Shalom Izrael!

Nga Prof. Dr. Leke SOKOLI
Ambasador i Vullnetit të Mirë të Izraelit


Nga Prof. Dr. Leke SOKOLI
Ambasador i Vullnetit të Mirë të Izraelit

Në ditën e Kujtesës, 27 janar 2020

…. Pra “Besa” vlen dhe pret për t’u rivlerësuar. Nga Yad Vashemi kjo kuptohet më mirë se nga çdo cep i globit. Ne kemi arsye t’i themi Izraelit “Shalom – Tungjatjeta”. Dhe ai, me një mirënjohje të admirueshme që vihet ngado, do të përgjigjet gjithnjë: “Shalom Albania!”

 

***

“Një komb në fluturim”. A mund t’i cilësojmë kështu shqiptarët e sotëm? Në njëfarë mënyre po. Këtë premisë e krijon fakti që vetëm 20-25 për qind e shqiptarëve jetojnë brenda kufijve shtetërorë. Sikurse fakti që emigruan, në mbi 30 shtete, më se një e treta e atyre që pragu i viteve ’90-të i gjeti brenda kufijve shtetërorë. Derisa 40.6 për qind e pjesës së mbetur jeton me të ardhurat e pjesës “andej” (kjo është zyrtare); derisa shqiptarët që kanë mbetur, sikurse edhe ata që kanë emigruar, shkojnë e vinë; derisa vetëm të mbeturit shpenzojnë çdo vit më se ½ miliardi euro në pushime jashtë Shqipërisë; derisa edhe të këtushmit ende nuk po “zënë” vend…

Shkurt, udhëtimet nëpër vende të ndryshme duket sikur nuk kanë ndonjë domethënie të madhe. Kjo duhet të jetë arsyeja që nëpër letrat e shkruara thuajse nuk gjen më shënime udhëtimi. Mua ideja për të shkruar për domethënien e një udhëtimi nuk më lindi thjesht nga sociologjia krahasuese, që më është bërë si sëmundje profesionale. Më lindi nga bindja se ajo që pashë dhe hulumtova gjatë një udhëtimi ka vërtet një domethënie. Rreth së cilës lexuesi i zellshëm mund të reflektojë…

Unë pata rastin të isha pjesë e një grupi që kreu të parin fluturim të drejtpërdrejtë Tiranë-Tel Aviv. Me të tjerë gra, burra e të rinj, thuajse nga të gjitha “skutat” e shoqërisë shqiptare: nga media dhe arti, shoqëria civile e sipërmarrjet, me akademikë, rektorë e profesorë, me klerikë e laikë… Por as që mund të pretendohet që në një udhëtim njëjavor, sado hulumtues, të plotësohet “fjalëkryqi” Izrael. Për më tepër një artikull nuk të krijon hapësirë për refleksione të thellësisë. Ndaj, le të mbetemi, tani për tani në diçka më shumë sipërfaqësore, por gjithsesi me domethënie.

Izraeli, ose toka e shenjtë, është vendi i njëmijë e një mrekullive. Atje, në mënyrën më tipike, bashkëjetojnë vetë mijëvjeçarët. Duket sikur Izraeli, sidomos Jerusalemi, është gjykuar, paragjykuar apo edhe qeverisur më shumë nga historia sesa nga aktualiteti. Por, në fakt, vetë Izraeli i sotëm është një mrekulli më vete.

Izraeli ka vetëm 21 mijë km katrore. Dhe 60 për qind e tij është shkretëtirë. Pra, ku jetojnë, si jetojnë e si mbahen mbi 9 milion njerëz? Izraeli ka, më tej, vetëm një pyll të vogël natyror, diku në veriun e tij. Të gjithë pyjet e tjerë janë artificialë. Që do të thotë se çdo pemë e tyre është mbjellë nga dora e njeriut. Një nga një. Pema në Izrael është si një objekt kulti. Me të cilën lidhej shumëçka, deri mitet, legjendat, profetët. Në Kodrën e Ullinjve në Jerusalem ka pemë ulliri më se dymijë vjeçare. Ato mbahen si të vetmet dëshmitare të gjalla të kohës kur besohet se jetoi vetë Krishti. Ai u arrestua pikërisht në një kopsht me ullinj. Të cilët janë sërish atje…

