Hebrenjtë e Kosovës mes dy Luftërave Botërore

Hebrenjtë e Kosovës para Luftës së Parë Botërore, midis dy Luftërave Botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore


Nga Dr.Qazim Namani

HEBREJT E KOSOVËS DERI NË MBARIMIN E LUFTËS SË PARË BOTËRORE

Sipas të gjitha gjasave prezenca e hebrenjve në Mitrovicë daton që nga shekulli XVI. Ndër qytetet që jetojnë ma shumë hebrenj ishin Prishtina dhe Mitrovica. Hebrenjtë në Mitrovicë erdhën kryesisht nga Prishtina, hebrenjtë në Kosovë përveç gjuhës së tyre komunikonin në tri gjuhë shqip, serbisht dhe turqisht.[1]

Pas trazirave ndërmjet viteve 1690-1737 me sa duket bashkësia e hebrenjve mbijetoi në Kosovë. Nga mesi i shekullit XIX kishte tregtarë çifut në Prishtinë, Gjakovë, Prizren dhe qytete tjera duke përfshirë dhe 10 shtëpi hebrenjsh në qytetin veri-lindor të Kosovës Prokuplje.[2]

Gjendja shoqërore dhe ekonomike e popullsisë së qytetit të Prishtinës, sipas regjistrimit turk të vitit 1844, tregon se në Prishtinë jetonin 73% mysliman, 26% të krishterë dhe 1% hebrenj.[3]

Statistika e popullsisë në Vilajetin e Kosovës e bërë vetëm për meshkuj në vitin 1880, numëronte 475 hebrenj, Prej tyre në Prishtinë ishin regjistruar 62 vetë, kurse sipas regjistrimit të vitit 1900 Prishtina kishte 179 meshkuj hebrenj dhe 183 femra.[4]

Sipas konsullit Francez në pashallëkun e Prizrenit Emil Vyetu në vitin 1866 Prishtina kishte 11 mijë banorë, ku prej tyre afër 1000 ishin hebrenj. Konsulli i Austrisë në Perandorinë osmane, konti Andreaschy njofton se në sanxhakun e Prishtinës më 1885 kishte më se 1000 hebrenj. Sipas konsullit Marenin më 1899 në sanxhakun e Prishtinës kishte më se 1500, kurse në të Pejës 650 hebrenj.[5]

Studiues të ndryshëm kanë shënuar se në fund të shek. XIX në Prishtinë kishte pasur 350 hebrenj folës të gjuhës spanjolle. Sipas disa studiuesve në vitin 1910 në Kosovë kishte gjithsejtë 3000 çifut. Është e ditur se në legjislacionin e Serbisë, ka pasur disa nene anti semitike që u anuluan vetëm pas presionit diplomatik të perëndimit më 1889. Pas pushtimit Serbo-Malazez të Kosovës më 1912, disa nga këta hebrenj u shpërngulën në Turqi. [6]  Sipas Nushiqit, Prishtina në vitin 1902 kishte 500 hebrenj, kurse Maranin për të njëjtin vit jep të dhëna jo të sakta kur thonë se në Prishtinë jetojnë 22.000 qerkez dhe hebrenj.[7]

Gjatë luftërave ballkanike një numër i hebrenjve mobilizohet me dhunë në armatën serbe kundër popullatës shqiptare, dhe shumë prej tyre vdesin në frontin e Selanikut. Me 1913 krye rabini i hebrenjve “Sefardik” të Beogradit Isak Alkalaj erdhi në Prishtinë për ti bindur hebrenjtë që të mos shpërnguleshin në Turqi, duke ju premtuar të gjitha të drejtat qytetare. Nga udhë përshkrimi i Branisllav Nushiqit (me origjinë shqiptare) për Kosovën më 1912, i cili para luftërave ballkanike ishte konsull i Serbisë në Prishtinë shkruan se hebrenjtë jetonin në qytete të mëdha ku merreshin me zejtari, tregti dhe veprimtari administrative. Në fshatra nuk shkonin e as në qytetet e vogla si p.sh. në Vushtrri nuk jetonte asnjë hebre. Nushiqi shkruan se në Prishtinë e kanë komunën e tyre dhe shkollën me shtatë nxënës dhe janë në shërbim të administratës turke.

Hebrenjtë në trevat e Ballkanit ishin  me fe të ndryshme. Hebrenjtë nga Selaniku pjesa dërmuese i përkisnin fesë myslimane në sektin donme. Pas dëbimit nga Rusia 50 familje të hebrenjve erdhën në Prishtinë, për çudi brenda dy viteve vdiqën të gjithë anëtarët e 50 familjeve.[8]

Sipas statistikës turke në vitin 1911 në fondin Komiteti i Kosovës në Arkivin e Shqipërisë, dosja 27 theksohet se në Vilajetin e Kosovës jetonin 2009 hebrenj, prej tyre në Shkup 1343, në Prishtinë 547, në Kumanovë 93, në Mitrovicë 26 dhe disa persona te vetmuar ne Prizren, Pejë dhe Gjakovë. Sipas statistikës së Komitetit të Kosovës të cekur më lartë dosja 22 nga viti 1913 në Shkup jetonin 567 hebrenj, por nuk shënohen hebrenjtë tjerë në qytete tjera të Kosovës. Në regjistrin e vitit 1921 shënohet se në Prishtinë jetonin 322 hebrenj, në Mitrovicë 104, në Prizren 1, dhe 1 në Rahovec. Në regjistrimin e vitit 1931 në Prishtinë jetonin 373 hebrenj, në Ferizaj 3, Në Mitrovicë 110, në Prizren 11, në Gjakovë 6, dhe në Pejë 3 hebrenj.

Sipas të dhënave arkivore në territorin e Kosovës në vitin 1937 jetonin 506 hebrenj. Sipas dokumenteve ushtarake serbe në vitin 1905 në Vilajetin e Kosovës jetonin 3000 hebrenj, më 1910 jetonin 3200, më 1915 vetëm 298 hebrenj jetonin në Vilajetin e Kosovës, çka do të thotë se të tjerët ishin shpërngulur në Turqi.[9]

Sipas Almanakut Hebraik të vitit 1913 në Prishtinë shënohen 425 hebrenj, ndërsa në vitin 1921 ishin 322.[10]

