Hebrenjtë e Vlorës në shek. XVI ishin më të shumtë se në Stamboll

Vlerësuar nga përqindja e popullsisë hebreje, Vlora në këtë kohë linte prapa qendra të rëndësishme të Perandorisë Osmane të banuara nga hebrenj, siç ishin vetë kryeqyteti i Perandorisë Stambolli, qytete të tilla të rëndësishme si Manastiri, Shkupi, Tërhalla, Serezi, Edirneja, Bursa etj., duke u vendosur menjëherë pas kryeqendrës hebreje të Ballkanit, Selanikut.


Nga Prof. Dr. Ferit Duka

Falë pozitës gjeografike si dhe vendit të privilegjuar që zinte në planet politike dhe ushtarake të shtetit osman, Vlora në shek. XVI renditet ndër qytetet që shfaqin një zhvillim të shpejtë ekonomik e shoqëror. Dinamika e këtij zhvillimi duket, pikësëpari, në tiparet origjinale të evolucionit demografik të qytetit. Të dhënat e defterit të hollësishëm të regjistrimit të vitit l525 flasin për një rritje befasuese të numrit të popullsisë qytetare. Nga 762 shtëpi që numëronte qyteti në vitin 1506, në vitin 1520 regjistron 1367 shtëpi.[1] E ndarë sipas mëhallëve popullsia e qytetit në regjistrimin e vitit 1520 paraqitet në këtë mënyrë:

1.Mëhalla “Jorgji Venediku”, me 97 shtëpi (hane)
2.Mëhalla “Serenkovat (Sarankolet), me 139 shtëpi (hane)
3.Mëhalla “Kakuri“ (në defter janë shënuar 102), meshtëpi (hane)
4.Mëhalla “Patropulos” , me 113 shtëpi (hane)
5.Mëhalla “Apsiton” (Apstion?), me 90 shtëpi (hane)
6.Mëhalla “Papa Mihali”, me 61 shtëpi (hane)
6.Mëhalla “Thomai, me 89 shtëpi (hane)
8.Mëhalla me të ardhur nga Kanina, me 21 shtëpi (hane)
9.Bashkësia e myselemëve (individë të përjashtuar nga taksat kundrejt shërbimeve të caktuara ndaj shtetit osman), me 132 shtëpi (hane)
10.Hebrenjtë, të ndarë në 14 mëhallë me emrat e mëposhtëm:

-Mëhalla e vjetër bashkë me mëhallën e bashkësisë spanjolle, me 101 shtëpi
-Mëhalla Mojsi Mezistrin-i (Mezistra nga Mistra e Moresë, Peloponezit), me 28 shtëpi
-Mëhalla Josef, i biri i Moisiut[2], i biri i Selemos, me 12 shtëpi
-Mëhalla Matia, i biri i Moisiut, me 45 shtëpi
-Mëhalla Isak, i biri i Sinonias (Sinovinës?), me13 shtëpi
-Mëhalla Jahuda Isak, nga sicilianët (çilçiljan), me17 shtëpi
-Mëhalla Nesim, i biri i Josefit, mjek, me 14 shtëpi
-Mëhalla Bashkësia portugeze e hebrenjve të Vlorës, me 76 shtëpi
-Mëhalla Kalabreze (Kalavres), me 5 shtëpi
-Mëhalla Selemo Haron, nga bashkësia e Otrantos, me 54 shtëpi
-Mëhalla Jasha (?) Meçaleto (?), me 128 shtëpi