Meriton të theksohet se megjithë historinë, krenaria hebraike është e lidhur sërish me zhvillimin e sotëm. Deri edhe kujtimi i viktimave të Holokaustit. Pemët janë simbole të krenarisë, kujtimit, zhvillimit. Me një ligj të vitit 1953 (Heroizm Low) u krijua Yad Vashem, Muzeu i famshëm i Holokaustit. Në fakt nuk është thjesht një muze. Është një mal i “ndërtuar” në kujtim të gjashtë milion hebrenjve, viktima të nazizmit dhe bashkëpunëtorëve të tyre. I gjithë mali ka marrë jetë. Jo vetëm për nga godinat, por edhe për faktin se në kujtim të çdonjërit që ka strehuar hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore është mbjellë, ushqyer e rritur një pemë. Dhe çdonjëra ka një emër të përvetshëm: në trungun e saj, në një pllakë, është shënuar emri i njeriut që kujtohet përmes saj.

Më tej. Izraeli ka vetëm një burim uji: lumin Jordan. Një lum që buron në 200 metër nën nivelin e detit (Deti Galile) dhe derdhet në minus 400 metër (Deti i Vdekur). Mendoni se çfarë energjie shtesë duhet për ta çuar ujin e burimit të vetëm të konsumatorët. Dhe, prej burimit të vetëm, shuajnë etjen, madje një etje nga ato që të krijon shkretëtira, të gjitha qeniet e gjalla. Të tilla konsideroheshin edhe pemët, lulet, edhe fijet e barit. Të gjitha e kishin tubin plot ujë te koka. Madje, nga meraku se i gjithë lumi do të shkojë për konsum uji dhe do të bjerë niveli i Detit të Vdekur, janë hartuar projekte të pabesueshme (të përbashkëta me Jordaninë) për ta lidhur atë me Detin Mesdhe, gjithnjë duke komanduar prurjet.

Mund të vijojmë me ndërtimet. Izraeli ka një infrastrukturë të jashtëzakonshme. Vetë Tel Avivi me mbi dy milion banorë është ndërtuar i gjithi mbi rërë. Ndërsa Jerusalemi, që do të thotë qytet i paqes, duhet të jetë vetëm i bardhë. Dhe të gjitha ndërtimet, pavarësisht moshës, janë të veshura me pllaka guri, të të njëjtit model. Unë nuk pata kurajën të pyesja për ndërtime pa lejë, sepse kisha drojën se më merrnin për të lajthitur.

Izraeli është shtet, në kuptimin që do të më pëlqente mua të ishte shteti. Në të cilin ligji, morali, besimi fetar, qytetaria, kohezioni social, shpirti i komunitetit, krenaria, sikurse vetëdija e të qenit shtetas pikërisht i atij shteti janë, të gjithë së bashku, elementë qeverisës. Të marrim taksat e sistemin fiskal. Kam dëgjuar qeveritarë (nga tanët), që mburren se mbledhin shumë taksa. Mburren edhe kur ato nuk i rikthehen taksapaguesit si investime e shërbime. Për shembull, në Shqipëri investimet publike të 2007-ës u realizuan rreth 40 për qind. Ky është në fakt, një abuzim i madh me taksat, të cilat duhet t’u rikthehen qytetarëve. Ndërsa në Izrael mund të shkosh në çdo dyqan dhe të blesh çfarëdo malli. Me çmimin plus taksën. Nëse mallin e nxjerr jashtë kufijve shtetërorë, taksa humb kuptimin, se nuk të kthehet asgjë në kompensim. Dhe ky shtet, korrekt jo vetëm nd

—aj qytetarëve të tij por edhe ndaj të huajve, ka hapur sportele bankash në aeroport dhe me çdo faturë blerjeje të rikthehet pjesa e taksës së çdo malli. Kjo do të thotë, më tej, që atje nuk njihet informaliteti në ekonomi dhe evazioni fiskal. Sepse shteti të kthen pjesën “taksë” të mallrave, ende pa e vjelur atë nga taksapaguesit e vet. Por ai është i sigurte se atë do ta marrë. Ndryshe do bëhej nami.