HEBREJTË NË KOSOVË MES DY LUFTËRAVE BOTËRORE

Sjellja ndaj hebrenjve ndryshoi kah fundi i viteve 30 kur partia fashiste serbe “ZBOR” filloi fushatën e hapur anti semitike, kryerabini Alkalaj u dëbua nga senati me 1938, ndërsa me 1939 dhe 1940 kundër hebrenjve aplikohen restriksione të ndryshme ligjore. Milan Shuflaj (09 Nëntor 1879- 19 Shkurt 1931) një historian kroat me zë është vrarë nga serbet kur ishte duke e shkruar librin e tretë (the 3rd of “Codex Albanicus”). Librin e parë e kishte botuar në vitin 1913, kurse të dytin më 1918. Për vrasjen e Milan Shuflajt kanë reaguar Albert Einstein(Ainshtajn) dhe Heinrich Maun. Shuflai ishte një nga albanologët më të famshëm, i cili ishte i ftuar ta vizitoi Shqipërinë nga qeveria e kohës. Vepra e tij për shqiptarët i ka nxitur nacionalistet serb që ta vrasin, ku për vrasjen e tij Albert Ajnshtajni ka bërë një notë proteste në New York Times në muajin Maj 1931 i cili denonconte politiken shoviniste të regjimit të Beogradit. Më pas Ajnshtajn dhe Heinrich botuan një tjetër apel drejtuar ligës ndërkombëtare të drejtave të njeriut. Për librin e tretë të Shuflait nuk mundë të themi shumë sepse dorëshkrimet e tij u vodhën pas vrasjes së tij.[11]

Herman Bernstein në kohën kur ishte ambasador i SH. B. A. në Shqipëri në vitin 1930 e ka vlerësuar popullin shqiptar si populli më pak anti semit në botë.[12]

  Dr. Apostol Kotani autor i librit “Çifutët në Shqipëri në shekullin e kaluar” e përgënjeshtroi shkrimin e gazetës shqiptare në gazetën “Koha Ditore” të datës 03.05.2004. Dr. Kotani duke u bazuar në dokumente të ruajtura nga organizatat çifute vendase, dhe të huaja shkruan se në Kosovë deri në vitet 1910-1912 jetonin më shumë se 3000 çifut. Në Luftën e Dytë Ballkanike kur Serbia i pushtoi Maqedoninë dhe Kosovën ushtria serbe vrau rreth 25.000 shqiptar. Korospodenti socialist për Ballkanin Leo Trotzki, e përshkruan shumë qartë këtë gjakderdhje në një gazetë të Kievit. Për këtë gazetë Leo Freundlich çifut austriak reagoi në qarqet ndërkombëtare. Dimitrije Tucoviq e quajti këtë luftë koloniale, klasike dhe vrasje me paramendim te një kombi në librin e tij “Serbët dhe shqiptarët” botuar në Janar të vitit 1914 në Beograd. Kur është fjala për këtë periudhë z. Kotani shkruan se shovinizmi serb në atë kohë ishte i drejtuar edhe kundër çifutëve, kur pjesën ma të madhe të çifutëve i shpërngulen me dhunë në Turqi duke i quajtur agjent turq. Pas luftës ballkanike në Kosovë mbeten 300 çifut. Nacionalizmi serb i akuzoi hebrenj për anti sllavizëm dhe kolaboracion me armiqtë e kombit serb. Hebrenjtë ishin tregtarë të vegjël dhe klient të tyre ishin fshatarët shqiptarë.

Hebrenjtë ishin të koncentruar në qytete të mëdha. Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 1931 në Zagreb kishte më shumë se 20.000 hebrenj që përbënin 6.6% të numrit të përgjithshëm të banorëve në këtë qytet. Po sipas këtij regjistrimi në Beograd jetonin 9.000 hebrenj apo 3.5% e numrit të përgjithshëm të popullsisë. Hebrenjtë ishin të integruar mirë në shoqërinë ku jetonin, një numër i madh i tyre merrej me tregti dhe posedonin dyqane të ndryshme, por dhe asimilimi i tyre ishte shumë i madh. Këtë e dëshmon në librin e tij edhe Gavra Mandil i cili shkruan për asimilimin e shumë anëtarëve të familjes së tij në shoqërinë serbe.[13]

Ministria e mbrëmshme serbe me 13 qershor 1936 e nxori një ligj sipas të cilit i ndalohej të gjithë banorëve të Kosovës që nuk ishin serb të bënin tregti të lirë dhe të ndërronin vendbanimet.  Në këtë politik u përfshinë edhe çifutët që jetonin në Kosovë. Pas këtyre masave ndëshkuese kundër minoriteteve jo sllave, shumë hebrenj të Prishtinës me ndihmën e shqiptarëve u shpërngulën në Turqi.

Me porosi të Akademisë së Shkencave të Serbisë në vitin 1937 u botua punimi “Dëbimi i shqiptarëve” i autorit të kësaj akademie Vaso Çubriloviqit. Philip Cohen në librin e tij “Lufta sekrete e Serbisë, propaganda dhe falsifikimi i historisë” dokumenton pastrimin e të gjithë hebrenjve nga bashkëpunëtorët nazist të Serbisë i cili shkruan se ishte kryetar i qeverisë së Serbisë gjenerali Nediq i cili mburrej se Beogradi është kryeqyteti i parë evropian i pastruar nga hebrenjtë.[14]

 

HEBREJT E KOSOVËS GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

Pas pushtimit të Jugosllavisë nga Gjermanët në Luftën e Dytë Botërore shumë hebrenj nga viset veriore u shpërngulën në viset e Maqedonisë, Kosovës dhe të Dalmacisë që ishin në kontroll të Italianëve. Bazuar në regjistrimin e popullatës  mes dy luftërave e gjerë në vitin 1941 në Kosovë jetonin 92 familje të hebrenjve. Pas pushtimit të Jugosllavisë nga fuqitë e boshtit në prill të vitit 1941, pjesa më e madhe e Kosovës u pushtua nga italianët të cilët proklamuan ligjet raciale, por megjithatë ato nuk u zbatuan. Nuk u shpallën ndjekjet kundër çifutëve dhe ata nuk ishin të detyruar të bartin yjet e verdhë në rroba, shumë çifut nga Serbia erdhën në Kosovë sepse gëzonin një lloj sigurie.[15]

Gjatë viteve 1939-1940 organizata fashiste serbe “Zbor” që e drejtonte Lotiqi dhe përkrahej nga një pjesë e klerit serb i bëri listat për likuidimin e hebrenjve. Në vitin 1941 kjo organizatë e qarqeve gjermane ju dorëzoi listën e të gjithë hebrenjve që jetonin në Kosovë.[16]

Kur plani gjerman “Final Solution” ose zgjedhja përfundimtare u përdor për herë të parë në konferencën e Vansi (Vannsee) në Berlin, më 20 janar të vitit 1942, ku ushtarakët e lartë gjerman diskutuan për zbatimin e këtij plani për vrasjen e të gjithë hebrenjve në Evropë në këtë kohë qëndrimi i shqiptarëve ndaj hebrenjve ishte human dhe i drejtë.[17]

