Ambasadori Dashnor Dervishi: Si u vendosën marrëdhëniet me Izraelin në 1991

Si sot, më 19 gusht 1991, 32 vjet më parë, u vendosën marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Izraelit.


Një nga diplomatët më të njohur të shërbimit tonë të Shqipërisë, Dashnor Dervishi, në librin e tij me kujtime sjell për publikun situatën politike kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.

Gjatë kohës kur shërbente si ambasador i Shqipërisë në Romë, Dervishi bashkë me homologun e tij izraelit në Romë, Mordechai Drory, nxiti Tiranën zyrtare dhe Jerusalemin, në rivendosjen e marrëdhënieve mes dy vendeve në vitin 1991.

Ambasador Dervishi tregon se në arkivat e MPJ-së së vendit tonë rezulton, se kërkesën për rivendosjen e marrëdhënieve e ka bërë Izraeli, ndërsa në arkivat e MPJ-së në Jeruzalem, del se kërkesa është bërë nga Shqipëria.

Por ai u emërua në vitin 1998 ambasador në Izrael, gjatë kohës që në Kosovë kishte plasur konflikti ndëretnik.

Edhe pse kishin marrëdhënie shumë të mira me Serbinë, populli izraelit por dhe politika zyrtare dënoi gjenocidin e Milosheviçit në Kosove, ndërsa nuk munguan as ndihmat e para humanitare dhe ngritja e spitalit më të madh ushtarak në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë.

DASHNOR DERVISHI

Në mesin e vitit 1998, Qeveria Nano kishte vendosur, që të hapte seli të përhershme për ambasadën shqiptare në Izrael. Kandidatura ime kaloi pa vështirësi, pasi gjatë qëndrimit tim në Romë ishin krijuar disa lidhje të veçanta me Izraelin. Miqësia me hebreun e mirë Raffaello Fellah më kishte krijuar lidhje të fuqishme me lobin izraelit në Itali.

Po ashtu, qëndrimi për disa muaj në Romë i familjeve shqiptare me origjinë hebraike, para se ato të riatdhesoheshin në vendin e të parëve të tyre, do të më shërbente si një mbështetje e madhe, sidomos në ditët e para të mbërritjes time në Izrael. Ndërkohë, në ambientet politike dhe diplomatike të të dy vendeve ishte bërë e njohur historia dhe mënyra se si u përshpejtua rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona, përgjatë bisedave me ambasadorin e Izraelit në Itali.

Koha e emërimit tim si ambasador në Izrael, qëndrimi atje dhe transferimi, u shoqërua me tre ndryshime të njëpasnjëshme të Kryeministrit të Shqipërisë. U emërova kur Kryeministër ishte Fatos Nano, u nisa për në Izrael me Pandeli Majkon dhe u transferova me Ilir Metën. Raffaello Fellah ishte mjaft aktiv edhe në Shoqatën e Hebrenjve të Italisë. Ai më ftonte vazhdimisht në aktivitetet e kësaj shoqate, ku unë merrja pjesë me shumë kënaqësi.

Për herë të parë, nëpërmjet këtyre aktiviteteve, pata mundësinë të njihem e të ndjek me admirim nga afër zakonet, ritet dhe besimet e hebrenjve, që ata i praktikonin me aq përkushtim. Nuk do të vononte momenti kur Raffaello do të më shprehte mendimin, se kishte ardhur koha, që edhe midis Shqipërisë dhe Izraelit të vendoseshin marrëdhëniet diplomatike.

Në muajin mars 1991, ai kishte vendosur të bënte një ceremoni me rastin e inaugurimit të zyrave të reja në Romë, të shoqatës, që e kishte qendrën në Londër, ku do të vinte edhe presidenti i kësaj shoqate. Ishin ftuar edhe shumë biznesmenë, politikanë e diplomatë, midis të cilëve edhe unë, si dhe ambasadori i Izraelit.