Duket qartë se një rol të veçantë në rritjen demografike të qytetit ka luajtur krahas vërshimit drejt tij të popullsisë së fshatrave të rrethinës edhe ardhja nga Perëndimi e një numri të madh azilantësh hebrenj. Për sa i përket faktorit të parë, d.m.th zhvendosjes drejt qytetit të popullsisë rurale, duhet theksuar se ai vihet re si dukuri shumë më herët se disa qytete të tjera siç janë Berati dhe Elbasani, në të cilat ngulimi masiv i banorëve me origjinë nga rrethina fshatare dokumentohet vetëm në dhjetëvjeçarët e gjysmës së dytë të shek.XVI. Kjo tregon më së miri se qyteti i Vlorës kishte hyrë më herët në rrugën e zhvillimit të shpejtë shoqëror-ekonomik se sa qytetet e tjera të lartpërmendura. Në mesin e popullsisë së ardhur nga rrethinat e qytetit një vend të dukshëm zënë banorët e zhvendosur nga Kanina, një nga qendrat urbane dhe ushtarake të njohura të mesjetës,  roli dhe rëndësia e së cilës në këtë kohë po vinte duke u zbehur për llogari të Vlorës. Ndërsa pjesa tjetër e popullsisë fshatare të vendosur në qytet, ishte nga fshatrat Palasë, Nartë, Drashovicë etj.Sikundër theksuam më lart, një pjesë e mirë e popullsisë vlonjate përbëhej nga hebrenjtë (531 shtëpi), gjë që tregon se qyteti i Vlorës u bë në këtë kohë edhe një nga pikat më të rëndësishme të përqendrimit të refugjatëve hebrenj të dëbuar nga Spanja, Portugalia dhe vende të tjera të Perëndimit dhe të pranuar nga sulltanët osmanë për t‘u vendosur në territoret e Perandorisë.

Shtimi i shpejtë i valëve të eksodit hebraik drejt Lindjes pasqyrohet qartë në ndryshimin e shpejtë të numrit të banorëve hebrenj të regjistruar në qytetin e Vlorës. Nga 97 shtëpi hebrenjsh në vitin 1506, më 1520 regjistrohen 531 shtëpi ose 39% e numrit të përgjithshëm të shtëpive të qytetit.  Vlerësuar nga përqindja e popullsisë hebreje, Vlora në këtë kohë linte prapa qendra të rëndësishme të Perandorisë Osmane të banuara nga hebrenj, siç ishin vetë kryeqyteti i Perandorisë Stambolli, qytete të tilla të rëndësishme si Manastiri, Shkupi, Tërhalla, Serezi, Edirneja, Bursa etj., duke u vendosur menjëherë pas kryeqendrës hebreje të Ballkanit, Selanikut.

13 Kolonia hebraike e Vlorës së gjysmës së parë të shek. XVI paraqitej në formën e një mozaiku bashkësish të ndryshme nga njëra-tjetra në pikëpamje social-kulturore, gjë e cila reflektonte në një farë mënyre gjeografinë e shpërnguljeve të hebrenjve iberikë dhe italikë.

Po të ndiqet me kujdes gjendja demografike e qytetit në rrjedhën e shek. XVI, vihet re se aty nga fundi i shekullit, numri i përgjithshëm i popullsisë qytetare ka pësuar rënie. Në defterin e hollësishëm të regjistrimit të sanxhakut të Vlorës të vitit 1583 janë regjistruar gjithsej 962 kryefamiljarë (përfshij këtu edhe beqarët) të cilët po të konvertohen në shtëpi, mund të shkojnë gjithsej në rreth 800 shtëpi. Sipas mëhallëve, panorama demografike e qytetit paraqitej në këtë mënyrë:

1. Mëhalla (e paemërtuar-F.D.) – 243 vetë (neferen)
2. Mëhalla Orta Mahalle (Mëhalla e Mesme) – 194 vetë
3. Mëhalla Tuzlla (Kriporja) – 184 vetë
4. Bashkësia e punonjësve të kriporeve (tuzcuyan) të Vlorës

– Narta – 79 vetë
– Gorica – 10 “ (2 vetë nga Panajaja)

