Historiani amerikan Bernd Fischer: Hebrenjtë e Shqipërisë gjatë periudhës zogiste

Profesor i Historisë dhe Shef i Departamentit të Historisë Universiteti i Indianës, Fort Wayne



Nga Bernd J. Fischer

Toleranca fetare në Perëndim në kohën tonë shpeshherë matet me trajtimin e hebrenjve – në këtë aspekt shqiptarët e kanë kryer detyrën më së miri. Ndërsa të tjerët në Ballkan, dhe në mënyrë të dukshme në pjesën tjetër të Europës kanë institucionalizuar diskriminimin, kanë marrë pjesë në mënyrë pasive apo shpesh edhe në mënyrë entuziaste në disa nga krimet më monstruoze kundër njerëzimit në lidhje me hebrenjtë, ndërsa shqiptarët, duke marrë përsipër rrezikun, kanë hapur vendin e tyre dhe shpesh edhe shtëpitë e tyre jo vetëm për hebrenjtë e Shqipërisë, por gjithashtu edhe për hebrenjtë e huaj.

Është pikërisht qëllimi i kësaj letre të shkurtër të shqyrtojë disa aspekte të kësaj çështjeje në kontekstin e peridhës ndërmjet luftrave dhe Luftës së Dytë Botërore dhe veçanërisht unë do të dëshiroja të përqendrohesha në çështjet e mëposhtme:

1. Politika e Zogut për kombëtarizimin e fesë dhe inkurajimin e diversitetit të mëtejshëm fetar
2. Hebrejtë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore
3. Një diskutim i shkurtër rreth disa motiveve të mundshme prapa këtyre qëndrimeve të ndryshme në drejtim të hebrenjve në Shqipëri

1. Zogu – kombëtarizimi i fesë dhe inkurajimi i diversitetit të mëtejshëm fetar në Shqipëri

Është e qartë, mendoj unë, se duke parë politikën fetare të Mbretit Zog në tërësi, ai e pa si një forcë të mundshme përçarëse, që mund të pengonte rrugën e krijimit të shtetit të unifikuar, perëndimor dhe modern që ai kërkonte. Zogu qe i vendosur të zvogëlonte efektin e mundshëm përçarës të fesë në Shqipëri, duke ndjekur një politikë të kombëtarizimit të fesë, duke nxitur dhe mbështetur pavarësinë politike dhe administrative të feve të ndryshme në Shqipëri nga çdo ndikim i huaj dhe duke ndjekur një politikë e cila mund të përshkruhej si avancim i mëtejshëm i diversitetit fetar.

Nga pikëpamja e kombëtarizimit të fesë, politika e Zogut në drejtim të shumicës së kishave është e mirënjohur, por më lejoni të bëj një përmbledhje të shkurtër. Zogu u orientua në një farë mase nga Kushtetuta e tij Monarkike e Vitit 1928 dhe nga Ligji i tij mbi “Komunitetet Fetare Shqiptare” i miratuar nga parlamenti i kontrolluar prej tij në janar të vitit 1930 i cili e shpalli Shqipërinë vend josektar, gjë e cila i jepte shtetit të drejtën e kontrollimit mbi komunitetet fetare, duke u bazuar në Nenin 8 të Ligjit që “drejtuesit fetarë, vartësit e tyre të drejpërdrejtë, ipeshkvijtë dhe famullitarët e tyre, duhet të ishin me prejardhje shqiptare dhe gjuhë shqipe”. Në të njëjtën kohë, Zogu shpalli gjithashtu liri individuale fetare për shqiptarët. Kushtetuta e vitit 1928 garantonte se “Të gjitha fetë dhe besimet ndërohen dhe sigurohet liria e praktikimit të tyre. Feja nuk mundet të krijojë në asnjë mënyrë pengesa juridike dhe nuk mund të përdoret për qëllime politike.”

