Besim Petrela: Tirana s’duhet lënë pa aktivitete në verë, surprizat e këtij viti në “Jazz in Albania”


“International Jazz Festival” është Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Xhaz, i cili në edicionin e tij të tretë do të zhvillohet për gjatë 6 ditëve në vendin tonë (22 deri 27 korrik) në moton “Jazz in Albania”. Festivali do të startojë sonte në mbrëmje në Tiranë, dhe në ditët në vazhdim do të jetë në Shkodër, Korçë, Apolloni dhe Porto Palermo. Besim Petrela njëri nga producentët e festivalit, pohon se ky edicion sjell në Shqipëri 9 grupe kombëtare e ndërkombëtare, të cilët nën tingujt muzikor të këtij zhanri, pritet të sjellin një atmosferë të veçantë. Si producent dhe drejtori i festivalit, Petrela pohon se zhvillimi i këtij aktiviteti gjatë sezonit të verës në një kohë kur pothuajse Tirana është e shkretë nga aktivitetet i jep një gjallëri jetës artistike. Por ai pohon se nuk duhet të jenë vetëm nismat private apo shoqatat që duhet të sjellin aktivitete gjatë verës, por kjo detyrë i lind edhe institucioneve shtetërore. Në intervistën dhënë për gazetën ku Petrela flet mbi risitë e festivalit, pohon se nëse Ministria e Kulturë e mbështet dhe më shumë krijimtarinë në art do të ketë dhe më shumë zhvillime. Marco Castelli Trio (Itali), Marco Zappa (Zvicër), Tal Kravitz (Izrael), Lebi Derya (Gjermani), Evrim Demirel Ensemble (Turqi), Das Großmutterchen (Austri), Martin Brunner Trio (Çeki), Manos Tavlakis Trio (Greqi) dhe Gent Rushi Quartet (Shqipëri-Kosovë) do të jenë edhe artistët që do të performojnë gjatë 6 netëve të “Jazz in Albania”. Festivali vjen i organizuar nga, Shoqata “Syri Blu” dhe Fondacioni  “Xoxa”, me mbështetjen  e Ministrisë së Kulturës dhe disa bashkive.
-“Jazz in Albania 2014” do të startojë në Tiranë për të vijuar dhe në qytete apo dhe vende turistike të vendit. Cilat janë risitë e këtij edicioni të tretë të festivalit?
“International Jazz Festival” është Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Xhaz, i cili në edicionin e tij të tretë do të zhvillohet për gjatë 6 ditëve në vendin tonë (22 deri 27 korrik) në moton “Jazz in Albania 2014“. Festivali sjell në Shqipëri nëntë grupe kombëtare e ndërkombëtare, të cilët nën tingujt muzikor të këtij zhanri, pritet të sjellin një atmosferë të veçantë në vend. Festivali do të zhvillohet tre ditë në Tiranë në ambientet e Hotel “Sheraton”, dhe më pas do të vijojë në Shkodër, Korçë, Apolloni dhe Porto Palermo. Risi për këtë vit sa i takon organizimit të tij, mbetet zhvillimi në zonat e turizmit dhe përmend këtu Apolloninë dhe Porto Palermon. Ndër qëllimet kryesore të tij, ka edhe tërheqjen dhe vëmendjen jo vetëm të publikut, por edhe të turistëve drejt vendeve të trashëgimisë kulturore. Risi tjetër, ne këtë vit kemi një grup vullnetarësh që do të merren dhe me artistët, etj. E treta, këtë vit është menduar që në program gjatë festivalit të jenë dhe filma të ambientit. Në ndërrimin e dy grupeve artistike do të shfaqen filma që kanë mesazhin të mbrojmë ambientin. Këto filma janë përzgjedhur mes atyre prodhimeve që të godasin mentalitetin e të gjithëve për të mbrojtur ambientin.
-Këtë vit festivali, i cili nis më 22 korrik sjell 9 grupe të xhazit. Artistët janë për herë të parë në këtë festival?
