Shqiptarët dhe hebrenjtë, miqtë e mirë në kohë të vështira!

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët treguan edhe një herë fisnikërinë që i karakterizon duke hapur derën e shtëpisë për miqtë në nevojë. – Nga Brisejda Lala


Nga Brisejda Lala

Shqiptarët thonë: Miqtë e mirë, në kohë të vështira!

Proverbi i mësipërm lidhet ngushtë me zakonet, traditat dhe historinë e popullit tonë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët treguan edhe një herë fisnikërinë që i karakterizon duke hapur derën e shtëpisë për miqtë në nevojë. Politika anti-Semite e ndjekur në vendet e pushtuara nga nazi-fashistët detyruan hebrenjtë të largoheshin nga vendbanimet e tyre në kërkim të shpëtimit.

Sikundër është dëshmuar nga historianët dhe dokumentet arkivore, Shqipëria ishte i vetmi vend që doli nga Lufta e Dytë Botërore me një numër më të madh të popullsisë hebreje se sa kishte pasur para lufte. Shqiptarët (përfshi shqiptarët e Kosovës) strehuan dhe ndihmuan hebrenjtë që erdhën në vend në përpjekje për ti shpëtuar persekutimit dhe përndjekjes së nazistëve dhe përkrahësve të tyre.

Që në vitet ’30, Ahmet Zogu ftoi hebrenjtë të vinin në Shqipëri për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Gazeta Londineze “Jewish Daily”, në vitin 1935 shkruante se mbreti i shqiptarëve, Ahmet Zogu, ka urdhëruar që të shpërndahen sa më shumë pasaporta shqiptare për hebrenjtë që dëshirojnë të jetojnë në Shqipëri. Sipas dëshmisë së Johana Newman, hebreje që kaloi fëmijërinë në Shqipëri, Zogu kishte urdhëruar që hebrenjtë të mos kontrolloheshin në kufi, por të lejoheshin të hynin në vend pa pengesa.

Ekziston një letërkëmbim i gjerë i Ministrit të Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Mbretërisë Shqiptare në Berlin, diplomatit Rauf Fico, i cili kërkon që shteti ynë të pajisë me viza hebrenjtë që vuanin repsesionin nazist në Gjermani. Deri në prill të vitit 1939, kur Italia pushtoi vendin, në Shqipëri kishin mbërritur rreth 400 hebrenj. Në vitet në vazhdim të ndihmuar nga shqiptarët e Kosovës, shumë hebrenj të tjerë mbërritën në Shqipëri në mënyrë ilegale dhe u strehuan në familjet shqiptare të cilat i fshehën ata nga pushtuesit italianë.

Me kapitullimin e Italisë fashiste dhe pushtimin e Shqipërisë nga Gjermania, situata paraqitej më e vështirë. Rreth 281 deri në 400 hebrenj u zbuluan në Kosovë nga nazistët dhe u dërguan në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen.

 

Në fillim të vitit 1944, autoritete vendase u urdhëruan nga Gestapo të dorëzonin listat e hebrenjve që jetonin në Shqipëri, por ata u justifikuan me faktin që në vend nuk ka hebrenj sepse ata janë larguar. Në këtë kohë një numër i madh hebrenjsh ishin pajisur me pasaporta false dhe punonin në bujqësi dhe blegtori në fshatra të thella. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, hebrenjtë nuk u ndjenë kurrë të kërcënuar se do të dorëzoheshin tek nazistët.

Vëmendja e studiuesve, gjithnjë e më shumë është përqendruar në arsyet se pse shqiptarët ndihmuan hebrenjtë. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar kodit të “Besës”. Sipas të drejtës zakonore shqiptare, nëse dikush troket në shtëpinë tënde për të kërkuar strehim, ai mirëpritet si mik dhe i “Zoti i shtëpisë” e mbron “mikun” me jetën e tij. Sigurisht që “kodi i nderit” nuk është i vetmi element që motivoi zgjedhjen e shqiptarëve për të mbrojtur dhe strehuar hebrenjtë.

Faktor i rëndësishëm në këtë proces ka patur edhe një vlerë tjetër e shoqërisë shqiptare që është tolerance fetare. Një numër i madh i hebrenjve u strehuan nga familje myslimane, katolike, ortodkse e bektashiane, pa u marrë kurrë në konsideratë besimi i tyre fetar. Duhet theksuar gjithashtu se pushtuesit Italianë nuk këmbëngulën në dorëzimin e hebrenjve dhe pushtimi gjerman zgjati për një kohë më të shkurtër se ne vendet e tjera.

Ky fakt nuk minimizon aspak kontributin e familjeve shqiptare për popullin hebre, me të cilët në vitet e luftës, shqiptarët e varfër ndanë bukën dhe gjithçka kishin. Shqiptarët rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish të pafajshëm.

Para Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri jetonin vetëm 200 hebrenj, ndërsa pas saj më shumë se 2000 hebrenj. Historia e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri është shembulli më i mirë se humanizmi ekziston dhe që edhe në kohët më të vështira ka gjithmonë një zgjidhje dhe një shteg për të ndihmuar dikë në nevojë. Në shenjë mirënjohje ndaj popullit tone, Yad Vashem  ka dekoruar shumë familje shqiptare me titullin “Të Drejtë Ndërmjet Kombeve”.

Kompania izraelite LR Group, projekt investimesh në Shqipëri

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, priti Ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Izrael

Fyejti Holokaustin, Izraeli shpall “non grata” presidentin e Brazilit

Kryeministri Benjamin Netanyahu i përshkroi fjalët e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva si “të turpshme”.

Shqipëri

Dita Ndërkombëtare e Gruas, ambasadorja Kumbe fjalim në Universitetin e Haifës

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ishte e ftuar të fliste në Universitetin e Haifës në kuadër të Ditës…

Kosove

Ceremoni solemne në Prishtinë, për Ditën Përkujtimore të Holokaustit

Marin pjesë Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ambasadorja e Izraelite në Kosovë, Tamar Ziv.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

Shuhet legjenda e diplomacisë amerikane, Henry Kissinger

Vdiq në moshën 100-vjeçare. Kissinger dominoi politikën e jashtme të SHBA në kulmin e Luftës së Ftohtë.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.