Shumë punë për kombëtarizimin ishte bërë tashmë përpara vendosjes së monarkisë, megjithatë Zogu dha kontribut të rëndësishëm.

1. Myslimanët Sunni ishin shkëputur nga kontrolli i jashtëm në Kongresin e Tiranës në vitin 1923. Puna e Kongresit përfshinte zgjedhjen e udhëheqjes së re kombëtare, si edhe reforma të ndryshme përcaktoi këtu shkëputjen e lidhjeve me shumë praktika tradicionale, shkëputjen e xhamisë nga kalifati, heqjen e titullit të beut bashkë me praktikën e poligamisë dhe heqjen e mbajtjes së detyruar të perçes nga gratë.

2. Myslimanët Bektashinj, gjithashtu, kërkuan pavarësi dhe u inkurajuan për përpjekjet e tyre nga shteti. Në vitin 1922 në Prishta, bektashinjtë shqiptarë e deklaruan veten të pavarur nga Bektashinjtë e Turqisë. Një drejtues i ri i Bektashinjve u emërua me Dekretin Mbretëror të Zogut në Mars të vitit 1929.

3. Komuniteti Ortodoks, ku përpjekjet e Fan Nolit qenë të rëndësishme, organizoi Kongresin në Berat në vitin 1922. Këtu u deklarua se Kisha Ortodokse Shqiptare do të ishte tash e tutje autoqefale dhe se gjuha shqipe do të përdorej në vend të asaj greke për qëllime liturgjike. Kongresi i bëri thirrje Patriarkut ekumenikal në Stamboll për të legalizuar shkëputjen e projektuar, por ky hap u vonua, të paktën pjesërisht, për arsye të mungesës së hierarkisë dhe, kështu Zogu kundërshtoi, për shkak të obstruksionizmit të Patriarkut. Zogu rihapi negociatat në vitin 1926, por pa dobi, dhe në vitin 1929 ai i mori çështjet vetë në dorë dhe krijoi një sinodë e cila u njoh më në fund nga Patriarku vetëm në vitin 1937, pasi Zogu kishte liruar nga detyra ipeshkvin Visar, një anëtar i sinodës. Pas një vonese të konsiderueshme, Zogu kishte arritur qëllimin e tij dhe një tjetër kishë kryesore e Shqipërise u kombëtarizua kryesisht.

4. Katolikët shqiptarë u konsideruan nga Zogu si një problem i veçantë. Zogu argumentoi se nëpërmjet shkollave katolike, italianët po ndikonin mbi studentët shqiptarë politikisht dhe nga ana kulturore. Ministri i Arsimit i Zogut madje theksoi se që portretet e heronjve shqiptarë po zëvendësoheshin me ato të Viktor Emmanuelit dhe të Mussolinit. Zogu qe i shqetësuar në mënyrë të veçantë për inkursionet italiane në Veri dhe e kuptoi se Italianët po përpiqeshin të zëvendësonin influencën e tij me të tyren. Në një përpjekje për t’u marrë me këtë problem, Zogu, ashtu siç vepronte shpesh, reagoi fort. Megjithëse motivet e tij mund të kenë qenë krejt të arsyeshme, politika e tij u keqkuptua dhe u zbatua dobët, duke çuar në mbylljen e shkollave fetare, pa bërë një përgatitje të kujdesshme e të mjaftueshme për të siguruar se dëmi që shaktoi kjo lëvizje, në lidhje me arsimin në Shqipëri në përgjithësi, do të mbahej në minimum. Pas shumë vitesh, dhe marrveshjesh të reja me Italinë, shumica e shkollave u rihapën. Me Katolikët, atëherë, Zogu qe më pak i suksesshëm, por më pastaj rezistenca efektive katolike (si nga hierarkia vendase, ashtu edhe nga Vatikani) në drejtim të kontrollit shtetëror nuk ishte e kufizuar në Shqipëri.

