Nëntë hebrenjtë që ranë dëshmorë në Shqipëri

David Juda Kohen, Jakov Avramoviç, Jusef Solomon Konforti, Jusef David Bivas, Zhak (Isak) Emanuel Ruben, Leo Tyjeri, Jakov Josef Bahar, Baruh Isak Baruh dhe Dario Zhak Arditi janë emrat e 9 hebrenjve që kanë rënë dëshmorë për lirinë e Shqipërisë në Luftën II Botërore.

Por cilat janë arsyet që ata e morën statusin e dëshmorit vetëm në vitet 2011-2012. Këtë e mësojmë nga Kreshnik Hashorva, autori i dhjetëra filmave, skenarëve dhe dokumentarëve shqiptarë, i cili në vitet ‘95 ka qenë edhe drejtor i ALBAFILM-it. Kreshnik Hashorva, është një shqiptar që i pëlqen ta quajnë “pjesëtar” i familjes së hebrenjve, pavarësisht origjinës së tij.

Kjo, sepse ai duke u vendosur në rolin e familjarit të atyre hebrenjve që kanë rënë në luftë, ka bërë të gjitha përpjekjet, derisa me vendim qeverie të merrnin statusin e merituar si dëshmorë të rënë për lirinë e Shqipërisë. Me profesion ekonomist, jurist dhe producent filmash, Hashorva ka rendur nëpër gjurmët ku kanë shkelur hebrenjtë në Shqipëri. Ka bërë xhirime bashkë me drejtorin e fotografisë Spartak Papadhimitri, duke shkelur në vatrat e familjeve që i kanë mbrojtur e strehuar hebrenjtë gjatë Luftës II Botërore, nga Saranda deri në Kosovë, në funksion të një filmi dokumentar në kujtim të tyre.

Filmi titullohet “Toka e Besës” dhe episodi i përpjekjeve të Hashorvës për dhënien e Statusit Dëshmor i Atdheut të 9 hebrenjve është përfshirë edhe në filmin e tij. Duke kërkuar historinë e tyre, Hashorva nuk mund të ishte i qetë i qetë për një episod të ndritur, por të harruar nga një qeveri e paorganizuar mirë pas Luftës II Botërore në Shqipëri. Emrat e të rënëve i kishte dëgjuar shpesh në kujtimet e familjes së tij në Gjirokastër. Ata kishin rënë bashkë me shqiptarët dëshmorë për lirinë e atdheut, por nuk ishin shpallur zyrtarisht si të tillë.

Pse nuk u regjistruan 9 dëshmorët pas luftës

Filmi “Toka e besës” u shfaq dje në ekspozitën e organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, e cila i ishte kushtuar ndihmesës që dha populli dhe autoritetet zyrtare shqiptare në mbrojtje të popullsisë hebreje gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Një mori dokumentacionesh të fotografuara nga Arkiva e Shtetit paraqet listat e familjeve që kanë marrë në mbrojtje hebrenjtë në vitin 1935-1944. Aty kishte edhe faksimile të lejeve për hyrjen e personaliteteve të shquara, siç është ajo e profesor Nobert Joklit që bashkë me Frank Gunjurgerin kanë kërkuar të marrin shtetësinë shqiptare në vitin 1939.

Gjithashtu nuk mungojnë as urdhëresat zyrtare për të marrë në mbrojtje hebrenjtë e strehuar në Shqipëri, etj. Po cilat ishin arsyet e harresës së regjistrimit të 9 dëshmorëve hebrenj pas mbarimit të luftës. Sipas Hashorvës e vetmja arsye kishte qenë se “pas luftës ata nuk kishin familjarët e tyre në Shqipëri, ndërkohë që pas viteve ‘50 çdo familje interesohej për regjistrimin e të rënëve në luftë, dhe kjo bwhej, jo vetëm për çështje krenarie, por edhe për arsye se merrnin një pension prej shtetit. Këtë histori Hashorva na e tregon pas shfaqjes së filmit “Toka e besës”, kushtuar hebrenjve në Shqipëri, ku ai iu ka kushtuar edhe një episod special hebrenjve të rënë dëshmorë për lirinë e Shqipërisë. Ja rrëfimi i Harshovës për 9 dëshmorët hebrenj.