Raffaello kishte biseduar paraprakisht si me mua ashtu edhe me ambasadorin e Izraelit, që me këtë rast të bënim takimin tonë të parë. Ambasadori i Izraelit në Romë ishte Mordechai Drory. Takimi ynë “i rastësishëm” u kthye në një bisedë mjaft miqësore dhe të përzemërt.

Biseda u përqendrua në elementët e përbashkët të dy popujve tanë, duke anashkaluar ato që na kishin ndarë për 40 vjet. Të dy, me një predispozicion të padiskutueshëm, me bindjen e plotë se kishim humbur shumë kohë, duke qëndruar në dy llogore të ndryshme, shprehëm nevojën e nxitjes së veprimeve, për të vendosur marrëdhëniet tona, sa më parë, për të fituar kohën e humbur.

Shprehëm dëshirën, që të takoheshim përsëri, për të biseduar më gjerë. Dukej sikur kishim shumë gjëra për t’i thënë njëri-tjetrit, si dy miq që kishin kohë pa u parë. Në fund të bisedës, përpara se të ndaheshim i them Droryt, se që aty do të shkoja direkt në zyrë, për të bërë informacionin mbi këtë takim.

Bile, vazhdova, po të them edhe çfarë do të shkruaj: “Në pritjen e organizuar me rastin e ceremonisë së inaugurimit të zyrave…ishte ambasadori i Izraelit, që m’u afrua dhe më kërkoi të bisedojmë lidhur me të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve tona; se, në kushtet e ndryshimeve të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare, është koha që edhe dy vendet tona të rishikojnë qëndrimet e tyre; se, Qeveria e Izraelit shpreh gatishmërinë e saj për të biseduar me Qeverinë shqiptare, për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike…”.

I habitur, ambasadori më pyet, se pse po bëja një formulim të tillë dhe jo ashtu siç ishte e vërteta, se që të dy kishim bërë të njëjtin vlerësim dhe kishim shprehur të njëjtin vullnet.

“Kemi 40 vjet që shajmë e akuzojmë njëri-tjetrin, i thashë unë. Shqipëria është një vend i vogël; me mentalitetin ballkanik të një vendi të vogël, është vështirë, që të merren kthesa, të ndryshohen argumentet dhe të merren vendime të shpejta, të kundërta me ato, me të cilat jemi mësuar deri tani.

Autoritet politike kanë nevojë për një alibi, jo vetëm për veten e tyre, por edhe për të argumentuar vendimmarrjen në instancat zyrtare. Dhe argumenti më i mirë është fakti që Izraeli po kërkon, që të rishikojmë qëndrimet tona dhe po del me propozimin për rivendosjen e marrëdhënieve tona. Kjo gjë do ta bëjë më të lehtë vendimmarrjen dhe më të shpejta procedurat”.

“Pak a shumë, e njëjta situatë është edhe në Izrael, reagoi ambasadori Drory. Të njëjtën gjë do të bëj edhe unë; do të shkruaj që ishe ti ai që m’u afrove dhe më parashtrove nevojën e vendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve tona”. Mbas 4 muajsh, më 19 gusht 1991, marrëdhëniet u rivendosën. Në arkivat e MPJ-së së vendit tonë rezulton, se kërkesën për rivendosjen e marrëdhënieve e ka bërë Izraeli, ndërsa në arkivat e MPJ-së në Jerusalem, del se kërkesa është bërë nga Shqipëria.

Në Izrael mbërrita për herë të parë në fillim të muajit dhjetor 1998. Do të qëndroja vetëm 10 ditë, për të paraqitur kredencialet si ambasador dhe me këtë rast, për të bërë kërkimet e para, për gjetjen e selisë ku do të vendosej ambasada, si dhe apartamentet e banimit për familjen time dhe për punonjësit e tjerë të ambasadës.

