Hasani: Shqipëria mbështet Izraelin në të drejtën e tij legjitime për vetëmbrojtje

Ministri i Jashtëm ishte i pranishëm në debatin e Këshillit të Sigurimit, në Nju-Jork për situatën në Lindjen e Mesme


Shqipëria mbështet Izraelin në të drejtën e tij legjitime për vetëmbrojtje.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ishte sot i pranishëm në takimin e Këshillit të Sigurimit, në Nju-Jork, i cili po zhvillon një debat të nivelit të lartë për situatën në Lindjen e Mesme.

KS po mban sot një debat të hapur edhe për çështjen e Palestinës. Në takim, janë të pranishëm edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministrat e Punëve të Jashtme të Izraelit, Eli Cohen dhe ai i Palestinës, Riad Malki.

Në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit, ministri Hasani u shpreh se ngjarjet e 7 tetorit përbëjnë sulmin më vdekjeprurës në historinë e Izraelit.

“Shqipëria mbështet Izraelin, si çdo komb tjetër të sulmuar, në të drejtën e tij legjitime për vetëmbrojtje, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare. Në momente të tilla kaq të vështira dhe përcaktuese, Izraeli dhe populli i tij kanë nevojë për mbështetjen e komunitetit të kombeve të lira, për t’iu përgjigjur terroristëve që kanë kryer krime të tmerrshme dhe vazhdojnë të vënë në pikëpyetje të drejtën e këtij shteti për të ekzistuar”, u shpreh ai.

Hasani u shpreh se jetët e pafajshme janë njësoj të rëndësishme, qofshin ato izraelite apo palestineze.

“Ne besojmë plotësisht se ekziston një mënyrë për të garantuar sigurinë e Izraelit dhe mbrojtjen e civilëve të pafajshëm. Jetët e pafajshme janë njësoj të rëndësishme, qofshin ato izraelite apo palestineze. Është kjo arsyeja pse duhet marrë çdo masë paraprake për të mos dëmtuar ata që nuk e meritojnë, ata të cilëve jeta u është vënë në rrezik nga Hamasi dhe terroristët apo ekstremistët e tjerë. Hamasi dhe udhëheqësit e tij të cilët jetojnë një jetë komode jashtë Gazës dhe mbështetësit e tyre, e dinin shumë mirë se çfarë po bënin kur lëshuan ‘arsenalin’ e tyre për të vrarë, djegur, masakruar dhe rrëmbyer këdo që mundnin. Ata shpresuan se do të shkaktonin një përgjigje masive nga Izraeli, duke e ditur shumë mirë se civilët do të ishin viktima”, tha Hasani.

Sipas tij, shpresa dhe një fitore e tyre eventuale, fitorja e tyre do të ishte që bota të kthehej kundër Izraelit.

“Ne nuk duhet të mashtrohemi. Ka vetëm një palë që po gëzon me çka po ndodh. Është vendi i njohur si sponsorizues i terrorizmit, në Gaza, në Bregun Perëndimor, në Jemen, në Liban, në Siri, kudo që të munden. Është vendi që njihet botërisht dhe vazhdon të destabilizojë të gjithë Lindjen e Mesme”, tha Hasani.

Ai vuri në dukje se Shqipëria dënon çdo legjitimim dhe glorifikim të sulmeve terroriste.

“Është e qartë si kristali, se qëllimi i Hamasit nuk është të mbrojë palestinezët. Veprimet e tyre nuk i përfaqësojnë ata. Prandaj, ka ardhur koha që të gjithë palestinezët të kuptojnë se e drejta e tyre për vetëvendosje, ëndrra e tyre për shtetësi, aspiratat e tyre për një jetë më të mirë, në siguri dhe dinjitet, nuk do të realizohen kurrë me Hamasin dhe të ngjashmit e tij. Palestinezët duhet të jenë të parët që kundërshtojnë aktet e tmerrit, të jenë kundër të papranueshmes dhe të pajustifikueshmes. Hamasi po ua mohon atyre të tashmen; po u vjedh të ardhmen e tyre”, deklaroi ministri i Jashtëm.

