Muzeu Hebraik në Vlorë, Rama: Shpëtimi i hebrenjve, një prej faqeve më të arta të historisë së shqiptarëve

Projekti fitues për muzeun u prezantua nga studio e njohur izraelite “Kimmel Eshkolot Architects”.


Nga Klotilda Saraçini, ATSH

Historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë në vitet e errëta të Holokaustit do të kenë një vend të dedikuar kujtese, që është Muzeu Hebraik Shqiptar, ngritja e të cilit mbështetet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me synimin për të ndërtuar një institucion bashkëkohor që do të dëshmojë një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shprese mes shqiptarëve dhe hebrenjve, veçanërisht në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Projekti fitues për muzeun, vendndodhja e të cilit do të jetë në Vlorë, u prezantua sot në prag të ditës ndërkombëtare të muzeve, nga studio e njohur izraelite “Kimmel Eshkolot Architects”.

Në ceremoninë e prezantimit të projektit fitues të Muzeut Hebraik Shqiptar, ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan per Zhvillim, Michael Granoff, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, etj.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama theksoi se “është një nga gjërat më të munguara në gjithë hapësirën e territorit të vendit tonë një muze i një historie e të jashtëzakonshme dhe mbase i një prej faqeve më të arta të historisë së shqiptarëve, që është historia e shpëtimit të hebrenjve për të cilën në këtë vend nuk ka asnjë adresë akoma”.

“Jam realisht i kënaqur që sot hedhim një tjetër hap drejt krijimit të adresës së parë të kësaj historie, një muze hebraik në Vlorë ku ka pasur një komunitet të rëndësishëm hebre dhe ku është mundësia të ngrihet një strukturë e tillë në lagjen ku ishte i përqendruar komuniteti hebre i Vlorës”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “uroj që ky muze të realizohet sa më parë dhe të mos jetë i vetmi sepse kjo histori është shumë e madhe për të pasur vetëm një muze ashtu sikurse lidhja e shqiptarëve me hebrenjtë është shumë e posaçme për të pasur vetëm një pikë referimi dhe një adresë sa i përket historisë së kësaj lidhje”.

“Hebrenjtë kanë ardhur në Shqipëri disa herë, në shekullin e II-të, në shekullin e XVI-të, në shekullin e XVII-të. Ata kanë krijuar këtu vendqëndrimet e tyre, kanë krijuar edhe një qytet, Orikumin, i cili në origjinën e tij është Xheriko dhe kanë pasur në këtë vend një respekt dhe një trajtim shumë të posaçëm edhe përpara ngjarjes tragjike të Luftës së Dytë Botërore. Kujtoj këtu që Shqipëria ka qenë ndoshta i vetmi vend në Evropë që në vitet ’20-të ka miratuar një ligj për Shabatin, duke i detyruar të gjithë punëdhënësit që të mos i penalizonin financiarisht gjithë hebrenjtë që nuk shkonin të paraqiteshin në punë ditën e premte”, tha Rama.

Kryeministri Rama thkesoi se “ashtu sikundër ka shumë dokumente, madje dhe raporte të shkruara nga të dërguar të posaçëm të komuniteteve të ndryshme hebreje, si për shembull komuniteti hebre i SHBA-së, ku dëshmohet për një vend i cili ka një gatishmëri të posaçme për t’i mirëpritur hebrenjtë për t’i dhënë atyre strehë, për t’i dhënë atyre tokë, për t’iu krijuar atyre mundësinë që të krijojnë vendbanime. Në më shumë se në një rast, në këto raporte shkruhet se Shqipëria është streha ideale për të qenë toka rezervë e hebrenjve dhe kjo shkruhet nga vetë të dërguarit e këtyre komuniteteve.
Megjithatë historia e Luftës së Dytë Botërore pastaj është kulmi i gjithë kësaj historie shumë të gjatë lidhje mes shqiptarëve dhe hebrenjve sepse Shqipëria është jo vetëm vendi i vetëm në Europë ku pati më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore se pas Luftës së Dytë Botërore, por është i vetmi vend në botë ku nuk ka asnjë rast të vetëm të dorëzimit të një hebreu tek nazistët, madje ka edhe raste të jashtëzakonshme, të kundërta, kur shqiptarët kanë dorëzuar fëmijët e tyre apo janë dorëzuar vetë, duke u paraqitur si hebrenj për të mbrojtur hebrenjtë që kishin marrë në mbrojtje”.

Është po ashtu e domosdoshme, vijoi Rama, që ne këtë histori ta vlerësojmë dhe ta trashëgojmë si një nga pasuritë më të mëdha të këtij vendi, të trashëgimisë sonë historike, të trashëgimisë sonë kulturore, të asaj që ne jemi dhe të asaj qe ne duhet të mbetemi për të mos u bërë si te tjerë, që sa më shumë pasurohen dhe zhvillohen aq me shumë humbasin memorien.