Më 24 prill 1942 e vizituan Mitrovicën Dr. Harolld Turner, krye shef i Shtabit Administrativ pranë Administratës ushtarake të Serbisë dhe përfaqësues i qeverisë kuislinge serbe, Millan Aqimoviq. Komanda qarkore e rojës shtetërore serbe gjendej në Mitrovicë. Organizata “Zbor” vazhdoi të punoi dhe veproi në mënyrë të organizuar dhe pas pushtimit gjerman. Stevan Iliq, udhëheqës i rajonit organizativ të “Zborit” në Mitrovicë më 8 korrik 1941 e kishte vizituar sekretarin e përgjithshëm të “Zborit” në Beograd, dhe prej asaj kohe rregullisht ju dergonte raport atij dhe Millan Nediqit për rrethana në Kosovë. Stevan Iliq u emërua shef i Qendrës Informative për Kosovë. Stevan Iliqi bashkëpunonte gjithashtu edhe me Gestapon në Mitrovicë.[18]

Qeveria serbe e Millan Nediqit në fillim të vitit 1942 i shtoi shpërblimet për informimin, zënien dhe likuidimin e kundërshtarëve. Në luginën e Ibrit vepronte edhe aradha çetnike në udhëheqjen e Mashan Gjorgjeviqit i cili ju drejtua Millan Nediqit me kërkesë që të ju lutet organeve ushtarake gjermane që kjo aradhë të mbetet në këtë luginë. Kjo u arrit pasi që çetnikët kishin dhënë shumë dëshmi të bashkëpunimit me gjermanët. Në prill të vitit 1942 edhe lotiqistet erdhën në luginën e Ibrit, më këtë rast organizuan një solemnitet më 26 maj 1942. Meshën e kreu në kishën ortodokse në Leshak Kleriku-Lotiqist Boshko-Haxhi-Trifunoviq. Në mars të vitit 1943 u formua korpusi i dytë çetnik i Kosovës me shtatë brigade.[19]

Gjermanët dhe Millan Nediqi dërguan qysh në fillim të vitit 1942 forca të mëdha ushtarake në luginën e Ibrit për mirëmbajtjen e hekurudhës dhe rrugës. Njësitet e Nediqit ishin shpërndarë në Mitrovicë, në Rashkë, në Podjevë, Vushtërri, dhe Novi Pazar.[20]

Disa qindra hebrenj nga Prishtina dhe Mitrovica u depërtuan në kampin e Zemunit, e pastaj në Bergen-Belsen. Bazuar në këtë të dhënë nga Muzeu i Zagrebit, në Kosovë thuhet se ka pas 550 hebrenj, prej tyre janë vrarë 210 ose 38,2%.[21] Nga kjo e dhënë kuptojmë se bëhet fjalë për vrasjen e 210 hebrenjve, shifër kjo që qarqet e ndryshme sllave u orvatën që këtë të keqe të ju veshin shqiptarëve.

Nga të dhënat e cekura më lartë mundë të pohojmë se edhe nëse është bërë kjo vrasje dhe dorëzim i hebrenjve , këtu nuk kanë dorë shqiptarët sepse me shumë shembuj konkret dëshmohet virtyti i shqiptarëve dhe sakrifica e tyre për shpëtimin e hebrenjve. Shqiptarët e Kosovës edhe pas pushtimit të Shqipërisë nga forcat gjermane u gjenden në pozita të larta shtetërore atje dhe pot ë ishin vrasës dhe ndjekës të hebrenjve këtë do ta bënin edhe në Shqipëri. Shtohet pyetja a thua fati i 210 hebrenjve ishte vepër e forcave çetnike që vepronin në Mitrovicë dhe rrethinë të cilët në atë kohë bashkëpunonin me forcat gjermane. Kjo bënë të mendohet se këta hebrenj ishin nga Serbia të cilët u penguan që të hyjnë në Kosovë nga koloboracionistet serb, duke i kthyer prapë në Serbi-Zemun për ti dërguar pastaj në kampin e Bergen Belzenit, sigurisht se shqiptarët nuk i dërguan në Zemun as prej Zemuni në kamp për vrasjen e tyre. Kjo çështje kërkon një studim të hollësishëm për të kuptuar realitetin dhe fatin e këtyre 210 hebrenjve që studiuesit sllav e veçanërisht ata serb u orvatën që këtë të keqe të ju veshin shqiptarëve të Kosovës. Nga dokumentet e kohës dhe të mbijetuarit e hebrenjve që kishin qenë në kampin e Prishtinës kuptojmë për sjelljen humane dhe korrekte të ushtarëve Italian dhe shqiptarëve të Kosovës të cilët bënë çmos që hebrenjtë nga ky kamp të dërgohen në Shqipëri.

Kur në vitin 1942 gjermanët urdhëruan kapjen e çifutëve në Kosovë, autoritetet shqiptare i urdhëruan çifutët që të shkojnë në Shqipëri. Rreth 500 çifut sa ishin në Kosovë në atë kohë kaluan në Shqipëri të cilët u vendosën në Berat, Krujë. Pas kapitullimit të Italisë Shqipëria u pushtua nga gjermanët por ë gjithë çifutët u strehuan te fshatarët shqiptar. Shqipëria doli nga lufta e dytë botërore si i vetmi vend evropian që kishte më shumë çifut se para lufte.

Pas Luftës së Dytë Botërore në Prishtinë jetonin familja e z. Haim Adzhesit, e z. Zhak Rubenoviqit, e zonjës Sarina samuiel-Baharit dhe disa anëtar të familjeve hebraike të cilat  mbijetuan.[22]

Prenk Uli që kishte qenë sekretar i Prefekturës së Prishtinës gjatë luftës së dytë botërore njihet si shpëtimtari më i madh i hebrenjve në Prishtinë, këtë e dëshmoi Josif Levi i cili kishte qenë rabin hebraik në Prishtinë kur thotë se Prenk Uli me trimëri të pa shoqe i shpëtoi 52 hebrenj.[23]

Sipas Michele Sarfattit në rrethana të pa qarta në Kosovë, ende nuk ka ndodhur të vërtetohet e njëjta sjellje ndaj hebrenjve sikurse në Shqipëri. Duke ju referuar dy letrave të deleguarit apostolik në Shkodër dhe kujtimeve të një hebreu të mbijetuar e më vendbanim në Beograd. Sarfatti shpreh mendimin se afro 500 hebrenj u janë dorëzuar nazistëve, ndoshta pa dijeninë e shqiptarëve por të cilët më pas u likuiduan në Bergen-Belsen. Edhe Bernd Fischer ka mbrojtur mendimin se izraelitet në Kosovë kanë qenë më të rrezikuar se ata në Shqipëri. Sipas tij në Kosovë pati një humbje të hebrenjve prej afro 40% , duke parashtruar hipotezat se ndoshta batalioni “Skenderbeg” mundë të ketë bashkëpunuar me forcat naziste. Me 23 gusht 1942 autoritetet e qeverisjes vendore në Prishtinë me anë të një letre drejtuar Ekrem bej Vlorës e përgëzoi qeverinë për vendimin e marrë më 29 maj 1942 për largimin e hebrenjve nga Prishtina për në brendi të Shqipërisë. Ky letër këmbim zyrtar shoqërohet edhe me listën e plote të 94 familjeve dhe 87 individëve hebrenj të larguar nga Prishtina në Shqipëri.[24]