Kjo na çon ne tek rëndësia e diversitetit fetar dhe tek krijimi i diversitetit të mëtejshëm fetar. Përsa i përket ish-Mbretit Zog, ai nisi programe të zgjeruara, duke përfshirë komunikim dhe transport të përmirësuar, që kishte si qëllim lejimin e kombinacioneve fetare e kulturore ndërmjet grupeve të ndryshme fetare shqiptare. Zogu vuri theksin më shumë në arsimin kombëtar. Ai përdori ushtrinë për të integruar shqiptarët nga ana fetare duke ngulur këmbë që njësitë ushtarake të krijoheshin me individë nga rajone të ndryshme dhe që u përkisnin besimeve të ndryshme. Ai gjithashtu futi edhe disa masa detyruese lidhur me kodet e veshjes. Shembulli më i mirë këtu do të ishte ndalimi nga ana e tij e mbajtjes së perçes. Martesa e tij me Geraldinën, e cila ishte një katolike romane praktikuese, që ishte e motivuar nga shumë faktorë, mund të shihet gjithashtu nën dritën e theksimit të tij lidhur me pranimin e diversitetit fetar.

Përsa i përket inkurajimit të diversitetit të mëtejshëm fetar, politika e Zogut lidhur me hebrejtë është e spikatur. Së pari, Zogu pranoi plotësisht hebrejtë shqiptarë si pjesë e komunitetit fetar. Komuniteti hebrej u njoh zyrtarisht në Prill të vitit 1937. Por Zogu shkoi edhe me tutje dhe madje duket se dëshironte të pranonte emigrimin e hebrejve drejt Shqipërisë. Si rrjedhim i këtyre politikave të tolerancës, anëtarë të Komunitetit hebre të Shqipërisë e kanë quajtur periudhën e Zogut si “Epoka e artë e hebrejve në Shqipëri”.

I rëndësishëm në procesin pranimit të emigrimit të hebrejve në Shqipëri ka qenë Ministri Amerikan Herman Bernstein, i cili shërbeu në Shqipëri ndërmjet viteve 1930 dhe 1933. Bernstein ishte vetë hebre dhe qe në gjendje të kishte ca kohë të disponueshme për të kryer studime mbi hebrejtë në Shqipëri. Ai botoi artikuj si rezultat i studimit të tij dhe qëndroi aktiv në çështjet e hebrejve në Shqipëri deri në vdekjen e tij në vitin 1935. Kontributi i tij kryesor për komunitetin hebre në Shqipëri qenë bisedimet e tij me Zogun për rivendosjen e familjeve hebre nga Austria dhe Gjermania, menjëherë sapo ardhja e Hitlerit në pushtet e bëri të qartë për shumë njerëz se hebrejtë ishin të rrezikuar në të gjithë Europën.

Përpjekjet e Bernsteinit rezultuan në ardhjen e shumë hebrejve të Europës Qendrore drejt Shqipërisë në vitin 1933, për të kaluar pastaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Afrikën e Jugut, Turqi e në vende të tjera. Kjo u bë e mundur nga konsullatat shqiptare, që lëshuan viza turistësh dhe tranzite. Regjistrimet tregojnë, për shembull, se 100 hebre erdhën nga Viena në Shkurt të vitit 1939, 95 familje hebre erdhën në Shqipëri, kryesisht nga Austria dhe Gjermania. Sapo erdhën në Shqipëri emigrantët e rinj morën përkrahje nga Komuniteti i hebrejve të Shqipërisë, por shumë prej tyre iu dhanë leje qëndrimi, në mënyrë që ata të mund të punonin. Qeveria e Zogut, atëherë, mori pjesë aktive jo vetëm në sjelljen e këtyre hebrejve në Shqipëri, por ishte gjithashtu e interesuar për mirëqenien e tyre sapo ata të arrinin.

