Meta fjalim te “Lauder”: Shqipëria dhe Izraeli marrëdhënie të shkëlqyera

Në kuadër të vizitës zyrtare në Izrael, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u ftua posaçërisht nga Shkolla prestigjoze e Qeverisjes, Diplomacisë dhe Strategjisë “Lauder”, për të mbajtur një ligjëratë të veçantë. Ai u prit nga Presidenti i IDC-së, Prof. Uriel Reichman, Dekani i Shkollës “Lauder” Prof. Assaf Moghadam, Drejtorja e Komitetit Hebreo-Amerikan (AJC) në Jeruzalem Avital Leibovich


Në kuadër të vizitës zyrtare në Izrael, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u ftua posaçërisht nga Shkolla prestigjoze e Qeverisjes, Diplomacisë dhe Strategjisë “Lauder”, për të mbajtur një ligjëratë të veçantë. I pritur nga Presidenti i IDC-së, Prof. Uriel Reichman, Dekani i Shkollës “Lauder” Prof. Assaf Moghadam, Drejtorja e Komitetit Hebreo-Amerikan (AJC) në Jeruzalem Avital Leibovich si dhe trupa pedagogjike e studentët, Presidenti Meta pasi vizitoi mjediset dhe kolegjin, mbajti ligjëratën me temë: “Shembulli unik i Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe bashkëjetesa fetare në Shqipëri, si model i paqes”, dhe më pas iu përgjigj pyetjeve dhe interesimit të studentëve të pranishëm.

 

Në ligjëratën e tij, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Kam kënaqësinë e madhe të vizitoj Izraelin dhe ndihem i nderuar që jam ftuar në Forumin e Pestë Botëror për Holokaustin. Mesazhi është i qartë teksa bota përkujton 75-vjetorin e çlirimit të Aushvicit: Antisemitizmi nuk ka vend në botën tonë!

Ndihem krenar që jam kreu i një shteti ku antisemitizmi nuk ka ekzistuar kurrë, por edhe i një vendi që mbrojti mijëra jetë hebrenjsh gjatë periudhës së tyre më të errët historike në shekullin e njëzetë.

Shqipëria dhe Shteti i Izraelit gëzojnë marrëdhënie dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm, por lidhja midis popujve tanë është më domethënëse se çdo lidhje zyrtare.

Në emër të vendit tim ju përcjell mesazhin e veçantë të dhembshurisë dhe solidaritetit njerëzor të demonstruar nga shembulli unik i Shqipërisë për të mbrojtur hebrenjtë gjatë Shoah-ut (Holokaustit) dhe modelin e tij të harmonisë ndërfetare përgjatë shekujve.

Kjo trashëgimi e jashtëzakonshme është çështje krenarie kombëtare për të gjithë shqiptarët dhe përcakton se cilët jemi ne si komb.

Në botën e sotme komplekse e të ndërlidhur, vendet e vogla si Shqipëria mund të mos priten që të kontribuojnë në përgjithësi me ekonomitë dhe pasuritë e tyre materiale.

Sidoqoftë, ne mund të kontribuojmë në pasurimin e botës me atë që kemi më të çmuar: me identitetin, historinë, kulturën, traditat dhe vlerat tona.

Shqipëria është një vend ku njerëzit e të gjitha feve dhe besimeve të ndryshme kanë jetuar krah për krah dhe në harmoni të përsosur që nga shekujt e hershëm.

Është një model unik i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërfetar, që u quajt nga Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri – vizita e tij e parë jashtë Shtetit të Vatikanit, – “një vëllazëri fetare”.

Kjo vëllazëri fetare ka ekzistuar gjithmonë mes shqiptarëve.

Ajo nuk ka lindur dhe as nuk është zhvilluar në kohët moderne.

Është një traditë që buron nga thellësia e shekujve dhe ka ekzistuar përgjatë gjithë historisë së kombit tonë.

Ia vlen të përmendet fakti që asnjëherë nuk ka pasur ndonjë grindje apo mosmarrëveshje fetare midis shqiptarëve.

Të gjithë kanë pranuar dhe respektuar realitetet e ndryshme fetare dhe kulturore në vend, me të gjitha vlerat e tyre.

Kjo është arsyeja pse baballarët tanë, themeluesit e shtetit e konsideruan fenë si një instrument për paqen dhe harmoninë kombëtare dhe jo për ndarjen apo përjashtimin e tyre.

Për shkak të rëndësisë së besimit në historinë e kombit tonë, populli shqiptar ka formëzuar fjalën “Besa”: një term unik që vështirë se mund të gjejë një përkthim të saktë në gjuhë të huaja.