Ka më shumë se dy dekada që shkruhet se në Kosovë ka ekzistuar divizioni “Skanderbeg” i krijuar me emër të Himmler-it, që ka vrarë , masakruar , viktimizuar dhe dërguar në kampet e përqendrimit qindra hebrenj. Duke manipuluar me këto të dhëna disa studiues pa burime dhe fakte historike, i futën shqiptarët e Kosovës në grupin e popujve të ish Jugosllavisë që e përkrahën holokaustin dhe bënë krime, vetëm që të zbusin shifrat për dhjetëra mija hebrenjsh të dërguar në kampet e përqendrimit. Në “Atlas of the holocaust” të Martin Gilbert-it Kosova nuk ekziston e veçuar dhe nuk raportohen të dhëna për holocaust. Në një hartë të Shqipërisë shtetërore përshkruhet itinerary i 400 hebrejve që nga Shkodra njekën drejtimin për në Prishtinë, por nuk shënon datën se kur ka ndodhur kjo lëvizje. Prof Dr. Shaban Sinani shkruan se autori i atlasit duke e ditur se në vitin 1941 një kontingjent prej 350 hebrenjsh të Dalmacisë erdhën nga viset verilindore të Adriatikut në Shqipëri, ndoshta autori supozon se hebrenjtë ndërrua drejtimin dhe shkuan në Prishtinë. Ose ndoshta autori s’ka njoftime se ekzistojnë dokumente që dëshmojnë se ky kontingjent hebrenjsh u prit në Durrës dhe u sistemua në Kavajë.[25]

Stephen Schwartz, duke shkruar për përfundimet e jude fobisë në Bosnje gjatë luftës, shkruan se “ it is true that the Albanian waffen SS Skanderbeg division turned some 210 Jews in Kosovo over to the nazis”. Së paku ai kujtohet të saktësoj se “not one Jew was handet over in Albaniaitselt” (“The Jews, the serbs, and the truth”).[26]

Shumë autor të shtyrë nga qarqe të ndryshme anti shqiptare, apo edhe ndoshta duke mos pasur njohuri të mjaftueshme rreth ngjarjeve që ndodhën në Prishtinë, gjatë luftës së dytë botërore, me apo pa dashje gabuan kur shkruan për divizionin “SS Skenderbeg” dhe çështjen e hebrenjve në burgun e Prishtinës.

Jean-Moise Braitberg, një prej studiuesve të “Steinberg Institute” pohon një shifër tjetër. Sipas tij në prill të vitit 1942 ministri shqiptar I punëve të brendshme instruktoi që hebrenjtë e ardhur për shkak të luftës të mblidhen në një kamp përqendrimi në Prishtinë. Prej andej “On evalue a 400le nombre de Juifs arêtes par les fascists albanais et places sous leur garde au camp de Pristina, la plupart d’entre eux furent envoyes a Bergen-Belsen et illy eu environ 100 survivants”. Në fakt autori duhej ta dinte se në vitin 1942 nuk kishte divizion “Skenderbeg”, ai u krijua në mars 1944, ose të paktën që ende nuk ishte themeluar as kampi i përqendrimit i Bergen-Belsen-it.[27]

C.K. Savich dhe tribuna e tij “Serbiana” nuk mundë të qëndronin pa propozuar shifrën e tyre: “The definitive work on Hitler’s final solution in Yugosllavia estimates that 550 Jeës lived in Kosovo, ëhen Hitler took over Yugosllavia. 210 of them, or 38%, were murderd in Kosovo, mainly by Albanians. In fact, the skanderbeg division’s first operation was to act as an Einsatzgruppe againstthe Jews”.

Nuk është e ditur se nga cili burim janë marrë shifrat e përmendura por për implikimin e divizionit “SS Skenderbeg” në holocaust shkruan dhe studiuesi B. Fischer, që nga të arrestuarit prej nazistëve “400 hebrenj të Kosovës përfunduan në Bergen-belsen, nga mundën të mbijetojnë vetëm 100”.

Tani është vërtetuar se për herë të parë shifra prej “519 personash” të arrestuar nga divizioni “SS SKenderbeg” e ka përmendur studiuesi serb Milorad Vavic (“Kosovski jevreji za vreme okupacije 1941-1944”, të botuar më 1983), këtë e ka rimarrë të referuar “ dhe në burimet arkivore serbo-hebraike” P. D. Ivanov, në librin e tij “Jevreji Kosova i Metohije” Beograd 1988 fq.70.

Prof Dr. Shaban Sinani shkruan se dr. Mr. Altskan, funksionar në departamentin e kërkimeve në muzeun memorial të holokaustit ja ka dhuruar kopjen e një dokumenti, të depozituar në arkivin e Pentagonit (US ARMY) në vitin 1947, së bashku me një riprodhim identik të dokumentit bazë gjermanisht, në përbërje të një korrespodence që zgjat ndërmjet viteve 1943-1944. Transkriptimi i dokumentit NOKN-general, NOKN- Slave Labor, Summary (indicate page nos.) Page 27, WIII, Abwehrlage (situation of defense), point 4, Verhaftuingen (arrestes).

The SS Division arrested 510 Jeës, komunisten, helper of partisans (Bandenhelfter) and persons suspicious in political respect (pilitisch verdachtingen). They ëere taken in custody (Sichorungsverëahrung) in division’s prisoner camp and 249 of them transported to Germany labor. (Analyst’s note: “SS Div” quoted in the situation report is SS Div. “Skanderbeg”. Only pages 1, 27 and 33 of the situation of report are of importance” Maj.Gen. Kuebler, Joseph- personal record attached. 17. janar 1943: konrad: National Socialist in action and word; 8 august 1944: Rendulic, Kuebler is a good National Socialist”.