Është e vërtetë se Zogu vendosi disa kufizime për emigrim të mëtejshëm të hebrejve në vitet 1938 – 1939, ndoshta për të qetësuar Italianët. Vizat për turistët u kufizuan në 30 ditë dhe në fund konsujt u udhëzuan për të mos lëshuar më viza – megjithëse ky udhëzim duket se nuk u përfill në disa raste. Shifrat janë disi të vështira për t’u verifikuar, por në vitin 1938 ka pasur zyrtarisht rreth 300 hebre shqiptarë dhe ndoshta njëqind hebre të huaj. Nga këta të fundit vetëm pak prej tyre kishin synuar të rrinin në Shqipëri, por sapo nisi lufta, ata nuk ishin më në gjendje të largoheshin.

Diversiteti i mëtejshëm fetar në Shqipëri do të kishte marrë një hap gjigand përpara nëse Zogu do të kishte mundur të negocionte me sukses një plan që kishte bërë, që në mërgim gjatë luftës, në Angli. Në janar të vitit 1944 në një intervistë me anëtarë të Shoqatës Anglo- Çifute, Zogu ofroi sponsorizimin e një plani për një vendosje masive të hebrejve në Shqipëri – me sa duket në kufinj të rreth 50,000 familjeve për t’u dhënë atyre tokë që ishte në pronësi të shtetit, nëse hebrejtë britanikë do ta ndihmonin atë të rimerrte fronin mbretëror. Shoqata duket se e mori këtë seriozisht sa duhet për t’u konsultuar me Ministrinë e Jashtme Britanike e cila hodhi poshtë këtë nocion me shpejtësi. Zogu, në këtë pikë, ishte natyrisht i dëshpëruar, duke pasur parasysh se asnjë ent zyrtar nuk e kishte lejur të formonte një qeveri në mërgim dhe në të vërtetë, nuk e kishin njohur atë asgjë më tepër se sa një qytetar privat. Megjithatë kjo qe, padyshim, një ofertë unike dhe ndoshta mund të konsiderohet si përkushtim i Zogut për diversitetin fetar.

2. Hebrejtë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore

Me pushtimin italian të Shqipërisë në prill të vitit 1939, gjendja ndryshoi si për hebrejtë shqiptarë, ashtu edhe për ata të huaj. Zyrtarisht, natyrisht, feja ishte e lirë në Shqipëri dhe Kushtetuta e rishikuar e vitit 1939 shprehej se të gjitha fetë të respektohen dhe praktikimet e tyre të jashtme garantohen me ligj. Por fashistët, siç e dimë, shpesh kishin probleme me konceptin e sundimit të ligjit. Italianët qartazi favorizuan katolikët dhe katolikët përfituan nga zemërgjerësia italiane. Italianët ndihmuan katolikët e Shqipërisë duke u sjellë atyre priftërinj dhe duke dërguar fëmijë katolikë shqiptarë në seminare dhe natyrisht duke i dhënë Kishës Katolike Shqiptare shuma të konsiderueshme në para. Gjatë periudhës italiane Kisha Katolike Shqiptare mori pothuajse gjysmën e fondeve të dhëna për komunitetin shumë më të madh Mysliman. Në përgjithësi është e sigurtë të thuhet se politika italiane ishte përçarëse si në aspektin social ashtu edhe në atë fetar.

Për hebrejtë e huaj në Shqipëri nën sundimin italian, emigrimi u bë shumë më i vështirë. Kjo la ndoshta mijëra të shkëputur. Pati gjithashtu trysni mbi regjimet kukulla shqiptare për të larguar hebrejtë e huaj, si edhe për kufizime të tjera, por duket së këto janë administruar në një mënyrë me gjysëm-zemre, meqenëse nuk u largua asnjë hebre. Kjo statistikë është në kontrast të prerë me gjendjen në Bullgari, e cila pretendon gjithashtu të ketë shpëtuar hebrejtë e saj. Në Bullgari, sodoqoftë, hebrejtë e huaj, si edhe hebrejtë në Maqedoninë e pushtuar nga Bullgaria, iu dorëzuan Gjermanëve.