Gjatë atyre 10 ditëve, që qëndrova në një nga hotelet e Tel Avivit, një ndihmë të madhe dhe të pashpërblyeshme më dha miku im i vjetër Albert Vituli dhe familja e tij, i cili ashtu si shumë familje të tjera shqiptare me origjinë hebraike, u kthyen në vendin e të parëve gjatë vitit 1991. U ktheva në Tiranë, mbasi kisha piketuar gjithçka që duhej për hapjen dhe fillimin e punës së ambasadës në Tel Aviv. U riktheva përsëri në Izrael më 19 janar 1999. Ceremonia e dorëzimit të Kredencialeve te Presidenti i Shtetit të Izraelit, Ezer Weizman u zhvillua më 8 dhjetor 1998.

Një ditë më parë, mora takim me Drejtorin e Protokollit të Shtetit, i cili më shpjegoi rregullat dhe detajet e procedurave, që do të ndiqeshin gjatë ceremonisë, që do të organizohej me këtë rast. Izraeli ka një procedurë të thjeshtë të ceremonisë së dorëzimit të kredencialeve nga ambasadorët dhe në përgjithësi, ka një protokoll mjaft të thjeshtuar dhe informal në marrëdhëniet diplomatike.

Ndër të tjera, Drejtori më shpjegoi se përveç meje, atë ditë do të ishin edhe dy ambasadorë të tjerë, që do të paraqitnin kredencialet. Më shpjegoi, se koha në dispozicion për secilin ishte parashikuar rreth gjysmë ore. Më tej, ai shtoi se Presidenti Weizman është një burrë i vjetër dhe erudit, ka shumë dëshirë të dëgjojë e të bisedojë me miq të largët, por meqë koha në dispozicion do të jetë e shkurtër, kërkoi që të mos hapja ndonjë temë bisede, që mund të zgjaste programin.

Mbasi kaluam në paradë rreshtimin e forcave të armatosura, në krye të sallonit të madh të Presidencës, Presidenti Weizman priste në këmbë, i shoqëruar nga disa funksionarë të stafit të tij dhe të MPJ-së. Në dorë mbante një bastun, mbi të cilin ishte mbështetur. Ishte hera e parë që mbante bastun dhe si për t’u justifikuar, mbas përshëndetjeve të rastit, ai më shpjegoi se kishte pasur një ndrydhje të kyçit, ndaj po mbante përkohësisht bastunin. Krejt pa dashje, unë shtova se bastuni nuk është për burra, por për gratë.

Ai reagoi menjëherë, ktheu kokën mbrapa dhe kërkoi me shikim një përfaqësuese të MPJsë, nga Drejtoria e Protokollit. Ishte Amira Arnon, e cila mbas dy vitesh do të emërohej konsulle në Stamboll, kurse më pas ambasadore në Tiranë. Ia dha asaj bastunin dhe drejtoi trupin, i gatshëm të dëgjonte formulën e ambasadorit, me rastin e dorëzimit të kredencialeve.

Por në këtë moment do të ishte Drejtori i Përgjithshëm që do të ndërhynte, pasi nuk mund ta linte Presidentin e tij pa u mbështetur në bastun. Ai sqaroi raportin midis bastunit dhe gruas, në kuptimin që shkopi shërben për burrat, vetëm për të rrahur herë pas here gratë, sipas tregimeve popullore. Presidenti, që e kapi menjëherë batutën, e pëlqeu shakanë.

Ai u kthye përsëri nga Arnon, i mori asaj bastunin dhe u drejtua nga unë. Më futi krahun në mënyrë shoqërore dhe u drejtuam në dhomën e vogël, që ndodhej përballë, për të biseduar më gjatë, e për të trokitur gotat e shampanjës. Për fat të keq të Drejtorit të Protokollit dhe për fatin tim të mirë, të ulur me gotat e shampanjës përpara, biseda me Presidentin Weizman zgjati shumë më tepër se ç‘ishte parashikuar. Biseduam gjatë dhe prekëm mjaft tema, kuptohet, mbasi mbaruam me mendimet dhe vlerësimet e Presidentit Weizman për gratë, duke përmendur edhe gratë e dy presidentëve të Shqipërisë, që ai kishte pasur rastin t’i njihte në takime ndërkombëtare.