“Dhe e fundit është realisht shumë e rëndësishme që ne ta çojmë përpara këtë proces të vënies në pah edhe të krijimit të adresave që ndihmojnë komunikimin e kësaj historie sepse në fund fare e gjithë eksperienca provon se raporti fizik me historinë është i pazevëndesueshëm. Librat, rrëfimet, filmat, tregimet patjetër që janë edhe ato të pazëvendësueshme, por për të rinjtë është nganjëherë gjithmonë e më e pamundur qe të dallojnë sot çfarë është histori reale dhe çfarë është fiksion, çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e sajuar, çfarë është prodhim i marrëzisë njerëzore dhe çfarë është prodhim i imagjinatës hollivudiane”, tha Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se “Muzeu hebraik i Vlorës, është i pari, por jo i vetmi. Ne po përgatitemi për të pasur një qendër të hebraizmit në Tiranë, e cila duhet të jetë një hapësirë ku edhe historia të tregohet, por edhe të kultivohet miqësia jonë me Izraelin, me popullin e Izraelit, me bashkësinë e hebrenjve, si një miqësi, e cila ka pasur një periudhë jo ndërprerje, por një periudhë që nuk është karakterizuar nga i njëjti intensitet i atyre viteve të mëparshmë se këta janë bërë shumë të pasur tani, ky është problemi. E kur njerëzit pasurohen shumë, kanë problem me memorien, por e kuptojmë këtë dhe do bëjmë çmos që të jemi sa më bindës për ta fuqizuar këtë marrëdhënie”.

Në fjalën e tij, Kryetari i AADF, Granoff theksoi se “nëse ka një mësim që mund të marrim nga ajo që ka ndodhur në Shqipëri, në Luftën e Dytë Botërore dhe lidhur me besën, shembulli është se çfarë mund të ndodhë sot në botë dhe mjafton të lexoni gazetën për të parë se çfarë nuk po ndodh në botë sot”.

“Ky muze ka mundësinë dhe potencialin të jetë simbol që mund të bëjë krenar njerëz në të gjithë botën. Është një shembull që shqiptarët jo vetëm të mësojnë diçka për historinë e tyre, por edhe diçka që ta kenë krenari dhe mundësi që njerëzit të vizitojnë Shqipërinë dhe të mësojnë diçka mbi trashëgiminë kulturore të këtij vendi që mbase nuk e dinin se ekzistonte”, tha Granoff.

Sipas tij, ky muze do të përfshihet në listën e çdo personi që vjen e viziton Shqipërinë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se “në këtë muze janë historitë e atyre mijëra hebrenjve që gjetën një derë të hapur jo vetëm në shtëpitë e shqiptarëve, por gjetën një derë të hapur në zemrat e tyre. Ky muze tanimë është edhe një tempull kujtese, një vend rrëfimi për historitë edhe të atyre mijëra shqiptarëve që si askush tjetër në botë dëshmuan se nuk ka rëndësi as numri i vogël i popullsisë as varfëria për sa kohë ke një zemër të madhe të mbushur plot me dashuri për njeriun”.

“Ky muze tregon mishërimin e një miqësie e historive njerëzore të shqiptareve dhe hebrenjve, historinë e një miqësie që ka lindur shumë vite më parë, atëherë kur ndërtoheshin kisha, xhami e sinagoga së bashku por që u përjetësuan gjatë Luftës së Dytë Botërore në atë që shqiptarët bënin më së miri, të ndanin shtëpinë e tyre të vogël, por të mbushur me shumë dashuri”, nënvizoi Margariti.

Ky muze do të jetë një magnet tërheqës jo vetëm për turistët, si pjesë integrale e qendrës historike të qytetit, por mbi të gjitha për të rinjtë.

Muzeu Hebraik në Vlorë do të tregojë një histori unike, kushtuar bashkëjetesës së hebrenjve dhe shqiptarëve në kohë, i cili synohet të kthehet në një magnet kulturor për zonën historike në Vlorë.

Me ndërtimin e këtij muzeu do të vendoset një standard i ri për muzetë në Shqipëri duke mbështetur krijimin e një muzeu bashkëkohor, të vetmin në llojin e tij në Shqipëri dhe rajon, përsa i përket misionit, konceptit, arkitekturës, menaxhimit, qeverisjes, modelit të ekspozimit dhe tregimit të historisë, partneriteteve dhe angazhimit të komunitetit. /ATSH/

Ambasadorja e Izraelit: Shqipëria, shembull i bukur tolerancës ndërfetare

Ambadasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka qenë e ftuar në disa darka iftari të organizuar në Tiranë.

Izrael

Izraeli rihap hapësirën ajrore, kapen 99% e raketave iraniane

Nga më shumë se 30 raketa të lëshuara nga Irani, asnjëra nuk kishte arritur në Izrael.

Shqipëri

Rama dënon sulmin e Iranit kundër Izraelit: I paprecedent, rrezikon të destabilizojë rajonin

Kryeministri Edi Rama dënoi sot fuqimisht sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.