Prof. Asoc. Dr. Edmond Malaj: Hebrenjtë në vilajetin e Shkodrës

Informacioni i gjetur mbi praninë e hebrenjve është nxjerrë nga një regjistër i Arqipeshkvisë së Shkodrës të vitit 1799


Nga Prof. Asoc. Dr. Edmond Malaj

Ngulmimet hebraike në kohën osmane në Shqipëri gjendeshin kryesisht në qytetet-port shqiptare, sepse aty mbërrinin kryesisht të arratisur hebrenj nga Spanja, Portugalia dhe Italia. Sipas Kotanit, hebrenjtë nga Spanja kishin filluar të vinin që në vitet e fundit të shek. XV, dhe rreth ardhjes së tyre thuhet ndër të tjera, “se i tërhoqi vetë Sulltan Bajaziti II, me qëllim që ata të gjallëronin tregtinë me disa limane të vendit, siç kishte vepruar edhe Republika e Venedikut”

Komunitete tregtare hebrenje të konsiderueshme pati në qytetet Berat, Durrës dhe Vlorë. Në këto qytete duket se ka pasur sinagoga kastiliane, kataloniane, portugeze dhe puliane. Ndër portet që përdoreshin nga hebrenjtë për tregti mund të përmendim këtu (përveç Durrësit dhe Vlorës) edhe atë të Lezhës dhe Prevezës. Mund të thuhet këtu që në Shqipëri për një periudhë kohe gjatë shek. XVI, tregtarët hebrenj nuk e kishin jetën të sigurt, pasi vriteshin, dhe si vend tjetër ballkanik i Perandorisë Osmane i rrezikshëm për tregtarët hebrenj, po gjatë kësaj periudhe kohe ishte edhe Thesalia e Veriut.

Gjatë revoltave shqiptare kundër shtetit turk në vitin 1911 pakicat hebraike në Shqipëri u akuzuan se kishin bashkëpunuar dhe mbështetur rebelët shqiptarë. Tani le t’u hedhim një vështrim mundësisht sa më të detajuar pranisë së hebrenjve në secilin vilajet shqiptar duke u nisur nga Veriu për në Jug, dhe duke e përshkruar historinë e tyre që nga fillimi, pra shek. XV, deri në rënien e Perandorisë Osmane në fillim të shek. XX.

Hebrenjtë në vilajetin e Shkodrës

Në Shkodër duket se nuk ka pasur shumë hebrenj, sepse në përgjithësi popullsia e atyshme ishte fanatike dhe nuk u jepte hebrenjve të drejta dhe siguri për t’u ngulitur në qytet, edhe pse Shkodra ishte një ndër qytetet e lulëzuara të pjesës ballkanike perëndimore të Perandorisë Osmane. Edhe udhëtari dhe diplomati osman Evlija Çelebi, i cili në vitin 1670 kalon nëpër Shkodër dhe viziton Bushatin me sarajet e Mehmet Pashë Bushatit, nuk na sjell asnjë të dhënë mbi prezencën e hebrenjve aty dhe shkruan, që “banorët e Shkodrës krejtësisht janë shqiptarë dhe njerëz punëtorë. Tjetër komb s’ka në Shkodër”.

I vetmi informacion i gjetur deri tani mbi praninë e hebrenjve është ai i nxjerrë nga një regjistër i Arqipeshkvisë së Shkodrës të vitit 1799, në të cilin bëhet fjalë, ndër të tjera se një familje në Shkodër ka pasur në punë një izraelit. Ndërsa në lidhje me varrin me mbishkrim osman që ka sipër një Menorah judaike (shandani me shtatë krahë ) (fig. 15), nuk kemi asnjë të dhënë, sikurse nuk kemi për varrezën e ndodhur në një vend të braktisur në bregdetin e Velipojës, por unë supozoj se mbishkrimi ka lidhje me judaizmin, pasi Menorah Judaike, mesa dimë, nuk është përdorur kurrë si simbol në Islam. Joseph Myleri (Joseph Müller), një vizitor gjerman, por siç duket nga mënyra si shkruan për hebrenjtë, nuk përjashtohet mundësia të ketë qenë me fe hebraike, e thekson këtë mungesë të hebrenjve në këtë qytet dhe në vitin 1844 na jep përbërjen e popullsisë së këtij qyteti për vitin 1831, vit në të cilin Shkodra kishte 16.000 shqiptarë myslimanë, 13.000 shqiptarë katolikë, 1500 sllavë, 1600 osmanë dhe disa grupe cigane.