“Besa” do të thotë të besosh te njëri-tjetri. Kjo është një nga fjalët më të rëndësishme të gjuhës shqipe, e cila përcakton frymën dhe karakterin e mbarë kombit.

Shekulli XX reflektoi shprehjet kryesore të frymës së tolerancës dhe të gjithëpërfshirjes shqiptare, siç manifestohet edhe nga lidhja e fortë hebreo-shqiptare e farkëtuar në mes të tragjedisë së Holokaustit, si ilustrohet edhe nga vokacioni humanist i Nënë Terezës, shenjtores shqiptare, që promovoi vlerat e dhembshurisë, tolerancës dhe paqes.

Mbrojtja e hebrenjve nga populli shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte vërtet e jashtëzakonshme.

Me të drejtë Shqipëria dhe populli shqiptar janë krenarë për këtë.

Qeveritë shqiptare në atë kohë, megjithëse ishin qeveri që bashkëpunuan me pushtuesit, kurrë nuk u dorëzuan ndonjë listë hebrenjsh ushtrive të huaja.

Megjithëse përjetoi vetë një pushtim të dyfishtë, Shqipëria është i vetmi vend në botë ku asnjë hebre i vetëm nuk iu dorëzua nazistëve dhe ku asnjë hebre nuk u mor nga Shqipëria për t’u dërguar në kampe përqendrimi.

As edhe një hebre i vetëm nuk ka rënë ndonjëherë viktimë në Shqipëri.

Kjo nuk vlen vetëm për hebrenjtë e Shqipërisë, të cilët ishin qytetarët e saj, por edhe për të gjithë hebrenjtë që hynë në Shqipëri nga shtetet e tjera europiane, me qëllim që të shpëtonin nga kërcënimi i asgjësimit në vendet ku ata jetonin.

Duke i qëndruar besnikë thënies së vjetër shqipe se “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe mikut”, dhe falë “Besës”, kësaj fjale magjike,, populli dhe autoritetet shqiptare u siguruan këtyre tre mijë hebrenjve mbrojtje të menjëhershme dhe të pakushtëzuar.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, në kontrast të thellë me shumë vende të tjera, numri i anëtarëve të bashkësisë hebraike në Shqipëri u dyfishua.

Dua të vë në dukje se toleranca ndërfetare shqiptare ka dalë në pah si një dimension edhe më i veçantë me mbrojtjen dhe shpëtimin e popullit hebre.

Strehimi i tyre u mundësua si nga familjet shqiptare myslimane ashtu edhe dhe nga ato të krishtera.

Institucionet fetare kombëtare iu bashkuan autoriteteve qeveritare duke lëshuar dokumente që iu siguronin hebrenjtë një mbrojtje jetike.

Mikpritja dhe respekti për jetën dhe dinjitetin njerëzor e bënë Shqipërinë një strehë të sigurt për popullin hebre.

E gjitha kjo është një histori e guximit dhe sakrificës njerëzore.

Ajo rrëfen me zë të lartë se si një komb i vogël, por me një zemër të madhe mund të bëjë dallimin në periudha të vështira. Këto fakte gjithashtu janë të njohura edhe nga Shteti i Izraelit dhe shpalosen me krenari duke zënë vendin e tyre mëse të merituar edhe në Muzeun e Yad Vashemit.

Të gjendur në udhëkryqin mes dy botëve, krishterimit dhe islamit, shqiptarët kanë marrë dhe kanë dhënë me të dyja besimet, por edhe kanë ruajtur identitetin e tyre, duke shërbyer si një urë ku duhej të kalonin ndikimet, por edhe të përvetësoheshin ato.

Ka shumë gjasa që ky pikëtakimi interesant dhe përzierja e mëpasshme e kulturave, traditave, feve dhe vlerave kanë ndihmuar që në gjirin e shqiptarëve të mbruhej bindja historike se “dallimi” – qoftë fetar, racor, kombëtar, gjuhësor, kulturor, etj., – nuk mund të jetë dhe nuk përbën kërcënim, por përkundrazi, është një pasuri e vlefshme!

Një bindje e tillë ka qenë në themel të asaj fryme të madhe respekti ndërfetar dhe ndër-kulturor, të tolerancës, bujarisë dhe mikpritjes që është shqiptuar aq qartësisht përgjatë gjithë historisë antike te shqiptarët.