Por për hebrejtë shqiptarë gjithashtu pati kufizime të reja. Hebretjë u shkëputën nga veprimtaritë politike, sociale dhe kulturore. Ata, për shembull, nuk lejoheshin të hynin në Partinë Fashiste Shqiptare – gjë e cila, sipas meje, nuk konsiderohej ndonjë vështirësi e madhe dhe nuk mund të futeshin në Ushtrinë Shqiptare.

Por edhe, në terma shumë të përgjithshme, jetët e hebrejve në Shqipëri gjatë periudhës Italiane ishin mjaft të zakonshme. Me sa shihet në atë kohë kishte pak nevojë për t’u fshehur dhe ditët e shenjta të hebrejve celebroheshin në mënyrë të hapur.

Me ardhjen e gjermanëve gjendja për hebrejtë u përkeqësua disi. Pushtuesit e rinj gjermanë filluan duke pyetur për listat e të gjithë hebrejve në Shqipëri si nga komuniteti hebre, ashtu edhe nga regjimi kukull i Mehdi Frashërit. Kjo kërkesë ishte, padyshim, një shenjë ogurzezë, sepse në rrethana të tjera një veprim i tillë ishte hapi i parë drejt arrestimit, shpërnguljes dhe zhdukjes së komuniteteve hebre.

Por listat nuk iu dhanë gjermanëve as nga Komuniteti hebre shqiptar, as edhe nga regjimi kukull dhe gjermanët nuk e ndoqën më këtë çështje. Hezitimi i tyre për të vepruar në këtë mënyrë mund t’i dedikohet, pjesërisht, Herman Neubacherit, ish-kryebashkiak i Vjenes, i cili u bë përfaqësuesi special për Ballkanin i Ministrisë së Jashtme Gjermane dhe njëkohësisht përfaqesuesi personal i Ministrit të Jashtëm Gjerman Joachim von Ribbentrop në Shqipëri. Për një periudhë kohe ai qe figura më e fuqishme në Shqipëri. Përgjegjësia e tij ishte ta mbante Shqipërinë me një numër të vogël trupash gjë të cilën, ai e pranoi, kërkonte bashkëpunim real. Ai këmbënguli në një shpallje të re të pavarësisë së Shqipërisë dhe insistoi se Gjermania respektone pavarësinë kurdo të ishte e mundur. Neubacher doli me atë çka ai e konsideroi se ishin dy kategoritë e reja në ligjin ndërkombëtar, “neutraliteti relativ” dhe “sovraniteti relativ.”

Ndërkohë që një pjesë e kësaj ishte me siguri fasadë, gjermanët vepruan në mënyrë të qartë në Shqipëri, ashtu siç e diktuan interesat e tyre – pushtimi Gjerman i Shqipërisë pati, relativisht, pak shenja fashizmi. Shtypi vendas pati një liri të konsiderueshme, Reichsfuhrer Heinrich Himmler u ndalua përkohësisht të krijonte një divizion Shqiptar Waffen SS, nuk pati organizata fashiste dhe nuk u kërkua punë e detyruar. Dhe ajo çka është e rëndësishme për qëllimet tona sot, ka të bëjë me faktin se hebrejtë nuk u përndoqën. Ata, natyrisht, që u ndjenë shumë më pak të sigurtë me gjermanët dhe shumë prej tyre – sidomos hebrejtë e huaj (sipas vlerësimeve të vitit 1943 ata ishin afërsisht 800 nga Austria, Gjermania, por edhe nga Polonia, Bullgaria dhe Jugosllavia) – qëndruan të fshehur, të mbrojtur njësoj nga myslimanët, ortodoksët dhe katolikët shqiptarë. Nuk njihet asnjë rast kur ky besim të jetë tradhëtuar, nuk dihet asnjë rast kur një hebre të jetë ekspozuar tek gjermanët, dhe nuk dihet, gjithashtu, asnjë rast i një familjeje pritëse shqiptare që të ketë kërkuar shpërblim për shërbimin.

