
Ambasadorja izraelite në Tiranë: Akti i heqjes së flamurit cenon dinjitetin e popullit shqiptar
Ambasadorja Galit Peleg, reagoi sot pas heqjes së flamurit izraelit në ambasadën e Izraelit në Tiranë, gjatë mbrëmjes së djeshme nga një protestues.

Ambasadorja Galit Peleg, reagoi sot pas heqjes së flamurit izraelit në ambasadën e Izraelit në Tiranë, gjatë mbrëmjes së djeshme nga një protestues.
Përmes një postimi në rrjetin sociale “X”, ambasadorja e Izraelit theksoi se, si përfaqësuese e një shteti demokratik, ajo mbështet të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të protestuar dhe për të shprehur lirisht qëndrimet e tyre.
Por, theksoi Pegel më tej, një akt i tillë jo vetëm që nuk i shërben kauzës së protestës publike, por gjithashtu cenon dinjitetin e popullit shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare.
“Mbrëmë në Tiranë, protestues hoqën flamurin izraelit dhe e grisën atë mes brohoritjeve të turmës së mbledhur në vendngjarje. Si ambasador i një shteti demokratik, unë besoj në të drejtën e popullit shqiptar për të ushtruar të drejtën e tij qytetare për të protestuar.
Megjithatë, një akt i tillë jo vetëm që nuk i shërben kauzës së protestës publike, por gjithashtu cenon dinjitetin e popullit shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare”, shkroi Peleg.
Gjithashtu ajo falënderoi ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, për dënimin e menjëhershëm dhe të qartë të këtij akti.
Burimi ATSH