Zoti Hashorva, në filmin dokumentar “Toka e besës”, kushtuar mbrojtjes së hebrenjve nga populli shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte edhe episodi i përpjekjeve tuaja që dëshmorët e rënë në luftë të merrnin statusin zyrtar. Si u shpallën dëshmorë 9 hebrenjtë?
-Filmi “Toka e besës nuk mund të niste pa pasur në skenar marrëdhëniet në shekuj midis dy popujve, ndaj nuk mund të mungonte edhe një nga episodet e ndritura, qw ata kanw rwnë dëshmor në Shqipëri. Për të marrë të dhëna rreth këtij fakti gjatë realizimit të filmit u interesova në Organizatën e Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, ku u njoha me faktin se njiheshin si dëshmor të pashpallur, pra nuk iu ishte dhënë Statusi i Dëshmorit.

Dëshiroja që të xhiroja momente nga shpallja dëshmor e tyre. Mendova që procedura do ishte e thjeshtë, por ligji kërkonte mjaft të dhëna, kështu që zgjati mw shumë se 5 vjet dhe statusi i fundit është dhënë më 9 nëntor 2012.

Fillimisht, duke pasur edhe kulturën juridike, më 27 prill 2006, i drejtova Kërkesë Komisionit Qendror të Statusit Dëshmor i Atdheut. Për këtë ka shërbyer mjaft shkrimi “Izraelitët në Shqipni paraokupacionit, gjatë okupacionit dhe mbas çlirimit nga okupatori” me autor Ing.Samuilo MANDIL, botuar në gazetën “Bashkimi”, Nr.51, datë 20 shkurt 1945. Ndihmë të pakursyer për plotësimin e dokumentacionit më ka dhënë Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit. Të dhëna dhe karakteristika më të plota për të rënët izraelite më ka dhënë stdudiesi A. Kotani, autor i librit “Hebrenjtë në Shqipëri gjatë shekujve“.

Shoqata e Miqësisë Shqipëri – Izrael e mbështeti ndjekjen e procedurës nga ana ime. Por dua tw përmend edhe veteranin Dalan Buxheli, i cili ka ndihmuar mjaft si anëtar i Komisionit të Statusit. Është fakt se disa vite më parë, më 07.10.1997, Komiteti Kombëtar i Veteranëve të Luftës Antifashiste NACL dhe Shoqata e Miqësisë Shqipëri – Izrael i kishte propozuar zyrtarisht Kryesisë së Këshillit të Ministrave për ngritjen e një varri simbolik në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në shenjë nderimi dhe respekti për të rënët izraelitë, propozim për të cilin nuk u dha përgjigje zyrtare.

Duke qenë njëkohësisht edhe jurist, ndoqa procedurën përkatëse që parashikon Ligji Nr.8607, datë 27.04.2000 dhe Vendimi 151, datë 25.04.2002 për “Statusin e Dëshmorit te Atdheut”. Simbolet e dhënies së Statusit për këta dëshmorë janë tw vendosura në Stendën e Hebrenjve në Muzeun Historik Kombëtar. Për dy vite rresht, në Ditën e Dëshmorëve, me anëtarë të Shoqatës Shqipëri-Izrael dhe të ftuar të tjerë shkojmë dhe vendosim kurorë në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Cila ishte shtysa për xhirimin e filmit “Toka e besës”?

-Marrëdhëniet shumë të mira në shekuj midis shqiptarëve dhe hebrenjve. Filmi ishte mjaft i vështirë për t’u realizuar se brenda tij shtrihet një histori gati 2000-vjeçare. Filmi është prodhim i Televizionit Publik Shqiptar. Si filmi dhe procedura juridike e shpalljes së dëshmorëve hebrenj ka qenë një shtysë e brendshme. Filmi u shfaq për herë të parë në ”Ditën e Kujtesës“ më 27 janar 2008, në Pallatin e Luksemburgut në Paris në veprimtarinë me temë “Shqipëria, 1933-1944, nderi i njeriut, një shembull për Europën”. Kjo konferencë vuri në pah më të bukurën gjë që mund të bëjë një popull, mbrojtjen e nderit të njeriut.

U bë e njohur historia e një kombi të tërë, ku shqiptarët pavarësisht nga pozicionet që kishin vepruan si unitet, bashkë për të shpëtuar hebrenjtë. Në Arkivin e Shtetit, dokumentet për hebrenjtë sipas një përllogaritje i kalojnë të 5000 faqet. Filmi jep me fakte dhe dokumente jetën e hebrenjve në Shqipëri, e cila kulmon në Luftën e Dytë Botërore, ku shqiptarët i strehuan dhe i mbrojtjen, shpjegimi i së cilës, është ndër të tjera kodi moral i shqiptarëve, në bosht të së cilës është BESA.

