Një histori e hebrenjve në Shqipëri


Data 27 janar njihet si dita simbol e përfundimit të gjuetisë së shtrigave ndaj hebrenjve apo thënë ndryshe fundi i holokaustit. Shqiptarët kanë lidhje shpirtërore me këtë datë, pasi kanë ndihmuar dhe mbrojtur shumë prej tyre.

Sot, kemi mundur të flasim me Edvin Kuçin, pasi ai na rrëfen se në familjen e gjyshit të tij, Ali Kuçit, është strehuar familja hebreje me çiftin Solomon e Dodona dhe dy fëmijët e tyre, për dy vite me radhë.Edvini, sot baba i katër fëmijëve, jeton në Tiranë dhe ushtron profesionin e juristit. Ai ndihet krenar për familjen e tij, sidomos, sa herë që përkujtohet kjo datë. Këtë herë rrëfen për Dita-n aq sa mban mend nga tregimet e babait…

“Hanin bukë në të njëjtën sofër me fëmijët e Aliut (gjyshit) ndërkohë që gjermanët patrullonin në kërkim të tyre. Objekti ishte, që t’i mbronin nga nuhatja e gjermanëve dhe gjuetia që kishin nisur ndaj këtij populli, dhe këtë gjë e arritën më së miri”.

Këtë e tregon sot nipi i Ali Kuçit, Edvini. Sipas tij, barriera mbrojtëse e këtyre njerëzve ka qenë xhaxhai i tij, Metini, i cili ishte intelektual i kohës, kishte studiuar në Itali dhe kishte marrë pjesë në luftën Italo-Greke; e dinte shumë mirë gjermanishten gjë që ja kishte lehtësuar më shumë punët. Sipas asaj që i ka treguar babai i vet, Kujtimi, Edvini rrëfen se kurioziteti i gjermanëve ishte shumë i madh. Ata pyesnin vazhdimisht, kush janë këta, për këtë arsye, kjo familje i dha një ndihmë shumë të madhe duke i regjistruar si pjesëtarë të familjes së tyre. I shtuan anëtarët e familjes me emrat e hebrenjve duke i bërë ata kushërinj vetëm që të shpëtonin nga nazistët. Hebrenjtë, kudo, i shikonin gjermanët me një lloj frike, ku ka gjerman automatikisht duhet të fshihen.

“Fëmijët e gjyshit tim njiheshin mirë me çiftin e hebrenjve që jetonin në Berat bashkë me fëmijët e tyre. kjo ishte një nga arsyet pse ata trokitën në derën e Ali Kuçit”, -pohon, Edvini, i cili shtonë se strategjia e ndjekur nga xhaxhai i tij, Metini do të kalonte çdo lloj “hetimi” të bërë nga ushtarët SS në kërkim të hebrenjve. Fillimisht ai do t’i pajiste ata me dokumente identifikimi shqiptare, duke i ndërruar emrin Solomonit në Sulejman, tekstualisht siç përkthehet nga hebraishtja në arabisht. Ndërsa më pas, familja hebreje, për të larguar çdo dyshim që mund t’iu lindte ushtarëve gjermanë u dërgua në fermën e familjes Kuçi në fshatin Golem të Lushnjes, ku qëndruan deri në largimin nga Shqipëria. Me përfundimin e luftës, ata kaluan edhe njëherë në Berat dhe më pas kapërcyen kufirin shqiptar. Babai i ka treguar Edvinit që, kur kjo familje është larguar u kanë dhënë me vete florinj për të nisur një jetë të re, natyrisht më të mirë dhe pa gjurmimin për pushkatim nga SS-ët. Sipas informacionet që familja Kuçi kishte deri në ato momente, bujtësit e tyre hebrenj ishin strehuar fillimisht në Uruguai e më pas në Brazil. Vetëm kaq ka mësuar Edvini, deri në vitin 1945, kontakte me familjen u shkëputën tërësisht. Diktatura në atë kohë bëri punën e vet duke krijuar vështirësi në komunikim. Sinjali i parë i jetës për Dodonën dhe Solomonin kishte ardhur më pas në vitin 1970, një pako e shoqëruar më një letër mbërrin në familjen Kuçi.

