“East Med”, projekti 7 mld dollarë që sjell gazin izraelit drejt Europës

Ky është gazsjellësi, më i gjati dhe më i thellë nën det në botë

Greqia, Qipro, Izraeli dhe Italia kanë rënë dakord për ndërtimin e gazsjellësit “East Med”, që do të krijojë lidhjen e rezervave të gazit të shtetit hebre me 3 vendet në fjalë, me anë të një projekti kolosal që do të kushtojë mbi 7 miliardë dollarë.

Sipas gazetes “Times of Israel”, që publikon lajmin, nëpërmjet këtij gazsjellësi, më i gjati dhe më i thellë nën det në botë, do të bëhet furnizimi me gaz natyror nga Mesdheu Lindor në Europë.

Vepra energjetike do të fillojë të ndërtohet rreth 170 kilometra nga bregu jugor i Qipros, e do të shtrihet në një gjatësi prej 2.200 km për të arritur në Otranto të Italisë, nëpërmjet Kretës dhe Greqisë kontinentale.

Ai do të jetë në gjendje të transportojë deri në 20 miliardë metra kub gaz në vit, kur nevojat e gazit në Europë pritet të rriten me 100 miliardë metra kub në vit deri në vitin 2030.

Sipas medieve izraelite, puna për “East Med” do të fillojë në muajt e ardhshëm, pasi të shqyrtohet dhe aprovohet edhe nga BE-ja, e pritet të përfundojë brenda 5 viteve.

Lajmi vjen vetëm disa ditë pas përfundimit të gazsjellësit “Turkstream”, që përuruan Putin dhe Erdogan, një gazsjellës për të cilin tashmë Athina bashkë me Sofjen kërkojnë të përfitojnë pjesën tjetër të tij, që do të çojë gazin drejt brigjeve italiane.

Për këtë çështje do të diskutojë kryeministri Tsipras me presidentin rus, në takimin që do të kenë në fillim të dhjetorit në Moskë. Athina synon fort këtë marrëveshje, pasi gazsjellësi “TAP” – që është thuajse në përfundim, – dhe ndërtimi i dy gazsjellësve të tjerë do ta shndërrojnë Greqinë në një nyje tepër të rëndësishme energjetike në rajon. /Top Channel/

Shqiptarët e Izraelit festojnë Pavarësinë: shqiponjë dhe flamur kuqezi

Komuniteti shqiptaro-hebre që jeton në Izrael festoi Festën e Pavarësisë. Mori pjesë ambasadori Bardhyl Canaj