Izraeli është i vetmi vend i atij rajoni që nuk ka asnjë burim nafte. Megjithatë shquhet jo vetëm për konsum, por edhe për rafinim e qarkullim nafte. Ai nuk ka, gjithashtu, miniera apo burime diamantesh e gurësh të çmuar. Por blen në tregun e vetëm të botës (Londër), përpunon dhe tregton rreth ½ e prodhimit botëror të diamanteve. Pa u zgjatur mund të thuhet se në figurën e hebreut është shkrirë më mirë se te kushdo tjetër figura e njeriut intelektual (pjesa më e madhe e nobelistëve janë hebrenj) me atë të zhonglerit të parasë.

Figurshëm mund të themi se Izraeli ka tre kryeqytete: i besimit (Jerusalemi), i punës (Haifa) dhe i qejfit (Tel Avivi). Këto mund të konsiderohen edhe kryeqytete të botëve respektive, marrë përgjithësisht. Tre-katër gjëra bëjnë veçanërisht përshtypje për çdo vëzhgues të zellshëm të përvojës hebraike e të shtetit të tyre, siç mund të jenë diversiteti (1), pleksja e të shkuarës me të sotmen (2), kompaktësia e grupeve sociale, ose shpirti i komunitetet (3) dhe “pleksja” e luftës me paqen (4).

Për nga diversiteti, Izraeli i sotëm është gati-gati unikal. Larmi besimesh fetare, kulturash, madje “kombësish brenda një kombësie”. Harmonia fetare është padyshim një vlerë universale. Por në tokën e shenjtë atë e gjen në çdo hap, në çdo objekt. Marrim një prej tyre: Kishën e Varrit të Shenjtë, ku besohet se është varrosur Jezu Krishti (po përdor shprehjen “besohet se”, për të evituar kontestimet qoftë edhe të laikëve apo ateistëve). Ajo kishte pesë bashkëpronarë, duke përfshirë kishën katolike, ortodokse dhe atë armene. Por administrimi i saj i ishte besuar komunitetit mysliman të Jerusalemit.

Diversiteti është i pranishëm edhe brenda komuniteteve hebraike. Është e natyrshme që midis atyre që kanë jetuar gjatë në vendet që ndryshojnë shumë (të themi në Rusi, Norvegji, Irlandë, SHBA, Portugali, Marok, Libi etj., nga kanë shkuar në Izrael), të ketë diferencime. Shumë e veçantë ishte pamja e lagjeve hebraike të Jerusalemit. Ndaj do t’i them me plot gojë kujtdo që do t’i bjerë rast të shkojë në Izrael:

“O njeri që shkon në Izrael. Planifiko që në Jerusalem të të zërë ora 17 e ditës së premte. Sepse në këtë çast fillon shabati, dita 24 orëshe e pushimit absolut javor, sipas një tradite mijëvjeçare. Në këtë orë jeta e zakonshme pezullohet. Çdo gjë pritet në mes. Deri edhe soba e gatimit duhet të jetë fikur para kësaj ore. Edhe prekja e parasë gjatë shabatit përbën mëkat. Pikërisht për “ustain” e saj, për “çifutin”. Dil natën të shohësh hebrenjtë fanatikë të Jerusalamit. Por edhe aq krenarë. Të zhytur në botën e tyre mistike. Që qarkullojnë si miza dheu nëpër arteriet e gjata të lagjeve të tyre. Me veshje ndër më të çuditshmet, çdonjëri me uniformat e komunitetit të cilit i përkasin e që përkojnë me veshjen e rabinit, liderit të komunitetit të tyre. Me libra të shenjtë nëpër duar e nëpër gjithë qenien e tyre. Individë të tjetërsuar në komunitet, që hynë nëpër shtëpitë komunitare, që lexojnë, komentojnë, këndojnë së bashku. Për të cilët jeta reale në këtë ditë shabati është si një jetë e përtejme, që nuk ekziston, madje e pakuptimtë. Dil, pra natën nëpër rrugët pa makine të lagjeve hebraike. Lere gjumin për të nesërmen, të pasnesërmen…”

Mund të thuhet se e gjithë kjo nuk përkon me frymën e lirisë. Por, në fakt, shpirti i komunitetit është çelësi magjik i mbijetesës hebraike. Një shpirt i kultivuar gjatë emigrimit mijëvjeçar. Ata të thonë, madje me shumë krenari: emigruam për të mos u asimiluar. Duke lënë mënjanë ekstremitetet, mund të themi se ky është gjithsesi një leksion për vendet me shumë të emigruar, siç është Shqipëria. Shpirti i komunitetit të të emigruarve, ruajtja e gjuhës dhe e veçorive etno-kulturore, frymëzimi i vetëdijes së të qenit shqiptar etj., është kusht për mosasimilim. Pra integrimi në vendet pritëse është njëra anë. Ana tjetër është të mbeturit vetvetja.