“Di që në vitet ‘70 këta kanë marrë disa pako që për ne ishin shumë në atë kohë. Solomoni dhe Dodona u ka dërguar një pako me një dhuratë simbolike dhe një letër falënderimi, thjesht që jemi mirë dhe ju jemi mirënjohës”. Lufta e klasave dhe ashpërsia e diktaturës i mbylli akoma më shumë rrugët e komunikimit më këtë familje. Mirënjohja dhe fakti që nuk e kishin harruar i gëzojë ata pamasë strehuesit e hebrenjve. Ky ishte kontakti i fundit në vitet komuniste me familjen hebreje. Më pas vijmë në vitin 1992. Shoqata e hebrenjve në Shqipëri, organizon një udhëtim në Izrael në nder të gjitha familjeve shqiptare që kishin mbrojtur hebrenjtë nga gjermanët në vitet e luftës. Njëri nga të dërguarit ishte edhe babai i Edvinit, Kujtimi. Sipas asaj që i ka rrëfyer i ati, vizita e parë e shqiptarëve ishte pranë një memoriali ku ishin shënuar emrat e të gjitha familjeve shqiptare të cilat hebrenjtë i kujtonin me shumë respekt. Atje, Kujtimi ka marrë dhe një dekoratë si shenjë nderimi ndaj këtij populli. Ka vizituar Izraelin për disa ditë, por ajo që i kishte ngelur peng ishte se nuk kishte mundur të takonte familjen që kishte jetuar në shtëpinë e tij. Në një kontakt telefonik që kishin patur, fatkeqësisht, ata në atë periudhë kohore familja hebreje ndodhej në Brazil, dhe në momentin kur do të ktheheshin në Izrael, Kujtimi ishte rehatuar në atdheun e tij, tani tepër vonë. Sipas informacioneve që ka Edvini, Shqipëria është vendi i dytë pas Danimarkës që ka mbajtur hebrenj, dy vende që nuk ja kanë dorëzuar asnjëherë këtë popull gjermanëve edhe kur i kanë pasur në “dorë”.

Entela Resuli

***

Hebrenjtë në Shqipëri

Ardhja e hebrenjve në vendin tonë nuk është se ka një periudhë kohore të përcaktuar mirë në histori. Sipas saj, para vitit 1939 në Shqipëri ndodheshin rreth 350 hebrenj. Viti 1937 deri në 1939 shënoi një dyndje të këtij populli. Ata erdhën tranzit me viza të rregullta nga Austria, Jugosllavia, Gjermania etj. për t’i shpëtuar persekutimit në vendet e tjera të Evropës. Numri i tyre u rrit së tepërmi kur u pushtua më vonë Greqia nga gjermanët. Gjatë luftës mund të kenë kaluar tranzit ose kanë kaluar njëfarë periudhe kohore rreth 1800 hebrenj. Në 1945 në Shqipëri gjendeshin 500 hebrenj, nga të cilët ngelën ata që ishin dhe më parë në 1947. Të tjerët u larguan me dëshirën e tyre pa përndjekje dhe pa pengesa nga qeveria shqiptare për në Izrael. Në 1992, Jakov Jakoel, i cili quhet dhe nga hebrenjtë e Shqipërisë si “Moisiu i dytë”, falë përpjekjeve personale dhe të njohurve të tij, arriti të sigurojë emigrimin e 200 hebrenjve për në Izrael. Sot komuniteti hebre në Shqipëri numëron rreth 60 vetë, të cilët shumica jetojnë në Tiranë. Komuniteti më i madh hebre ka qenë ai i Vlorës, ku kishin dhe lagjen, shtëpitë dhe sinagogën e tyre. Hebrenjtë shqiptarë morën pjesë në LANÇ duke u inkuadruar në radhët e partizanëve.

Lexo më shumë

Ambasadorja e Izraelit: Shqipëria, shembull i bukur tolerancës ndërfetare

Ambadasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ka qenë e ftuar në disa darka iftari të organizuar në Tiranë.

Izrael

Izraeli rihap hapësirën ajrore, kapen 99% e raketave iraniane

Nga më shumë se 30 raketa të lëshuara nga Irani, asnjëra nuk kishte arritur në Izrael.

Shqipëri

Rama dënon sulmin e Iranit kundër Izraelit: I paprecedent, rrezikon të destabilizojë rajonin

Kryeministri Edi Rama dënoi sot fuqimisht sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

BE dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit si ‘përshkallëzim të paprecedentë’

Bashkimi Evropian dënoi ashpër sulmin e drejtpërdrejtë ajror të Iranit ndaj Izraelit.

Spyzone

Ushtria e Izraelit rrethon komandën qëndrore të Hamasit

Marina gjithashtu kreu dhjetëra sulme përgjatë bregut të Gazës, duke ndihmuar forcat tokësore.