Pse shqiptarët e mbështesin gjithmonë Izraelin!

Nga Ridvan Peshkëpia – Pedagog dhe Kërkues në UBT – Higher Education Institution – Kosovë


Nga Ridvan Peshkëpia

Konflikti i fundit në Lindjen e Mesme ishte një mundësi e re për të majtën botërore për të shpalosur (pa maskë) anti-semitizmin dhe racizmin e vet të gjithëditur. Ndër shqiptarë, të cilët, për shkaqe historike, socioekonomike dhe politike që nuk ia vlen të hetohen këtu, nuk mund të kategorizohen stereotipikisht në krahët ideologjikë që qarkullojnë më së shumti në qytetërimin bashkëkohor, protestat e kufizuara dhe sporadike të tyre vetëm se ndihmuan heqjen e maskave (ja edhe një tjetër rrëshkitje frojdiane) të ekstremistëve fetarë mes nesh, njerëz njëpërmasorë që, të ngërthyer siç janë në aporatë e tyre fanatike, nuk arrijnë të shikojnë botën shumëngjyrëshe përtej tyre. Por reagimet e qytetarëve dhe gazetarëve si edhe fryma në rrjetet sociale mbetet po ajo: shqiptarët kudo ku ndodhen, priren të jenë pro Izraelit.

Mbështetja e gjithjetëshme e shqiptarëve ndaj Izraelit, mbresëlënëse siç është edhe për vetë hebrenjtë, mbetet një temë e pashpeguar siç duhet deri më sot. Kjo sepse edhe literatura përkatëse në psikologji sociale ka një hendek pengues në këtë shpegim. Një mjet i vlefshëm do të kishte qenë Anshmëria Afinitive Ndërgrupore [intergroup affinity bias] por korniza teorike ekzistuese e vendos këtë koncept në kuadër të ngjashmërive fizike: ne priremi të shoqërohemi me individë apo grupe që duken si ne. Vendosja e ngjashmërisë në trajta fenotipike është haraçi që kërkimi në psikologji sociale duhet t’i paguajë zhvillimit të kësaj fushe kryesisht në Shtetet e Bashkuara, ku marrëdhëniet ndërgrupore janë kryesisht marrëdhënie ndër-racore. Por jo të gjithë popujt kanë të njejtin obsesion me racën sikur edhe amerikanët, dhe këta të fundit kanë shumë se ç’mësojnë nga pjesa tjetër e botës për trajtimin e njeriut si individ i pavarur dhe jo si pjestar i një grupi (vetëm fakti që unë po shkruaj këto rreshta deri tani dëshmon për krizën aktuale të ideologjisë liberale). Ajo çka mungon sot në këtë korpus kërkimor është se në kontekste të tjera socio-politike, afinitete ndërgrupore mund të mos mbështeten medoemos në ngjashmëri fizike, kulturore apo fetare por në përvoja historike. Përsa u takon këtyre të fundit, është e vështirë të gjendet fati i ndonjë kombi tjetër përveç izraelitëve (ndoshta armenët po ashtu) i ngjashëm me fatin e kombit shqiptar.
Ajo çfarë shpegon afinitetin e pazakontë të shqiptarëve ndaj izraelitëve është se përvojat tona historike bashkohen në një pikë: mbijetesa përmbi përpjekjet e armiqve tanë për të na shfarosur. Përballja jonë shekullore me shfarosjen na bën ne të duam dhe solidarizohemi me një popull tjetër i cili, ashtu si ne, vazhdon të përballet me shfarosjen.