Prof. Shaban Sinani shkruan se në përmbajtjen e këtij dokumenti gjendet filli i konfuzionit të qëllimshëm me shifrat e “hebrenjve të viktimizuar në Kosovë”. Dokumenti bënë fjalë për arrestimin e 510 personave, por ata nuk ishin të gjithë hebrenj. Të arrestuarit kryesor ishin komunistë, mbështetës të partizanëve (të bandave), persona politikisht të dyshimtë, andaj me të drejtë prof. Shaban Sinani e shtron pyetjen: Pse ky zell, atëherë, për ta gjeneralizuar menjëherë shifrën dhe për t’i implikuar shqiptarët në ushtrim të holokaustit? Duke i bërë një analizë të kujdesshme përhapjes së parë të këtij fakti, dhe duke mos bërë asnjë saktësim se në këtë numër përfshihen edhe shumë kategori tjera kundërshtarë të nazizmit, mund të kuptohet qëllimi: të paraqiten shqiptarët e Kosovës si të prirë për krime kolektive, veçmas si pjesëmarrës aktivë në Shoah. Manipulimet me shifra të hebrenjve që lufta i zuri në Kosovë merr fund me zbulimin e listave të transportit (“Transportliste”), të hartuar në Prishtinë pikërisht në gusht të vitit 1944. Në këtë dokument divizioni “SS Skanderbeg” ngarkohet  të kryej detyrën “transport der kommunisten und partizanen”. Lista gjendet në treguesit: AQSH, F. 153, V. 1944, D. 172, fl. 10-38. Pjesa e parë e kësaj liste mbyllet me numrin 239, kurse pjesa e dytë e listës mbyllet me numrin 249. Ekzistojnë edhe dy aneks-lista, të dhënat e të cilave përllogaritur një për një. Sipas këtyre listave, që sinkronizohen në të njëjtin veprim që përmend dhe dokumenti i MMH, divizioni “SS Skanderbeg” ka shoqëruar dhe jo dorëzuar apo viktimizuar në kampin e përqendrimit të Saimishtes afër Beogradit dhe jo në Bergen-Belsen. Në të dy listat, bashkë me dy anekset,  që përmbajnë 519 emra, janë vetëm 32 hebrenj të depërtuar nën shoqërimin e divizionit “SS Skanderbeg”. Pjesa tjetër e personave të arrestuar janë shqiptar të arrestuar si komunist, partizanë, kundërshtarë të nazizmit; gjithashtu antifashistë malazezë dhe pak serbë.[28]

Bazuar në këtë listë që e ka ofruar prof. Dr. Shaban Sinani, dhe listën e hebrenjve që kanë jetuar në Prishtinë deri në vitin 1941 të publikuar në punimin e magjistraturës së Mr. Çedomir Prilinqeviqit, përveç një emrit të një vajze të quajtur Dijamanta Avrami asnjë emër tjetër nuk përputhet me hebrenjtë e Prishtinës. Deri më tani nuk ka ndonjë e dhënë tjetër që dëshmon për internimin e hebrenjve nga divizioni “SS Skenderbeg”. Shumë pak është për të besuar se shqiptarët kinse i paskan shoqëruar këta hebrenj deri në Beograd, kur tani ma veç janë të njohura përpjekjet e shqiptarëve dhe kontributin që dhanë për shpëtimin e hebrenjve në momentet ma kritike për ta. Akuza për pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në shoah do të përfundonte vetëm kurë të kuptohet qëllimi dhe gënjeshtra e disa studiuesve e veçanërisht atyre sllavë që manipuluan me shifrat prej 400, 519, apo 800 hebrenjve të depërtuar kinse në kampe të përqendrimit nga divizioni “SS Skenderbeg”.

Të shohim si ka qëndruar gjendja me hebrenjtë që ishin të pranishëm në mesin e popujve tjerë të Ballkanit dhe më gjerë.

Autoritetet e Beogradit gjatë luftës së dytë botërore njoftonin R.SH.A. në Berlin se Serbia ishte pastruar nga çifutet.[29]

Sipas statistikës së luftës së dytë botërore për holocaust në shtetet evropiane jetonin 9.508.340 hebrenj prej tyre janë vrarë 5.962.129 ose 63% kanë mbijetuar 3.546.211. Nga kjo statistikë shihet se në jugosllavi nga 78. 000 hebrenj janë vrarë 63.300 apo 81% kishin mbijetuar 14.700. Në Greqi nga 77.380 ishin vrarë 67.000 apo 87%, kishin mbijetuar 10.380. Në Itali nga 44.500 ishin vrarë 7.680 apo 17% kishin mbijetuar 36.820. [30]

Në fillim të vitit 1943 për pak javë, thuajse e gjithë bashkësia çifute e Selanikut, prej afro 50.000 banorësh u depërtua në Aushvic. Vetëm një numër i vogël i tyre mbeti gjallë. Kjo bashkësi në kohën e lulëzimit të saj që njihej me emrin MALKAH ISTAILMbretëresha e Israelit” tani nuk ekziston më.[31]

Selaniku është quajtur edhe nëna e çifutëve, në këtë qytet para lufte jetonin  komunitete hebrenj që mbanin emrin nga vendet që kishin ardhur pas dëbimit nga Spanja dhe vendet tjera më 1492 si: Kastiljan, Aragon,Toledo, Sicilian, Kalabrian, Kordovas, Portugez, Romaniot dhe Ashkanet. Në vitin 1498 Selaniku kishte 30.000 hebrenj.[32]

Ata pak hebrenj të Selanikut që shpëtuan, shpëtuan po thuajse falë fisnikëve grekë të cilët rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar miqtë ose shokët e biznesit. Ekstremet e shifrave 100% shpëtuan në Shqipëri dhe vetëm 10% në Selanik përbën një fushë kërkimesh të pasur për historianët.[33]

Kur të analizojmë numrin e hebrenjve të vrarë nga kolobarcionistet dhe shovinistet e shteteve fqinjë të shqiptarëve, shqiptarët si popull mundë të krenohen me virtytet e tyre njerëzore dhe morale për të cilat janë shquar në të gjitha luftërat rajonale.

Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe hebrenjve kanë qenë në një nivel shumë të lartë. Fizikani më i madh në botë, Albert Ajnshtajn që kishte origjinë hebrenj u ftua në Tiranë nga mbreti Zog. Krijuesi i teorisë së relativitetit ka zhvilluar edhe disa takime zyrtare e jo zyrtare me drejtuesit e shtetit shqiptar.[34]

Dr. Ana Kohen thotë se familja e saj ishte nga Janina, ku vetëm 10% e hebrenjve shpëtuan. Shkuam në malet e Vlorës i ndërruam emrat në mysliman, u përziem me vendasit të cilët na pranuan dhe na trajtuan si vëllezërit dhe motrat e tyre.[35]

