Tsach Saar: Izraeli ofron ekspertë për të ndihmuar Shqipërinë


Zëvendësambasadori dhe konsull i Izraelit në Shqipëri, Z. Zach Saar konfirmon në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” interesin në rritje të vendit të tij për ta ndihmuar Shqipërinë me ekspertizë dhe trajnime në shumë fusha, sidomos në fushën e bujqësisë.

Diplomati izraelit, i cili ka ardhur në Shqipëri gushtin e kaluar, është plot energji për të realizuar një nga objektivat që ai i ka vënë vetes në këtë post: jo vetëm të sjellë Izraelin në Shqipëri, por edhe Shqipërinë në Izrael. Sipas Saar, Izraeli do të donte të shihte më shumë investime izraelite në Shqipëri si dhe t’i ekspozonte izraelitët edhe më tepër ndaj potencialit të madh që mbart Shqipëria. “Në fund të muajit prill, një konferencë e rëndësishme, e quajtur ‘AGRITECH’ do të zhvillohet në Izrael. Një delegacion i përbërë afërsisht nga 100 biznesmenë shqiptarë do të marrin pjesë në këtë konferencë. Ata do të kenë rastin të takojnë homologët potencialë në fushën e bujqësisë për të diskutuar mundësitë në aspektin e teknologjisë dhe investimeve”, nënvizoi diplomati i lartë izraelit.

A keni qenë më parë në Shqipëri dhe a mund të na thoni diçka për karrierën tuaj diplomatike?

Unë erdha në Shqipëri gushtin e kaluar. Më parë kisha qenë këtu vetëm për një javë. Ishte një lloj vizite paraprirëse për t’u njohur me vendin, për të takuar paraardhësin si dhe për të përgatitur terrenin për fillimin e misionit tim diplomatik. Kështu, kalova një javë këtu qershorin e kaluar për të filluar zyrtarisht misionin tim diplomatik në gusht të 2014-s. Më parë nuk dija shumë për Shqipërinë. Kështu, ky është një nga qëllimet e mia kryesore: jo vetëm të sjell Izraelin në Shqipëri, por edhe Shqipërinë në Izrael. U mrekullova nga shqiptarët. Ata janë me të vërtetë të këndshëm dhe mikpritës. Mendoj se shqiptarët dhe izraelitët kanë shumë gjëra të përbashkëta. Ata ndajnë jo vetëm historinë e tyre, por edhe temperamentin mediterran dhe karakteristikën e të qënurit direkt. Për diplomatët, kjo është më e rehatshme sepse ju mund të jeni shumë direkt me homologët dhe kolegët tuaj. Sa i takon karrierës sime, ju bashkova ministrisë tre vjet më parë. Punova në Departamentin e Çështjeve Strategjike për ca kohë. Gjithashtu, kam marrë pjesë në trajnime intensive. Më parë kam punuar në Parlamentin Izraelit për 4 vite.

Pasi keni ardhur në Shqipëri, a keni tashmë një vlerësim për situatën e marrëdhënieve Shqipëri-Izrael?

Ambasada e Izraelit në Shqipëri u hap 2 vjet e gjysmë më parë, domethënë në gusht të 2012. Që atëherë, marrëdhënia me Shqipërinë po bëhet gjithnjë më e afërt dhe më intensive. Është një gjë shumë e mirë. Të pasurit e një ambasadori rezident dhe të një ambasade në Shqipëri i ka çuar marrëdhëniet dypalëshe në një nivel më të lartë. Marrëdhënia jonë po zhvillohet në shumë fusha, e shprehur kjo në vizita bilaterale, bujqësi, ekonomi, kulturë, histori, shkëmbime akademike dhe padyshim edhe në nivel politik. Bashkëpunimi politik dhe marrëdhëniet politike janë të forta dhe ne kemi si qëllim që t’i forcojmë ato vazhdimisht. Gjithashtu, ekzistojnë kontakte personale midis udhëheqësve politikë respektivë të të dyja vendeve. Shteti i Izraelit është një lloj oazi në Lindjen e Mesme të trazuar. Ne jemi të rrethuar nga lufta, urrejtja dhe kërcënimet dhe ende jemi vendi më i sigurt për myslimanët, hebrenjtë dhe kristianët në rajon. Populli shqiptar dhe udhëheqësit e qeverisë dhe të opozitës e kuptojnë këtë gjë dhe qëndrojnë me Izraelin.

Cilat janë prioritet tuaja kryesore?

Prioriteti im është të intensifikoj marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Ne jemi të përqendruar sidomos në nivelet politike dhe ekonomike. Ne do të donim të shihnim më shumë investime izraelite në Shqipëri dhe t’i ekspozonim izraelitët ndaj potencialit të madh që mbart Shqipëria. Aspekti i dytë është bujqësia. Ne do të donim të jepnim ndihmën tonë në transferimin e njohurive, teknologjisë dhe eksperiencës sonë në shumë aspekte të bujqësisë si në sistemin e vaditjes, periudhën pas vjeljes, modernizimin e fermave e të tjera. Gjithashtu, forcimi i bashkëpunimit tonë akademik dhe kulturor është pjesë e prioritetit tonë në Shqipëri. Në këtë aspekt, ne kemi planifikuar një festival filmi izraelit që do të zhvillohet në Shqipëri nga fundi i muajit prill, fillimi i muajit maj. Ne mbështesim festivalet lokale që mirëpresin artistët izraelitë, ndërsa kemi shumë projekte me Universitetin e Tiranës.

Ju përmendët investimet. Çfarë strategjie po përdorni për t’u ekspozuar potencialin shqiptar investitorëve të fuqishëm izraelitë?

