Kosovë-Izrael, thyhet rendi i dështimeve

Vendosja e marrëdhënieve të plota diplomatike me Izraelin shënon një nga momentet më të rëndësishme të diplomacisë së Kosovës në vitet e fundit. – Opinion nga Akri Çipa


Nga Akri Çipa

Vendosja e marrëdhënieve të plota diplomatike me Izraelin shënon një nga momentet më të rëndësishme të diplomacisë së Kosovës në vitet e fundit. Për mjaft arsye, kjo duhet të shërbejë si një moment kthese. Është e rëndësishme, që përtej celebrimeve, të ketë një diskutim më të gjerë për rëndësinë e marrëdhënieve diplomatike me shtetin hebre, por edhe për leksionet e nxjerra nga ky zhvillim.

Miqësia e re me Izraelin hap perspektiva për bashkëpunim në rrafshin ekonomik, tregtar, inovacionit, si dhe në atë të sigurisë, dhe këto meritojnë një analizë më vete. Por çfarë është e rëndësishme për momentin është se kjo marrëdhënie mbart një kuptim më të gjerë për vetë konsolidimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Njohja nga Izraeli erdhi pas një periudhe gati trevjeçare, në të cilën jo vetëm që nuk pati asnjë njohje të re, por edhe u intensifikua fushata dhe propaganda serbe për kundërshtimin e legjitimitetit të pavarësisë. Në fakt, gjatë kësaj periudhe kanë qenë shumë më vokale pretendimet serbe për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë.

Kosova jo vetëm që në këtë hark kohor dështoi në avancimin diplomatik, por mori përsipër dhe përgjegjësinë e disa gabimeve fëmijërore, sikurse ndodhi në rastin e fiaskos me Xhamajkën. Në atë rast, njohja e paralajmëruar nga zyrtarët në Prishtinë u mohua nga përfaqësuesit xhamajkanë, duke krijuar një situatë groteske. Gjithaq domethënëse ishte dhe performanca në fushatën për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ku shembulli më i bujshëm ishte dështimi me aplikimin në Interpol.

Njohja dhe formalizimi i raporteve me Izraelin thyejnë këtë rend dështimesh dhe jep tashmë një sinjal domethënës, mbi të gjitha për imazhin ndërkombëtar.

Elementi tjetër i rëndësishëm është se njohja reciproke Kosovë-Izrael u realizua pavarësisht angazhimit tejet të madh të diplomacisë serbe për të ushtruar rol bllokues.

Me gjithë punën disavjeçare të diplomatëve të Kosovës para dhe pas kuintave për të vendosur lidhje me shtetin hebre, Serbia ia ka dalë nëpërmjet kanaleve zyrtare diplomatike të shkurajojë dhe të ndalojë në gjenezë çdo lloj iniciative izraelite drejt Prishtinës. Në të njëjtën kohë, lobi serb në Izrael dhe në Shtetet e Bashkuara ka qenë tejet aktiv. Çdo përpjekje për ta ngritur si çështje në Izrael njohjen e Kosovës pasohej nga kundërvënie të menjëhershme të segmenteve të lidhura me Beogradin zyrtar.

Prandaj është tejet e rëndësishme të vlerësohet ndërhyrja dhe garancitë e ofruara nga Shtetet e Bashkuara si elementi kryesor që theu pengesat e Serbisë dhe vuri në lëvizje zhvillimet që u finalizuan me ceremoninë e kësaj jave. Është e rëndësishme që kjo të kuptohet mirë nga të gjithë, përtej rezervave dhe kontestimeve të tjera për takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.

Në të njëjtën kohë, këto zhvillime shërbejnë dhe për të trajtësuar ecurinë diplomatike dhe objektivat strategjikë që duhet të ndiqen në të ardhmen e afërt.

Pretendimi i Serbisë – mbështetur nga Rusia dhe Kina – se pavarësia e Kosovës duhet refuzuar si unilaterale dhe krijuese e precedentëve të rrezikshëm ka pasur deri më sot njëfarë efikasiteti. Në fakt, frika se njohja zyrtare mund të përdorej për të krijuar paralelizma, në fakt tërësisht të paqenësishme, me konfliktin në Lindjen e Mesme ka qenë arsyeja kryesore pragmatike që e ka shtyrë Izraelin t’i druhej deri më sot pranimit të realitetit të Kosovës së pavarur dhe sovrane.

Tanimë, pas vendosjes së marrëdhënieve me shtetin hebre, ekzistojnë të gjitha mundësitë për të ngritur argumentin e anasjelltë: nëse Izraeli, një shtet që përballet me një nga konfliktet territoriale më problematike dhe komplekse në botë, nuk i druhet rastit të pavarësisë së Kosovës si precedent, atëherë asnjë vend tjetër nuk mund të fshihet pas këtij argumenti. Me tejkalimin e kësaj situate, Kosova i ka shtuar arsenalit diplomatik një element tejet substancial.

