Ismail Kadare: Pse më zgjoi një interes të veçantë “Hebrenjtë në Shqipëri” i Monika Stafës

Parathënia e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, fitues edhe i “Çmimit të Jerusalemit për Letërsi”


Nga Ismail Kadare

Është pritur prej kohësh një libër për hebrenjtë në Shqipëri. Nuk është e tepërt të theksohet se trajtimi i këtij problemi delikat do të ishte diçka e natyrshme për  letrat dhe studimet kudo në botë.

Qëndrimi ndaj hebrenjve ka qenë dhe vazhdon të jetë një çështje globale, planetare. Kjo, për arsyen e qartë se ndërgjegjja e njerëzimit mbarë është vënë në provë.

Historia shqiptare ka një pikë takimi tepër të ndjeshme me këtë dramë botërore. Qëndrimi ndaj  hebrenjve, më saktë, mbrojtja e tyre, nga një popull me histori të zymtë, si i yni, që e nderon, në kuptimin më të madh të kësaj fjale. Është kjo një nga arsyet që libri   i shkrimtares dhe studiueses Monika Stafa, “Hebrenjtë në Shqipëri”,  zgjon një interes të veçantë.

Në Shqipëri hebrenjtë, siç dihet tashmë historikisht nuk janë mbrojtur nga një pjesë e popullit dhe janë diskriminuar nga pjesa tjetër, nuk ka qenë problem i njerëzve  të kulturuar që mund ta kenë bërë këtë gjë për arsye emancipimi dhe pjesa e paditur e popullit ka bërë disa herë të kundërtën siç qëllon shpesh. Nuk kanë qenë ndikuar nga rrymat politike, nuk ka asnjë dallim në qëndrimin ndaj hebrenjve mes katolikëve shqiptare mes ortodoksëve shqiptarë dhe myslimanëve shqiptarë. Kjo tingëllon pak e habitshme, madje idilike por është e vërteta.

Kur erdhi ora e provës së madhe, të tre këto ndarje fetare kanë qenë në një qëndrim kryekrejet të barabartë ndaj hebrenjve. Nuk kanë lozur rol regjimet politike. Shqipëria si në periudhën otomane, ashtu më pas kur fitoi pavarësinë dhe u bë një republikë, e më vonë një mbretëri ballkanase, ndonëse arkaike, qëndrimet ndaj hebrenjve nuk i ka ndryshuar, d.m.th., zyrtarë dhe popull, administratë dhe shoqëri, komunistë dhe antikomunistë, nacionalistë dhe internacionalistë. Ka qenë një nga çështjet që i ka bashkuar të gjithë. Nuk gjendet në Shqipëri asnjë dokumentacion i një grupimi politik ose i një lëvizje që ta ketë prishur këtë unanimitet. Prova e madhe, sic u tha ka qenë Lufta e Dytë Botërore. Kjo është një e vërtetë e njohur. Këtu, ky unanimitet u konfirmua edhe njëherë. Shqiptarët nuk kanë pasur unitet gjatë luftës, rrjedhimisht prova ka qenë e dyfishtë në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera. Sepse Shqipëria pati një keqkuptim të madh politik. Forcat komuniste dhe nacionaliste u ndeshën në shumë probleme themelore që lidheshin me komunizmin apo me antikomunizmin dhe Shqipëria përfundoi pas pushtimit gjerman zyrtarisht në një shtet gjermanofil. Pra me pozicionin e hebrenjve mund të ishin krijuar kushtet që të shpallej  dukshëm si vend antisemit. Kjo nuk ndodhi.

Ishte një nga rastet e rralla në Evropë që qëndrimet ndaj hebrenjve vazhdoi ai i mëparshmi. Hebrenjtë ndiheshin si në vendin e tyre, jo vetëm fjala përçmim që nuk ekzistonte, por asnjë shenjë e saj. Dhe kjo vazhdoi edhe në pushtimin gjerman. Është folur për mosgjetjen e dokumentacionit të mundshëm të qeverisë kuislinge shqiptare, e cila mund të ketë qenë e detyruar t’ua kërkonte gjermanëve mosprekjen e hebrenjve, për të mos krijuar probleme afatgjata me kombin shqiptar.

