Elida Buçpapaj: Lamtumirë Rachel Cohen Cikuli, “Pediatrja Ëngjëll” hebreje e fëmijëve shqiptarë

Më 9 nëntor u nda nga jeta Rachel Cikuli, një nga pediatret më të shquara në Shqipëri, e cila, në disa dekada, me dashuri e ndërgjegje të lartë, e vuri jetën dhe profesionin në shërbimin e fëmijëve.


Më 9 nëntor u nda nga jeta Rachel Cikuli, një nga pediatret më të shquara në Shqipëri, e cila, në disa dekada, me dashuri e ndërgjegje të lartë, e vuri jetën dhe profesionin në shërbimin e fëmijëve.

Familja e Rachel Cikulit ishte edhe mike e familjes sime. Dhe ishte fat i madh që në kohë të vështira të kishe miq të tillë të mrekullueshëm.

Im atë, kur isha e vogël dhe kisha probleme me bajame më kishte çuar shpesh tek teta Rachel për të më vizituar. Kur lindi djali ynë i parë Prizreni, për çdo shqetësim shëndetësor, im atë do ta çonte tek Teta Rachel, edhe pse asaj kohe kishte dalë në pension. Gjithmonë e papërtuar, gjithmonë si Ëngjëll Mbrojtës për fëmijët shqiptarë.

Në karrierën e saj si mjeke Rachel Cikuli ka kaluar me mijra e mijë pacientë të vegjël, ndaj të cilëve tregonte përkushtim e dashuri të jashtëzakonshme.

Rachel Cikuli lindi ne 6 Mars 1926 ne Plovdiv te Bullgarisë. Ajo ishte me prejardhje hebreje. Aty mbaron Kolegjin Francez dhe vazhdon studimet e larta për Mjekësi si studente e shkelqyer. Ne Fakultet u njoh me Zisa Cikulin, studentin shqiptar që studionte dhe ai në të njëjtin kurs për Mjekësi. Fati i bashkoi, ata u dashuruan, patën të njëjtat ideale, që te jepnin sa më shumë në fushën e mjekësisë.

Pas studimeve, Zisa dhe Rachel erdhën në Shqipëri. Rachel ishte një vajzë e re që vinte në nga një vend tjetër, nga Bullgaria. Në Shqipëri e kishte sjellë dashuria dhe ajo e deshi fort Shqipërinë sepse aty krijoi familjen dhe bashkë me bashkëshortin e saj ndërtoi jetën.

Në gusht të vitit 1950, Zisa bashke me Rashel filluan punën në qytetin e Korçës. Rashel nuk e pati të lehtë në fillim. Ajo ishte mësuar ndryshe. Vinte nga një familje e ngritur intelektualësh, por nuk u ankua kurrë.

Në Korçë punoi në Sanatorium, në Shërbimin e Pneumo-Fizioatrisë për gati 3 vjet. Shumë shpejt fitoi zemrën e pacientëve që i trajtonte me aq kujdes e dashuri. Ra në sy për korrektësi, saktësi dhe punë të palodhur.

Viti 1953 ishte i rëndësishëm për çiftin Cikuli. Ata transferohen në Tiranë ku Rashel ngarkohet me një detyrë në Ministrinë e Shëndetësisë, në sektorin Nëna dhe Fëmija.

Ishin vite të vështira, duhej përpjekje e palodhur për organizim në shëndetësi. Ajo iu përvesh punës me mish e me shpirt dhe ia doli.

Rashel dallohej për inteligjencë, për thjeshtësi, këmbëngulje, të qenit e drejtpërdrejtë: çfarë kishte ta thoshte hapur dhe si e tillë fitoi zemrat e shumë nënave. Shumë kurajoze, e papërtuar dhe, me gjithë ngarkesat e mëdha, kishte kohe të merrej dhe me studime. Po të ecje me të rrugëve të Tiranës, dëgjoje gjithnjë dikë që ndalonte t’i thoshte: Doktoreshë, më ke shpëtuar fëmijën, nuk ta harroj kurrë! Këto fjalë ajo i dëgjonte shpesh dhe, me modestinë e saj, vazhdonte punën e pediatres me përkushtim. Kurrë nuk u tremb nga vështirësitë, punonte edhe në terren, i njihte shumë mirë fshatrat e Tiranës, hallet e njerëzve dhe mundohej, me sa kishte mundësi, që t’i zgjidhte ato.