Sidomos në Jerusalem, por edhe në gjithë botën hebraike, mund të konstatohet madje pa ndonjë mundim të madh pleksja e të shkuarës me të sotmen. Aq sa të duket sikur Davidi, mbreti i tyre i para tre mijë vjetëve, është sërish mbret. Veçse një përfundim del nga përvoja izraelite: ai që në kohën e tashme merret shumë me të shkuarën, rreket të humbasë të ardhmen.

Izraeli është një shtet ku, nëse përdorim një shprehje për ne shumë të konsumuar, i gjithë populli është ushtar. Edhe vajzat, madje edhe handikapatët. Krejt i çuditur tek shikoja vajza me uniformë ushtarake në karroca me rrota, pyeta Senkën, një shqiptaro-izraelite gjithë talent e personalitet e cila na shoqëroi në gjithë kryqetërthorjen tonë për të plotësuar “fjalëkryqin” Izrael (ajo kishte lindur, ishte rritur e shkolluar në Tiranë, derisa shkoi në atdheun e saj, më 1991, sikurse shumë familje të tjera hebraike që jetonin në Shqipëri) e cila tha: “Po edha kjo kategori bën shërbim ushtarak. Që të mos ndjehet e përjashtuar. Pastaj, në jetën laike…”. Nuk po e vazhdoj më gjatë shpjegimin e saj për të nënvizuar konceptin “në jetën laike” që ajo artikuloi për të cilësuar jetën pas ushtrisë. Që do të thotë se atje shërbimi ushtarak konsiderohet si një detyrë e shenjtë. Në Izrael dukej sikur njerëzit ishin gjithnjë në gatishmëri të shkallës së parë. Por, njëherësh ata e jetonin jetën sikur nuk do të kishte kurrë luftë.

Por, ndjehesh vërtet keq kur shikon se në epokën e globalizimit, të integrimeve të mëdha dhe të superkomunikimit, me fjalë të tjera në “epokën e urave”, sërish vazhdojnë të ngrihen mure. Ndjeva një pikëllim të thellë kur pashë një mur të ndërtuar rishtas në distancën aq të shkurtër që ndan Jerusalemin (Izraelit) nga Bethlehemi (Palestinez). Ndjeva një trishtim të madh kur një i ri palestinez, pas refuzimit tim për të blerë diçka prej tij, shpërtheu: “Nuk blen tek unë sepse jam palestinez. Po të isha izraelit do të blije. Ja pra, vazhdoi ai me ironi, tani u konvertova në izraelit, blej atëherë”. Ishte gati të shpërthente në çfarëdo mënyre…. A do të ketë vallë bota vullnetin dhe fuqinë e nevojshme për të zgjidhur “ekuacione” kaq të koklavitura? Shikoja në hartën e Izraelit të sotëm pjesë të shpërndara ngado në dy ngjyra të ndryshme, të verdha e bezhë (që u korrespondojnë dy stadeve, autoritetit dhe sovranitetit palestinez) dhe mendoja për Kosovën. Mos e dhëntë Zoti që të vijë një ditë që duke kaluar nëpër territorin e saj të na shohë syri mure ndarës me “autoritetin serb” brenda saj (!) Nuk besoj që mendjet e çmendura do të kenë fuqi…

Tek njihesh me botën hebraike kupton se shumë gjera në këtë botë nuk janë aq rastësore. Duket, për shembull, që Jezu Krishti nuk mund të ishte as nga ishujt Azore, as nga Poli i Veriut. Ai mund të ishte vetëm produkt i asaj toke. Jo aq rastësisht bota hebraike i dha botës së madhe kolosë të shkencës e mendimit njerëzor si Ajnshtajni, Frojdi, Kafka, Cvajgu etj., etj. Kur shikon Kibucet (bashkësitë ekstrem në të cilat e gjithë pasuria është e përbashkët dhe ku koncepti “kjo është imja” nuk njihet), kupton se edhe Marksi nuk mund të ishte veçse hebre. Madje edhe nëse u referohemi koncepteve globalizuese të teorisë së tij. Kujtojmë për shembull “proletarët janë pa atdhe”, për të mos shkuar më tej.