E gjithë kjo duhet kontekstualizuar brenda një mësimi tjetër shumë të rëndësishëm.

Pavarësisht ecurisë së dialogut me Serbinë, nuk ka asgjë që e konsolidon më shumë pozicionin në arenën ndërkombëtare se vendosja e raporteve të barabarta me shtetet e tjera të botës.

Vëmendja ndaj Beogradit dhe Brukselit ka thithur rishtazi shumë më tepër energji nga sa duhej në Prishtinë dhe ka sjellë harresën ndaj kryeqyteteve të tjera të botës. Procesi dialogues me Serbinë mund të vazhdojë, por pa vënë në pauzë ose sakrifikuar konsolidimin e marrëdhënieve me shtete të treta, aq më shumë përpjekjet për t’i shumuar ato.

Madje edhe integrimi në organizatat ndërkombëtare duhet të jetë element shtesë, jo zëvendësues, i përpjekjeve për shtimin e njohjeve. Teksa anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është bërë shpeshherë kryefjalë e diskutimeve për ecurinë diplomatike, duhet mos harruar se anëtarësimi duhet të jetë pasojë, jo qëllim në vetvete.

Orientimi i diplomacisë së Kosovës drejt këtij kahu duhet të bëhet dhe kryefjalë në raport me aleatët amerikanë. Administrata Biden mund të ofrojë një mbështetje shumë të fortë në këtë pikë, por Prishtina zyrtare duhet të tregojë iniciativë nga ana e saj. Angazhimi amerikan është i domosdoshëm për t’u qasur ndaj shteteve që ende refuzojnë ta njohin Kosovën, por edhe për të anashkaluar pretendimet serbe dhe për të rritur presionin ndaj Beogradit.

Së fundmi, është fatkeqësi që Bashkimi Europian nuk është palë mbështetëse në këtë përpjekje. Sikurse u reflektua pas ceremonisë së 1 shkurtit, në vend që të përgëzonte Kosovën dhe Izraelin, zëdhënësi i Bashkimit Europian për çështjet e jashtme e kritikoi Prishtinën për zyrtarizimin e vendosjes së ambasadës së saj në Jerusalem. Kjo pasi Bashkimi Europian vazhdon ta kundërshtojë Jerusalemin si kryeqytet zyrtar.

Këmbëngulja e përfaqësuesve europianë në këtë politikë rezultoi të ishte më e rëndësishme sesa mbështetja për Kosovën në një hap pozitiv të forcimit të pozicionit të saj dhe të krijimit të marrëdhënieve të cilat realisht avancojnë stabilitetin dhe paqen. Ky veprim absurd nuk duhet harruar dhe duhet të shërbejë si një mësim kuptimplotë për valencën që u duhet dhënë mesazheve që do vijnë nga Brukseli në të ardhmen.

Botuar fillimisht në Sbunker.net

IZRAEL

E mbijetuara e Holokaustit me rreth 400 pasardhës ndërron jetë në moshën 105 vjeç

Shoshana Ovitz mbijetoi Auschwitz pasi pa se nëna e saj ra në duart e mjekut famëkeq nazist, Josef Mengele.

SHQIPËRI

Kryegjyshi Botëror pret ambasadorin Gendler: Izraeli mund ta ndihmojë Shqipërinë me vaksina kundër Covid!

Kryegjyshi Botëror Dede Edmond Brahimaj, Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, priti në selinë e shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane,…

KOSOVA

Fahri Xharra: Albin, kur të thërret Izraeli, merre guximin!

Një thirrje jo e zakonshme për udhëheqësin e ardhshëm të Kosovës - Nga Fahri Xharra, publicist

INTERVISTA

Një histori për të gjithë botën

Ambasadori izraelit Noah Gal Gendler ekskluzivisht për Albanian Daily News

MILIARDERËT

Themeluesit hebrenj të Google shtuan 14 miliardë dollarë në vetëm 24 orë

Larry Page dhe Sergey Brin, bashkëthemelues të Google, e bënë veten 14 miliard dollarë më të pasur në më pak…

Rezultati në pak sekonda, Izraeli zbulon testin e Covid përmes pështymës

Një test i pështymës i zhvilluar rishtazi nga qendra më e madhe mjekësore e Izraelit synon të përcaktojë në më…

SPYZONE

Shefi i Mossadit takim me zyrtarët e lartë të SHBA

Cohen do të takojë Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA, shefin e CIA, ndërsa takimi me Biden nuk është ende…