Pas kapitullimit të Italisë në shtator të vitit 1943 shumë çifut gjetën strehim ndër fshatar dhe familje shqiptare. Pas pushtimit Italian të Kosovës, disa hebrenj që erdhën nga veriu u vendosen në kamp, italianët ishin njerëzor në trajtimin që u bënin hebrenjve në këtë kampin e Prishtinës. Kur hebrenjtë u ankuan për mbi popullim të kampit, italianët ua bënë këtë çështje të njohur gjermanëve. Të nesërmen ata shkuan te kampi, morën gjysmën e hebrenjve që ndodheshin aty i dërguan tek një pyll (Tauk-Bahqe) afër Prishtinës dhe i pushkatuan.[36] Në vitin 1944 në Prishtinë kur komunistet e morën dhe e pushtuan qytetin bënë pushkatime të shqiptarëve dhe hebrenjve të vendi i quajtur “Shejtaria” në Tauk-Bahqe. Këtu u pushkatua edhe hebreu i pasur z. Salamon Bahari dhe djali i tij Moshe Bahari me sajimin e akuzës se gjëja babë e bir iu kishin dhënë ryshfet gjermanëve dhe shqiptarëve që ishin bashkëpunëtor të armikut, por qëllimi kryesor i pushkatimit të tyre ishte plaçkitja e pasurisë së z. Salamon Bahar i cili kishte qenë pasanik i madh para dhe gjatë luftës. Sarina Samujel Bahar e shoqja e z. Moshe Baharit, jetoi në Prishtinë deri në vitin 1981, kur dhe vdiq.[37]

Hebrenjtë nga Serbia dhe Kroacia filluan të zhvendosen në trevat ku jetonin shqiptarët, ku ndiheshin të trajtuar më mirë prej shqiptarëve dhe Italianëve, derisa edhe këtu arritën gjermanët. Sido që të ketë ndodhur, mënyra se si shqiptaret i trajtuan hebrenjtë mbetet e pakrahasueshme me atë çfarë bënë të tjerët ndaj tyre. Shqiptarët as nuk i dorëzuan listat e hebrenjve tek gjermanët e as nuk morën pjesë në arrestimin e tyre. Në Prishtinë , me kërkesën e gjermanëve, autoritetet lokale i përpiluan listat e hebrenjve. Kjo solli arrestimin e 60 burrave hebrenj. Një doktor simpatik shqiptar Spiro Lito, e bindi kryesinë e vendit që të mos lejonin dërgimin e 60 hebrenjve në Poloni.  Hebrenjtë u dërguan në Berat, u pajisen me dokumente false dhe u shpërndanë nëpër Shqipëri,  në qytetet Lushnjë, Shijak, Kavajë e Krujë.[38]

Për trajtimin e hebrenjve të ardhur nga viset tjera te ish Jugosllavisë Gavra Mandil në librin “Zivot u cerno-belim slikama” jep të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar mikpritjen dhe qëndrimin e shqiptarëve të Kosovës ndaj hebrenjve, por dhe mikpritjen shqiptare gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Po ashtu edhe trajtimi i hebrenjve në burgun e Prishtinës nga ushtarët Italian ishte human dhe njerëzor. Në këtë libër përshkruhen kujtimet nga udhëtimi i hebrenjve nga Prishtina për në Kavajë.[39]

Pas hyrjes së trupave naziste në Prishtinë u krijua një gjendje e vështirë, si për izraelitët vendas, ashtu edhe për ata që kishin ardhur nga viset tjera. Zhulia Kantozi, një nga izraelitet e Prishtinës që më pas erdhi në Shqipëri, në dëshminë dhënë autorit në vitin 1968, ka pohuar se në Prishtinë u grumbulluan rreth 2000 hebrenj. Me urdhër të nazistëve, të gjithëve na vunë në krah një shirit të bardhë me shkronja të zeza ku shkruhej fjala “Jud”. Në të gjitha banesat dhe dyqanet e hebrenjve kishin vendosur nga një flamur gjerman. Në letërnjoftime na kishin shtamposur një “J” me ngjyrë të kuqe. Kur erdhën Gjermanët në Mitrovicë u kërkuan autoriteteve italiane t’u dorëzonin izraelitët e Prishtinës. Ndër izraelitet dhe popullsinë vendase u dha alarmi. Shqiptarët e Prishtinës, përfshi edhe ndonjë nga autoritetet e vendit, shkuan menjëherë në komandën e karabinierisë italiane dhe iu luten që të mos i dorëzonin, por të gjenin rrugë e mundësi për ti shpëtuar duke i nisur për në Shqipëri. Italianët që tregoheshin më humanë e tolerues e morën parasysh këtë kërkesë dhe grupe i nisën në Shqipëri.

Francesco Jacomoni, në kujtimet e tij shkruan se si kryeministri shqiptarë i asaj kohe Mustafa Kruja, kishte kërkuar takim dhe e kishte lutur që ti shpëtoi izraelitet e tokave shqiptare të Kosovës. Jacomani e miratoi këtë kërkesë dhe menjëherë veproi për largimin e hebrenjve nga Prishtina për ti sjellë në Shqipëri.[40]

Mustafa Kruja u tregua i aftë për të përballuar situatat me guxim dhe shpirtbardhësi pas marrjes së detyrës së kryeministrit. Tek ai kishte shkuar konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë për ti paraqitur një not verbale përmes së cilës qeveria naziste kërkonte ti dorëzoheshin më shumë se treqind hebrenj që pas largimit nga Jugosllavia ishin strehuar në Shqipëri. Komanda ushtarake gjermane në Beograd kishte të dhëna të sakta rreth emrave dhe vendosjes së tyre në Kosovë. Mustafa Kruja erdhi dhe më kërkoi leje që ti linim të pa shqetësuar në Shqipëri sepse atje nuk kishte në gjithë vendin ushtarë gjerman që mundë ti identifikonin. Sidoqoftë u ra dakord që refugjatët hebrenj të transferoheshin në zonën e Gjirokastrës që ishte në kufi me Greqinë, e cila mbahej e pushtuar nga trupat italiane. Ata do të pajiseshin me pasaporta shqiptare me emra të rremë dhe me materiale të tjera aty ku do të ishte e nevojshme. Këto masa i bënë të  mundur Mustafa Krujës që pas disa ditësh ti përgjigjej konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë se, të gjitha kërkimet në Kosovë rreth këtyre emrave nuk kishte nxjerr asgjë.[41]