Leksikoni bashkëkohor liberal për të drejtat e njeriut, kundër paragjykimeve, ndarjeve apo kufizimit të të drejtave të njeriut përfaqëson konstrukte të krijuara në komoditetin e Perëndimit të pas Luftës së Dytë Botërore [L2B]. Por edhe përpara L2B-së, megjithë dy luftrat e tmerrshme botërore, ekzistenca e francezëve, gjermanëve, britanikëve apo italianëve kurrë nuk u soll seriozisht në pikëpyetje. Kësisoj, këto shoqëri nuk e kanë të përbrendësuar rrezikun e shfarosjes. Ky mund të jetë shkaku pse, kur Hitleri e sëndërtoi propagandistikisht nga hiçi frikën e pabazuar për shfarosjen e kombit gjerman, një shoqëri e tërë u përfshi nga histeria nacionaliste. Frika ndaj shfarosjes ishte një virus i ri që gjeti të paimunizuar një shoqëri e cila realisht nuk ishte ndeshur më parë me këtë koncept.

Por për ne shqiptarët, e vetmja mënyrë kuptimplote e shkrimit të historisë është, ashtu si edhe për hebrejtë, si lufta për mbijetesë. Armiqtë tanë, romakët, bizantinët, osmanët, serbët, turqit, grekët kanë pasur një të Përbashkët me P të madhe: shfarosjen e shqiptarëve, identikisht apo fizikisht. Fizikisht shqiptarët u shfarosën nga viset e tyre në Serbinë Qëndrore dhe Jugore, Tivar dhe Podgoricë, si edhe pjesën qëndrore të Maqedonisë së Veriut, Çamëri, Thesali dhe Maqedoninë Greke. Identikisht ata u shfarosën në Rozhaje, Plavë, Guci, Novi Pazar, Mavrovë, Janinë dhe territoret e Republikës Turke. Ky nuk ishte një proces spontan dhe as i shkëputur. Ky ishte një proces sistematik shfarosjeje i mbështetur nga politika afatgjata shtetërore dhe madje edhe alenca ndërkombëtare (ku armiku ynë më i madh dhe i përjetshëm, Turqia, është kurdoherë pjesë e tyre). Një pjesë e këtij procesi të parreshtur shfarosjeje përshkruhet dhimbshëm në librin më të fundit të Gëzim Alpionit, Nëna Terezë: Shenjtorja dhe Kombi i Saj [Mother Teresa: The Saint and Her Nation], botur në 2020 nga Bloomsbury Academic Press.

Shqiptarët kanë parë te fatkeqësia dhe tragjedia historike e hebrenjve fatin e tyre. Ashtu si edhe hebrenjve, shqiptarëve u është mohuar gjuha, feja, toka, trashëgimia, shteti dhe jeta. Të parët tanë nuk i kishin lexuar këto medoemos nëpër libra dhe nuk u rreshtuan përkrah hebrenjve në mënyrë të vetëdijshme. Por proceset konjitive funksionojnë përtej ndërgjegjes njerëzore dhe të parët tanë e ndjenin se vuajtjet e këtyre njerëzve ishin të ngjashme me vuajtjet tona.

Shteti i sapokrijuar shqiptar i vitit 1912 u përball me po ato sfida që ndeshi Izraeli në 1947, i rrethuar me fqinjë që nuk ia donin ekzistencën dhe që donin ta ndanin. Diaspora hebreje ndihmonte për mbijetesën e atij shteti të ri ngjashmërisht me thirrjen e Nolit “”mbahu nëno, mos ki frikë/se ke djemtë në Amerikë”. Armiqtë e Izraelit të ri, vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, dëbuan qindra mijra hebrenj, të cilët kishin jetuar në ato territore prej më shumë se një mijëvjeçari, ashtu si grekët e serbët dëbuan nga shtetet e tyre të sapoformuar shqiptarë që jetonin në tokat e tyre në këto shtete qyshse ka filluar në shkruhet historia. Izraeli, ashtu si fillimisht shteti shqiptar dhe tani së fundmi Kosova, është përballur me mosnjohje dhe me premtime të pareshtura për shkatërrim. E vetmja çka bashkon dy rivalë rajonalë si Arabia Saudite dhe Irani është premtimi i tyre për të shkatërruar Izraelin. Zhdukja e Kosovës nga harta e botës është po ashtu një lokus aleancash ndërkombëtare dhe nënvlerësimi i rrezikut ekzistencial me të cilin përballet Kosova mund të ketë çmim të lartë në të ardhmen.

