Djemtë e Gjimnazit të Shkodrës, Dario dhe Qemali

Shqipëria kishte pak hebrenj deri në fillim të luftës. Ata jetonin bashkarisht me shqiptarët pa ju cënuar asnjë e drejtë


Nga Dr. Monika Stafa

Zanafilla e gjithckaje lidhet me faktin se të qenurit hebre në Gjermani konsiderohej krim.

Por kjo nuk u kuptua menjëherë nga ata. Shumë prej tyre as që e conin ndërmend të largoheshin. Besonin se gjithcka ishte një keqkuptim e do të zgjidhej shpejt. E kështu për disa vite ata nuk kishin pasur kurajon të braktisnin vendin e tyre. Hebrenjtë jetonin në Europë prej shekujsh, duke ngritur sipërmarrjet e tyre që para se të bashkohej Gjermania. Kishin kaluar shumë luftra dhe ata prapë vazhdonin të qëndronin të fortë.

Por Hitleri do të shtynte më tej projektin e tij me emrin që dukej sikur shfaroste në një kohë të vetme një botë të tërë: FINAL SOLUTION.

Në vjeshtë të vitit 1938 hebrenjtë e Europës po i dëbonin nga vendi. Po i conin në Poloni, duke i detyruar të braktisnin jetën e ngritur prej vitesh vetëm me një valixhe. Ata nuk linin pas vetëm të mirat materiale por dhe jetën e tyre, kujtimet e një bote të tërë. Cfarë mund të jetë e nevojshme për t’u futur në një valixhe të vetme në këto caste?

Për të dobtit, sidomos të moshuarit ishte si t’i groposje për së gjalli. Shumica nuk kish asnjë lidhje me Poloninë dhe as me gjuhën e saj. Cfarë do të ndodhte me ta? Ndarjet kishin ndodhur pa pasur kohë t’u thoshin lamtumirë njëri-tjetrit. Fqinjët ishin larguar në heshtje dhe nuk ishin bërë të gjallë prej javësh. Disa kishin lënë gratë dhe fëmijët e tyre, në përpjekje për të gjetur rrugë të mundimshme mbijetese.

Nuk ishin kthyer më.

Të tjerë i mbanin për vete mundimet. Pa bezdisur njeri. Në gjysmën e dytë të këtij viti kërkesat për ikje ishin shtuar. Hitleri kish nxjerrë dhe një dekret tjetër; shkronja J do të stampohej për cdo hebre me pashaportë gjermane.

Të qëndroje më gjatë në Gjermani ishte si të firmosje dënimin me vdekje. Bota kish mbyllur sytë. Brenda Rajhut por dhe jashtë nuk ekzistonte më asnjë institucion që hebrenjtë të mund t’i merrte në mbrojtje. Rrethi po mbyllej me shpejtësi. Deri një vit më parë kishte ende një fije shprese se mund të mbijetohej, por viti 1938 i hoqi të gjitha dyshimet.

Jeta kish ndryshuar tani për të gjithë por për hebrenjtë plotësisht.

Hitleri ishte kthyer në një zot që vendoste fatin e miliona hebrenjve. Kombi i Gëtes ishte konvertuar në kombin e Gëbelsit.

Po c’bëhej në cepin e fundëm të Ballkanit? Në vendin e vogël me emrin Shqipëri që askush nuk e njihte derisa rreziku erdhi te dera?

Shqipëria kishte pak hebrenj deri në fillim të luftës. Ata jetonin bashkarisht me shqiptarët pa ju cënuar asnjë e drejtë. Ardhjet e tyre nga Europa ishte ndarë në disa faza që gjithmonë lidhej me dëbimet prej ndonjë prijësi të paudhë.

Hebrenjtë e emigruar vecanërisht ata ashkënazi që erdhën në brigjet shqiptare gjatë shek. të 18-të dhe 19-të u sollën shqiptarëve kryesisht kulturë me ushqimet e shijshme të tyre, me muzikën dhe letërsinë gjithashtu, sidomos atë biblike.

Mozaikët, sinagogat apo dhe simbolet natyrorë gjendur nëpër objektet arkeologjike e dëshmojnë këtë.

Kishin vazhduar kështu me shekuj. Tani kish ardhur koha e rrezikut. Shqipëria ishte pushtuar nga Rajhu. Të shpërndarë në shumë qytete të Shqipërisë, ata të hershmit por dhe ata që kishin mbërritur gjatë viteve të rrezikut jetonin të qetë, por në fshehtësi.

Monarku shqiptar, Ahmet Zogu ish treguar bujar me ta. Arsyet janë komplekse. I kish pajisur të gjithë ata me dokumente dhe viza tranzitore duke u shpëtuar atyre jetën.

Por jo të gjithë ia dolën.

Dario Zhak Arditi është njëri prej tyre. Dario dhe familja e tij prej gjashtë anëtarësh jetonin në Shkodër. Emrin e tij unë e gjeta gjatë kërkimeve të mia në listën e shpallur “dëshmorë” të atyre hebrenjve që morën pjesë aktive në luftë si komunistë.

Ai studioi në një klasë me Qemal Stafën në Gjimnazin e Shkodrës dhe të dy ishin miq të ngushtë. Ishte një violinist i talentuar dhe këtë pasion, ai ia mësoi edhe shokut të tij të librave, Qemalit.