Zyra politike e Ministrisë së Punëve  të brendshme me telin shifër nr. 11/19, datë 30.03.1942, urdhëroi prefekturat Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Dibër, që gjithë izraelitët brenda tri ditëve, me letër shtrëngimi të dërgoheshin në prefekturën e Beratit. Në bazë të këtij urdhri më 05.04.1942 në Berat arriti kontingjenti i parë i hebrenjve prej 100 vetash. Nga Peja u nisën më 09.04.1942 për në fushën e përqendrimit të Prezës 79 izraelit. Me urdhrin telegrafik11/25 të datës 01.04.1942 Zyra Politike e Ministrisë së Punëve të Brendshme, drejtuar prefekturës së Prizrenit, urdhëroi që të gjithë izraelitët e ardhur aty nga viset tjera të grumbulloheshin në një fushë përqendrimi për të gjithë Kosovën, në marrëveshje me autoritetet ushtarake. Më pas me urdhrin telegrafik 11/95 të datës 05.07.1942, të Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, drejtuar prefekturës së Prishtinës, të 69 izraelitët që qëndronin në burgun e Prishtinës u nisën për në Shqipëri në qendrat e përqendrimit: Kavajë, Burrel, Krujë e Shijak. Gjatë vitit 1942 dhe fillim të vitit 1943 erdhën edhe grupe të tjera hebrenjsh nga Prizreni, Prishtina, Ferizaj dhe vende tjera.[42]

Riza Drini ish prefekt i Prishtinës gjatë viteve 1941-1942 dhe Hysen Prishtina në vitet 1943-1944 kanë ndihmuar në shpëtimin e shumë hebrenjve të Prishtinës dhe qyteteve tjera të Kosovës përmes formave të ndryshme i dërgonin në Shqipëri. Riza Çitaku ish banor i Prishtinës, në vjeshtën e vitit 1943 ka strehuar dhe shpëtuar bashkëshorten e Josef Baharit, e cila kishte shkuar nga Kavaja në Prishtinë për ti parë prindërit. Pasi e kishin future në kamp, ajo ishte arratisur dhe ishte strehuar për një kohë të Rizai i cili me ndihmën e prefektit Hysen Prishtina e shpëtoi.[43]

Në vitin 2005, në Prishtinë Dr. Ramadan Xhema me vendbanim na Sh. B. A. deklaroi se ka ekzistuar një kanal i shpëtimit të hebrenjve të Prishtinës nëpër mes fshatit Prapashticë drejtë shteteve të lindjes, por nuk la të kuptohet se ka ndonjë dokument apo kjo e dhënë është e ruajtur vetëm në kujtesën popullore shqiptare.

Murteza Studenica në librin e tij “Shqiptarët dhe Hebrenjtë” shkruan: Kur gjermanët kishin kërkuar listën e hebrenjve që jetonin në trojet etnike shqiptare, dy hebrenj lider të komunitetit hebraik, z. Kohen dhe z. Jakoel shkuan në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe kërkuan mbrojtje. Ekzistonte një marrëveshje midis gjermanëve dhe Xhafer Devës, se gjermanët nuk duhet shumë të përzihen në punët e brendshme të qeverisë. Këta dy hebrenj u takuan me Xhafer Devën, ishin të shqetësuar se ky do ti dorëzonte në Gestapo (Geheim Stat Polizei-Policia Sekrete Gjermane). Xhafer Deva për befasinë e këndshme të këtyre dy hebrenjve, refuzoi që ti dorëzonte listat e emrave të hebrenjve, që gjendeshin në trojet etnike shqiptare. Mjekët dhe gjykatësit shqiptar nga Kosova i dërgonin hebrenjtë qoftë për mjekim apo për ta kryer burgun në Shqipëri , me të vetmin qëllim shpëtimin e tyre.[44]

Martin Gilbert është i pari që në librin e tij “Atlas of the holocaust” shënoi mbi hartën e Shqipërisë shtetërore “200 hebrenj të zhdukur”. Askush s’e di se ku e gjeti autori këtë shifër. Në të kundërtën, qoftë Instituti “Yad Vashem” në Izrael, qoftë Muzeu Memorial i Holakaustit në SH.B.A., Institucionet më të specializuara për historinë tragjike Shoah ose Holokaust[45], rastin e Shqipërisë ku s’pati viktimizim dhe përzënie të hebrenjve, e veçojnë si një model të papërsëritshëm. Sipas enciklopedisë “Pinkas Hakehillot Yavan” (Yad Vashem, 1998), në Shqipëri s’ka pasur holocaust. Forumi Ndërkombëtar i Holokaustit, që u themelua në Stokholm në vitin 2000 po ashtu rikonfirmoi se në Shqipëri jo vetëm nuk ka pasur holocaust, por janë shpëtuar qindra e mijëra hebrenj të vendeve tjera që gjeten shpëtim nën mbrojtjen e shqiptarëve.[46]

Studiues dhe njohës të historisë së Shqipërisë dhe të historisë së holokaustit si: B. Fischer, N. Malcolm, H. Sarner, J. Goldfarb, P. Stambul, në kohë të ndryshme janë shprehur se “në analizën përfundimtare 100% e hebrenjve të Shqipërisë mbijetuan nga lufta”. Në dy dekadat e fundit, për shkaqe nga më të ndryshmet, duke përfshirë edhe keqdashjen për këtë faqe të përndritur të historisë së popullit shqiptar, kanë nisur të shërbehen për qëllime statistikore gjithë far shifrash, që synojnë ta njollosin ndoshta të vetmin shembull ku hebrenjtë, vendës e të ardhur, u shpëtuan në tërësi shkruan prof Dr. Shaban Sinani.

Kur nazistët i kërkuan listat e hebrenjve më 1943, qeveria shqiptare kundërshtoi ti dorëzonte ato. Populli shqiptar pa dallim feje ju dha strehë, bukë, mbrojtje dhe bëri që asnjë prej tyre të mos bëhej pre e holokaustit.[47]

Naftali një i ri që lufta e kishte zënë katërmbëdhjetëvjeçar tregon se si nga Serbia kanë kaluar në Bullgari, e më pas në Kosovë, i cili burgoset me tërë familjen e tij. Atëherë ai thotë ne pamë anën më të ndritshme të shqiptarëve. Një grup gjykatësish shqiptarë erdhën dhe kërkuan që të bëhej zhvendosja e refugjatëve më në jug të vendit. Ata e bënë këtë për të shpëtuar jetët tona dhe për të ja arritur kësaj na transferuan në Kavajë.[48]

Ana Lalaj në studime te saj tërheq një paralele midis qëndrimit të shqiptarëve ndaj hebrenjve dhe qëndrimit të shqiptarëve ndaj fqinjëve. Te shqiptarët nuk gjen asnjë platformë civile apo ushtarake të shfarosjes në masë, të zhdukjes së shtetit fqinjë ose të kombit fqinjë. Përkundrazi, mesazhe miqësie e mirëkuptimi janë përcjell që nga rilindësit e deri në ditët e sotme.[49]

Komiteti i hebrenjve të Jugosllavisë i drejtohet me përshëndetje Qeverisë demokratike të Shqipërisë në Maj 1945 ku thuhet: “Kur hebrenjtë e Jugosllavisë, Polonisë, Gjermanisë” etj., shuheshin me gaze e mjete hekuri nga nazifashistet, pa dallim, burra, gra, e fëmijë, në Ballkan ishte një popull që u ngrit mbi çdo teori racore dhe mbi qytetërimin perëndimor, popull hero dhe mikpritës i Shqipërisë…Në historinë e kësaj lufte do të mbetet i shënuar një popull i vogël, por bujar e heroik, populli shqiptar, i cili do të shënohet ndoshta i vetmi, nga të gjithë popujt e pushtuar të Evropës, që pengoi dhe ndaloi shfarosjen dhe ndjekjen e hebrenjve.[50]

Më 17 Janar 2007 në ditën ndërkombëtare të mbijetuarve dy vëllezër shqiptarë Mefail dhe Njiazi Biçoku nga Librazhdi janë nderuar nga Lidhja Izraelite kundër racizmit (Organizatat e hebrenjve në SH. B. A.) pasi gjatë luftës së dytë botërore familja Biçoku kishte strehuar 26 hebrenj.[51]

[1] Shefki Voca “E kaluara e hebrenjve të Mitrovicës” “Koha Ditore” 18. Qershor 2006.

