Larg historianëve që mendojnë ende si në llogore lufte!


 

MONIKA SHOSHORI STAFA
Bashkëbisedim me diplomatin e parë hebre në Tiranë, z. Ehud Gol


Kujtesa është një plagë që do të na prekë përjetësisht. Gjithçka lidhet me të ka të bëjë me historinë e fatit të një populli e jo vetëm të një vendi. Ne e kemi pasur të trishtë, po aq dhe ju këtu, e të dy duket se gjejmë të ngjashmit tanë. Kështu më shpjegonte shpejt e nën zë ambasadori izraelit, Ehud Gol, i ardhur në Tiranë për një vizitë të shpejtë te miqtë e tij që ai nuk donte t’i bënte të njohur, por që dukej se entuziazmohej për rrugën e tyre të suksesit. Ishte një ndjesi dashamirësie edhe për vendin, ndërkohë që po e gjente më të gjallë se kur ai kish qenë këtu ambasador. Diplomatnë disa vende të Europës, e deri këshilltar i Presidentit Chaim Herzog, në Shqipëri ai ka qenë shumë vite më parë, atëherë kur dhe ministri Liberman, firmosi vendimin për hapjen e një rezidence hebreje në Tiranë. Shumëçka u munduam të flisnim me të, që nga kuzhina e mrekullueshme tradicionale e vendit hebraik, e deri te Palestina dhe njëfarë skepticizmi lidhur me një trend të ri që po nis në Europë, për ta njohur atë zyrtarisht. Flet me shumë dashuri për dhembjet e popujve nën sundimin e xhelatëve në vende si Irani dhe Siria, por natyrisht, përmasat njerëzore të një diplomati nuk mund t’i fshehë edhe të dojë, nëse e pyet se cila është muzika e fundit që ka dëgjuar apo poezia e fundit që ka lexuar me zë. Një kuriozitet gazetaresk e bën të hidhet përpjetë, teksa e pyes për firmën e shkrimtarit Amos Oz dhe të tjerë intelektualë që kanë hedhur për të firmosur një peticion. Për historinë duket se ka shumë për të thënë, por ajo që i mbetet merak është se ne gazetarët, duhet të shkruajmë sa më shumë për të, derisa historianët ende mendojnë të bunkerizuar si në llogore lufte. Ndihet i gëzuar që sot historia e të dy popujve njihet më shumë se më parë. Rritja e mëtejshme në nivelin akademik të bashkëpunimit midis universiteteve shqiptare dhe izraelite, do të jetë ajo që do ta sjellë çështjen në krye të programeve mësimore, siç duhet të jetë.

Izraeli është një vend i njohur zyrtarisht si hebre, i vendosur në Lindjen e Mesme. Palestina është një grupim i dy territoreve fizikisht të ndara, me etni arabe dhe me shumicë myslimane e vendosur pranë Izraelit: Bregu Perëndimor, i quajtur i tillë për shkak të lumit Jordan dhe Gaza. Por këto territore nuk janë të pavarura. Kjo vijë ndarëse mes dy vendeve nuk ka ende një njohje ndërkombëtare. Kufijtë janë ende një çështje e diskutueshme dhe kanë qenë të tilla prej dekadash. Zoti ambasador, përse izraelitët dhe palestinezët po luftojnë?

E. Gol: Kemi pretendime territoriale për të njëjtën tokë. E dimë që kemi të drejtën tonë të jemi në atë pjesë toke, meqë kemi jetuar aty që 5000 vjet më parë. Për fatin tonë të mirë, pas më shumë 2000 vitesh në arrati, mundëm të kthehemi në shtëpi e të rindërtojmë kombin tonë.

Si nisi konflikti mes jush?

E. Gol: Ka nisur më shumë se 100 vjet më parë. Kur nisi sionizmi, në fund të shekullit të 19, ideja ishte të ktheheshim në Zion e të rindërtonim shtetin tonë në tokën e paraardhësve tanë. Vetëm pasi sionizmi u vendos si lëvizje e çlirimit kombëtar për popullin hebre, palestinezët dhe arabët krijuan lëvizjen e tyre për çlirim kombëtar, për të pushtuar këto toka e për t’u rikthyer këtu, por jo para se ta krijonim ne ideologjinë zioniste të kthimit në tokën e paraardhësve tanë.

Pse ka luftime sot midis Izraelit dhe Gazës?

