Presidenti Meta feston Hanukan, Festivalin tradicional hebraik të Dritave


Në Institucionin e Presidentit të Republikës, në bashkëpunim me Ambasadën e Shtetit të Izraelit, nga Presidenti Meta u kremtua “Hanukaja”, Festivali i Dritave e i lirisë së besimit, ku ishin të pranishëm deputetë dhe përfaqësues të Qeverisë, institucioneve të pavarura kushtetuese e të pushtetit vendor, krerë të bashkësive fetare, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë, të Bashkësisë Shqiptaro-Hebraike, të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, si dhe personalitete të ndryshme.

Me këtë rast, Presidenti Meta vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” zotin Rafael Faust me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Izrael për zgjerimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve historike dypalëshe, për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tregtaro-ekonomik mes dy vendeve dhe për promovimin e imazhit të shqiptarëve në këtë vend mik”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, pasi u zhvillua rituali i ndezjes së qiririt të parë simbolik të Menoras, Presidenti Meta theksoi: “Shembulli frymëzues i Hanukas na mëson të gjithëve se liria dhe e drejta besimit janë të shenjta e të patjetërsueshme.

Shqipëria pas viteve ’90-të ka rikthyer lirinë e besimit dhe të ushtrimit të tij. Së bashku me lirinë dhe bashkëjetesën model, ne krenohemi me realitetin tonë. Pikërisht bashkëjetesën, këtë vlerë të rrallë dhe pasuri të çmuar të kombit tonë ne duhet ta ndajmë me gjithë zemër edhe me kombet dhe vendet e tjera, sidomos në botën e trazuar dhe në erën e globalizimit ku jetojmë sot. Festa e kësaj mbrëmje të mrekullueshme na shërben për reflektim dhe për një të ardhme më të mirë.”

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta me rastin e Festës së Hanukas:

 

I nderuar Shkëlqesia Juaj, zoti Ambasador Rodkin,

Të nderuar përfaqësues të Qeverisë, të Parlamentit dhe të institucioneve,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare,

Të dashur anëtarë të Bashkësisë Hebreo-Shqiptare të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj, mirë se keni ardhur!

 

Kremtimi i Hanukas, kësaj dite të shënuar për kombin hebraik kudo në botë, është kthyer ndërkohë në një traditë të shkëlqyer në këtë Institucion për të pestin vit radhazi.

 

Festivali i Dritave, ose Hanuka në hebraisht, na rikujton përpjekjet e pandërprera dhe luftën pa kompromis për liri dhe të drejtën e ushtrimit të besimit fetar të kombit hebraik. Për këto arsye meriton nderimin dhe respektin tonë të veçantë.

 

Diktatorët dhe tiranët janë munduar t’i shtypin popujt dhe t’u mohojnë atyre të drejtën e dhuruar nga Zoti për të qenë të lirë në besimin e tyre. Drita e Hanukas dhe mesazhi kuptimplotë i kësaj feste kremtohet sot në Shqipërinë tonë, sepse flaka e qirinjve ndriçon jo vetëm luftën liridashëse dhe atë për besim e vetëvendosje të kombit hebre, por edhe të popullit tonë gjithashtu.

Shembulli frymëzues i Hanukas na mëson të gjithëve se liria dhe e drejta besimit janë të shenjta dhe të patjetërsueshme.

Shqipëria pas viteve ‘90-të riktheu lirinë e besimit dhe të ushtrimit të tij. Së bashku me këtë lirinë dhe bashkëjetesën tonë si model, me të cilën ne krenohemi. Pikërisht bashkëjetesën, këtë vlerë të rrallë dhe pasuri të çmuar të kombit tonë ne duhet ta ndajmë me gjithë zemër edhe me kombet dhe vendet e tjera, sidomos sot në botën e trazuar dhe në erën e globalizimit ku jetojmë sot.

Festa e kësaj mbrëmje të mrekullueshme na shërben për reflektim dhe për një të ardhme më të mirë.

Festa e sotme jam i bindur që do t’i shërbejë forcimit akoma edhe më shumë të lidhjeve dhe marrëdhënieve të veçanta historike dhe tradicionale mes shqiptarëve dhe hebrenjve, të cilat kanë kaluar nëpërmjet sprovave të shumta të historisë, siç kanë qenë periudha e tmerrshme e Holokaustit dhe izolimi i gjatë i Shqipërisë nën diktaturë.