[2] Noel Malkolm “ Një histori e shkurtër” Prishtinë 1998 fq. 220,221

[3] Vilajeti i Kosovës,  Në dokumentet Arkivore Osmane, Stamboll 2007 fq.391

[4] Po aty fq. 333, 341

[5] Murteza Studenica “Shqiptarët dhe Hebrenjtë” Prishtinë 2000 fq.28

[6] Noel Malkolm “Kosova një Histori e shkurtër” Prishtinë 1998 fq, 221

[7] Çedomir Prilinçeviq, Punim Magjistrature “Hebrenjtë në Kosovë deri në vitin 1941” fq.28

[8] Gazeta ditore “Lajm” Toka e Ilirëve-Arbanasve e shtunë 7 Tetor 2006

[9] Hakif Bajrami, Marrëdhëniet Shqiptaro –Hebraike nëpër shekuj, punim I lexuar në Çikago me 15 Maj 2006 me

rastin e hapjes së Muzeut të Holokaustit , Gazeta “Koha Ditore” e Shtunë 20 Maj 2006.

[10] Murteza Studenica “Shqiptarët dhe hebrenjtë” Prishtinë 2000 fq. 28

[11] www. Creation history. Net/etf/einste.html.

[12] Shaban Sinani, Gazeta  “Zëri” 07 Mars 2005

[13] Gavra Mandil “Zivot u cerno-belim Slikama” Nova Pazova:Bonatr 2003 fq. 15- 17

[14] Nexhat Bushati,  Gazeta “Gazeta Shekulli” 23.Qershorë 2006

[15] Noel Malkolm “Kosova një histori e shkurtër” Prishtinë 1998 fq. 221

[16] Prof Dr. Hakif Bajrami “Koha Ditore” Maj 2006

[17] Ana Lalaj “Studime historike” 2004 (3-4), Viti LVIII (XLI), Tiranë 2004

[18] Branisllav Bozheviq,  Hakif Bajrami, Millutin Foliq, Millorad Vaviq “Aradha Partizane e

Kopaonikut, e shalës, e ibrit” Beograd 1981 fq. 406

[19] Po aty fq.434

[20] Po aty fq. 435

[21] MUZEJSKI PROSTOR Zagreg “Zhidovi na tlu Jugosllavije” Zagreb 1988 fq.211,191

[22] Murteza Studenica “Shqipëtarët dhe hebrenjët” Prishtinë 2000. fq.43

[23] Po aty fq. 45.

[24] Shaban Sinani “Zëri”, 05. Mars 2005 Prishtinë.

[25] Të dhënat janë marrë nga punimi nëdorë shkrim i Prof.  Shaban Sinani

[26]Të dhënat janë marrë nga punimi i Prof.. Shaban Sinani,

[27] PO aty

[28] PO aty

[29] Max Brym, Përktheu nga gjermanishtja Robert Ducellari Robert.ducellari@chello at

[30] www historyplace.com/ëorldëor2/holocaust/h-statistiks.htm

[31] Richard Clogg “Historia e Përmbledhur e Greqisë” Tiranë 2004 fq. 129

[32] Muzej na grad  Skopje “Evreite bo Makedonija” fq. 11

[33] Harvey Sarner, “Shpëtimi në Shqipëri” Tiranë 1999 fq.76

[34] Zëri, Gazetë e përditëshme 10. 08.2004. Prishtinë

[35] Harver sarmer “Shpetimi në Shqipëri” Tiranë 1999 fq. 73

[36] Harvey Samer “Shpëtimi në Shqipëri” Tiranë 1999 fq. 58

[37] Murteza Studenica “Shqipëtarët dhe Hebrejët” Prishtinë 2000 fq. 50

[38] Harvey Sarner, “Shpëtimi në Shqipëri” Tiranë, 1999 fq.46

[39] Gavra Mandil   “Zivot u cerno-belim slikama” Nova Pazova:Bonart 2003 fq. 35-47

[40] Apostol Kotani “Hebrejtë në Shqipëri gjatë shekujve” Tiranë 1996 fq 52,53

[41] Francesko Jocomoni “Gjysma ime shqiptare” Tiranë, fq. 278

[42] Apostol Kotani “Hebrejtë në shqipëri gjatë shekujve” Tiranë 1996 fq.53,54

[43] Po atu fq. 121.

[44] Murteza Studenica “Shqipëtarët dhe hebrejët” Prishtinë 2000. fq. 8

[45] Termi Holokaust rrjedh nga fjala greke holokauston, që nënkupton sakrificën që i ofrohet zotit nëpërmjet djegjes complete, në mesjetë shprehej sakrifica biblike, në shek. XX  me këtë fjalë nënkuptoheshin  rrënojat katastrofike nga luftërat, epidemitë, dështimeve ekonomike. Në luftën e dytë botërore kjo fjalë i referohej vrasjes së hebrenjve, kur nga kërkimet dhe studimet u bë i njohur numri i  hebrenjve të zhdukur, afërsisht 6 milion.

[46] www.peshkupauje.bungeimail.com/dita-nderkombtare -e-persekutimit-te -hebrenjve/20

[47] Harvey Sarner “Shpetimi në Shqipëri” Tiranë 1999

[48] Po aty fq. 58

[49] Ana Lalaj “Studime historike”, Tiranë 2004 fq. 182

[50] Apostol Kotani “Hebrejët në Shqipëri gjatë shekujve” fq. 5 Tiranë 1996

[51] http://listserv buffalo.edu/cgi-bin/ëa?A2=ind 07 01d&L=albaneës&P=442

 

 

 

Ambasadorja Peleg: Edi Rama, mik i madh i Izraelit!

Kryediplomatja izraelite në Tiranë reagon pas fjalimit të kreut të qeverisë shqiptare në seancën plenare të OKB-së.

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023