I bëri shumë përshtypje historia e bisedës së parë midis meje dhe ambasadorit të Izraelit në Romë, për mënyrën e informimit, për të nxitur dhe kapërcyer sa më shpejt procedurat burokratike në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Por mbi të gjitha dhe në themel të bisedës së ngrohtë, por edhe të afërsisë, që Presidenti shfaqte ndaj ambasadorit të parë të Shqipërisë në Izrael, qëndronte kujtimi dhe nderimi, që ai i bënte popullit shqiptar, për ndihmën dhe solidaritetin, që kishte treguar ndaj hebrenjve, që banonin në Shqipëri, si një rast i vetëm në botë, ku asnjë hebre nuk u dorëzua te gjermanët. Mbasi dolëm nga takimi, po sillja edhe një herë në mendjen time zhvillimin e takimit dhe bisedën aq të ngrohtë dhe humane. Ndër mend më erdhi ceremonia e parë dhe emocionin e madh që kisha kaluar, kur dorëzova kredencialet te Presidenti i Meksikës, disa vite më parë.

Në Izrael u vlerësua shumë hapja e ambasadës shqiptare, pasi për politikën e jashtme të Izraelit kjo gjë përbënte një sukses. Pas viteve ‘90, diplomacia izraelite ndërmori një fushatë të fuqishme, sidomos ndaj vendeve të Europës Lindore dhe ish-republikave sovjetike, për të tërhequr prej tyre qytetarët me origjinë hebraike dhe për të nxitur hapjen e ambasadave të tyre në Izrael.

Në këtë mënyrë, realizohej jo vetëm popullimi i Izraelit, por edhe shkëputja nga izolimi shumëvjeçar dhe nga politika armiqësore antizraelite, në kuadrin e konfliktit izraelito-arab. Në mënyrë të veçantë, vende të tilla si Shqipëria, republikat ish-sovjetike, apo Mauritania, Indonezia, Bosnjë Hercegovina, etj, me popullsi me origjinë myslimane, ishin të preferuara në politikën e jashtme të Izraelit, në funksion të balancimit të konfliktit tradicional me vendet arabe e myslimane fqinje.

Viti 1999 ishte i mbushur me ngjarje të rëndësishme për të dy vendet tona; ngjarjet në Kosovë dhe bombardimet e NATOs mbi Serbinë, zhvillimi i fushatës elektorale në Izrael dhe kalimi i pushtetit nga Partia Likud, e Benjamin Netanyah, në atë të Laburistëve, të Ehud Barak; fushata intensive që Qeveria e Barakut ndërmori në kuadrin e procesit të paqes në Lindjen e Mesme dhe të reformave të thella për modernizimin e jetës së brendshme të shoqërisë izraelite.

KOSOVA

Ngjarjet në Kosovë ishin problemi kryesor i ditës, me të cilin ambasada jonë u përball, paralelisht me hapjen e saj. Nëpërmjet këtij procesi, çështja shqiptare doli në qendër të opinionit publik në Izrael, ndërsa ne si ambasadë, na u dha mundësia e rritjes së kontakteve në mënyrë të përshpejtuar, gjë që në kushte normale do të kërkonte shumë më tepër kohë. Të ndjeshëm ndaj spastrimeve etnike dhe gjenocidit, opinioni izraelit ishte në pararojë të solidaritetit dhe të mbështetjes për popullin shqiptar në Kosovë, duke dënuar me ashpërsi dhunën e ushtruar nga regjimi serb i Milosheviçit. Me gjithë lidhjet e vjetra tradicionale midis Izraelit dhe Serbisë, ky opinion u ngrit i tëri në këmbë, pa dallim moshe apo prejardhje, pa dallim fetar apo bindje politike. Pa filluar ende konflikti i hapur në Kosovë, Knesset-i i atëhershëm izraelit (Parlamenti), në një seancë plenare, nën ndikimin e Kryerabinit, Israel Meir Lau, dënoi Qeverinë jugosllave për gjenocidin e ushtruar, duke shprehur edhe një protestë zyrtare ndaj ambasadorit të Jugosllavisë. Më 28 shkurt, një nga takimet e mia të para me autoritetet e larta e me ndikim në jetën shoqërore e politike të vendit, do të ishte pikërisht me Kryerabinin e Izraelit, Israel Meir Lau, me të cilin ruajta deri në fund marrëdhënie mjaft të mira. Me fillimin e konfliktit, ishte avioni ushtarak me ndihma humanitare nga Izraeli, ndër të parët që mbërriti në Tiranë.