Hebrejtë e Kosovës – ose të “Shqipërisë së Re”, siç u quajt nga shumë veta gjatë luftës – qenë pa fat. Shumë hebre nga Kroacia dhe Serbia kërkuan strehim në Kosovë. Megjithëse në fillim u trajtuan mirë, shumë hebre u kthyen në fund në Beograd ku dhe u ekzekutuan. Edhe italianët përmbushën kërkesat gjermane në Kosovë, duke hartuar listat e hebrejve. Për pasojë shumë prej Hebrejve u arrestuan dhe të tjerë u dërguan në Shqipëri me marifete të ndryshme, duke përfshirë, me sa duket, faktin se ata kishin tifon dhe se kishin nevojë të dërgoheshin në një spital në Shqipëri. Ata që ishin me fat për t’u përfshirë në këtë grup pothuajse u liruan menjëherë. Por shumë të tjerë nuk ishin me aq fat. Divizioni SS Skanderbeg, të cilin e organizoi Himmleri në Kosovë në pranverë të vitit 1944, arrestoi 281 hebre dhe i dërgoi në një kamp në Prishtinë para se ata të transportoheshin për në Reich. Të tjerët iu shtuan atyre më vonë, nga 400 hebre që u dërguan në kampin e përqendrimit të Bergen Belsen , vetëm rreth 100 prej tyre mundën të mbijetojnë.

Kushtet për hebrejtë në Shqipërinë e Vjetër do të bëheshin, gjithashtu, më të rrezikshme. Në shtator administrata civile gjermane pothuajse ishte shkrirë dhe pushteti – ajo çka kishte mbetur – iu transferua Generalit SS Joseph Fitzhum, i cili, ashtu si edhe Neubacher, ishte nga Vjena ku ai kishte qenë shef policie. Por ndryshe nga Neubacher, sidoqoftë, ai ishte veçanërisht racist arrogant, urrejtja e të cilit ishte e drejtuar jo vetëm kundër hebrejve, por edhe kundër Shqiptarve në tërësi. Fitzhum shpesh kishte hedhur poshtë me ashpërsi insistimin e Neubacherit për respektimin e “sovranitetit relativ” të Shqipërisë.” Përfundimisht duket se Fitzhum urdhëroi që hebrejtë e Vlorës të arrestoheshin dhe të transportoheshin drejt Reichut bashkë me Gjermanët që tërhiqeshin. Në të vërtetë, sidoqoftë, avancimi i partizanëve e prishi këtë plan dhe hebrejtë shpëtuan.

Në analizën përfundimtare, 100% e hebrejve të Shqipërisë mbijetuan nga lufta – madje edhe 60% e hebrejve të Kosovës gjithashtu mbijetuan nga lufta. Konfrenca e Wansee vlerësoi se në Shqipëri në vitin 1941 ishin 200 hebre, shifër e cila ka të ngjarë të jetë e pasaktë. Është vlerësuar se në fund të luftës në Shqipëri ka pasur 1800 hebre – një arritje e shënuar dhe e pakonkurrueshme në Ballkan dhe ndoshta në Europë si tërësi.

3. Motivimet

Le të ndalojmë për pak çaste dhe të shqyrtojmë motivimet e mundshme për këto politika të paktën të buta si në drejtim të hebrejve të Shqipërisë, ashtu edhe në drejtim të hebrejve të huaj. Unë mendoj se motivacioni i Zogut për sa u përket të gjitha politikave të tij fetare, ka qenë nacionalizmi dhe mbijetesa e tij politike, jo domosdoshmërisht të radhitura në këtë formë. Zogu ka qenë akuzuar si AntiKatolik, por nuk jam i sigurtë nëse kjo qëndron. Unë mendoj se ai besonte në konceptin e tij të një shteti modern perëndimor, në të cilin nuk kishte vend për paragjykimet fetare dhe në të cilin feja nuk do të luante rol politik.

