“Shegë dhe goji berry”, ja si konsulenca izraelite po e kthen në “ar” tokën e kripur të Karavastasë

Diku, në lagunën e Karavastasë, gjenden me mijëra hektarë tokë djerrë, sepse kripësia nuk toleron rritjen e bimëve. Por, një sistem i ri i konsultuar me izraelitët dhe i çuar në fund nga sipërmarrës shqiptarë, po e kthen këtë tokë në “ar”, teksa po lulëzojnë parcelat e para me shegë dhe goji berry. Grupi Agro Iliria po zhvillon një plan investimi për një nga fermat më të mëdha në Europë, që përfshin 1100 hektarë për rritjen e shegës, goji berry-t, një hapësirë për agroturizëm dhe një fushë golfi. Investimi fillestar është 6.6 milionë euro por pritet të rritet.


Diku, në lagunën e Karavastasë, gjenden me mijëra hektarë tokë djerrë, sepse kripësia nuk toleron rritjen e bimëve. Por, një sistem i ri i konsultuar me izraelitët dhe i çuar në fund nga sipërmarrës shqiptarë, po e kthen këtë tokë në “ar”, teksa po lulëzojnë parcelat e para me shegë dhe goji berry. Grupi Agro Iliria po zhvillon një plan investimi për një nga fermat më të mëdha në Europë, që përfshin 1100 hektarë për rritjen e shegës, goji berry-t, një hapësirë për agroturizëm dhe një fushë golfi. Investimi fillestar është 6.6 milionë euro por pritet të rritet. Si u kalua nga ndërtimi në bujqësi dhe modeli se si mund të zhvillohet përmes ekonomisë së shkallës, sektori që jep 20% të prodhimit të brendshëm bruto…

 

Nga Nertila Maho, Monitor.al

“Të hënën dhe të martën më gjeni këtu, për të mërkurën flasim se ndoshta më duhet të lëviz pak për në Tiranë, por do të kthehem shpejt në plantacion”, – dëgjojmë në anën tjetër të telefonit. Kjo është jeta e Shpëtim Osekut, administratorit të grupit Agro Iliria që, në tre vitet e fundit, ndahet mes Tiranës dhe Divjakës, në fermën më të madhe me shegë dhe goji berry në vend. Mungesa e tabelave të sakta dhe rrugëve dytësore me disa opsione do të na e bënte të vështirë që të arrinim saktësisht aty ku ishte plantacioni, por për fat të mirë nuk kishim lënë orar që të na duhej të ishim nën presionin e kohës.

Një vendndodhje (koordinata në hartë) e dërguar në WhatsApp e zgjedh fare lehtë këtë problem. Për herë të parë, për fermën që do të ndërtonte grupi Agro Iliria”, dëgjuam kur nga Këshilli i Investimeve Strategjike në fillim të vitit 2018 do të miratohej statusi i investitorit strategjik. E nga ai moment e deri më sot mund të flitet me fakte konkrete, kompania po nxjerr në treg prodhimin e parë të goji berry për këtë vit, kurse shegët priten diku nga tetori. Është pikërisht kjo arsyeja pse u nxitëm që të vizitonim plantacionin. Jo në pak raste, disa investime me status strategjik kanë mbetur në letër por, në këtë rast, mund të shohësh sesi ka marrë jetë një i tillë, edhe pse ende në fillim të rrugëtimit.

Një orë e dyzetë minuta, pasi jemi nisur nga Tirana ndodhemi në hyrje të plantacionit. Përpara se të arrish në këtë zonë të duhet të përshkosh pjesën më të madhe të tokave pjellore të Myzeqesë, apo “hambarin” e famshëm të Shqipërisë por, në fakt, ajo që vë re është mbjellja e parcelave të vogla me lloj-soj kulturash, nuk ka asnjë harmonizim mes tyre. Ky është një tregues për fazën ku ndodhet ende sot bujqësia jonë, që më shumë është e mbijetesës sesa e biznesit.

Në fillim të plantacionit shohim një tabelë të madhe që na lajmëron se po hyjmë në territorin e tij. Një gjysmë kodrinë e ngritur artificialisht të pengonte të krijoje idenë e asaj çka do të gjeje përballë. Janë parcela të tëra, të ndara nga njëra-tjetra, të lulëzuara, dhe estetikisht të bukura për syrin, me një rregullsi të habitshme. Në kapanonin ngritur në hyrje të plantacionit gjejmë Shpëtim Osekun, duke ndarë detyrat për djemtë që punojnë aty. “A doni t’u hedhim një sy parcelave dhe pastaj flasim për detajet”, – na thotë. Pasi akomodohemi në një makinë të lartë, nisim edhe vizitën në fermë.