Avioni u nis më datën 6 prill, në orët e para të mëngjesit, nga Tel Avivi, dhe u kthye në orët e vona të darkës. Në orën 5:30 të mëngjesit, përpara nisjes së avionit, u bë një ceremoni e vogël, ku mori pjesë edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ariel Sharon, që përcolli edhe përshëndetjet e rastit. Ndërkohë, pranë Ministrisë së Jashtme, ishte ngritur një Komision i Përkohshëm i Emergjencës për krizën në Kosovë.

Gjatë një bisede me Chaim Chesler, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Hebraike, ai u shpreh se ishte hera e parë që opinioni publik në Izrael pati një sensibilizim gjithëpërfshirës, qysh mbas Luftës së “6 ditëve” të vitit 1967. Më 9 prill, në manifestimin popullor, të organizuar në sheshin kryesor “Ben Gurion” të Tel Avivit, u mblodhën mbi 40 mijë vetë. Më 16 prill, në Nazareth, zonë me popullsi kryesisht palestineze, u mblodhën mbi 30 mijë vetë.

Një manifestim i ngjashëm u bë edhe në qytetin më jugor të Izraelit, në bregun e Detit të Kuq, Eilat. Në këto manifestime, jo vetëm që u shpreh solidariteti me popullin shqiptar të Kosovës, por u mblodhën edhe mjaft ndihma, që u dërguan në Shqipëri e Kosovë, në formën e vlerave materiale, monetare dhe të vullnetarëve.

Gjatë muajve prill dhe maj, u nisën 4 avionë specialë me ndihmat e mbledhura nga kjo fushatë sensibilizuese. Qeveria e Izraelit mori vendimin për të ngritur në territorin e Maqedonisë, në kufi me Kosovën, një nga spitalet më të mëdhenj ushtarakë të saj, ndërkohë që iu përgjigj kërkesës, për të sistemuar në Izrael mbi 200 kosovarë, për një periudhë 6-mujore. Mbas dy muajsh të ngritjes së spitalit, më 22 prill, spitali u kthye në Tel Aviv, ku u prit me një ceremoni solemne në aeroport.

Për të nderuar shërbimin e këtij spitali dhe në ndihmë të fëmijëve të Kosovës, më 6 maj, nën kujdesin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe të ambasadës sonë, u organizua në një nga sallat kryesore të kryeqytetit një koncert, ku u transmetua me video edhe përshëndetja dhe falënderimi i Presidentit shqiptar, Rexhep Meidani./ Gazeta Panorama/

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Fyejti Holokaustin, Izraeli shpall “non grata” presidentin e Brazilit

Kryeministri Benjamin Netanyahu i përshkroi fjalët e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva si “të turpshme”.

Shqipëri

Dita Ndërkombëtare e Gruas, ambasadorja Kumbe fjalim në Universitetin e Haifës

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ishte e ftuar të fliste në Universitetin e Haifës në kuadër të Ditës…

Kosove

Ceremoni solemne në Prishtinë, për Ditën Përkujtimore të Holokaustit

Marin pjesë Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ambasadorja e Izraelite në Kosovë, Tamar Ziv.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

Shuhet legjenda e diplomacisë amerikane, Henry Kissinger

Vdiq në moshën 100-vjeçare. Kissinger dominoi politikën e jashtme të SHBA në kulmin e Luftës së Ftohtë.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.