Këtë vit të gjithë grupet pjesëmarrëse janë të reja. Nuk kemi asnjë grup që të ketë qenë më parë në këtë festival. Kemi një grup nga Izraeli, një trio xhaz nga Greqia, kuartet “Demirel” nga Stambolli, një trio nga Çekia, vijon një kuartet nga Austria, etj. Grupi nga Shqipëria do të jetë vetëm Gent Rushi trio xhaz, që do të jetë në Apolloni.
-Festivali zhvillohet në sezonin veror, sezon i cili e kthen Tiranën në një qytet gati të vdekur nga jeta artistike, ndërkohë që ju e ndryshoni këtë gjendje artistike dhe organizoni një festival nën ritmet e muzikës xhaz të luajtur nga artistë të njohur. Sa e vështirë ka qenë për ju ta zhvilloni këtë festival në tre vite, vështirësitë financiare?
Mbështetja është mjaft e vogël dhe vështirësitë janë të shumta. Por këtë vit unë e falënderoj Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Kulturës, që na kanë mbështetur këtë vit me aq sa kanë pasur mundësi, dhe unë i falënderoj. Unë kam një objektiv, që dua të gjallërohet jeta artistike e Tiranës gjatë sezonit të verës. Jo të gjithë largohen nga Tirana në verë. Në korrik të gjithë punojnë, ndaj duhet të ketë jetë artistike dhe kulturore.
-Mjafton gjallërimi i jetës artistike vetëm nga disa aktivitete që bëhen nga shoqata apo nisma të tjera private? Çfarë kërkoni nga institucionet e artit dhe kulturës?
Sigurisht që duhet të ketë më shumë aktivitete gjatë sezonit veror. Dhe institucione të tjera si TOB, Ansambli, teatrot e tjerë, duhet të kenë aktivitete kulturore verore. Unë jam shumë dashamirës ndaj institucioneve dhe po marr një shembull. Kemi TOB, i cili ka jetën e tij artistike, por Shqipërisë i mungon një festival opere që mund të bëhet gjatë verës. Janë aktivitete që zhvillohen në shtete që janë fqinj me ne, një festival i tillë zhvillohet në Itali dhe mjafton të marrësh eksperiencën e tyre. Unë kam besim që ekipi i TOB do të bëjë diçka për ta ndryshuar jetën artistike gjatë sezoneve të verës. Por sigurisht që çdo gjë do kohën e saj, sepse dhe administrata e re në TOB pak ka që ka filluar.
-Edhe para disa vitesh ju jeni shprehur se Tirana nuk duhet të jetë pa aktivitete gjatë verës, por duket se situata e njëjtë vijon?
Nuk mund ti vësh shumë faj institucioneve, sepse edhe administratat ju thashë që tani kanë ndryshuar dhe çdo projekt për aktivitet kërkon dhe kohë. Unë kam biseduar me ata se jemi miq dhe ata kanë shprehur dëshirën për ta bërë këtë, por çdo gjë do kohën e saj. Ne me festivalin tonë të muzikës xhaz kemi një eksperiencë tre vjeçare në zhvillimin e tij gjatë verës, të shpresojmë që do të bëhet diçka nga institucionet për vitin që vjen. Por nuk duhet të ketë në verë vetëm xhaz në Tiranë. Shpresoj shumë që vitin që vjen ne të kemi dhe një tjetër festival të muzikës botërore. Kam dëshirë të jetë një projekt vitin tjetër. Një festival të tillë e ka e gjithë bota, dhe mund të sjellësh grupe nga Afrika, Brazili, etj. Kryqëzimi i kulturave është gjithmonë gjë e bukur, siç ndodh në Francë që është gjë e bukur, sepse dhe unë nuk i them nga mendja. E shikoj një kulturë që është e zhvilluar dhe diçka çfarë mund të këmbejmë.
-Këtë vit festivali krahas grupeve të muzikës xhaz ka dhe grupe të folklorit. Pse kjo zgjedhje?
Në Apolloni dhe në Porto Palermo krahas grupeve të muzikës xhaz do të jenë dhe grupet polifonike të zonës. Nga ka lindur muzika xhaz? Nga muzika afrikane. Çfarë është muzika xhaz? Është krijimtari mbi një temë dhe mund të ndërthuren artistët e huaj me ata shqiptarë, mund të ketë bashkëpunime dhe mund të dalin gjëra të bukura në muzikë. Krijimi është gjithmonë fantazi. Unë kam menduar ti ndërthur. Do të thërras grupe vendase që natyrisht do ti sjellin larmi.