Sot ajo violinë të cilën ne e kemi parë dikur cdo 5 Maj në Muzeun Kombëtar në pavionin e luftës, gjendej aty pikërisht prej dashurisë që të dy miqtë patën për këtë instrument. Dhe jo vetëm.

Nuk e di nëse ende gjendet violina aty në atë pavijon, e hershmja por dhe ndonjë e re që mund të shërbejë si simbol kujtese. Sic inspektorët kur rindërtuan pavijonin e luftës bënë me jelekun e Qemalit, të vogël aq sa t’i shkojë për shtat trupit të një fëmije, por jo një të riu 22- vjeçar që derdhi një kovë gjak në betejën për të shpëtuar shokët dhe veten, e jo ashtu sic thonë ‘trushkulurit’ e arkivave, të ikte si një frikacak. Por kjo është një histori tjetër.

Ka çudira në këtë vend dhe ato s’mbarojnë.

Dario Zhak Arditi ishte gjithashtu dhe drejtues i orkestrës së gjimnazit të Shkodrës. Qemali e afroi atë me lëvizjen komuniste dhe idealet e majta europiane mbetën frymëzimi i tyre deri në fund të jetës, megjithëse të dy vinin prej familjesh borgjeze.

Dario e vuajti shumë humbjen e shokut të tij, Qemalit. Ai e adhuronte atë. Të dy shpesh gjendeshin në biseda mbi filozofinë, muzikën, artin dhe politikën. Por dhe ai vetë pati një fat tragjik. Duke qenë komunist, aktiv me grupin e Shkodrës, atje ku Qemal Stafa e kish përfshirë, nuk kish mbetur pa rënë në sy të agjentëve të fashizmit. Kjo u bë shkak për përndjekjen e tij.

Papritur Dario Arditi u kap në befasi nga nazistët. Që këtej ai u çua në kampin famëkeq të Prishtinës, ku dhe u masakrua barbarisht.

Shumë zëra priren ta përdorin arrestimin e Darios nga gjermanët me arsyen se ai ishte hebre. Por kjo nuk është e vërtetë. Fqinjë të tyre tregojnë se Arditët nuk u dëbuan si hebrenj nga qyteti. Por dhe gjatë një bisede që kam bërë me Sara Arditin, nuse në familjen e Arditëve të Shkodrës (sot ajo jeton në Izrael), thotë se Arditët kishin ndërruar fe dhe ishin kthyer në ortodoksë. Kapja dhe deportimi i tij për në kampet e përqendrimit ka të bëjë me prirjet komuniste të Dario Arditit, i cili kish fituar bindje të tilla që kur Shqipëria ishte pushtuar nga Italia Fashiste.

Hebrenjtë e rrezikuar nuk qëndruan të gjithë të fshehur në pritje të çlirimit nga rreziku nazist. Kishte dhe nga ata që u rreshtuan kundër pushtuesit të huaj në Shqipëri, kryesisht ata që quheshin ndryshe hebrenjtë rezidentë meqenëse territorin shqiptar e njihnin më mirë.
Dario ishte vetëm një prej dhjetrave. Shumë më vonë atij ju akordua statusi i dëshmorit. Por kjo vetëm pas viteve ’90. Arsyen për këtë ua them njëherë tjetër.

E gjithë kjo kohë ka qenë e mbushur me ndjesë dhe fshehtësi. Është një gjë të dish se dikush ka qenë në ferr, dhe tjetër gjë është ta kesh atë njeri përballë.

Si kryqëzohen historitë e tyre?

Kur bisedoja me ta më së shumti sytë i fiksoja mbi parakrahët e tyre. Më pas ata më shkonin insiktivisht nëpër muret e dhomës.

Ku janë fotografitë? Ishin verbuar njerëzit atëherë vallë? Mos kishin humbur mendjen? Herët a vonë ata duhet të zgjoheshin.

Por njerëzit nuk u zgjuan.

Dhe në mesin e kësaj vorbulle dicka më kthente përsëri në realitet.

Disa kur dolën nga ato kampe zgjodhën të mos e tregojnë historinë e tyre ndaj dhe unë më së shumti zgjodha të mos i pyes kur e shihja se ata lëndoheshin.

Hitleri ia doli mbanë. Arriti të shfaroste më shumë se 6 milion hebrenj.

Po përse? Për cfarë do të shërbente më pas ky kurban?

E keni ju një përgjigje?

Ambasadorja e Izraelit: Shqipëria, shembull i bukur tolerancës ndërfetare

Ambadasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka qenë e ftuar në disa darka iftari të organizuar në Tiranë.

Izrael

Izraeli rihap hapësirën ajrore, kapen 99% e raketave iraniane

Nga më shumë se 30 raketa të lëshuara nga Irani, asnjëra nuk kishte arritur në Izrael.

Shqipëri

Rama dënon sulmin e Iranit kundër Izraelit: I paprecedent, rrezikon të destabilizojë rajonin

Kryeministri Edi Rama dënoi sot fuqimisht sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

BE dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit si ‘përshkallëzim të paprecedentë’

Bashkimi Evropian dënoi ashpër sulmin e drejtpërdrejtë ajror të Iranit ndaj Izraelit.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.