Raoul Wallenberg, diplomati suedez që shpëtoi 100 mijë hebrenj

Për të janë shkruar libra, janë bërë filma dhe dokumentarë. Shkolla anë e mbanë botës mbajnë emrin e tij. Raoul Wallenberg u shpëtoi jetën në vitin 1944 mijëra hebrenjve hungarezë. Në emër të humanizmit!


Për të janë shkruar libra, janë bërë filma dhe dokumentarë. Shkolla anë e mbanë botës mbajnë emrin e tij. Raoul Wallenberg u shpëtoi jetën në vitin 1944 mijëra hebrenjve hungarezë. Në emër të humanizmit!

Budapest 1944: ndërkohë që aleatët zbarkojnë në Normandi dhe Ushtria e Kuqe rimerr kontrollin mbi territore sovjetike, Hungaria është e pushtuar nga ushtria naziste gjermane. Me këmbëngulje dhe brutalitet, komandanti i SS-ve Adolf Eichmann çon përpara deportimin e hebrenjve hungarezë. 437.000 fëmijë, gra dhe burra janë vrarë tashmë, kur Raoul Wallenberg mbërrin në kryeqytetin hungarez.

Jo politikan profesionist

Diplomat suedez dhe hero i Luftës së Dytë Botërore – Raoul Wallenberg, një njeri me guxim të jashtëzakonshëm.

Raoul Wallenberg lind në 4 gusht 1912. Djali i një familjeje të famshme sipërmarrësish dhe diplomatësh suedezë, ai duhet të bëhej bankier, por për këtë nuk ka as dhunti dhe as dëshirë. Në vend të kësaj Raoul studion arkitekturë në SHBA, ndërpret studimet dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore hyn në tregtinë e mallrave ushqimorë luksozë në Suedi. Me sukses, falë ortakut të tij hungarez me përvojë Kálmán Lauer. Por ky i fundit kërkon para së gjithash mbështetje për të afërmit e tij hebrenj të mbetur në atdhe. Nga qeveria suedeze Wallenberg merr një detyrë të fshehtë: i pajisur me 150.000 dollarë nga komiteti i luftës i SHBA-së për refugjatët, 32-vjeçari duhet të shpëtojë hebrenjtë e fundit të mbetur. „Raoul Wallenberg nuk ishte politikan profesionist“, përmbledh gazetari dhe historiani nga Hamburgu, Ulrich Völklein, por një burrë i ri që kishte vendosur të angazhohej për hir të humanizmit.“

Shindleri suedez

Pasaportat mbrojtëse – sistemi i ngritur nga Wallenberg u shpëtoi jetën mijëra hebrenjve hungarezë

Në rangun e një atasheu të përfaqësisë suedeze Wallenberg disponon imunitet diplomatik. Dhe ai di si ta përdorë: blen ndërtesa, në të cilat të shpëtuarit gjejnë strehim nën flamurin suedez. Korrupton zyrtarë, josh me kredi milionëshe dhe kërcënon me pasoja politike, nëse nuk pranojnë ta ndihmojnë. Më pas i riu suedez krijon sistemin e të ashtuquajturave pasaporta mbrojtëse dhe letra mbrojtëse, me të cilat hebrenjtë hungarezë shpallen pjesëtarë me të drejtë mbrojtjeje të shteteve neutrale. Kjo shpëton disa mijëra hebrenj nga kapja direkte prej SS-ve dhe Gestapos. „Raoul Wallenberg ka punuar në të gjitha nivelet“, thotë historiani Völklein. „Ai ka krijuar lidhje me komandantë SS, ka negociuar me Eichmann-in. Ka folur me përfaqësues politikë gjermanë në Budapest. Ka ushtruar trysni mbi ta.“

Me anë të një shërbimi të vetin informativ, Wallenberg përpiqet të mësojë datat e transporteve në kampet e shfarosjes. Ai ndalon personalisht trena të drejtuar për në Aushvic, shpëton hebrenj nga marshimet e vdekjes, pengon komandot e pushkatimit të nacionalsocialistëve hungarezë, të ashtuqajturve “kryqet shigjetë”. Wallenberg është më shumë se një diplomat i pazakontë, ai është një njeri me guxim të jashtëzakonshëm. Kjo u bën përshtypje në disa raste edhe SS-ve.