Investitoret Ilir Trebicka dhe Shpetim Oseku

 

Ferma do të jetë 1100 hektarë, fillimisht shegë dhe goji berry

“Ne duam që të kemi fermën më të madhe në Europë. Sot kemi të mbjella vetëm tetë parcela, nga të cilat shtatë janë me shegë dhe një me goji berry. Në total janë mbjellë diku te 100 hektarë, por ne presim që deri në fund të investimit që kemi planifikuar, hapësira e fermës të jetë 1100 hektarë. Sigurisht do të duhen disa vite për ta zbatuar atë” – shprehet Oseku.

Ai na sqaron se duhen minimalisht 46 mijë rrënje goji berry për 10 hektarë dhe 42 mijë rrënjë shegë për të njëjtën hapësirë. Për të dyja këto, kompania arrin t’i sigurojë fidanët vetë tashmë dhe këtë e vumë re në mjediset e jashtme të kapanonit ku më së shumti kishte goji berry në vazo. Si shega ashtu edhe goji berry janë marrë nga Izraeli. Ky i fundit njihet për një industri të zhvilluar që ka në epiqendër shegën dhe po kështu është një nga eksportuesit më të mëdhenj në tregje të pasura me kthim të lartë fitimi, si Rusia apo Gjermania.

Administratori i “Agro Iliria” na sqaron se varieteti që është zgjedhur për t’u kultivuar është Aco i cili njihet për një prodhim më të hershëm sesa varietetet e tjera. Edhe goji berry është një varietet i marrë nga Izraeli. Çmenduria për frutën e vogël në ngjyrë të kuqe nisi në tregje në vitin 2015 pas një marketimi të gjerë të përfitimeve shëndetësore që kishte kjo e fundit. Izraeli lëshoi gjithë potencialin e tij për të furnizuar kërkesën e madhe që hasi lidhur me këtë frutë, por vit pas viti kërkesa është rritur më shumë sesa vetë prodhimi. Në vitet 2015, një kilogram goji berry e cilësisë së parë do të shitej për 50 dollarë në tregjet botërore.

Sot, çmimi ka rënë disi, falë edhe një orientimi më të madh drejt kultivimit të saj. Në tregun shqiptar, 100 gramë goji berry të paketuara në kuti plastike në markete mund t’i gjesh për 300 lekë. “Ne nuk kemi kontrata paraprake as për goji berry dhe as për shegën, sepse, sikurse dihet, në bujqësi asgjë nuk është e sigurt. Këtë vit, goji berry vonoi pak, pasi kishim të paktën 8 javë shi, ndërkohë që ajo do kohë të ngrohtë që të mbyllë ciklin e saj dhe të bëhet për vjelje. Pavarësisht kësaj, ne nuk kemi probleme me gjetjen e tregut, pasi si shega edhe goji berry janë të kërkuara në tregje. Ajo që ne synojmë janë tregjet europiane”, – shprehet Oseku.

Cikli i jetës, si për shegën, edhe për goji berry-n, llogaritet në 30 vjet. Pas vitit të 25-të, ato kanë arritur potencialin e tyre dhe bëhet zëvendësimi gradual në parcela për të siguruar vijimin e prodhimit. Deri në fund të investimit, Agro Iliria synon që në plantacionin me 1100 hektarë të ketë të paktën 700 hektarë me shegë dhe pjesën tjetër ta ketë të kombinuar.

Shpëtimi i hebrenjve, Shqipëria shpallet “Shtëpi e Jetës”

Fondacioni Ndërkombëtar “Raoul Wallenberg” përuron në Tiranë pllakatin në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës

IZRAEL

Me 90% të votave, “Blu dhe Bardhë” kryeson ndaj Likud 32-31

Blloku i majtë kryeson ndaj atij të djathtë 56-55. Partia e Liberman vendos për fatin e qeverisë së re

SHQIPËRI

Cakaj-Hanegbi: Konferenca e Grupit të Mesdheut në Shqipëri, merr pjesë edhe Izraeli

Gjatë qëndrimit të tij në Izrael, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, u prit në…

KOSOVA

Dr. Mojmir Kallus: Hapja e ambasadës së ICEJ në Prishtinë e lidh më shumë Kosovën me Izraelin

Vizitë e suksesshme në Kosovë e Zëvendëspresidentit të Ambasadës Ndërkombëtare së Krishterë të Jeruzalemit (ICEJ). Plane për një sinagoge të…

INTERVISTA

Boaz Rodkin: Ja çfarë i kam thënë për Shqipërinë ambasadorit të ri, Noah Gal Gendler

Me rastin e përfundimit të detyrës, ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Z. Boaz Rodkin, dha një intervistë për gazetën online…

MILIARDERËT

Roman Abramovich blen shtëpi 63 milionë dollarë në Izrael

Miliarderi ruso-izraelit, Roman Abramovich, është i vendosur të blejë një shtëpi në Herzliya për 63 milionë dollarë nga menaxherja e…

SPYZONE

Israel Aerospace nënshkruan kontratë 50 milionë dollarë me Marinën Indiane

Marrëveshja përfshin një gamë të mirëmbajtjes dhe shërbime të tjera për nën-sistemet e raketave ajrore të mesme tokë-ajër të Israel…