E. Gol: Eh … shikoni se nuk jam njeriu i duhur për t’i drejtuar këtë pyetje, fatkeqësisht. Ne duam paqe, por nuk gjejmë të njëjtin vullnet nga ana tjetër. U larguam nga Gaza që para 10 vjetësh. Lamë gjithçka e çrrënjosëm njerëzit tanë nga më shumë se 28 fshatra. Zhvarrosëm edhe eshtrat e të vdekurve për t’i kthyer dhe i lamë palestinezët e Gazës të vazhdojnë të jetojnë të qetë. Donim të vazhdonim zhvillimin e të kishim një jetë të qetë, por në vend që të bëjnë një jetë normale e të qetë, ata mbledhin sa më shumë para të munden dhe me to ndërtojnë bunkerë, blejnë armë duke varfëruar jetën e tyre, por edhe duke prishur jetën e njerëzve tanë në jug të Izraelit.

A mund të flasim pak për muzikën dhe poezinë? E di shumë mirë se populli juaj përtej historisë së trishtë që ka jetuar, muzikën dhe poezinë e ka pasur një nga orakujt e tij. Le t’i largohemi luftës, pamjes së zymtë që ajo sjell e le të bëjmë një pushim të vogël.

E. Gol: Po, e pëlqejmë muzikën, e këndojmë shpesh.

Çfarë lidhjeje ka populli juaj me muzikën?

E. Gol: Është pjesë e ideologjisë, edukimit e fesë sonë. Përziejmë muzikë të ndryshme: muzikë fetare, muzikë pionere që këndonim kur njerëzit vinin për të rindërtuar vendin; kishim lëvizje rinore në Izrael që bazoheshin në muzikën e të kërcyerit. Është diçka që e mbështesim, sepse na bën të ndihemi më të lumtur edhe në kohë të vështira, dhe ne kalojmë shpesh kohë të vështira. Prandaj përpiqemi ta ngushëllojmë veten.

A janë vërtet një copëz lirie muzika dhe poezitë për ju? Kam dëgjuar që jeni një komb që jetoni me muzikë e poezi. Muzika ka qenë dhe një mënyrë e mirë, nëpërmjet së cilës izraelitët dhe palestinezët edhe kanë bashkëpunuar … të paktën kështu kam lexuar diku.

E. Gol: Jo vetëm muzika. Muzika është pjesë e artit dhe kulturës sonë. Ne lexojmë më shumë libra se çdo popull tjetër në tokë. Botojmë më shumë libra se çdo popull tjetër. Kemi këngë që janë pjesë e kësaj kulture me natyrë artistike. Kjo është një nga mënyrat tona për të komunikuar. S’jam i sigurt nëse palestinezët po bëjnë të njëjtën gjë, por të paktën kjo është natyra jonë e do të vazhdojmë ta bëjmë.

Atëherë të duket çudi që vazhdon ende të ndodhë ky konflikt?

E. Gol: Situata është shumë e ndërlikuar. Nëse nuk gjejmë një zgjidhje, problemi do të vazhdojë. Pasi ta gjejmë zgjidhjen, pasi të kemi njerëz të guximshëm nga të dyja palët për të bërë lëshime në të njëjtën kohë, atëherë do ta zgjidhim. Por tani për tani është e ndërlikuar.

Pak javë më parë, vizituam territorin neutral në kufirin me Gazën, ku kishte shumë kamionë që furnizonin banorët e Gazës me ilaçe, ujë dhe elektricitet. Çfarë komenti keni për këtë?

E. Gol: Thjesht tregon natyrën e izraelitëve. Ne duam t’i ndihmojmë. S’duam t’i shohim në mjerim. S’mendojmë se do të zgjidhim gjë po të angazhohemi në luftë me ta e t’i mposhtim. Situata zgjidhet vetëm kur edhe ata të jenë të lumtur, kur situata e tyre ekonomike të rritet. Është në interesin tonë të garantojmë që do të jenë mirë, që kanë mjekime të mira, arsim të mirë, sepse vetëm me arsim të mirë mund të aderojnë një ditë për një jetë demokratike. Me HAMAS nuk kanë jetë demokratike. Do të bëjmë gjithçka që mundemi që t’ua lehtësojmë jetën. Sado që duket e çuditshme ngaqë kemi luftuar kundër tyre. Por vetëm kështu mund të arrijmë paqe në të dyja anët. Vetëm kështu do të ndihemi të sigurt e rehat me njëri-tjetrin.