-Një përzgjedhje interesante për ditët e festivalit. Veç Tiranës dhe zonave turistike, janë dhe dy qytete të njohura, Shkodra dhe Korça?
Këto dy qytete janë me traditë. Xhazi në Shqipëri ka lindur në qytetin e Shkodrës. Duhet ti respektojmë këto dy qytete, sepse kanë qenë dhe janë bastione të kulturës në Shqipëri. Kam shumë miq artistë atje dhe besoj se do të shkojë shumë mirë.
-Me jo pak vështirësi financiare, por ju u shprehtë se pa ndihmën e disa ambasadave në vendin tonë është e pamundur ky festival?
Kjo është e vërtetë. Problemet financiare dihet që janë të shumta dhe roli i ambasadave në vendin tonë është i madh. Janë ambasadat që financojnë grupet  e tyre muzikore, ndryshe nuk do të bëhej. Por falenderimi im ju thashë që shkon për ambasadat, Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Kulturës, si dhe bashkitë e tjera ku do të zhvillohet festivali në vijim, kanë dhënë të gjithë kontributin e tyre sa kanë mundur.
-Agron Xoxa i cili bashkë me ju organizon këtë festival, u shpreh se duke i zgjeruar këto aktivitete mund të konkurrojmë me programe evropiane. Ju si e shikoni këtë?
Shpresojmë që ky festival me politikat e reja, të konkurrojmë për ta bërë festival xhaz në Ballkan dhe mund të marrim pjesë edhe në programin “Creative Europe” për shembull me dy vende të Europës, si Greqi apo Itali, apo Francë dhe Itali. Pra të krijojmë qarkullimin e vlerave.
-Ju po zhvilloni një festival, folët për risitë dhe problemet e një aktiviteti. Por nëse flasim për politikat e artit dhe kulturës që bëhen nga ministria, ju si i keni parë dhe çfarë kërkoni më tej?
Këtë vit unë aplikova në Ministrinë  e Kulturës dhe më dhanë një fond, 1 e katërta e asaj që kërkova por unë ia di për falënderim që na mbështetën, sepse kjo është gjendja, kaq para kanë. Por unë do ti thosha gjithmonë me dashamirësi, që Ministria e Kulturës të mbështesë krijimtarinë në art. Sa i takon institucioneve duhet të vihet theksi në krijimtarinë shqiptare, sepse janë institucione të Shqipërisë dhe krijimtaria është e rëndësishme.
-Ku janë ndryshimet mes MK dhe MTKRS?
Në një këndvështrim tashmë me Ministrinë e Kulturës jemi më mirë, sepse jemi të fokusuar më shumë me kulturën, sepse me MTKRS dukej sikur u bë lëmsh dhe nuk merrej vesh. Siç është sot jemi më mirë, por unë nuk do ta ndaja nga Ministria e Kulturës turizmin, të ishin bashkë. Kaq është buxheti i kulturës nëse do të ishte bashkuar me turizmin do të ishim dhe pak më mirë. Intervistoi: Julia Vrapi

Lexo më shumë

Ambasadorja e Izraelit: Shqipëria, shembull i bukur tolerancës ndërfetare

Ambadasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka qenë e ftuar në disa darka iftari të organizuar në Tiranë.

Izrael

Izraeli rihap hapësirën ajrore, kapen 99% e raketave iraniane

Nga më shumë se 30 raketa të lëshuara nga Irani, asnjëra nuk kishte arritur në Izrael.

Shqipëri

Rama dënon sulmin e Iranit kundër Izraelit: I paprecedent, rrezikon të destabilizojë rajonin

Kryeministri Edi Rama dënoi sot fuqimisht sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

BE dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit si ‘përshkallëzim të paprecedentë’

Bashkimi Evropian dënoi ashpër sulmin e drejtpërdrejtë ajror të Iranit ndaj Izraelit.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.