Ministri Hasani, më tej nënvizoi se zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë pasur gjithmonë jehonë në mbarë botën. Sipas tij, ato çlirojnë emocione të forta.

“Ne jemi të shqetësuar nga një rritje e frikshme e ndjenjave antisemite, të nxitura nga urrejtja, keqinformimi dhe keqinterpretimi në nivele shumë të rrezikshme, veçanërisht përmes medieve sociale. Antisemitizmi nuk është zhdukur kurrë, por ajo që shohim sot është thjesht e papranueshme. Ne nuk duhet të qëndrojmë indiferentë përballë thirrjeve dhe sjelljeve që vijnë nga narrativa naziste. Ne nuk duhet të lejojmë që struktura e shoqërive tona të copëtohet nga keqinterpretimet, nga gjuha e urrejtjes, nga diskriminimi dhe nga ringjallja e sjelljeve çnjerëzore që kanë prodhuar një ndër momentet më të errëta të historisë njerëzore. Kemi thënë “kurrë më”, por duhet të ruajmë vigjilencën, të reagojmë, të luftojmë për të, kundër të gjithë atyre që ndezin flakët e përçarjes dhe diskriminimit”, shtoi Hasani.

Hasani theksoi po ashtu se situata humanitare në Gaza është dramatike.

“Ne dënojmë sulmin në spitalin Al-Ahli, që ndodhi të martën e kaluar dhe bëjmë thirrje për hetim të plotë të atyre që janë përgjegjës për një akt të tillë. Ne mirëpresim marrëveshjet e bëra deri më tani për kalimin e autokolonave humanitare në Gaza, me ujë, ushqim dhe furnizime mjekësore. Megjithëse nevojiten shumë më tepër për të plotësuar nevojat, përpjekjet duhet të vazhdojnë dhe diplomacia duhet të mbizotërojë gjithmonë. Ne përgëzojmë Egjiptin, Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Sekretarin e Përgjithshëm, për përpjekjet në këtë drejtim. Ndihma humanitare për civilët duhet të vazhdojë pa pengesa për të gjithë ata që kanë nevojë, duhet të sigurohet karburanti dhe rivendosja e energjisë elektrike. Rrjedha normale dhe e papenguar e ndihmës humanitare duhet të garantohet nëpërmjet pauzave humanitare”, deklaroi Hasani.

Ai theksoi se Shqipëria mirëpret lirimin e pengjeve dhe çdo përpjekje në këtë drejtim meriton të vlerësohet.

“Në radhë të parë, civilët nuk duhet të ishin rrëmbyer asnjëherë dhe të gjithë duhet të lirohen pa kushte”, tha ai.

Hasani vuri në dukje se duhet bërë gjithçka për të shmangur një përhapje të konfliktit që do të tensiononte të gjithë Lindjen e Mesme.

“Ne dënojmë sulmet e Hezbollahut mbi Izraelin dhe i bëjmë thirrje që të përmbahen nga veprimet e paprovokuara si dhe të respektojnë plotësisht Rezolutën 1706 të KS të OKB-së. Retorika provokuese, kërcënuese dhe nxitëse, nuk ndihmon. Është koha për të vepruar me pjekuri, të përcjellim mesazhe kujdesi dhe përgjegjësie. Izraeli ka nevojë për siguri dhe meriton siguri; Palestinezët kanë nevojë dhe e meritojnë shtetin e tyre”, u shpreh ministri Hasani.

(Marrë nga ATSH)

Ambasadorja Peleg: Edi Rama, mik i madh i Izraelit!

Kryediplomatja izraelite në Tiranë reagon pas fjalimit të kreut të qeverisë shqiptare në seancën plenare të OKB-së.

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023