Bashkëjetesa e këtyre feve në tokën shqiptare është një dukuri jashtëzakonisht interesante, veçanërisht në një rajon ku një fe shpesh herë ka qenë e lidhur ngushtësisht me një identitet kombëtar të caktuar duke u keqpërdorur për të justifikuar axhendat nacionaliste dhe shoviniste, të cilat sollën luftëra të tmerrshme që shkatërruan rajonin tonë, Ballkanin, në fillim të viteve 1990-të.

Zonja dhe zotërinj,

Si një vend që krenohet me traditat e tij të gjata të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit paqësor, politika e jashtme e Shqipërisë promovon pajtim ndër-konfesional dhe dialog midis civilizimeve.

Në të njëjtën mënyrë, ruajtja e një mjedisi multi-etnik dhe multi-kulturor në Ballkanin Perëndimor është një çështje me përparësi e politikës sonë rajonale dhe përbën kontributin tonë kombëtar për ta çuar edhe më përpara paqen, stabilitetin dhe harmoninë rajonale.

Një qasje e tillë e politikës së jashtme është bërë gjithnjë e më e rëndësishme në dritën e gjendjes aktuale të çështjeve ndërkombëtare, e cila shenjohet nga konfrontime në rritje, fragmetim të shtuar dhe rritje të lëvizjeve ultra-nacionaliste.

Në një mjedis të tillë, fatkeqësisht po shohim mbështetje gjithnjë në rritje ndaj lëvizjeve ekstremiste, retorikat erozive të të cilave luajnë rregullisht me tema raciste dhe ksenofobike dhe shënjestrojnë grupe të pambrojtura ose të margjinalizuara, përfshirë bashkësitë hebraike në Europë dhe më tej.


Tashmë është fakt se antisemitizmi nëpër botë fatkeqësisht po rritet në krahasim me dekadën e fundit.

Sulmet antisemitike, siç ishin incidentet e fundit në Bruklin, të shtënat me armë në Xhersi Siti si dhe sulmi në Monsej të Nju-Jorkut në dhjetor 2019, turbulluan jetën e shumë bashkësive hebraike dhe të qytetarëve të tjerë të lirë e të pafajshëm.

Rritja e antisemitizmit është demonstruar edhe në forma të tjera, siç është përdorimi i gjuhës së urrejtjes, mohimi dhe shtrembërimi i së vërtetës historike të Holokaustit.

Rritja e antisemitizmit nuk përbën thjesht një problem për kombin hebre, dhe as vetëm për Izraelin.

Ajo është një çështje tepër shqetësuese dhe një plagë për botën mbarë.

Ka një nevojë urgjente për të parandaluar dhe reaguar së bashku dhe me përpjekje të përbashkuara ndaj shprehjeve të antisemitizmit në kohët e sotme moderne.

Lufta e antisemitizmit është një betejë e përditshme, jo vetëm e bashkësisë hebraike, por edhe e të zgjedhurve vendorë, rajonalë, kombëtarë dhe mbarëbotërorë.

Ne të gjithë duhet të interpretojmë çka kemi mësuar nga përvoja jonë dhe t’i mishërojmë ato në politikat tona të së ardhmes.

Shqipëria miraton dhe mbështet një qëndrim pro-aktiv për ushqimin e vetëdijes historike mbi Holokaustin që iu shkaktua hebrenjve si dhe promovimin e vlerave të tolerancës dhe të bashkëjetesës paqësore gjithashtu.

Është thelbësore, madje jetike, që brezat e rinj të mësojnë rreth periudhave të errëta të ekzistencës njerëzore si dhe të vizitojnë vendet që dëshmojnë të vërtetën historike, në mënyrë që të kuptojnë se çfarë ndodhi dhe të mos ta lejojnë që të ndodhë më kurrë.

Në këtë drejtim, që nga viti 2004, Shqipëria u bashkua vendeve, të cilat përkujtojnë zyrtarisht 27 Janarin, si Ditën e Kujtesës së Holokaustit.

Çdo 27 janar, në Ditën e Kujtesës, qindra fëmijë dhe nxënës të shkollave fillore në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera, marrin pjesë në veprimtari të ndryshme në përkujtim si dhe për të reflektuar.

Kjo është një ftesë për brezat e rinj për ta ditur dhe për të nxënë nga e kaluara, për t’u mësuar atyre atë ka ndodhur me të vërtetë.

Unë besoj se edukimi është i tepër rëndësishëm në këtë drejtim.

Edukimi nuk është përgjegjësi vetëm e arsimtarëve, por është gjithashtu detyrë e të gjithë atyre që janë modele dhe shembuj për brezin e ri: prindërit, politikanët, udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit, etj.