Jam ndjerë shumë krenar për paraardhësit tanë kur kam vizituar Yad Vashemin dhe kam parë hartën e hebrenjve në të gjithë vendet e Evropës përpara dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Vendi ku numri i tyre u rrit disa herë ishte Shqipëria dhe ne jemi krenarë që asnjë hebre nuk iu dorëzua pushtuesit, duke lënë kështu një gjurmë të jashtëzakonshme në miqësinë dhe solidaritetin e dy vendeve dhe popujve tanë për brezat në të ardhmen.

Jam i bindur se ky ritual i përvitshëm na shërben të gjithëve si një vlerësim i sinqertë ndaj vlerave më të mira që ne ndajmë së bashku si dy kombe të lashtë, që kanë kontribuar dhe vazhdojnë t’i japin njerëzimit.

 

Përfitoj nga ky rast si President i Republikës të vlerësoj dhe çmoj kontributet e rëndësishme të Konsullit tonë të Nderit në Shtetin e Izraelit, zotit Rafael Faust, i cili që prej 25 vitesh ka kontribuuar ndjeshëm për konsolidimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të gjithanshme mes dy vendeve dhe popujve tanë, sidomos atyre tregtare dhe ekonomike nëpërmjet projekteve konkrete të bashkëpunimit.

Ai ka dhënë ndihmesën e tij në shkëmbimin e përvojës së vyer në fushën e agro-biznesit, duke sjellë edhe teknologjinë e avancuar izraelite në Shqipëri. Kujtojmë gjithashtu kontributin e tij humanitar për t’iu gjendur në krah e për t’iu ardhur në ndihmë qindra fëmijëve të shpërngulur me forcë nga Kosova, të cilët gjetën strehë dhe ngrohtësi, por mbi të gjitha humanizëm dhe solidaritet në Tel Aviv.

Ju uroj nga zemra, edhe në emër të gjithë qytetarëve tanë për Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi!

Gëzuar të gjithëve dhe për shumë vjet Hanukan – Festivalin e Dritave, Festën e Lirisë së Besimit e të Ushtrimit të Tij!

Gëzuar të dashur miq izraelitë dhe ju përfaqësues të Bashkësisë shqiptaro-hebraike!”

Lexo më shumë

Shpëtimi i hebrenjve, Shqipëria shpallet “Shtëpi e Jetës”

Fondacioni Ndërkombëtar “Raoul Wallenberg” përuron në Tiranë pllakatin në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës

IZRAEL

Izraeli në Top 10 në Global Innovation Index

Izraeli udhëheq botën në investime në R&D, kërkim të talenteve. Shkëlqen në prodhimin e inovacionit me investim relativisht të vogël.…

SHQIPËRI

Viktimat e Holokaustit nderohen me një memorial në Tiranë

Shqipëria është një nga të paktat vende që gjatë luftës së Dytë Botërore u hapi derën hebrenjve që ndiqeshin nga…

KOSOVA

Mentor Rexhepi: YOZMA- shembulli izraelit i fondeve private investive dhe Kosova

Izraeli njihet si vendi i risive teknologjike. Modeli Yozma nga Izraeli është marrë parasysh si model i suksesshëm nga shumë…

INTERVISTA

Boaz Rodkin: Ja çfarë i kam thënë për Shqipërinë ambasadorit të ri, Noah Gal Gendler

Me rastin e përfundimit të detyrës, ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Z. Boaz Rodkin, dha një intervistë për gazetën online…

MILIARDERËT

Roman Abramovich blen shtëpi 63 milionë dollarë në Izrael

Miliarderi ruso-izraelit, Roman Abramovich, është i vendosur të blejë një shtëpi në Herzliya për 63 milionë dollarë nga menaxherja e…

SPYZONE

Israel Aerospace nënshkruan kontratë 50 milionë dollarë me Marinën Indiane

Marrëveshja përfshin një gamë të mirëmbajtjes dhe shërbime të tjera për nën-sistemet e raketave ajrore të mesme tokë-ajër të Israel…