Investimet izraelite, Ambasadori Kaynar viziton Dhomën e Tregëtisë së Tiranës

Ambasadori u prit nga Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka dhe Rodolf Xhillari, në cilësinë e Zv/Kryetarit të Dhomës


Nga Rodolf Xhillari
Konsulli i Nderit i Izraelit në Shqipëri

Sot, më 12 tetor 2026, në ambientet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (CCIT), patëm kënaqësinë të mirëprisnim Shkëlqesinë e Tij, Z. Ohad Nakash Kaynar, Ambasadorin e Shtetit të Izraelit në Shqipëri.

Ambasadori u prit nga Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Z. Nikolin Jaka, nga unë, në cilësinë e Zv/Kryetarit të Dhomës, si dhe nga përfaqësues të tjerë të të dyja palëve.

Takimi u zhvillua në një frymë shumë pozitive dhe konstruktive, duke konfirmuar edhe një herë vullnetin e përbashkët për të forcuar marrëdhëniet ekonomike dhe bashkëpunimin institucional ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit.

Në fokus të diskutimeve ishte rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet CCIT dhe Federatës së Dhomave të Tregtisë së Izraelit, si dhe rishikimi dhe rinovimi i marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në vitin 2000.

Një marrëveshje e përditësuar, me objektiva dhe pika konkrete veprimi, do të krijonte mundësi të reja në interes të të dy institucioneve dhe bizneseve anëtare.

Gjithashtu, u diskutua mbi zhvillimin e shkëmbimeve tregtare, rritjen e potencialit të import-eksportit mes dy vendeve dhe interesin gjithnjë e më të madh të sipërmarrësve izraelitë për të investuar dhe zhvilluar aktivitetin e tyre në Shqipëri.

Për mua, ky takim kishte edhe një domethënie të veçantë personale dhe institucionale. Përveç përgjegjësisë dhe kënaqësisë që pata në cilësinë e Zv/Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, pata privilegjin e veçantë të mirëprisja Ambasadorin e vendit tim mik, Izraelit, edhe në cilësinë time si Konsull Nderi i Shtetit të Izraelit në Shqipëri.

Besoj fort se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona kanë ende një potencial të madh për t’u shndërruar në projekte konkrete, investime të reja dhe partneritete afatgjata në dobi të bizneseve dhe qytetarëve tanë.

Miqësia Shqipëri–Izrael, përmes dialogut, besimit dhe bashkëpunimit, meriton të ndërtohet çdo ditë më fort!

(Marrë nga faqja në Facebook e Rodolf Xhillari)