U dallua dhe si drejtuese institucionesh ne Spitalin pediatrik si dhe Polikliniken e Lagjes 9.

Megjithese shume e zene me punet e klinikës, ajo mundohej te plotesonte dhe deshirat e 3 femijve te saj Maksimit, Emës dhe Suzit. Kur kthehej pas nje nate roje, femijet i luteshin te shplodhej, ata e kuptonin rraskapitjen e saj, por Rashel ishte shume e dhene edhe pas familjes. Ajo jetoi si nje bashkeshorte, nje nene, nje gjyshe dhe stergjyshe e lumtur qe ne jete gezoi tre femije, tre niper, dy mbesa dhe 6 sterniper e stërmbesa te cileve u fali veç miresi e dashuri.

Edhe pas daljes ne pension, nuk rreshti duke ndihmuar banoret e qytetit të Tiranës. Sa here kishin nevoje ata e dinin se Rashel nuk refuzonte kurre dhe se dera e saj ish e hapur gjithnje per te vizituar femijet.

Rashel meriton te merret si shembull per te gjithe brezat e rinj, ajo ishte një grua e gjithanshme, lexonte letërsi, ndiqte te rejat e shkences, kishte një kulturë të gjërë, por mbi të gjitha ishte njeri që i kushtoi jetën profesionit.

Per meritat e saj te veçanta ajo do te kujtohet nga shume e shume njerez te thjeshte qe i ka dashur e ndihmuar aq shumë.

Rachel Cikuli meritonte që të nderohej nga shteti shqiptar, nga Shqipëria që ajo e zgjodhi për të jetuar dhe e deshi shumë sepse në Shqipëri i rriti fëmijët, nipat, mbesat dhe stërnipat e stërmbesat. Kishin mundësi të jetonin në SHBA, Bullgari apo Izrael, por Rachel Coen Zikuli bashkë me familjen zgjodhën Shqipërinë si vendin e zemrës, megjithë sistemin dhe vështirësitë.

Rachel Cikuli u la trashëgim familjes një librin me kujtimet e saj të titulluar “Një histori e pambaruar”, që do të thotë se historinë e treguar prej saj do ta vazhdojnë ta tregojnë trashëgimtarët e familjes Cikuli-Coen brez pas brezi…

Në faqet e këtij libri unë lexoj me sy të përlotur medikamentin e lumturisë të kësaj familje të mrekullueshme: “Jeta jonë ka kaluar relativisht e qetë, jo se nuk kemi patur edhe divergjenca, por kemi zbatuar parimet që kishim caktuar përpara se të merrnim vendimin të bashkohemi: se jeta jonë do të bazohej në sinqeritetin, besnikërinë dhe dashurinë për punën dhe familjen. Mendoj se këto parime nuk i kemi shkelur dhe mosmarrëveshjet i kemi zgjidhur me tolerancë në biseda të qeta, pavarësisht nga dallimet në kombësinë, fenë dhe zakonet e ndryshme. Këto parime na kanë udhëhequr sidomos në kohën e monizmit, kur shumë familje, në veçanti ato me martesë të përzierë nuk i rezistuan situatës dhe u ndanë.”

Mjekët Zisa dhe Rachel Cikuli janë prindërit e Maks Cikulit, personalitet i shquar i mjekësisë shqiptare që u nda papritur nga jeta, pikëllim që e përjetoi shumë thellë Rachel Cikuli.

Rachel Cikuli u largua nga Bullgaria në moshën 24 vjeç dhe në Shqipëri jetoi plot 70 vjet. Shqipërisë i fali gjithçka, jetën, ëndërrat, energjitë, këtu ndërtoi jetën, këtu vuajti, këtu u lumturua duke parë sukseset e fëmijëve, pastaj lindjen e nipave, mbesave deri të sternipave e stërmbesave.