Këto dokumente nuk janë bërë publike as atëherë dhe as më pas, sepse komunistët nuk mund ta duronin që ky qëndrim luajal ndaj hebrenjve të ishte monopol i nacionalisteve ose i një qeverie kuislinge e cila për çdo gjë duhej përbaltur. Ata ishin kuislingë, ata bashkëpunuan me gjermanët, bënë një gabim historik, por në këtë pikë u treguan realistë. Nuk është zbuluar natyrisht, as përgjigjja gjermane. Duhet të ketë qenë jashtëzakonisht sekrete, sepse Gjermania në kulmin e forcës së saj, nuk mund të pranonte se në një vend sado të vogël u pranua një marrëveshje e tille e heshtur. Ky qëndrim ndoshta ka nevojë të shpjegohet. Këtu do të shtoja që shqiptarët nuk janë engjëj.

Shqiptarët i kanë njohur sëmundjet e kohës. Ata janë një popull me temperament, disa herë të ashpër. Nuk janë ndonjë popull që falin çdo  gjë dhe nuk diskriminojnë askënd. Shqiptarët dinë të jenë dhe racistë të verbër. Si në rastin kundër romëve apo egjiptianëve. Pyetja se a mund të ketë racizëm me arsye është nga më të vështirat. Kurse racizëm me një farë arsye që unë quaj racizmin kundër një pushtuesi është tjetër gjë. Kam menduar se racizmi kundër një pushtuesi është një formë qëndrese jo fort e fisme sepse është racizëm gjithsesi. Por  këtu duhet gjendur një emër tjetër. Gjuhët nuk e kanë gjetur këtë lloj fjale. Kur ti je racist ndaj një perandorie që të shtyp ditë e natë, me krejt peshën, ushtrinë dhe me hijen e saj të rëndë dhe ti guxon ta përçmosh madje në mënyrë raciste mendoj se nuk është thjesht racizëm. Ka pasur raste që ky racizëm ka qenë jashtëzakonisht i fortë te shqiptarët kundër osmanëve.

Ka qenë racizëm në elita, ka qenë racizëm në popull. Ka qenë për një periudhe paradoksalisht kundër italianëve në fillim të shek. 20 kur pati konflikte Italia me Shqipërinë kurse tani ka mjaft raste kur janë italianet racistë me ne. Ka njohur racizmin, kombi shqiptar kundër fqinjëve të tij, si përgjigje kundër racizmit të tyre. Është formë jo e lakmueshme por kështu ka qenë. Ky popull pra, i njeh të gjitha ato që quhen sëmundje të shoqërive të kombeve, të shteteve dhe në këtë sfond, qëndrimi i tij luajal ndaj hebrenjve merr edhe një kuptim më të thelle, edhe me të ndërgjegjshëm. Do të shtoja në fund se ky ndërgjegjësim ka kaluar në artin dhe letërsinë shqipe. Një nga dramat e para te saj,  “Izraelitë dhe filistinë”, është shkruar një shekull më parë, nga peshkopi i Shqipërisë Fan Noli, përpara se të bëhej kryeministër dhe shkrimtar i madh i saj.

 

ISMAIL KADARE/ Tiranë, 2018

*Parathënia e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, fitues edhe i “Çmimit të Jerusalemit për Letërsi”, shkruar për librin “Hebrenjtë në Shqipëri” të Monika Stafës

Ambasadorja e Izraelit: Shqipëria, shembull i bukur tolerancës ndërfetare

Ambadasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka qenë e ftuar në disa darka iftari të organizuar në Tiranë.

Izrael

Izraeli rihap hapësirën ajrore, kapen 99% e raketave iraniane

Nga më shumë se 30 raketa të lëshuara nga Irani, asnjëra nuk kishte arritur në Izrael.

Shqipëri

Rama dënon sulmin e Iranit kundër Izraelit: I paprecedent, rrezikon të destabilizojë rajonin

Kryeministri Edi Rama dënoi sot fuqimisht sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

BE dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit si ‘përshkallëzim të paprecedentë’

Bashkimi Evropian dënoi ashpër sulmin e drejtpërdrejtë ajror të Iranit ndaj Izraelit.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.