Në fund të muajit prill, një konferencë e rëndësishme, e quajtur “AGRITECH” do të zhvillohet në Izrael. Një delegacion i përbërë afërsisht nga 100 biznesmenë shqiptarë do të marrin pjesë në këtë konferencë. Ata do të kenë rastin të takojnë homologët potencialë në fushën e bujqësisë për të diskutuar mundësitë në aspektin e teknologjisë dhe investimeve. Takime të tilla nuk do të jenë vetëm midis investitorëve (B2B), por edhe në nivel qeverish, sepse edhe një vizitë ministriale shqiptare do të realizohet në këtë konferencë. Shqipëria ka një potencial të madh kur bëhet fjalë për bujqësinë sepse së pari, më shumë se 50 përqind e shqiptarëve merren me të. Së dyti, Shqipëria ka afërsi me tregjet lokale, ka një tokë shumë të mirë dhe klimë gjithashtu. Këto tipare i japin mundësi Shqipërisë të jetë shumë konkurruese në tregun europian. Prandaj ne shikojmë shumë potencial në këtë fushë për ta mbështetur ekonominë vendase. Vitin tjetër ne do të organizojmë një konferencë të madhe në Shqipëri për një ekspozim të biznesmenëve izraelitë ndaj Shqipërisë, siç bëmë në 2013 kur rreth 100 biznesmenë izraelitë erdhën këtu.

Cilat janë fushat më me interes për izraelitët në Shqipëri?

Nëse flasim për investimet, mund të përmend bujqësinë, pronat e paluajtshme, turizmin, energjinë dhe të tjera. Sa i takon ndihmës së huaj, ne po bëjmë përpjekje të mëdha në fushën e bujqësisë. Më shumë se sa para, ne po sjellim ekspertizën tonë. Ekspertët izraelitë kanë qenë kudo në Shqipëri për t’u dhënë ndihmë fermerëve vendas dhe për të nxjerrë rekomandimet e tyre në fund të vizitës. Por kjo nuk është e gjitha. Ne ofrojmë një seri trajnimesh për shqiptarët në fusha të ndryshme si në atë të fuqizimit të grave, zhvillimit të aftësive të drejtimit midis të rinjve, trajnime profesionale në bujqësi, planifikim urban, zhvillim rural e të tjera. Ne gjithashtu kontribuuam në rastin e përmbytjeve, të cilat goditën Shqipërinë janarin e kaluar.

Po për propozimet tuaja sa i takon turizmit në Shqipëri?

Potenciali i turizmit në Shqipëri është i shkëlqyeshëm. Pse? Klimë, plazhe dhe panoramë e mrekullueshme, histori dhe trashëgimi e pasur. Aktualisht ka disa investitorë izraelitë që janë vërtet të interesuar të investojnë në këtë fushë në Shqipëri. Në bashkëpunim me partnerët lokalë, ata janë familjarizuar me potencialin e turizmit shqiptar, duke paraqitur zonat tipike turistike. Në fund të këtij viti, të dyja vendet do të organizojnë një ekspozitë fotografike për të treguar më të mirën e turizmit nga të dyja vendet. Fotografë izraelitë dhe shqiptarë do të realizojnë foto për të treguar më të mirën e turizmit respektiv. Fatkeqësisht, shifrat janë ende të ulëta në fushën e turizmit. Problemi kryesor është mungesa e fluturimeve direkte. Dhe ne po punojmë në këtë drejtim. Izraeli mund të jetë gjithashtu tërheqës për turistët shqiptarë. Historia, feja, njerëzit mikpritës dhe energjia pozitive kombinohen bukur.

A i keni vizituar tashmë pjesën më të madhe të zonave turistike të Shqipërisë?

Kam parë disa vende si qytetin e Beratit dhe Llogaranë, por ka shumë ende për të zbuluar. Me zor po e pres këtë eksperiencë. Udhëtimi dhe vizitat në vendet e reja janë pjesë e hobeve të mia. Për mua, Shqipëria është një vend i pazbuluar. Kurioziteti është një karakteristikë e rëndësishme e diplomatëve.

Izraeli do të organizojë zgjedhjet parlamentare më 17 mars. Si i parashikoni ato?

Në këtë fushatë ne pamë praninë dhe ndikimin në rritje të medias sociale. “Facebook”, “Youtube” dhe “Twitter” luajtën një rol të rëndësishëm në dhënien e mesazheve dhe videove. Ishte shumë emocionale dhe ne nuk duhet ta harrojmë atë, kështu që ajo nuk do t’i ndajë njerëzit, por do t’i bashkojë ata. Unë shpresoj në një pjesëmarrje të lartë të votuesve, sepse kjo është një kontribut ndaj demokracisë, si dhe në një formim të shpejtë të qeverisë së re.

Rudina HOXHA

http://balkanweb.com/gazetashqiptare/zach-saar-izraeli-ofron-eksperte-per-te-ndihmuar-shqiperine/

Ambasadorja e Izraelit: Shqipëria, shembull i bukur tolerancës ndërfetare

Ambadasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka qenë e ftuar në disa darka iftari të organizuar në Tiranë.

Izrael

Izraeli rihap hapësirën ajrore, kapen 99% e raketave iraniane

Nga më shumë se 30 raketa të lëshuara nga Irani, asnjëra nuk kishte arritur në Izrael.

Shqipëri

Rama dënon sulmin e Iranit kundër Izraelit: I paprecedent, rrezikon të destabilizojë rajonin

Kryeministri Edi Rama dënoi sot fuqimisht sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

BE dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit si ‘përshkallëzim të paprecedentë’

Bashkimi Evropian dënoi ashpër sulmin e drejtpërdrejtë ajror të Iranit ndaj Izraelit.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.