Në librin e saj të kujtimeve lexoj: “Jam hebreje, bijë e shtegtarëve të mjerë të përndjekur nëpër botë. Kam lindur në Bullgari, ku jam rritur dhe ku kam studjuar, kur paraardhësit e mi kanë jetuar shekuj me rradhë. Erdha në Shqipëri, e martuar me Zisa Cikulin nga Korça. Mësova gjuhën dhe traditat, të cilat i përvetësova. Në Shqipëri punova si mjeke për më shumë se 30 vjet. Me Zisën patëm tre fëmijë, që punojnë e jetojnë në vendin e tyre.”…Dhe më tutje Rechel vijon: “Në “Kujtimet” jam munduar të përshkruaj shkurt ambientin që më ka rrethuar, zhvillimet politiko-shoqërore në etapat e ndryshme të jetës sime. Si konkluzion, dua të shpreh mendimin se nuk janë njerëzit e thjeshtë fajtorë për ndjenjën dhe vuajtjen time si “e Huaj”, përkundrazi janë pikërisht ata që e kanë lehtësuar me sjelljen dhe respektin e tyre këtë peshë diskriminuese që ka rënë mbi shpatullat e mia, njëlloj si mbi shumë njerëz të tjerë. Për vete jam shumë e qartë se fajin kryesor e mban rendi politiko-shoqëror si dhe njerëzit që kanë drejtuar vendet ku kam jetuar….” Dhe në rreshtat përmbyllës shkruan: “Mund të dukem shumë optimiste, por uroj dhe shpresoj që në të ardhmen do të vijë dita kur asnjë njeri nuk do ta ndjejë veten “të Huaj”, por kudo që do të zgjedhë të jetojë, do të ndihet si “Qytetar i Botës së lirë dhe të Qytetëruar”. Kjo është zgjidhja e një padrejtësie universale që Albert Camus e ka shtjelluar në mënyrën më të jashtëzakonshme dhe të përkryer tek vepra “I huaji”. Ky është amaneti i Rachel Coen Cikuli, i kësaj mjekeje dhe vajze hebreje që ra në dashuri me një mjek djalosh nga Korça dhe vendosi ta ndërtojë jetën dhe në Shqipëri dhe të jetojë deri sa dha frymën e fundit. Rachel Coen Cikuli e kishte gjetur se mjeti më i mirë për t’i shëruar plagët e veta dhe për të shëruar plagët e të tjerëve ishte dashuria, prandaj ajo si mjeke dhe si njeri dha dashuri pafund dhe dashuria iu kthye e shumëfishuar me dashuri nga pacientët e vegjël si dhe nga prindërit dhe të gjithë ata që e njohën.

A meriton Rachel Coen Cikuli të nderohet nga shteti shqiptar për punën, përkushtimin dhe gjithçka që i dha Shqipërisë dhe shqiptarëve?
Patjetër që po!
Të paktën, postum!

Mjekët dhe bashkëshortët Zisa dhe Rachel Cikuli

Kur ishin mjekë të rinj Rachel dhe Zisa Cikuli

 

Rachel Coen Cikuli

Këtu janë çifti Cikuli me mikun e tyre, tim atë, poetin Vehbi Skënderi. Miqësia e tyre e pastër nisi prej rinisë të herëshme deri në fundin e jetës.

/Voal.al/

Lexo më shumë

Ambasadorja e Izraelit: Shqipëria, shembull i bukur tolerancës ndërfetare

Ambadasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka qenë e ftuar në disa darka iftari të organizuar në Tiranë.

Izrael

Izraeli rihap hapësirën ajrore, kapen 99% e raketave iraniane

Nga më shumë se 30 raketa të lëshuara nga Irani, asnjëra nuk kishte arritur në Izrael.

Shqipëri

Rama dënon sulmin e Iranit kundër Izraelit: I paprecedent, rrezikon të destabilizojë rajonin

Kryeministri Edi Rama dënoi sot fuqimisht sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

BE dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit si ‘përshkallëzim të paprecedentë’

Bashkimi Evropian dënoi ashpër sulmin e drejtpërdrejtë ajror të Iranit ndaj Izraelit.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.