën shqipe dhe më pëlqyen. Reputacioni ndërkombëtar i Kadaresë me siguri ndihmoi vendimin e botuesve që të më luteshin t’i përktheja këto vepra.

Kryeziu: Idiolekti kadarean/gjuha tejet vetjake e tij mund t’jua ketë vështirësuar procesin përkthimor. A jeni konsultuar me përkthime të tjera/gjuhë të tjera, për veprën e Kadaresë? Nëse po, në cilat konkretisht?

Saari: Në disa raste edhe jam ndalur te përkthimet e tjera të veprave të Kadaresë, por jo gjithmonë ka ndodhur kështu. Të tre librat [Prilli i thyer, Piramida dhe Aksidenti] ishin të disponueshëm në frëngjisht, por frëngjishtja është një gjuhë që nuk kam shfaqur asnjë interes për ta studiuar, kështu që kjo nuk më ndihmonte fare. Në thelb kam përdorur veç tekstin origjinal të shqipes për përkthimin e librave, por në rastin e romanit Prilli i thyer kisha edhe përkthimin në gjuhën angleze, ndërsa në rastin e romanit Piramida kisha përkthimin në greqisht, si mjete ndihmëse dhe burime të krahasimit.

Kryeziu: Ismail Kadare është ndër ata shkrimtarë që krijon fjalë të reja/neologjizma, a përbën kjo për përkthyesin një vështirësi apo lehtësi, parë kjo në dy aspekte: së pari, në funksionin semantik të fjalës, së dyti, në përcjelljen e saj në gjuhën pritëse – duke e përkthyer po në trajtë neologjike apo duke e përkthyer të përafruar me kuptimin që mbart.

Saari: Meqë kisha filluar të përktheja poezi, pothuajse një dekadë e gjysmë para fillimit të përkthimit të veprës së Kadaresë, nuk e konsiderova këtë si një problem. Ka gjithmonë shumë sfida në punën e një përkthyesi, por edhe neologjizmat mund të transmetohen në gjuhë të tjera, në qoftë se qëllimi origjinal i autorit është i qartë.

Kryeziu: A do të përktheni sërish letërsi shqipe, nëse po, cilat janë projektet tuaja të së ardhmes?

Saari: Nëse do të më ofrojnë ta bëj dhe nëse më pëlqejnë librat që më ofrojnë, natyrisht, do ta bëj me kënaqësi. Do t’u sugjeroja edhe unë shtëpive botuese libra të tjerë të letërsisë shqipe, që më kanë pëlqyer shumë, për shembull: Njerëz të krisur prej Dritëro Agollit dhe Këmba e Davidit prej Visar Zhitit, por meqenëse Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia nuk mund ta mbështesin ekonomikisht përkthimin e autorëve të tyre në gjuhë të huaj, detyra e bindjes së botuesit është mjaft e pashpresë.

 

