Rama nderon me Medaljen e Mirënjohjes Publike ambasadoren e Izraelit

Gjatë mandatit të Galit Peleg, marrëdhëniet shqiptaro-izraelite u zhvilluan në disa fusha


Kryeministri Edi Rama ka nderuar me Medaljen e Mirënjohjes Publike ambasadoren në largim të Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, në përfundim të misionit të saj diplomatik katërvjeçar në vend.

Medalja iu akordua në shenjë vlerësimi për kontributin dhe përkushtimin e Peleg në forcimin e marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Izraelit gjatë viteve të shërbimit të saj.

Largimi i ambasadores nga Shqipëria është shoqëruar edhe me mesazhe mirënjohjeje nga përfaqësues të qeverisë shqiptare. Ministri Blendi Gonxhja vlerësoi angazhimin e saj dhe marrëdhënien e krijuar gjatë katër viteve të mandatit.

“Katër vite angazhim, bashkëpunim dhe, mbi të gjitha, një marrëdhënie e ndërtuar mbi respektin dhe besën”, shkroi Gonxhja, duke e cilësuar Peleg një mike të Shqipërisë dhe një zë të palodhur për forcimin e urave mes dy vendeve.

Gonxhja solli në vëmendje edhe mesazhin me të cilin Peleg përmbylli misionin e saj: “Erdha si ambasadore. Largohem si mike”.