5. Bashkësia e hebrenjve të Vlorës:

– Mëhalla Danial (Daniel, Dhaskal?), me 54 vetë
– Mëhalla Shelemo Ahron, me 41 vetë
– Mëhalla Hatrosh (Katrosh?), me 37 vetë
– Mëhalla Museliç, me 30 vetë
– Mëhalla Mojsi Protokal (duhet të jetë Portugal- Portugez), me 25 vetë
– Mëhalla Mojsi Heqim-i (Mjeku), me 24 vetë

Rënia e numrit të popullsisë qytetare lidhet me një varg arsyesh. Këtu mund të përmenden epidemitë (në vitin 1557 Vlora u prek nga murtaja), largimet periodike të popullsisë hebreje, ngjarjet e stuhishme që shkaktuan konfliktet ushtarake periodike të shtetit osman me vendet perëndimore (qyteti i Vlorës për shkak të rolit dhe të pozitës së tij strategjike vuante shumë nga rrjedhojat e këtyre ngjarjeve etj.), si dhe zbehjen graduale të rëndësisë si qendër administrative e njërit prej sanxhakëve më të rëndësishëm, të krijuar nga shteti osman në tokat shqiptare. Aty rreth mesit të shek. XVI nga sanxhaku i Vlorës u shkëputën një pjesë e rëndësishme e krahinave jugore të tij, të cilat formuan sanxhakun e ri të Delvinës. Më tej, për mungesë burimesh të drejtpërdrejta është vështirë të flitet në mënyrë të detajuar për panoramën demografike të qytetit të Vlorës gjatë shek. XVII.

Një nga burimet kryesore të kësaj kohe, udhëpërshkrimi i Evlia Çelebiut, me gjithë të dhënat e vlefshme për qytetin, për aspektin demografik nuk jep ndonjë të dhënë të rëndësishme. Në se do t‘i referohemi një dokumenti tjetër të fundit të këtij shekulli, një defteri të regjistrimit të popullsisë të përpiluar në vitin 1695, për disa krahina të jugut të Shqipërisë, këtu shënohet një qendër urbane me një emër të padëgjuar deri më tani “Gjoniqestra” ose “Gjyliqestra” ose “Gjoliqestra”. Në një punim tonin të mëparshëm, në mënyrë krejt hipotetike ne e kemi identifikuar këtë vendbanim me Vlorën. Nëse është me të vërtetë fjala për Vlorën, gjë që mbetet të sqarohet me kërkime të mëtejshme, atëherë duhet të pohojmë se tkurrja demografike e qytetit, e vërejtur në fund të shek. XVI, ka shkuar më tej duke u reflektuar si në pakësimin e banorëve vendas ashtu edhe të atyre hebrenj (numri i këtyre të fundit vërtitet rreth 50-60 shtëpi).

  • [1] Duket qartë se një rol të veçantë në rritjen demografike të qytetit ka luajtur krahas vërshimit drejt tij të popullsisë së fshatrave të rrethinës edhe ardhja nga Perëndimi e një numri të madh azilantësh hebrenj.  Për sa i përket faktorit të parë, d.m.th zhvendosjes drejt qytetit të popullsisë rurale, duhet theksuar se ai vihet re si dukuri shumë më herët se disa qytete.
  • [2] Shkruesi osman e ka regjistruar në formën “Musa”, formë kjo tradicionale e të shkruarit dhe e të shqiptuarit të emrit të mësipërm në turqisht. Në këtë formë (në disa raste edhe “Mosa”) ka hyrë ky emër edhe në antroponiminë islame.