Pjesë nga krijimtaria e Rami Saarit

***
Përkthime të poezive shqiptare:
– השערות (Ha-searot/(Flokët) nga Visar Zhiti, botuar në gazetën ditore izraelite Ha-Aretz (më 1.11.1996), marrë nga libri Kujtesa e ajrit (Tiranë: Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1993);
– אירופה בלי זנב (Eropa bli zanav/ Evropa pa bisht) nga Ali Podrimja, botuar në Ha-Aretz (më 26.3.1999);
– או, או (O, o/ Ose ose) nga Ali Podrimja, botuar në Ha-Aretz (më 2.4.1999);
– למה האלבנים אינם מזדקנים (Lama ha-albanim einam mizdaqnim/ Pse nuk plaken shqiptarët) nga Ali Podrimja, botuar në revistën izraelite Helikon, numër 29, dimër 1999;
– Një antologji e shkurtër poetike, botuar në Ha-Aretz, më 16.4.1999:
– Tvusat ha-balkan ba-qrav neged ha-turqim, sde Kosovo, 1389/ Mundja e ballkanasve nga turqit në Fushën e Kosovës më 1389, nga Ismail Kadare;
– Tiyul arvit be-ir kvusha/ Për shëtitje në mbrëmje në një qytet të pushtuar dhe Historia/ Histori nga Xhevahir Spahiu;
– Yom exad yoter miday/ Një ditë më shumë, Sarid mi-sof ha-mea/ Relike të fundshekullit dhe Ha-gehinom ibed et mashmauto/ Ferri e humbi kuptimin nga Ali Podrimja;
– Ba-yam shel Homeros/ Në det i Homerosit nga Visar Zhiti;
– Ketem dam/ Një njollë gjaku nga Lindita Arapi;
– אני רוצה לחיות (Ani roce lixyot/ Dua të jetoj) nga Ali Podrimja, botuar në Ha-Aretz, më 20.5.1999;
– הדברים הקטנים (Ha-dvarim ha-qtanim/ Gjëra të vogla), nga Visar Zhiti, botuar në Ha-Aretz, më 6.8.1999;
– החלונות (Ha-xalonot/ Dritaret), nga Visar Zhiti, botuar në Helikon, numër 35, pranverë 2000;
– מסע עם זאבים (Masá im zeevim/ Udhëtim me ujq) nga Ali Podrimja, botuar në Helikon, numër 39, dimër 2001;
– בית בלי בעל (Bait bli baal/ Shtëpia pa zot) nga Ali Podrimja, botuar në Ha-Aretz, më 2.4.2002;
– (Immo shel ha-meshorer/ Nëna e poetit) nga Visar Zhiti, botuar në Ha-Aretz, më 2.8.2002;
– כמה דברים מחכים לי; השוק הישן; – ! – : * * *(Kamma dvarim mexakim li/ Sa gjëra më presin, Ha-shuq ha-yashan/ Tregu i vjetër dhe – ! -; * * *) nga Visar Zhiti, botuar në revistën Shvo, numër 9, dimër 2002;
– תפוחי טטובה; המיזם השבור; לאן אנו הולכים (Tapuxey Tetova/ Mollat e Tetovës, Ha-mezam ha-shavur/ Projekti i thyer, Lean anu holxim/ Ku po shkojmë dhe Ha-maraton ha-albani/ Maratoni shqiptar) nga Shaip Emërllahu, botuar në revistën Shvo, numër 9, dhjetor 2005;
– כמעט; הצבעוני השחוק; ארוס; מצב; תקווה; חורף במחוזות החוף (Kimát/ Pothuajse, Ha-civoni ha-shaxuq/ Tulipani i veshur, Eros/ Eros, Macav/ Gjendje, Tiqva/ Shpresa dhe Xoref bi-mxozot ha-xof/ Dimri në krahina bregdetare) nga Dhimitër Pojanaku, botuar në revistën Carmel, numër 12, dimër 2006;
– אשליה (Ashlaya/ Iluzion) nga Betim Muço, botuar në Ha-Aretz, më 12.4.2006;
– ממהרים למות (Memaharim lamut/ Ata nxitojnë të vdesin, marrë nga Fëmijët e natyrës) nga Luljeta Lleshanaku, botuar në Ha-Aretz, më 28.8.2017.

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Fyejti Holokaustin, Izraeli shpall “non grata” presidentin e Brazilit

Kryeministri Benjamin Netanyahu i përshkroi fjalët e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva si “të turpshme”.

Shqipëri

Dita Ndërkombëtare e Gruas, ambasadorja Kumbe fjalim në Universitetin e Haifës

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ishte e ftuar të fliste në Universitetin e Haifës në kuadër të Ditës…

Kosove

Ceremoni solemne në Prishtinë, për Ditën Përkujtimore të Holokaustit

Marin pjesë Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ambasadorja e Izraelite në Kosovë, Tamar Ziv.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

Shuhet legjenda e diplomacisë amerikane, Henry Kissinger

Vdiq në moshën 100-vjeçare. Kissinger dominoi politikën e jashtme të SHBA në kulmin e Luftës së Ftohtë.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.