Vdekje në Moskë

Kur trupat sovjetike më në fund marrin Budapestin gjejnë gati 100.000 hebrenj ende në jetë. Në 16 janar 1945 qeveria suedeze mëson se Wallenberg është vënë nën mbrojtje sovjetike. „Nuk e di nëse jam i burgosuri apo mysafiri i tyre“, thuhet të ketë bërë shaka Wallenberg, kur është parë për herë të fundit i gjallë në Perëndim. Më pas gjurmët e tij humbasin. Moska përhap fillimisht fjalë se Wallenberg është vrarë nga fashistët hungarezë. Por në të vërtetë ai është burgosur dhe është dërguar në kryeqytetin sovjetik. Akuza: Wallenberg ka kryer spiunazh për llogari të SHBA-së dhe ka bashkëpunuar me drejtues të lartë nazistë. „Kjo rezulton nga biseda me ish oficerë të marrjes në pyetje të NKWD (shërbimit të fshehtë sovjetik), të cilët janë përpjekur ta rekrutojnë Wallenbergun të paktën si informant“, shpjegon Ulrich Völklein, i cili ka foluar me dëshmitarë të kohës dhe ka kryer kërkime në arkivat rusë rreth fatit të Wallenbergut.

Polemika mes historianëve

Çanta e Wallenbergut në bronz në shtëpinë e tij të lindjes në Kappsta, Lidingö.

Të tjerë historianë mbrojnë tezën se Wallenberg nuk e ka pësuar nga gjoja aktivitetet e spiunazhit, por për shkak të lidhjeve familjare me një nga sipërmarrjet më të mëdha suedeze, të cilët gjatë luftës kishin bërë biznes me të dyja palët. Sipas këtyre supozimeve Wallenberg duhet të shërbente si një lloj garancie e sovjetikëve për negociata me Suedinë dhe koncernin Wallenberg. Veç kësaj qeveria suedeze nuk është interesuar me kohë për zhdukjen e Wallenbergut. Deri më sot nuk është sqaruar ende nëse shkaku ka qenë bindja ndaj sovjetikëve apo shqetësimi për statusin e shtetit neutral gjatë Luftës së Ftohtë.

Në 7 shkurt 1957 sovjetikët informojnë zyrtarisht qeverinë suedeze se Wallenberg ka vdekur nga një infarkt që në vitin 1947 në spitalin e Lubjankës, burgun e shërbimit famëkeq të fshehtë sovjetik, NKWD. Në vitin 1989 qeveria ruse i dorëzon familjarëve të Wallenbergut sendet e fundit personale, ndër të cilat një pasaportë, një kalendar dhe një mbajtëse cigaresh. Në 2001 Aleksander Jakovlev, drejtor i komisionit të rehabilitimit të presidentit rus, deklaron se Wallenberg është vrarë me armë.

“Ëngjëlli i Budapestit” – Monumenti i Raoul Wallenberg në kryeqytetin hungarez

E sigurt është ndërkohë se suedezi nuk ka vdekur në mënyrë të natyrshme, por është vrarë. Dokumentet që flenë në arkivat ruse nuk janë hapur ende plotësisht për publikun. Vetëm ato mund të jepnin të dhëna se sa gjatë ka jetuar vërtet Wallenberg dhe kush e ka vrarë.

Trashëgimia e Wallenbergut

Sot për të ka shumë libra, filma, dokumentarë, këngë dhe madje një opera. Për aktivitetin e tij të shpëtimit Wallenberg është nderuar nga Mbreti Gustav Adolf me nderimin më të lartë suedez dhe në përkujtimoren e Holokaustit Jad Vashem, ai nderohet si „I drejtë në mes të popujve“. Në 1995 Wallenberg mori pas vdekjes “Çmimin evropian për të drejtat e njeriut”. Në sinagogën e madhe në Budapest gjendet një pllakë përkujtimore në nderim të diplomatit të guximshëm suedez, të cilin disa e kanë quajtur „ëngjëlli i Budapestit“./Elida Buçpapaj – VOAL.ch/

Lexo më shumë

Ambasadorja e Izraelit: Shqipëria, shembull i bukur tolerancës ndërfetare

Ambadasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka qenë e ftuar në disa darka iftari të organizuar në Tiranë.

Izrael

Izraeli rihap hapësirën ajrore, kapen 99% e raketave iraniane

Nga më shumë se 30 raketa të lëshuara nga Irani, asnjëra nuk kishte arritur në Izrael.

Shqipëri

Rama dënon sulmin e Iranit kundër Izraelit: I paprecedent, rrezikon të destabilizojë rajonin

Kryeministri Edi Rama dënoi sot fuqimisht sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

BE dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit si ‘përshkallëzim të paprecedentë’

Bashkimi Evropian dënoi ashpër sulmin e drejtpërdrejtë ajror të Iranit ndaj Izraelit.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.