Ne kemi nevojë të investojmë dhe të bëjmë përpjekjet e nevojshme për të zhdukur rrënjët e antisemitizmit, si dhe shprehjet e intolerancës dhe të paragjykimeve ndaj hebrenjve.

Bashkësia hebreje gjithmonë do të gëzojë gjithnjë një lidhje të fortë e të veçantë me popullin shqiptar.

Shembulli historik i shqiptarëve që mbrojnë hebrenjtë dhe duke iu dalë në krah e duke iu qëndruar pranë në momentet më kritike është shumë i rëndësishëm dhe duhet të përhapet e të mësohet në shkolla dhe institucione arsimore.

Shqipëria do të vazhdojë të jetë një përkrahëse e përkushtuar e së drejtës së popujve, e identitetit dhe ndryshueshmërisë së tyre, e lirisë për të ushtruar fenë e tyre dhe për të praktikuar besimin e tyre në harmoni të plotë.

Do të dëshiroja ta përfundoja ligjëratën time me disa fjalë mbi marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Shtetit të Izraelit. Lidhja e fortë që bashkon popullin tonë manifestohet në marrëdhëniet e shkëlqyera të vendosura gjatë tre dekadave të fundit midis dy shteteve tona.

Një shembull i kohëve të fundit dhe i jetik i lidhjeve të forta mes dy shteteve tona është edhe operacioni i kërkim-shpëtimit që Njësia Kombëtare e Shpëtimit, pjesë e Forcave Izraelite të Mbrojtjes ndërmori në Shqipëri menjëherë pas tërmetit tragjik që goditi vendin tonë më 26 nëntor. Ne jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen mbresëlënëse të Izraelit gjatë atyre ditëve kur neve na duhej më së shumti.

Shqipëria dhe Izraeli janë të bashkuara në vlerat e tyre të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë. Ne jemi edhe më të bashkuar në përpjekjen tonë të përbashkët për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe fondamentalizmi fetar.

Ndërsa kjo përputhje interesash ka bërë të mundur që marrëdhëniet tona dypalëshe të lulëzojnë, ekziston akoma një potencial ende i pashfrytëzuar për bashkëpunim në fusha të tilla si ulja e rrezikut nga katastrofat, energjia, turizmi, teknologjia dhe dixhitalizimi.

Në këtë drejtim Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Izraeli rreth përdorimit të teknologjisë, nisjes së sipërmarrjeve dhe mjeteve të reja dixhitale për të nxitur zhvillimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, edhe ne kemi shumë për t’iu ofruar investitorëve izraelitë, që duan të investojnë në Shqipëri, si dhe për turistëve izraelitë që duan të vizitojnë vijën tonë të mrekullueshme të bregdetit, malet tona të larta dhe vendet tona të vjetra historike.”

Shpëtimi i hebrenjve, Shqipëria shpallet “Shtëpi e Jetës”

Fondacioni Ndërkombëtar “Raoul Wallenberg” përuron në Tiranë pllakatin në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës

IZRAEL

Izraeli lëshon me sukses satelitin e ri spiun për të monitoruar armiqtë

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit ka njoftuar për nisjen e suksesshme të një sateliti të ri spiun, i cili do…

SHQIPËRI

“The Jerusalem Post”: Shqipëria nderon vendasit që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit me një Memorial

Gazeta e madhe izraelite "The Jerusalem Post" shkruan për Memorialian e Holokaustit të inauguruar pak ditë më parë në Tiranë:…

KOSOVA

Kosova thellon bashkëpunimin me Izraelin, ministrja Haradinaj pret ambasadoren Alona Fisher-Kamm

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla priti sot në Prishtinë Ambasadoren e Izraelit me mision në Beograd, Alona Fisher-Kamm.

INTERVISTA

Ambasadori i Izraelit, Gendler: Shqipëria po dëshmon vlerat e saj edhe në kohën e koronavirusit

Ambasadori i Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler, dha një intervistë për gazetarin Genc Mlloja të gazetës shqiptare në gjuhën…

MILIARDERËT

Roman Abramovich blen shtëpi 63 milionë dollarë në Izrael

Miliarderi ruso-izraelit, Roman Abramovich, është i vendosur të blejë një shtëpi në Herzliya për 63 milionë dollarë nga menaxherja e…

SPYZONE

Izraeli lëshon me sukses satelitin e ri spiun për të monitoruar armiqtë

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit ka njoftuar për nisjen e suksesshme të një sateliti të ri spiun, i cili do…