Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Izrael nderohet me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Me rastin e 27 janarit, Ditës Botërore të Kujtesës për viktimat e Holokaustit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi sot Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Izrael me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.


Me rastin e 27 janarit, Ditës Botërore të Kujtesës për viktimat e Holokaustit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi sot Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Izrael me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Kreu i Shtetit i dorëzoi kryetarit të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, Prof. Dr. Petrit Zorbës, Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” me motivacionin: “Me mirënjohje për kontributet e qenësishme të dhëna nëpërmjet veprimtarisë së saj të vyer tridhjetëvjeçare, për bashkëpunimeve të frytshme me Shtetin e Izraelit, SHBA-në, vende të ndryshme të Europës dhe me OKB-në, në drejtim të zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe kombeve, duke dokumentuar dhe lartësuar shembullin e rrallë të mbrojtjes së hebrenjve nga shqiptarët gjatë periudhës së errët të Holokaustit.”

Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu edhe kryetarin e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, Prof. Dr. Petrit Zorbën me Titullin “Naim Frashëri”: “Me mirënjohje për veprimtarinë e çmuar 20-vjeçare në drejtim të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, duke kontribuar denjësisht në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve historike mes dy vendeve dhe kombeve.”

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se shqiptarët krenohen që harmonia dhe toleranca ndërfetare është një shembull për mbarë botën.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

MESAZHI I PRESIDENTIT META
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, ditë në të cilën mbarë bota kujton me miliona jetë hebrenjsh të humbura gjatë Holokaustit, është kënaqësi e veçantë të vlerësojmë Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Izrael me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’, si edhe t’i akordojmë Titullin e lartë “Naim Frashëri” Prof. Dr. Petrit Zorba, drejtues i kësaj shoqate prej dy dekadash.

E themeluar në vitin 1991, Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Izrael ka shërbyer për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të ngushta e të shkëlqyera, që ekzistojnë midis vendit tonë dhe Izraelit, duke promovuar vlerat kulturore dhe historike, si edhe duke dhënë një kontribut të çmuar në thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme midis vendeve tona.

Gjatë kësaj periudhe, kjo shoqatë ka dhënë një ndihmesë të shumanshme, në organizimin e veprimtarive të përbashkëta dhe të larmishme, midis Shqipërisë dhe Izraelit.

Ajo ka ndihmuar në dërgimin e studentëve shqiptarë për studime e kualifikime pasuniversitare dhe ka organizuar projekte të përbashkëta, me universitete dhe institucione të ndryshme në Izrael, SHBA dhe vende të tjera.

Ajo ka mundësuar realizimin e botimeve të ndryshme të autorëve nga të dyja vendet, realizimin e filmave dokumentarë, mbi historinë e përbashkët të dy popujve tanë, sidomos mbrojtjen që shqiptarët u bënë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kontributi i saj ka qenë shumë i rëndësishëm në heqjen e vizave midis vendeve tona, por edhe në promovimin e turizmit, duke iniciuar punën për organizimin e fluturimeve të para për turistët nga Tirana në Tel-Aviv, e duke vijuar me iniciativa të tjera, për të forcuar turizmin dhe biznesin.

Aktiviteti i kësaj shoqate është zgjeruar përtej Shqipërisë, duke u shtrirë në të gjitha trevat shqiptare, duke kontribuar në ngritjen e shoqatës homologe të saj në Prishtinë, në bashkëpunimin me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Marrëdhënia e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Izraelit është e hershme dhe e fortë, edhe dy popujt tanë ndajnë histori shumë të fortë të miqësisë dhe besës, të cilat njihen botërisht.

Ne jemi krenarë që, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vendin tonë, asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve dhe jo vetëm kaq por numri i tyre ishte disa herë më i madhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Familjet shqiptare, të gjitha besimeve mbrojtën popullin hebre në Shqipëri nga shfarosja e pashpirt naziste, duke treguar shpirtin fisnik, zemërgjerë e vet mohues, të popullit tonë.

Besa e shqiptarit triumfoi mbi frikën dhe mbi të keqen dhe tregoi zemrën e madhe dhe vlerat e rralla të popullit tonë, të popullit të Nënë Terezës.

Falë Besës së shqiptarëve, Kodit të Nderit, siç quhet edhe nga Yad Vashem, Qendra Botërore e Përkujtimit të Holokaustit në Jerusalem, në Shqipëri kishte shumë më tepër hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore, se sa përpara fillimit të kësaj lufte.

Kur jepet numri i hebrenjve në çdo vend, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, i vetmi që del me një bilanc shumë pozitiv është vendi ynë dhe çdo shqiptar ndihet krenar kur shikon një fakt të tillë.

Që në vitin 1934, ambasadori amerikan në atë kohë, Herman Bernstein, shkruajti: ‘Nuk ka gjurmë të diskriminimit të hebrenjve në Shqipëri, sepse Shqipëria është një nga trevat e rralla të Europës sot, ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekziston, pavarësisht se shqiptarët kanë tri besime’.

Edhe sot, ne krenohemi që, jo vetëm nuk ekziston paragjykimi dhe urrejtja fetare në vendin tonë, por krenohemi që harmonia dhe toleranca ndërfetare është një shembull për mbarë botën dhe duhet të jetë kështu gjithmonë.

Duke shprehur dhe një herë mirënjohje të thellë për punën tuaj 30 vjeçare, me respekt të veçantë për kontributin e dhënë nga anëtarët dhe drejtuesit e saj ndër vite, si zoti Refik Veseli dhe Prof. Dr. Petrit Zorba, unë i uroj suksese të mëtejshme Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael për forcimin edhe më të ngushtë të marrëdhënieve të forta historike dhe shpirtërore midis dy popujve dhe kombeve tona!”

Lexo më shumë

Ambasadorja Peleg: Edi Rama, mik i madh i Izraelit!

Kryediplomatja izraelite në Tiranë reagon pas fjalimit të kreut të qeverisë shqiptare në seancën plenare të OKB-së.

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023