Motivimet e fashistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin të ndryshme. Për italianët qëndrimi i tyre disi i butë lindte pjesërisht nga mungesa në rrugën e traditës së antisemitizmit, italianët gjithashtu dëshironin t’i pengonin gjermanët kurdo u jepej shansi. Italianët gjithashtu ishin të ndërgjegjshëm se anti-Semitizmi thjesht nuk rezononte me Shqiptarët dhe ata ishin të mençur sa duhet për ta kuptuar se antisemitizmi aktiv për pasojë do të kishte dhënë pak në rrugën e kapitalit politik. Motivacioni Gjerman ishte mbi të gjitha pragmatizëm. Neubacher ka pasur të ngjarë të mos kishte qenë i interesuar në mënyrë të veçantë për të shpëtuar hebrejtë, por e ndjeu se detyra e tij do të lehtësohej dhe do të forcohej pozita e gjermanëve nëse ai do të arrinte të përmbushte nocionin e “sovranitetit relativ”.

Por cili ishte motivi i shqiptarëve, që morën në shtëpitë e tyre jo vetëm hebrejtë e Shqipërisë, por edhe hebrejtë e huaj, i mbrojtën ata dhe i mbajtën të sigurtë shpesh për muaj me radhë, madje për vite, cili ishte motivi? Pjesë e përgjigjes ishte mungesa e kërcënimit. Hebrejtë e Shqipërisë, madje edhe të shtuar me numrin e refugjatëve hebre – ishin, padyshim, në numër të kufizuar, kështu që ata nuk përbënin kërcënim. Por unë jam i mendimit se ka më tepër për të shpjeguar këtë qëndrim. Tradita shqiptare e mikpritjes dhe besa, natyrisht, që luajnë një rol shumë të rëndësishëm.

Por, në fund të fundit, një pjesë e motivacionit u inspirua nga një tolerancë më e thellë fetare, gjë e cila mund të tregohet nga një koment i Herman Bernstein, që e ka shkruar në fillim të viteve 1930. Ai ka thënë: “Në Shqipëri nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi kundër hebrejve sepse Shqipëria është një ndër vendet e pakta në Europë ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekzistojnë.”

Historia e hebrejve në Shqipëri gjatë periudhës zogiste dhe asaj të Luftës së Dytë Botërore është e mirënjohur në Shqipëri, por është më pak e mirënjohur jashtë, prandaj duhet të jetë e mirënjohur edhe jashtë Shqipërisë. Konferenca, si ajo e referuar në këtë vepër dhe ky botim, do të ndihmojnë në këtë proces.

Bernd J. Fischer
Profesor i Historisë dhe Shef i Departamentit të Historisë
Universiteti i Indianës, Fort Wayne

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Fyejti Holokaustin, Izraeli shpall “non grata” presidentin e Brazilit

Kryeministri Benjamin Netanyahu i përshkroi fjalët e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva si “të turpshme”.

Shqipëri

Dita Ndërkombëtare e Gruas, ambasadorja Kumbe fjalim në Universitetin e Haifës

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ishte e ftuar të fliste në Universitetin e Haifës në kuadër të Ditës…

Kosove

Ceremoni solemne në Prishtinë, për Ditën Përkujtimore të Holokaustit

Marin pjesë Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ambasadorja e Izraelite në Kosovë, Tamar Ziv.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

Shuhet legjenda e diplomacisë amerikane, Henry Kissinger

Vdiq në moshën 100-vjeçare. Kissinger dominoi politikën e jashtme të SHBA në kulmin e Luftës së Ftohtë.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.