2011-2012/Izraelitët që u shpallën “Dëshmor i Atdheut”

Komisioni Qëndror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” në mbështettje të nenit 2 dhe 4 të Ligjit nr.8607, datë 27.04.200, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, i ndryshuar dhe të VKM nr.151, datë 25.04.2002 për Statusin “Dëshmor i Atdheut, i ndryshuar, ju dha Statusin “ Dëshmor i Atdheut”:

1- David Juda KOHEN – i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.463, datë 14.09.2011.
Ka ardhur në Krujë më 16.5.1943 nga Uroshovaci (Jugosllavi). U kap befasisht në Natën (terrorin) e 4 Shkurtit 1944, ku u vra së bashku me 43 banorë të tjerë të Tiranës, të cilët janë shpallur ”Dëshmorë të Atdheut”.

2- Jakov AVRAMOVIÇ – i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.467, datë 14.09.2011.
Ka ardhur nga Prishtina më 5.4.1942 me internim në Berat, me shtetësi shqiptare. U inkuadrua në Brigadën VII të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ra dëshmor duke luftuar në Lushnjë në nëntor të vitit 1943.

3- Jusef Solomon KONFORTI – i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.471, datë 14.11.2011.
Ka ardhur nga Prishtina më 5.4.1942, me shtëtësi jugosllave, i internuar në Peqin e më pas në Berat. U inkuadrua në Brigadën VII të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ra dëshmor duke luftuar në Selenicë të Vlorës në shkurt të vitit 1943.

4- Jusef David BIVAS – i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.473, datë 14.11.2011.
Ka ardhur nga Prishtina më 16.5.1942 me internim në Berat, me shtetësi shqiptare. U inkuadrua në Brigadën VII të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ra dëshmor duke luftuar më 18 gusht 1943.

5- Zhak (Isak) Emanuel RUBEN – i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.474, datë 14.11.2011
Ka ardhur nga Prishtina më 5.4.1942 me internim në Kavajë. Fillimisht u inkuadrua në Çetën e Pezës. Në vjeshtën e vitit 1943 u dërgua me detyrë nga komanda e Çetës në Tiranë, ku u kap në befasi nga nazistët gjermanë. U pushkatua në kampin e përqëndrimit në afërsi të Beogradit.

6- Leo TYJERI – i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.480, datë 14.11.2011.
Ka ardhur nga Kosova (Prishtina) dhe u vendos në Lushnjë. U inkuadrua në Ushtrinë Nacionalçlirimtare, Batalionin II i Grupit të Muzeqesë. Ra dëshmor duke luftuar në Bishqefën të Lushnjës më 10 tetor 1943.

7- Jakov Josef BAHAR – i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.481, datë 14.11.2011.
Ka ardhur nga Prishtina më 5.4.1942 me internim në Berat, me shtetësi shqiptare. U inkuadrua në Batalionin I të Brigadës VII të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Mitralier. Ra heroikisht dëshmor në luftë kundër nazistëve në betejën e Tendës së Qypit në qershor të vitit 1944.

8- Baruh Isak BARUH – i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”,
me Vendimin Nr.482, datë 14.11.2011 Ka ardhur nga Prishtina më 5.4.1942 dhe u vendos fillimisht në Berat. Ashtu si mjaft izraelitë të tjerë mori pjesë në Ushtrinë Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe në vjeshtë të vitit 1943 ra dëshmor në luftë kundër nazistëve gjermanë.

9- Dario Zhak ARDITI – i është dhënë Statusi ”Dëshmor i Atdheut”, me Vendimin Nr.635, datë 09.11.2012
Studioi në një klasë me Qemal Stafën në Gjimnazin e Shkodrës. Ishte violinist me talent. Ai u bë edhe drejtues i orkestrës së gjimnazit. Dario u afrua me Luftën Antifashiste. Dario e përjetoj shpirtërisht me dhimbje të thellë vdekjen heroike të Qemalit. Por dhe vetë Dario pati një fat tragjik. Ai nuk kishte mbetur pa renë në sy të agjentëve të fashizmit. Ndoshta kjo u bë shkak edhe për ndjekjet kundër tij. Papritur Dario u kap në befasi në Shkodër nga nazistët, dhe u çua në kampin famëkeq të Prishtinës, ku u masakrua barbarisht. /Shqiptarja.com

 

 

Kompania Spyware NSO synon blerjen e startapit të ish-shefit ushtarak izraelit

NSO ka marrë kritika të ashpra pas akuzave se softueri i saj është përdorur nga qeveritë për të spiunuar gazetarët