Ashtu si edhe shfarosja e shqiptarëve ka qenë projektuar fillimisht me mjetet poetike të miteve kombëtare të armiqve tanë, ashtu edhe miti i “popullit palestinez” qëndron në themel të planeve ekzistuese për shfarosjen e Izraelit. Ky popull u sajua politikisht nga fillimi i viteve 1960a nga arabë të cilët ishin shtetas jordanezë për të barazuar kauzën izraelite me kauzën arabe. Prandaj palestinezët nuk janë po ashtu një popull i vogël që kërcënohet me shfarosje: ata janë arabë, pjestarë të një kombi prej pothuajse 350 milionë njerëz, ndërsa individualisht njerëz të pafat që u përdorën nga politikanë dritshkurtër arabë si ushtarë të vegjël në një fushë të madhe shahu përtej kontrollit të tyre. Kjo nuk do të thotë aspak se ne shqiptarët jemi kundër palestinezëve. Përkundrazi, ne të gjithë ëndërrojmë dhe shpresojmë që një ditë, ata të arrijnë të shpëtojnë nga prangat e terrorit politik ku udhëheqës të tyre mizorë dhe të korruptuar i kanë ngërthyer, duke i përdorur si mburojë njerëzore në aventurat e tyre ushtarake absurde. Ne urojmë që sa më parë këta njerëz të marrin vetë në dorë fatin e tyre.

Ashtu si serbët që, pasi e pushtuan Kosovën në shekullin e trembëdhjetë, ngulën mbi themelet e kishave arbërore apo tempujve ilirë kishat e tyre, edhe arabët ngulën mbi sinagogat hebreje xhamitë e tyre. Por kishat apo xhamitë, sado të shenjta të jenë, nuk mundet të ndryshojnë vetëdijet historike të popujve. Njerëzit e dijnë se kishat dhe xhamitë janë ndërtime të njerëzve dhe, si të tilla, ato shkojnë e vijnë. Por toka mbetet aty; ajo është e rrënjosur thellë në vetëdijen historike të popujve.

Që afiniteti reciprok mes dy popujve është diçka më e thellë se koniukturat ndërkombëtare të ditës, kjo duket edhe me mbështetjen që Izraeli i ka dhënë Kosovës qysh me krijimin e këtij shteti të ri dhe që kulmoi me njohjen zyrtare të Kosovës nga Izraeli në 2020. Por aleanca mes shteteve vetëm se zyrtarizon aleancën mes popujve dhe kjo e fundit është e rrënjosur në vetëdijen tonë për fatin tonë të ngjashëm në luftën e luftrave që të dy popujt kemi zhvilluar gjatë historive tona (shpesh veç e veç por ndonjë herë edhe së bashku): Luftën për Mbijetesë.
Prandaj edhe shqiptarët janë përkrah Izraelit dhe gjithmonë do të jenë…

*** Pedagog dhe Kërkues në UBT – Higher Education Institution – Kosovë

(Marrë nga postimi i autorit në Facebook)

Ambasadorja e Izraelit: Shqipëria, shembull i bukur tolerancës ndërfetare

Ambadasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka qenë e ftuar në disa darka iftari të organizuar në Tiranë.

Izrael

Izraeli rihap hapësirën ajrore, kapen 99% e raketave iraniane

Nga më shumë se 30 raketa të lëshuara nga Irani, asnjëra nuk kishte arritur në Izrael.

Shqipëri

Rama dënon sulmin e Iranit kundër Izraelit: I paprecedent, rrezikon të destabilizojë rajonin

Kryeministri Edi Rama dënoi sot fuqimisht sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

BE dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit si ‘përshkallëzim të paprecedentë’

Bashkimi Evropian dënoi ashpër sulmin e drejtpërdrejtë ajror të Iranit ndaj Izraelit.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.