E njihni Shqipërinë? A jeni në dijeni të shqiptarëve që respektuan të huajin në rrezik? Shpëtimin e një pjese të konsiderueshme të atyre që i shpëtuan terrorit nazist në Europë?

E. Gol: Si një ish-ambasador në këtë vend, 12 vjet më parë, një nga gjërat e para që bëra ishte t’i jepja medaljen e “I drejti mes kombeve” një fermeri të vjetër shqiptar. Ishte një nga çastet më emocionuese gjatë shërbimit tim si ambasador këtu. Ne jemi popull me kujtesë të fortë, do ta mbajmë mend gjithnjë që në Shqipëri, numri i hebrenjve në fund të luftës ishte më i madh se numri i hebrenjve para luftës. Jo vetëm sepse ju i shpëtuat hebrenjtë gjatë holokaustit, por edhe sepse i ndihmuat shumë prej tyre të gjejnë strehim në këtë vend. Për këtë arsye, ruajmë ndjenja shumë të mira për Shqipërinë e prandaj ne e duam shumë këtë vend dhe i kthehemi kaq shpesh. Shqipëria është një vend i bukur dhe nuk çuditem më të them që ka potenciale të mëdha ende të pashfrytëzuara. Sidomos unë, por edhe ata që s’kanë qenë ambasadorë këtu e kanë mësuar historinë e hebrenjve të shpëtuar nga shqiptarët.

Nga ky shpjegim, a mund t’ju pyes se përse qeveria izraelite nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës?

E. Gol: Ne kemi problemet tona që duhen zgjidhur. Çështja e Kosovës është shumë e ndërlikuar dhe e vështirë, jo e lehtë për t’u zgjidhur. Besoj se do të zgjidhet në një mënyrë, me ngadalë, pa qenë nevoja që ne të përfshihemi në atë konflikt. E bëjmë me shumë kujdes dhe ruajmë lidhje të mira me të gjitha palët e përfshira.

Gjatë udhëtimit tonë vizituam Haifan dhe pamë që ky ishte një qytet shembull për bashkëjetesën midis feve të ndryshme. Është zhdukur homofobia në vendin tuaj?

E. Gol: Është interesante që e thoni këtë, sepse në Izrael kam një prej miqve të mi më të mirë, që është një prej nëntë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të Izraelit, dhe ai është arab. Vajza e tij ka punuar me mua në Ministrinë e Jashtme, dhe kjo tregon përfshirjen e bashkësisë arabe në Izrael. Kemi vështirësi e probleme, por në përgjithësi, bashkësia arabe në Izrael është rreth 20% dhe janë duke u integruar plotësisht në shoqërinë izraelite. Fatkeqësisht, dëgjojmë të flitet vetëm për elementet problematike dhe jo për historitë e suksesit. Por ka më shumë histori suksesi në këtë pjesë integrimi, në jetesën, bashkëjetesën dhe vështirësitë e së përditshmes.

Si e parashikoni situatën? Do të mbarojnë këto mosmarrëveshje një ditë?

E. Gol: I lutemi Zotit të mbarojë sa më shpejt, sepse jemi të lodhur. Duam të ndërtojmë kombin e të bëjmë një jetë normale, si çdo vend tjetër. Shpresojmë që arabët, sepse s’janë vetëm palestinezët … e gjithë bota arabe ende nuk e njeh Izraelin. Është një situatë jonormale. Duhet ta njohin shtetin e Izraelit, të vendosin marrëdhënie normale me Izraelin, të përpiqen të ndihmojnë me zgjidhjen e problemit palestinez. E pranojmë idenë e një shteti palestinez dhe jemi pro krijimit të tij, por jo në vend të Izraelit, por përkrah me Izraelin. Pasi të kuptohet se mirëkuptimi mund të arrihet vetëm me marrëveshje të drejtpërdrejta, bisedime të drejtpërdrejta dhe jo nëpërmjet përpjekjeve për të ushtruar zgjidhje që i shtohen këtij konflikti nga jashtë, vetëm atëherë do t’i japim fund këtij problemi e të jetojmë në paqe e harmoni, sepse është e vetmja mënyrë jo vetëm për të krijuar një jetë normale, por edhe për të përmirësuar situatën ekonomike të të gjithë rajonit. Rajoni ka mundësi shumë të mëdha për zhvillim ekonomik, që do të ishte një përfitim i madh për ne, për të gjithë botën arabe dhe sidomos për palestinezët.

ehud-gol-top
Tre shkrimtarë të famshëm si Amos Oz, David Grossman dhe AB Yehoshua kanë nënshkruar emrat e tyre para pak kohësh në një peticion publik, ku janë dhe 878 firma të tjerë intelektualësh, nëpërmjet të cilit u bëhet thirrje vendeve europiane që të njohin Palestinën si shtet … si e komentoni ju këtë?