Duket sikur antisemitizmi gjerman, i ngritur në kulm nga Hitleri e të tijtë, erdhi “së brendshmi”, jo “së jashtmi”. Ndoshta i nxitur nga shkëlqimi i botës hebraike, brenda vetë botës gjermane. Pra, si një luftë qytetërimesh, ndonëse rreziku i saj perceptohet nga shumë pak mendimtarë të sotëm.

Ka një thënie sipas të cilës në univers ka dhjetë njësi të bukurisë: nëntë prej tyre i takojnë Jerusalemit, e dhjeta pjesës tjetër të botës. Por, sipas saj, bukuria nuk është ajo që shikon. Bukuria është ajo që ndjen. Njerëzit do të rendin e rendin drejt tokës së shenjtë: hebrenjtë do të vazhdojnë të vërshojë për arsye që lidhen jo vetëm me besimin e tyre fetar, por me gjithë qenien e tyre; bota e krishterë do të vrapojë për në vendlindjen e krishterimit; bota myslimane gjithashtu do të vrapojë për në El Aksa (kupola e artë – ishte flori prej vërteti – ndërtuar në sheshin e tempujve hebraikë), vendi ku, sipas besimit, Profeti Muhamed u nis për në Qiellin e Shtatë.

Njerëzit do të vrapojnë e do të vrapojnë për në Jerusalem….
Dhe, në vrapimin e tyre, do të njohin edhe një mrekulli shqiptare.
Do ta mbajnë frymën në pavijonin shqiptar të Muzeut të Holokaustit. Dhe do të blejnë ndoshta një libër – album me një titull magjik “Besa – a code of honor”, të Norman Gershmanit. Sepse Shqipëria është i vetmi vend në botë në të cilin numri i hebrenjve në fund të Luftës së Dytë Botërore ishte shumëfish më i madh se para saj. Të tjerët do t’u kishin rënë daulleve pa pushim. Ne, për fat të keq, atë vlerë aq identifikuese me emrin “Besa – kodi i nderit” thuajse e kemi nxjerrë jashtë qarkullimit.

Pra “Besa” vlen dhe pret për t’u rivlerësuar. Nga Yad Vashemi kjo kuptohet më mirë se nga çdo cep i globit.
Ne kemi arsye t’i themi Izraelit “Shalom – Tungjatjeta”. Dhe ai, me një mirënjohje të admirueshme që vihet ngado, do të përgjigjet gjithnjë: “Shalom Albania!”

***[Botuar së pari në “Bota shqiptare” – Romë, Nr. 186, janar 2008; Ribotuar në “Albania”, në Ditën Botërore të Përkujtimit të Viktimave të Hulokaustit (27 janar 2008). Përfshirë në librin “Analiza Sociologjike” (2008), fq. 203-210]
Shënim: Botohet siç ishte varianti i vitit 2008. Është korrigjuar vetëm popullsia e Izraelit, atëherë ishte 6, tani është 9 milion banorë.

Lexo më shumë

Ambasadorja e Izraelit: Shqipëria, shembull i bukur tolerancës ndërfetare

Ambadasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka qenë e ftuar në disa darka iftari të organizuar në Tiranë.

Izrael

Izraeli rihap hapësirën ajrore, kapen 99% e raketave iraniane

Nga më shumë se 30 raketa të lëshuara nga Irani, asnjëra nuk kishte arritur në Izrael.

Shqipëri

Rama dënon sulmin e Iranit kundër Izraelit: I paprecedent, rrezikon të destabilizojë rajonin

Kryeministri Edi Rama dënoi sot fuqimisht sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

BE dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit si ‘përshkallëzim të paprecedentë’

Bashkimi Evropian dënoi ashpër sulmin e drejtpërdrejtë ajror të Iranit ndaj Izraelit.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.