Më tej ai shton, se për qëndrimin e hebrenjve shpirti fanatik i popullsisë së këtushme nuk jep të drejta dhe siguri.143 Mospraninë e hebrenjve e thekson edhe konsulli austriak Teodor Ippen, duke shtuar, që hebrenjtë “që u përhapën në gjithë Gadishullin Ballkanik, i janë shmangur përherë Shqipërisë veriore” Pavarësisht se në Shkodër nuk kishte hebrenj, duhet të theksohet këtu që ndonjë tregtar shkodran kishte patjetër marrëdhënie me tregtarë hebrenj.

Në lidhje me këtë po japim në vazhdim një dokument osman nga shek. XVII, që paraqet një ankesë nga një tregtar nga Shkodra kundër një garantuesi borxhi të një hebreu nga Sofja: “Zenel b. Mehmeti, anëtar i komunitetit tregtar, dhe banues i Qytetit të Shkodrës në Provincën e Rumelisë bëri një ankesë ndaj poseduesit të dokumentit, hebreut Izrael, të birit të Samuelit, anëtar i kongregacionit sefardik dhe i komunitetit hebraik rezident në Sofje dhe deklaroi para gjykatës së rëndësishme të Sheriatit, si më poshtë: «Hebreu Avram, i biri i Jakos, anëtar i kongregacionit ashkenaz të komunitetit të lartpërmendur hebraik, i cili nuk është prezent para trupit gjykues, më ka marrë borxh, qysh para një viti e gjysmë, përpara se ky dokument të lëshohej, 59 grosh për rroba të leshta dhe fine. Sidoqoftë, i lartpërmenduri Izrael e garantoi borxhin sipas ligjeve të Sheriatit që kanë të bëjnë me garancitë. Tani, meqë i lartpërmenduri Avram nuk është prezent, po e kërkoj shumën e lartpërmendur të lartpërmendurit Izrael, sipas paracaktimeve që ka bërë ai në garancinë e vet. Unë bëj kërkesë që ai të merret në pyetje dhe shuma në fjalë të paguhet». Kur u pyet i lartpërmenduri Izrael, ai e mohoi në mënyrë të prerë garancinë në fjalë. Atëherë kur u pyet Zeneli i lartpërmendur, që të binte prova për akuzën e tij, ai u betua për vërtetësinë e thënieve të tij, por nuk solli asnjë provë; dhe kur iu kërkua Izraelit që të betohej se nuk ishte garantues i ndonjë marrëveshjeje për shumën 59 groshë që iu ishin dhënë borxh personit që mungon (Avramit), Izraeli u betua siç duhet, në emër të Zotit, që i shpalli Toranë Moisiut, që paqja qoftë mbi të. Zenelit iu ndalua që të bënte ankesa pa pasur prova. Kjo u protokollua më kërkesën e të dy partive. E shkruar në dhjetëditëshin e dytë të muajit cemazielahir (9-16 korrik) të vitit 1091 të Hixhretit (1680). Dëshmitarë për faktet ishin: Kryemuhziri Mehmed Çelebi; Ahmed Çelebi, ketyda i muhzirëve; Musa Beşe b. Şaban; Ali Beşe Kystendeli; Mehmed el-muhzir dhe të pranishëm të tjerë.