E. Gol: Ne e njohim dhe jemi pro krijimit të shtetit palestinez. Qeveria e Izraelit është pro. Ne e pranojmë nocionin e të pasurit një shtet izraelit. Por nuk mund të shtypësh një buton e të thuash që u bë shteti palestinez. Duhet të bëhet nëpërmjet një marrëveshjeje. Duhet të biem dakord për pikat e kësaj marrëveshjeje. Por ne, në Izrael, ndryshe nga më parë në të shkuarën, e kemi pranuar nocionin e krijimit të një shteti palestinez përkrah shtetit izraelit.

Ditë më parë, Tel Avivi fitoi çmimin si “Qyteti më i zgjuar në botë” (The smartest city in the world) për vitin 2014, më 21 nëntor mes 250 vendeve të tjera. Si e komentoni?

E. Gol: Tel Avivi është qytet i mrekullueshëm e që nuk fle asnjëherë. Unë kam lindur në Jerusalem e kam kaluar shumicën e jetës atje, por unë dhe gruaja vendosëm që tani që po dal në pension, të shkojmë të jetojmë në Tel Aviv, edhe pse është një qytet për të rinjtë. Kafenetë në Tel Aviv … janë plot jetë dhe dritë, një lloj energjie që gjeneron adrenalinë. Dhe ju keni kafene të mrekullueshme në Tiranë … janë pothuajse si në Tel Aviv. Tel Avivi është qytet shumë i bukur, ka shumë kulturë dhe shumë të rinj po vijnë të jetojnë aty. I meriton të gjithë titujt që i janë dhënë si qyteti që nuk fle kurrë.

Çfarë po bën qeveria juaj për ta njohur më shumë atë pjesë që i takon lidhur me historinë e Shqipërisë? Ne kemi shumë nevojë për ndihmën tuaj.

E. Gol: Them se kemi arritur shumë nga kjo pikëpamje. Kur erdha në fillim, isha ambasador pa rezidencë. Jam i lumtur që dy-tre vjet më parë, ambasadori i ri erdhi si rezident. Kjo ndihmon me rritjen e marrëdhënieve, me nivelin e vizitave midis dy vendeve, si dhe për njohjen e vendeve mes njëri-tjetrit. Në të njëjtën mënyrë siç keni shkuar ju në Izrael, të tjerë mund të vijnë këtu e do të ketë më shumë vizita nga të dyja anët. Duhet t’ju them që në Izrael ka shumë respekt për Shqipërinë, për vendin tuaj, sepse jemi të informuar që Shqipëria bashkëpunoi e ndihmoi shumë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u jemi shumë mirënjohës për këtë.

Është diçka që ende nuk njihet mirë në arenën ndërkombëtare. Nuk e di përse ka një ngërç ende …? Si ju duket?

E. Gol: Kjo është përgjegjësi e gazetarëve, gjithashtu, që të shkruajnë sa më shumë për të. Por sot ka më shumë njerëz se më parë që dinë për këtë. Kam vizituar disa universitete. Duhet ta rrisim patjetër nivelin akademik të bashkëpunimit. Pasi të jetë rritur bashkëpunimi midis universiteteve shqiptare dhe izraelite, kjo çështje do të jetë në krye të programeve, siç duhet të jetë. Më shumë njerëz dinë sot për këtë se ç’dinin 20 vite më parë. Sa më të forta të jenë lidhjet, aq më mirë është.

Ambasadorja e Izraelit: Shqipëria, shembull i bukur tolerancës ndërfetare

Ambadasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka qenë e ftuar në disa darka iftari të organizuar në Tiranë.

Izrael

Izraeli rihap hapësirën ajrore, kapen 99% e raketave iraniane

Nga më shumë se 30 raketa të lëshuara nga Irani, asnjëra nuk kishte arritur në Izrael.

Shqipëri

Rama dënon sulmin e Iranit kundër Izraelit: I paprecedent, rrezikon të destabilizojë rajonin

Kryeministri Edi Rama dënoi sot fuqimisht sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

BE dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit si ‘përshkallëzim të paprecedentë’

Bashkimi Evropian dënoi ashpër sulmin e drejtpërdrejtë ajror të Iranit ndaj Izraelit.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.