 

Marrë nga: https://fhl.org.al/hebrenjte-e-vlores/#_ftnref1

 

***

Prof. Dr. Ferit Duka

25.01.1995: “Doktor i Shkencave”
Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë 11.01.1997: “Mjeshtër Kërkimesh” (Profesor i Asociuar);  Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë 28.01.2004: “Profesor Doktor” Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë.
Prof. Dr. Ferit Duka e ka përqendruar punën e tij studimore në lëmin e historisë së shqiptarëve. Kërkimet e Prof. Dukës kanë qenë të orientuara pikësëpari në çështje të tilla të rëndësishme si qyteti shqiptar dhe tiparet e zhvillimit të tij pas vendosjes së sundimit osman në tokat shqiptare, ndryshimet në strukturën fetare të shoqërisë shqiptare gjatë shekujve osmanë, komunitetet joshqiptare (veçanërisht hebrenjtë) që kanë banuar në pjesë të veçanta të kësaj hapësire, etj. Frut i këtyre hulumtimeve shumëvjeçare në tematikën e sipërshënuar janë një varg studimesh si monografi apo vepra me bashkautorësi, artikuj studimorë, kumtesa, etj., të botuara brenda ose jashtë Shqipërisë. Rezultatet e studimeve të tij ai i ka komunikuar në tubime të rëndësishme shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Paralelisht me punën studimore, Prof. Duka ka zhvilluar periodikisht ekspedita kërkimore në arkivat dhe bibliotekat e Turqisë dhe vendeve perëndimore, gjë që i ka dhënë mundësinë që të ketë në disponim një bazë burimore adekuate dhe të pazëvendësueshme për studimet e tij. Puna e tij kërkimore ka qenë dhe mbetet e lidhur ngushtë me mësimdhënien në Universitetin Europian të Tiranës. Jo vetëm që mban kurse të rregullta në auditor, por ai udhëheq rregullisht diploma të nivelit universitar, disertacione të niveleve të Masterit dhe të Doktoratës, nga Shqipëria dhe nga Kosova.
Pjesë e rëndësishme e angazhimeve intelektuale dhe akademike të Prof. Ferit Dukës ka qenë edhe pjesëmarrja në projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, sikurse janë ato që lidhen me tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar në Shqipëri dhe në rajon, nismat ndërkombëtare për përmirësimin e teksteve shkollore të historisë, projektet për ruajtjen dhe shpalosjen e trashëgimisë kulturore në arealin shqiptar dhe ballkanik, etj.

Rezultati në pak sekonda, Izraeli zbulon testin e Covid përmes pështymës

Një test i pështymës i zhvilluar rishtazi nga qendra më e madhe mjekësore e Izraelit synon të përcaktojë në më…

IZRAEL

Insulina orale, ekipi izraelit fillon provat përfundimtare për t’u bërë i pari në botë

Një kompani izraelite, Oramed Pharmaceuticals, ka filluar testet në fazën përfundimtare të insulinës së saj orale, duke bërë ofertën për…

SHQIPËRI

Albert Ramaj: Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri dhe Kosovë

Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri dhe Kosovë - Nga Albert Ramaj

KOSOVA

Universiteti i Gjakovës: Konkursi ndërkombëtar për statujëzën “Menorah e së Ardhmes” në bashkëpunim me Izraelin

Universiteti i Gjakovës "Fehmi Agani" fton të studentët, Alumni dhe Anëtarë të Personelit Akademik të marrin pjesë në Konkursin garues…

INTERVISTA

Ambasadori i Izraelit, Noah Gal Gendler: Ja përfitimet e Shqipërisë nga Forumi i Antisemitizmit!

Rezoluta per Anti-semitizmin, flet për televizionin informativ Fax News, Ambasadori Izraelit ne Shqiperi, Noah Gal Gendler

MILIARDERËT

“Djemtë e artë”, katër hebrenj në dhjetë më të pasurit e botës

CEO i Facebook, Mark Zuckerberg, kryeson listën hebreje me një vlerë neto prej 85 miliardë dollarësh, i ndjekur nga gjiganti…

SPYZONE

Izraeli prodhon raketën me precizion të lartë dhe të pazbulueshme

Dy kompani të mëdha izraelite të armëve projektuan një raketë të re me precizion të lartë ajër-tokë që mund të…