Në lidhje me marrëdhëniet tregtare midis shkodranëve dhe hebrenjve, ia vlen të përmendim këtu letërkëmbimet e firmës tregtare Çoba me Abraham M. Kohen në Korfuz dhe Abraham S. Albashary në Budapest146 aty nga fundi i shek. XIX (datë 10-27. 08. 1891), dhe një njoftim të vitit 1897, të tregtarit hebre Armand A. Kohen dërguar tregtarit Pashko Saraçi për formimin e një shoqërie tregtare. Kohen, pra në këtë njoftim kërkon të lidhë marrëdhënie tregtare me Saraçin.

Tani, përsa i përket Lezhës, e cila në kohën e Perandorisë Osmane, si port (Shëngjini) kishte rëndësinë e saj. Kemi të dhëna që ky port përdorej në shek. XV dhe XVI nga tregtarët hebrenj pasi ishte i përshtatshëm për transportimin e mallrave nga Venediku për në qytetet e tjera të Perandorisë Osmane dhe anasjelltas. Hëpërhë nuk kemi të dhëna të mjaftueshme për ndonjë bashkësi hebraike në këtë qytet. Por aty, sipas Kotanit duket se ka ekzistuar ndonjë komunitet: “Për këtë hedh dritë, letra që Këshilli i Pleqve të Qytetit i drejton Papës së Romës më 23 prill 1565, me anën e së cilës i ankoheshin për peshkopin e tyre, pasi veç të tjerash, luante publikisht me letra e me zare me myslimanë e hebrenj.”

Në vitin 1578 në Arkivin Historik të Dubrovnikut në fondin NOLI, përmendet edhe një tregtar hebre nga Lezha me emrin Izak Kovesti. Por, që hebrenjtë shkonin në Lezhë (në panairin e këtij qyteti) për të bërë tregti, këtë e vërteton edhe një protokoll gjyqësor i janarit të vitit 1694, në të cilin bëhet fjalë për Shemuel Benjaminin dhe David Mihaelin, dy argjendarë hebrenj nga Janina të cilët kishin qenë në panairin e qytetit të Lezhës dhe nga atje ishin nisur për në Berat, dhe pastaj ishin vrarë rrugës nga Elbasani për në Strugë.

Në lidhje me Durrësin mund të thuhet, se gjatë shek. XVI zbarkuan aty edhe një numër i vogël refugjatësh hebrenj nga Spanja, por aty nuk duket, se arritën të bënin pjesë në organizimin komunal të qytetit. Për vitin 1596 mësojmë për robër të zënë hebrenj që ishin sjellë në Durrës, por komunitetet hebrenje të Vlorës dhe të Beratit shlyejnë pengun që ishte për t’u paguar, me qëllim që të liheshin të lirë. Përsa i përket portit të Durrësit, duket se ai ka pasur pak a shumë të njëjtën rëndësi për tregtarët hebrenj, si ai i Lezhës.

Por, mbi aktivitetin e tyre nuk kemi të dhëna të tjera. Një të dhënë të vetme dhe për praninë e hebrenjve e kemi edhe për Kavajën ku thuhet se aty erdhën hebrenj që kishin ikur nga Janina gjatë shek. XIX, por Giakoumis nuk jep të dhëna të tjera në lidhje me ta. Mbi bashkësinë hebraike të Ulqinit nuk dimë më tepër, por Ulqini ishte vendi ku jetoi dhe veproi për një farë kohe Shabbetai Zevi, për të cilin do të bëhet fjalë pak më poshtë.∗

Ambasadorja e Izraelit: Shqipëria, shembull i bukur tolerancës ndërfetare

Ambadasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka qenë e ftuar në disa darka iftari të organizuar në Tiranë.

Izrael

Izraeli rihap hapësirën ajrore, kapen 99% e raketave iraniane

Nga më shumë se 30 raketa të lëshuara nga Irani, asnjëra nuk kishte arritur në Izrael.

Shqipëri

Rama dënon sulmin e Iranit kundër Izraelit: I paprecedent, rrezikon të destabilizojë rajonin

Kryeministri Edi Rama dënoi sot fuqimisht sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

BE dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit si ‘përshkallëzim të paprecedentë’

Bashkimi Evropian dënoi ashpër sulmin e drejtpërdrejtë ajror të Iranit ndaj Izraelit.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.